Zëri i Çabejit, i mbetur në Prishtinë

1
643

Eqrem CabejNë vitet 1971-1973, Eqrem Çabej dha leksione në Universitetin e Prishtinës dy herë në vit … Kaq vite më pas, leksionet e incizuara zbardhen për të ardhur në formën e një kontributi të shtuar për gjuhësinë nga e bija dhe Ledi Shamku

Në vitet 1971-1973, Eqrem Çabej, i cili sapo kishte kaluar të 40-at, udhëtonte drejt Prishtinës dy herë në vit, në maj dhe në dhjetor. Ndërsa linte Shqipërinë, ku vitet ’70 kishin nisur të forconin ndikimet e censurës në kulturë dhe art, filologu i brumosur nga shkolla e Vjenës, e shihte Prishtinën si një takim tjetër me gjuhën.

Kjo hapësirë tjetër e shqipes ia bënte kthimet në Tiranë me emocione, që i mbante gjatë në vete në punën në Akademinë e Shkencave. Studentët e gjuhësisë së atyre viteve, e kujtojnë ende profesorin elegant, me trupin e imtë dhe xhaketën e hirtë teksa fliste me aq pasion për gjuhën. Aty Çabej ishte më i lirë, për të dhënë të gjitha konceptet e tij bashkëkohore për kohën mbi gjuhësinë. Leksionet e Çabejit regjistroheshin me magnetofon dhe u zbardhën atëherë duke iu shpërndarë studentëve në trajtë dispense të shaptilografuar. Gjashtë vite pas vdekjes së Çabejit, në vitin 1986, këto leksione u zbardhën dhe u botuan në titullin “Studime gjuhësore”, opera çabejane. Të zbardhura me një nxitim studentësh teksti pasqyronte mjaft gabime gjuhësore të vogla dhe të mëdha. Vite më vonë, e bija e profesor Çabejit, Brikena, bashkë me gjuhëtaren Ledi Shamku, do t’i hynin një pune për të rindërtuar një tekst, me një punë gati titanike, për t’i sjellë leksionet e Prishtinës të plota në një libër. Ishin disa shirita magnetofoni që prej vitesh qëndronin aty në një nga sirtarët e familjes Çabej, dhe që e bija gjithnjë e kishte lënë për një kohë tjetër përballjen me to, për shkak të emocioneve.

