31 Tetor, 2019

Victor Kravchenko ishte një inxhinier sovjetik i dërguar në SHBA për blerjen e materjaleve të luftës gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në fund të luftës ai vendos të kërkojë azil politik. Pas lufte, shkroi një libër denoncues i quajtur Zgjodha Lirinë në të cilin zbuloi për botën tmerret e kampeve sovjetike të përqendrimit. Ai u detyrua të hedhë në gjyq në Francë gazetat komuniste franceze, të cilat e akuzuan si gënjeshtar. Pikërisht ky proces gjyqësor për shpifje u bë një gjyq mbi të vërtetën.

Shtëpia e Librit

Libraria Shtëpia e Librit

Kravchenko ishte i biri i një punonjësi hekurudhash me bindje socialiste që mori pjesë në revolucionin e vitit 1905. Ai u arsimua si inxhinier dhe punoi në rajonin e Donetskut, Ukraina e sotme. Ai u bë anëtar i partisë komuniste më 1929.

Duke jetuar në Ukrainë, ai u trondit thellë nga Uria e viteve 1932-33, e njohur sot si Holomodori, në të cilën miliona njerëz vlerësohet se vdiqën nga vendimi i Stalinit për të shitur grurin në tregun ndërkombëtar për të paguar industrializimin e BRSS-së.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Kravchenko shërbeu si kapiten në Ushtrinë e Kuqe në Frontin Lindor. Në vitin 1942, Stalini urdhëroi thirrjen e inxhinierëve nga fronti për të përqendruar energjitë në rritjen e prodhimit të armatimeve dhe municioneve.

Kravchenko u dërgua në Uashington në verën e vitit 1943 për të shërbyer në Komisionin e Blerjeve të Bashkimit Sovjetik, nnjë zyrë që përfshinte qindra persona të angazhuar në programin e blerjeve të armatimeve dhe pajimeve të tjera në SHBA për llogari të luftës së Bashkimit Sovjetik kundër Gjermanisë.

Më 1 prill 1944, ai kërkoi azil politik në Shtetet e Bashkuara. Pak ditë më vonë, the Neë York Times raportoi se Kravchenko po akuzonte “qeverinë e Bashkimit Sovjetik për një politikë të jashtme me dy fytyra pasi ishte aleate me Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë e Madhe ndërsa nuk jepte liri politike dhe civile për shtetasit e vet.”

Fillimisht ai u përball me një sjellje armiqësore nga qeveria amerikane, e cila shqyrtoi mundësinë e ekstradimit të tij në Bashkimin Sovjektik ku pritej të gjykohej dhe dënohej si tradhëtar. E vetmja gjë që e shpëtoi nga ekstradimi ishte me gjasa frika e politikanëve amerikanë për telashe me opinionin publik në rast se ai përfundonte i ekzekutuar në BRSS.

Në vitin 1946, Kravchenko botoi me ndihmën e një gazetari amerikan kujtimet e tij nga Bashkimi Sovjektik në një libër të titulluar Unë zgjodha lirinë. Ai ishte ndërkohë i rrezikuar nga agjentët e policisë sekrete sovjektike dhe u detyrua të jetojë në ilegalitet, nën emra të rremë, duke udhëtuar nga qyteti në qytet për t’i shpëtuar gjurmimit të mundshëm.

Në lidhje me Holomodorin ai shkroi: “Njerëzit vdiqën në vetmi ngadalë, në mënyrë të tmerrshme, pa justifikimin e një sakrifikimi për një kauzë. Ata ishin zënë në kurth dhe u lanë të vdisnin, secili në shtëpinë e vet, nga një vendim politik i ndërmarrë në një kryeqytet të largët përreth një tryeze banketi. Nuk pati as ngushtëllimin e ndonjë përpjekjeje për të ndalur tmerrin… gjithkund unë gjeta burra dhe gra duke vdekur, me barqet e fryra dhe me sytë e tyre thellësisht pa shprehje.”

Stalini raportohet se u tërbua nga botimi i këtij libri dhe nisi një fushatë të gjerë denigrimi, argumenti bazë i të cilit ishte se Kravchenko kishte dezertuar për shkak se ishte thirrur të shërbente në front dhe se ishte një frikacak që përdorte gënjeshtrat për të justifikuar tradhtinë e tij.

Por sulmet më të tmerrshme u organizuan nga gazetat komuniste në perëndim. Shumë gazetarë komunistë argumentuan se libri nuk ishte kujtimet e Kravchenkos por një trakt i shkruar nga CIA për të sulmuar Bashkimin Sovjetik duke përdorur propagandën e organizuar fillimisht nga Gebelsi dhe nazistët.

