1 Nëntor, 2013

Shumë dekada më parë, Oruell shkroi për një shtet imagjinar ku Ministria e Paqes qe përgjegjëse për Luftën, Ministria e Dashurisë qe policia sekrete dhe Ministria e Bollëkut qe ministri propagande. Venezuela e sotme ia doli të krijojë një Zëvendës-Ministri për Lumturinë

Juan Nagel, Foreign Policy

Lumturia Supreme

Venezuelanët janë, për nga natyra, një popull i lumtur dhe optimist. Vendi vazhdimisht renditet në krye të indeksit të lumturisë dhe çdokush që e ka vizituar e kupton pse. Venezuelanët që në pamje janë të gëzuar e me gjallëri.

Aktualisht, gjithsesi, venezuelanët po përballen me probleme të shumta: normat e kriminalitetit janë në rritje, shërbimet publike janë në përkeqësim dhe në treg ka shpesh mungesë të mallrave të rëndësishëm. Në vend dallohet një rritje e tensionit shoqëror.

Të shqetësuar nga efekti i të gjithë kësaj mbi lumturinë, qeveria e Venezuelës ka ndërmarrë një hap të jashtëzakonshëm, dhe disa mund të thonë, të pazakonshëm: krijimin e një zyre kombëtare për lumturinë.

Sipas lajmeve zyrtare, zëvendësministria për Lumturinë Supreme Shoqërore të Popullit (emri zyrtar) do të shërbejë si një grup koordinues për programe të ndryshme shoqërore. Shumica e këtyre programeve merren me fëmijët, kulturën, marrëdhëniet mes rracave, rininë, të moshuarit dhe njerëzit me aftësi të kufizuara.

Njoftimi u sulmua menjëherë nga kritikët e qeverisë. Përdorues sarkastikë të Twitter-it menjëherë krijuan një markim hashtag të quajtur #SupremaFelicidadEs dhe e përdorën atë për t’u ankuar për çdo gjë, që nga vështirësitë në blerjen e letrës higjenike deri te ngadalësia e famshme e internetit në këtë vend.

Ideja e politikave publike që synojnë të arrijnë lumturinë shoqërore nuk është tërësisht çmenduri. Disa vite më parë, kombi aziatik i Bhutanit filloi të llogarisë Indeksin e Lumturisë. Që nga ajo kohë, kjo temë është marrë më seriozisht: Raporti Botëror i Lumturisë, për shembull, përgatitet dhe publikohet nga Instituti i Tokës në Universitetin e Kolumbias në Nju Jork. Siç shkruan një nga autorët e raportit, ekonomisti Xhefri Saks (Jeffrey Sachs):

1984-george-orwell“Një gjeneratë studimesh nga psikologët, ekonomistët dhe sondazhuesit, sociologët e të tjerë, kanë treguar se lumturia, megjithëse në vetvete është një eksperiencë subjektive, mundet të matet me objektivitet, të vlerësohet dhe të korrelohet me funksione të trurit dhe të lidhet me karakteristikat e një individi apo një shoqërie. Duke i pyetur njerëzit nëse ata janë të lumtur, apo të kënaqur me jetët e tyre, përfitohet informacion i rëndësishëm mbi shoqërinë. Ajo mund të sinjalizojë kriza të padukshme apo fuqi të fshehta. Ajo mund të sugjerojë nevoja për ndryshime.”

Pavarësisht këtyre ideve të fuqishme, iniciativa e qeverisë nuk ndjek rrugën origjinale për matjen e lumturisë si mjet për të dalluar nevojat e shoqërisë.

Në vend të kësaj, ai është një ushtrim në ripërshtatjen e burrokracisë dhe në krijimin e një marke të re për qeverinë. Ajo që ka bërë qeveria është grumbullimi i një numri të konsiderueshëm programesh shoqërore ndikimi i të cilave është i panjohur dhe vendosja e tyre nën një agjenci të vetme. Kësaj agjencie i ka dhënë emrin “lumturi”.

Zyra venezuelase e lumturisë thekson rëndësinë e burrokracisë në Revolucionin Bolivarian. Çdo iniciativë madhore që qeveria nga ndërmarrë, që nga programet shoqërore te mbështetja e industrisë së naftës, ka nënkuptuar zgjerimin e rolit të shtetit dhe minimizimin e angazhimit të shoqërisë civile. Për rrjedhojë, numri i të punësuarve në shtet është rritur nga 1.3 milionë vetë më 2002 në 2.4 milionë më 2012, duke e bërë atë një nga qeveritë më të mëdha në rajon. Në Venezuelë, 20 për qind e forcës punëtore është në shtet. Në Kolumbinë fqinje numri është 3.9 për qind.

Krijimi i këtij institucioni të ri të qeverisë thekson rëndësinë që qeveria i jep lidhjes mes “lumturisë” dhe pjesëmarrjes në programet e mbarëvajtjes shoqërore.

Siç e ka sugjeruar edhe sociologu i njohur Venezuelan Kolete Kapriles (Colette Capriles)lëvizja për të vendosur një objektiv individual (lumturinë) në një burokraci kolektive “është në përputhje me të gjitha prirjet totalitare të qeverisë, e cila kërkon të pushtojë të gjitha aspektet e jetës private, përfshirë edhe konceptin e lumturisë. Ka një tendencë për të transformuar eksperiencën individuale në një përjetim kolektiv, të rregulluar nga Shteti.”

Në fund, politika e kësaj lëvizjeje dukshëm nuk krijon avantazh për qeverinë. Një qeveri së supozohet se është e shqetësuar për “lumturinë” e popullit është në kundërshti me politikat që shumica e njerëzve mendojnë se kanë krijuar kriminalitet dhe mungesa në furnizim. Kjo kontradiktë në fakt mbështet mesazhin e opozitës që qeveria nuk arrin të njohë dhe kuptojë problemet e qytetarëve të zakonshëm.

Në romanin e tij të jashtëzakonshëm 1984, Xhorxh Oruell (George Orwell) krijoi burokraci qeveritare me emra shumë kuptimplotë që qenë pikërisht e kundërta e funksioneve të tyre. Si pjesë e kësaj burokracie, Ministria e Paqes qe përgjegjëse për luftën, Ministria e Dashurisë qe përgjegjëse për të shtypur disidencën.

Ndërsa Zëvendës-Ministria për Lumturinë Supreme Shoqërore është ende foshnjë, ekzistenca e saj qëndron si një homazh i vlefshëm për mendimtarin e madh britanik dhe ndoshta përbën një hap tjetër transformimin e Venezuelës në një shtet Oruellian.

Autori është një blogues nga Venezuela

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>