“Kisha në shtëpi disa shirita magnetofoni, njëri nga të cilët e dija se ishte sjellë nga Prishtina në vitet ’70, por nuk kisha marrë guximin t’i dëgjoja ndonjëherë, për shumë arsye, e kryesisht për peshën emocionale që mbartnin. Këto incizime, për të cilat duhen aparatura speciale të vjetra për t’i dëgjuar sot, u hodhën në CD, dhe njëri syresh doli se ishte shiriti i leksioneve të Prishtinës”, thotë Çabej. Mirëpo cilësia e dëgjimit, për arsye objektive të hedhjes së zërit nga një incizim në tjetrin, ishte thuajse e papërdorshme. Incizimet e Prishtinës ishin bërë atëherë pa mëtime cilësore thjesht si dispensë mbështetëse për studentët. “Mirëpo kur pamë se mund të mbështeteshim te zëri për zbardhjen e disa ‘anigmave’ të tekstit, duhej bërë gjithçka për ta pasur atë domosdo”, thotë Brikena. Një mik francez do t’i rekomandonte një studio në Paris që merrej me mbartjen e zërave të incizimeve të vjetra nga shiriti në CD. E pas filtrimit të zhurmave e përpunimit me aparatura speciale, pas disa ditësh zëri që u dëgjua nga CD doli i qashtër. Mirëpo shiriti përmbante vetëm leksionin e parë, që ishte një e dhjeta e tekstit. Për t’i dhënë jetë librit, bashkë me gjuhëtaren Shamku, ato do të hulumtonin jo vetëm veprat e shkrimet e lëna pas nga Çabej, por dhe artikujt që u përkisnin atyre viteve, siç ishte p.sh. ai i Rexhep Ismajlit në gazetën “Bota e re”, më 17 maj 1971. I frymëzuar nga marrëdhëniet e reja mes Prishtinës dhe Tiranës, profesor Ismajli shkruan për ligjëratën e profesor Çabejit, duke e konsideruar një ngjarje për gjuhën. “Ligjërata e tretë e profesor Çabejit quhej ‘Problemi i origjinës së gjuhës shqipe’. Në këtë ligjëratë, prof. Çabej dha vetëm disa ide të përmbledhura mbi origjinën e gjuhës shqipe …”, shkruante Ismajli. Për dy vajzat, hulumtimi i akademikut nga Kosova qartësonte shumë pikëpyetje mbi tekstet e munguara në botimin e parë të këtyre leksioneve. Ajo çfarë dukej nga kjo pasqyrë e hollësishme e profesor Ismajlit ishte se Çabej ciklin e parë të ligjëratave e mbaronte gjithnjë me shqipen. “Hyrje në ideouropianistikë” quhet botimi i leksioneve të Prishtinës, që e bija shpreson të zgjerohet me gjetjen e shiritave të tjerë. “Mbase një ditë do të gjenden në Kosovë shiritat e tjerë dhe ato të pakta dyshime do të sqarohen më në fund njëherë e mirë. Deri atëherë shpresojmë se këto leksione që autori dëshiroi aq fort t’i mbante edhe në auditorët e Tiranës, po me gjithë vullnetin dhe përpjekjet e tij këtë mundësi nuk ia dhanë, mbase në fund do të gjejnë rrugën deri në bankat e studentëve shqiptarë”, thotë e bija. Ledi Shamku e quan librin botimin më të mirë teoriko-analitik të gjuhësisë shqiptare deri më sot. “Çabej është i pari ndër gjuhëtarët shqiptarë që e harton dhe e ofron të plotë mendimin mbi shkencën e indoeuropianistikës. Duke e krahasuar këtë tekst me modelet e botuara në Europë në gjysmën e parë të shekullit XX vihet re se ky shkencëtar luminiar, i qartë se metodikat gjuhësore sui generis po e nxirrnin shqipen jashtë interesit shkencor ndërkombëtar, vijon t’i përmbahet strukturës së atyre modeleve, të cilat kishin filluar të konsideroheshin të papërshtatshme nga ‘shkenca e re’ shqiptare”, thotë Shamku. Duke e quajtur këtë libër një kontribut për shkencën e gjuhësisë, Shamku e quan humbjen e Çabejit si një humbje dhe për prurjet e reja në gjuhësinë shqipe. “Vakumi që u krijua nga humbja e Çabejit u ndie menjëherë; shqipja nuk e kish më misionarin që përçonte kohë pas kohe imazhin e saj të përditësuar, duke i siguruar asaj një vend të qenësishëm në laboratorët e përbashkët ku studiohen marrëdhëniet dhe integrimet e gjuhëve e të kulturave”, thotë ajo. Shamku e quan të vonuar ardhjen në shqip të “Leksioneve të Prishtinës”, pasi ato duhet të kishin dalë dekada më parë, pikërisht në ato vite kur kumti shkencor i Çabejit përçoi përmes këtyre leksioneve një erë të re për shqipen, në kuadrin e lirisë që ofronte Kosova. “Por me gjithë vonesën prej disa dekadash, kjo vepër i vjen gjuhësisë shqiptare në një moment të volitshëm e të dobishëm, në një kohë kur duhen parë me sy vlerësues e kritik shumë rezultate të shkencave tona humanitare. Këto leksione përcaktojnë një standard me të cilin duhet të përballet gjuhësia jonë bashkëkohore”, thotë Shamku duke e quajtur këtë vepër, një doktrinë të papërfunduar.