4 Qershor, 2021

Një nga esetë më mbresëlënëse të marrëdhënies mes Perëndimit dhe Orientit të largët, Libri i Çajit, po vjen në shqip për herë të parë, gati 115 vjet nga publikimi në origjinal në anglisht.

Kritiku i artit Okakura Kakuzō shkruan në kryeveprën e tij, esenë Libri i Çajit se përkthimi është si të shohësh veshjen e një mbreti nga ana e brendshme: motivet kryesore të qëndismave dallohen edhe nga kjo anë, por ngjyrat dhe rafinimet nuk dallohen. Kjo ishte arsyeja se pse ai vendosi që librat e tij t’i shkruajë drejtpërsëdrejti në anglisht, si një mënyrë komunikimi me botën Perëndimore në përpjekjen e tij për të prezantuar kulturën e Lindjes.

Pavarësisht kësaj, Libri i Çajit, një libër me shumë ndikim mbi marrëdhëniet kulturore me Lindjen, për çudi erdhi në shqip për herë të parë në vitin 2021, gati 115 vjet nga publikimi në anglisht në vitin 1906 me përkthimin e Ervin Qafmollës. Themi për çudi për shkak se Libri i Çajit është një nga klasikët që është njëkohësisht i famshëm, popullor dhe jo i cekët si libër. Ai ka qenë vazhdimisht në shitje që kur u shkrua, fillimisht me idenë që të lexohej me zë të lartë në një “takim për çaj”, që në SHBA dhe Britani shpesh nënkupton takim njohjesh dhe pëlqimesh mes djemve dhe vajzave.

Autori na shpjegon kulturën e çajit si një pasqyrë e botës së Japonisë dhe Kinës, diskuton Zenizmin dhe Taoizmin por edhe aspektet laike të jetës japoneze. Ai thekson se si Çajizmi, ose kultura dhe filozofia e çajit, është para së gjithash një kërkim për kënaqësinë te ajo që është e thjeshtë, qetësuese, dhe nxitëse për meditim mbi veten. Ai argumenton se thjeshtësia e çajit është ajo që ka ndikuar kulturën artin dhe arkitekturën e Japonisë.

Eseja është gjithashtu edhe një panoramë e shkurtër, konçize dhe e mrekullueshme e historisë së pasur të Japonisë.

Libri i Çajit pritet të prezantohet në Tiranë më 8 qershor. Kliko këtu për të parë aktivitetin.

Fragment

Charles Lamb-i, një ithtar i deklaruar i çajit, ka rrokur thelbin e çajizmit kur shkroi se kënaqësia më e madhe që njihte ishte bërja e një vepre të mirë tinëzisht, që më pas do të dilte në dritë rastësisht. Sepse çajizmi është arti i fshehjes së bukurisë ashtu që të mund ta zbuloni rastësisht, i sugjerimit të asaj që nuk guxoni ta shfaqni. Është sekreti fisnik i të qeshurit me veten, qetë por plotësisht, ndaj është, pra, vetë humori: buzëqeshja e filozofisë. Në këtë kuptim, të gjithë komediografët e vërtetë mund të quhen filozofë të çajit: Thackeray, për shembull, dhe, sigurisht, Shekspiri. Poetët e dekadencës (dhe kur s’ka qenë bota ndonjëherë në dekadencë?), në protestat e tyre kundër materializmit, në një farë mase, kanë elur gjithashtu udhën për çajizmin. Në ditët e sotme, mbase Perëndimi dhe Lindja mund të gjejnë një ngushëllim të ndërsjellë në soditjen tonë të ndrojtur të së Papërsosurës.Taoistët rrëfejnë se në fillimin e madh të JoFillimit, Fryma dhe Materia u përballën në një dyluftim vdekjeprurës. Në fund, Perandori i Verdhë, Dielli i Qiellit, ngadhënjeu ndaj Zhu Rongut, demonit të territ dhe tokës. Në grahmën e tij të fundit, ky titan e përplasi kokën te qemeri diellor, duke e thërrmuar kubenë kaltëroshe prej nefriti. Yjet humbën foletë e tyre, hëna u end kuturu nëpër humnerat e shkreta të natës. I dëshpëruar, Perandori i Verdhë kërkoi gjerë e gjatë për ndreqësin e Qiejve. Kërkimi nuk i nuk shkoi kot. Nga deti i Lindjes buthtoi një mbretëreshë, Nyvaja e shenjtë, brikurorë dhe bishtdragua, shkëlqimtare në parzmoren e saj prej zjarri. Ajo lentoi ylberin pesëngjyrësh në kazanin e saj magjik dhe arnoi qiellin kinez. Por thuhet se Nyvaja harroi të mbushë dy plasa të imëta në kupën qiellore. Kështu filloi dualizmi i dashurisë: dy shpirtra që vërtiten në hapësirë, pa gjetur kurrë prehje, gjersa kur të bashkohen për të plotësuar universin. Çdokush duhet ta ndërtojë nga e para qiellin e vet të shpresës dhe paqes. Qielli i njerëzimit modern përnjëmend është copëtuar në përleshjen titanike për pasuri dhe pushtet. Bota po zvarritet këmbadoras në errësirën e kultit të unit dhe harbutërisë. Dija po blihet përmes një ndërgjegjeje të keqe, bujaria po praktikohet për hir të leverdisë. Lindja dhe Perëndimi, si dy dragonj të flakur në një det tallazesh, më kot përpiqen të rifitojnë xhevahirin e jetës. Na duhet sërish një Nyvaja për të meremetuar rrënimin e madh; presim Avatarin e madh. Ndërkohë, le të pijmë nga një gllënjkë çaj. Kuqëlimi i pasdites po shndrit bambutë, shatërvanët gurgullojnë me ëndje, shushurima e pishave dëgjohet në çajnikun tonë. Le të ëndërrojmë për shuarjen, dhe të eglendisemi në marrëzinë e bukur të gjërave.Qielli i njerëzimit modern përnjëmend është copëtuar në përleshjen titanike për pasuri dhe pushtet. Bota po zvarritet këmbadoras në errësirën e kultit të unit dhe harbutërisë. Dija po blihet përmes një ndërgjegjeje të keqe, bujaria po praktikohet për hir të leverdisë. Lindja dhe Perëndimi, si dy dragonj të flakur në një det tallazesh, më kot përpiqen të rifitojnë xhevahirin e jetës. Na duhet sërish një Nyvaja për të meremetuar rrënimin e madh; presim Avatarin e madh. Ndërkohë, le të pijmë nga një gllënjkë çaj. Kuqëlimi i pasdites po shndrit bambutë, shatërvanët gurgullojnë me ëndje, shushurima e pishave dëgjohet në çajnikun tonë. Le të ëndërrojmë për shuarjen, dhe të eglendisemi në marrëzinë e bukur të gjërave.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>