Vëllazëria kombëtare në tri kohë

0
365

Enis Sulstarova

  1. Vëllazëria si zbulim

Shqiptare 1900atAt. Gjergj Fishta, më 1899, bënte këtë thirrje poetike për ndalimin e gjakmarrjes: “Ndalnju! Vu veni burra?…/ Pash Zotin, lshoni hutat/ …/ A thue nuk jemi vllazen/ T’njaj atmje t’tanë rritë n’prehen,/ T’tanë t’quejtun në nji emen?” (“Gjaksorvet”). Edhe pse kishte shekuj që kleri katolik angazhohej për frenimin e dukurisë së gjakmarrjes në malësitë e veriut, kësaj radhe thirrja nuk vinte (vetëm) në emër të moralit të krishterë, por (edhe) në emër të zbulimit se ata që kanë një atdhe dhe janë pjesëtarë të të njëjtit komb, gjë që i detyron të sillen si vëllezër me njëri-tjetrin. Poezia e Fishtës supozon se vëllazëria shqiptare ka ekzistuar gjithnjë, mirëpo nga padituria e shumicës së popullit ndodhnin gjëra të padëshirueshme mes shqiptarësh, siç është gjakmarrja, ndaj edhe lindi nevoja për t’ia zbuluar të vërtetën atyre që nuk e dinin, me mjetet e ndryshme për përhapjen e diturisë, përfshirë krijimtarinë poetike. Letërsia e Rilindjes Kombëtare Shqiptare në tërësinë e saj mund të quhet si zbulesa e vëllazërisë shqiptare, si thirrje për solidaritet politik për përballimin e rreziqeve që i kanoseshin kombit dhe për ndërtimin e një të ardhmeje të përbashkët dhe të lirë. Zbulimi i vëllazërisë supozohej të ishte fillimi i “zgjimit” të kombit, ndryshe hopi shpirtëror pas të cilit gjërat nuk mund e nuk duhej të ishin më si më parë. Shqiptarët duhej ta zbulonin se kush kishin qenë dikur (“Besën e t’parëve t’gjith e harroni”, thoshte Pashko Vasa) dhe të bashkoheshin e të “vëllazëroheshin” (“Por jemi vllazën t’gjith more t’mjerë!”) për të shndërruar të tashmen e për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët (“Të gjithë si vllazën n’nji besë shtërngoniu”).
Albanians_(1904)_Dibra_1Vëllazëri e kombit do të thoshte se lidhja me rrënjë biologjike tanimë zgjerohej për bashkësinë e gjuhës – “t’tanë t’quejtun në nji emen” – duke e përfytyruar një bashkësi ku të gjithë anëtarët e saj (ose, së paku, të gjithë anëtarët meshkuj) kanë status të barabartë. Ndërgjegjësimi për këtë vëllazëri të re nënkuptonte se disa norma të familjes (privates) duhet të gjenin zbatim përtej kësaj të fundit, në sferën e publikes dhe të politikës. Kështu, poezia e Fishtës supozon se gjakmarrja duhet të jetë tabu për shqiptarët, sikurse është e tillë brenda familjes e fisit. Zbulimi i vëllazërisë kombëtare është motivimi psikologjik dhe moral për ta parë ndryshe realitetin, për ta njohur bashkësinë e gjuhës edhe si bashkësi politike. Në këtë proces ai e ndryshon realitetin, duke e vënë kombin në qendër të veprimit politik e shoqëror. Si i tillë, zbulimi është themeltar, një këndvështrim i ri për botën, i krijimit të universales prej një pozicionimi partikular në botë.