Në vitin 1947, Zgjodha lirinë u publikua në Francë ku shiti afro 500 mijë kopje. Në këtë kohë, Partia Komuniste Franceze ishte pjesë e koalicionit qeverisës ndërsa kryetari i saj, Maurice Thorez shërbente si zëvendëskryeministër. Gazeta e përjavshme komuniste franceze Les Lettres Françaises, nisi në nëntor 1947 një sulm të egër kundër Kravchenkos. Në këtë sulm përfshihej pretendimi se libri është shkruar n ga shërbimet sekrete amerikane ndërsa FBI kishte detyruar Kravchenkon të merrte pjesë në këtë vepër propagande. Ata shkruan gjithashtu se Kravchenko ishte një “pijanec, burracak, mendjemadh, batakçi, hajdut dhe gënjeshtar.”

Kravchenko u përgjigj duke ngritur padi për shpifje ndaj gazetës dhe gazetarëve, një gjyq që u kthye në një hetim për të vërtetën e Bashkimit Sovjetik dhe kampet e përqendrimit të Stalinit. Në gjyq, Bashkimi Sovjetik dërgoi qindra dëshmitarë, përfshirë ish-bashkëshorten e Kravchenkos, e cila deklaroi se ai ishte “gënjeshtar patologjik, pijanec dhe dhunues i gruas së tij”.

Sim Thomas, gazetari që kishte shkruar artikullin sulmues ndaj Kravchenkos, deklaroi se përshkrimet e tij për kampet e përqendrimit të Bashkimit Sovjetik ishin gënjeshtra të fabrikuara, duke përfshirë pretendimin se masakra e polakëve në pyllin Katin ishte propagandë naziste kundër Stalinit.

Avokatët e Kravchenkos ia dolën të nxjerrin në gjyq për dëshmitarë një numër ushtarësh dhe oficerësh të Ushtrisë së Kuqe që ishin arratisur në Perëndim në fund të Luftës së Dytë Botërore.

Por dëshmia vendimtare e procesit u dha nga një komuniste gjermane, e cila kishte mbijetuar nga kampet e përqendrimit të dy tiranive të mëdha të shekullit të njëzetë, tiranisë së Stalinit dhe asaj të Hitlerit.

Margarete Buber-Neumann ishte një komuniste gjermane e cila sëbashku me burrin e saj Heinz Neumann u arratis në Bashkimin Sovjetik për t’i shpëtuar Adolf Hitlerit. Bashkëshorti i saj u ekzekutua nga Stalini në vitin 1937 gjatë spastrimit të madh ndërsa ajo u dërgua në një kamp përqendrimi në Kazakistan.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur Stalini dhe Hitleri ynë në aleancë mossulmimi, komunistja Buber-Neumann u dorëzua nga sovjetikët te nazistët, të cilët e dërguan në një kamp tjetër përqendrimi në Ravensbrück. Ajo ia doli të mbijetojë edhe në këtë kamp ku fitoi lirinë në vitin 1945 për të dëshmuar për krimet e dy regjimeve me kampe përqendrimi.

Simone de Beauvoir përshkruan atmosferën në qarqet e majta franceze mbi debatin që shkaktoi libri i tij Zgjodha lirinë te Letrat që ajo i dërgoi shkrimtarit amerikan dhe të dashurit Nelson Algren. Më 19 janar 1949, ajo shkruan:

“Një tjetër histori e errët, por qesharake, është gjyqi kundër Kravçenkos. Është një biznes shumë i rëndësishëm snobësh parisianë. Ti e di se për çfarë bëhet fjalë: Les Lettres Francaises, një revistë komuniste, pretendonte se Unë zgjedh lirinë nuk e ka shkruar Kravçenko, por një amerikan. Në fakt, Kravçenko ka shkruar një libër të keq, të cilit nuk i besoj fare, meqë e sheh veten si tradhtar, ndoshta e ndihmuan ca disa shkrimtarë amerikanë që ta rishkruante sipas stilit amerikan, por është e sigurt që e ideoi vetë. Prandaj, gjyqi është qesharak, sepse komunistët nuk mund ta provojnë që librin nuk e shkroi Kravçenko dhe do ta humbasin. Mundohen të provojnë që K. gënjeu dhe shpesh ia dalin me sukses, por pastaj mbetet diskutimi mbi Rusinë, jo mbi librin e K-së. Ai u thotë atyre se janë gënjeshtarë, se e akuzojnë pa prova, edhe kjo është e vërtetë, pavarësisht se nuk do të thotë që libri i tij është i besueshëm. Të gjithë gënjejnë, të gjithë e kanë gabim, të gjithë janë të zemëruar. Kravçenko sillet si rus tipik; ai bërtet, godet tavolinën me grusht, tërë inat, dhe kurrë nuk përgjigjet ashtu siç duhet. Komunistët pretendojnë ta mbërthejnë me mënyra të ulëta, për shembull, e pyetën: “Si të duket fundi i librit, Shtëpia e Kukullës?” sepse ai e përmend në librin e tij; “Çfarë shtëpie?” – u përgjigj ai. Ata qeshën dhe vazhduan: “Ai nuk e njeh Ibsenin, pra librin nuk e shkroi ai!” Por, në rusisht drama titullohet Nora, prandaj kjo nuk do të thotë asgjë. Të gjithë argumentet janë të kësaj natyre”.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>