  1. Vëllazëria si gjendje qytetëruese

Në vitin 1917, në mesin e Luftës së Parë Botërore, gjatë së cilës shteti shqiptar kishte pushuar së qeni, Gjergj Fishta shkruante një artikull mbi shpalljen e autonomisë së Shqipërisë në zonën austro-hungareze të pushtimit. Artikulli titullohej “Si do t’perbâhet bashkimi i nji komit” dhe hapej me vërejtjen se bashkimi aq i dëshiruar i shqiptarëve nuk ishte realizuar dot më parë, sepse edhe kur kishte pasur përpjekje në këtë drejtim, ato nuk ishin bërë si duhej. Sipas autorit, “bashkim i vërtetë i nji komit âsht atherë, kur t’gjitha elementat, prej t’cillave përbâhet komi, aviten, bashkohen e shkrîhen m’nja, n’mnyrë qi para atdheut e ligjet t’dajn, jo si elementa m’vedi e t’pavarshem njani me tjetrin, por veç si pjese të nji njinìs s’padashme; si me thânë, do t’jenë, jo si ortakë, por si vllazen nji shpiet, kû sejcilli ka at tagrin e at pasunìn e vet, veçse tager e pasunì i ka t’nênshtrueme nên interese t’pergjithshme t’shpìs” (Gjergj Fishta, Përndritje, 2000, f. 67). Shpallja e autonomisë, shkruante Fishta, ka për qëllim pikërisht krijimin e kushteve ku shqiptarët të organizohen për një jetë të re, të qytetëruar e të lirë, e cila do të fillojë sapo të mbarojë gjendja e luftës. Ndërkohë, tutela austro-hungareze do të ishte e dobishme për të mundësuar, më në fund, një “bashkim pa rrena” të shqiptarëve. Këtu vëllazëria e kombit na del jo si një zbulim i diçkaje të dhënë, e cila shërben si pikënisje e rregullimit politik, por si një gjendje që do të mundësohet (pjesërisht) nga një pushtim i huaj “mirëdashës”. Ajo nënkupton një shkallë të caktuar të qytetërimit, të cilën shqiptarët nuk mundën ta arrinin me fuqitë e veta më parë, por për të cilën tani u është dhënë shansi prej të huajve më të kulturuar. Patjetër që Fishta aludon për vitet e turbullta që ndoqën pavarësinë e Shqipërisë, por, si të thuash fajin ia le në derë shqiptarëve, pa përmendur përgjegjësitë e mëdha të Fuqive të Mëdha, të cilat jo vetëm sanksionuan copëtimin territorial të Shqipërisë, por, me intrigat dhe rivalitetet e tyre, minuan qeverisjen dhe organizimin e shtetit shqiptar.

Kuptohet qartë se artikulli është një thirrje për të përfituar sa më shumë në aspektin kombëtar në kushtet e krijuara nga Lufta e Madhe. Sigurisht që Fishta ka plotësisht të drejtë të vërejë edhe se pushtuesi dallon nga pushtuesi, se pushtimi austro-hungarez ishte më i durueshëm se sa ai sllav. Pastaj, a nuk kishin kërkuar edhe rilindësit, pikërisht ata që kishin shpallur vëllazërinë e shqiptarëve, statusin e autonomisë për Shqipërinë, nën sovranitetin e sulltanit? Po, por ekziston një dallim: rilindësit e kishin kërkuar autonominë në emër të kombit, por nuk e kishin kushtëzuar vëllazërinë kombëtare nga autonomia. Ndërsa tek arsyetimi i Fishtës, kemi pikërisht shndërrimin e idesë së vëllazërisë kombëtare, sepse tashmë nuk mjafton ndërgjegjësimi për prejardhjen dhe atdheun e njëjtë, por duhet edhe një nivel i caktuar i zhvillimit apo i qytetërimit për ta realizuar atë dhe qytetërimi duhet sjellë nga jashtë, makar si një pushtim! Nëse te Rilindja, vëllazëria ishte kushti i parë i zhvillimit dhe i emancipimit, tani këta të fundit janë kushte të vëllazërimit. Pra, tek artikulli i Fishtës, kontrata (autonomia) vjen përpara lidhjes emocionale (vëllazërisë) mes shqiptarëve. Dallimi midis dy konceptimeve të vëllazërisë del në pah, duke përdorur metaforën e vetë Fishtës: ndjenja e vëllazërisë është shtysa pas punës së përbashkët të vëllezërve për ta ndërtuar shtëpinë (kalanë) e tyre, edhe nëse atyre u duhet të kërkojnë ndihmë nga jashtë; në rastin kur shtëpia (kalaja) është e ndërtuar nga të tjerët dhe vendi i gjithsecilit në të është i paracaktuar, nuk përbën ndonjë dallim të madh nëse ata që banojnë aty janë vëllezër apo fqinjë.

  1. Vëllai i madh

Numri 3-7 i vitit 1939 i Hylli i Dritës – revistë e drejtuar nga Gjergj Fishta – ishte i pari syresh që botohej nën pushtimin italian të Shqipërisë. Kryeartikulli anonim i titulluar “Dje e sod” i po këtij numri rrekej ta justifikonte përfshirjen e Shqipërisë në perandorinë fashiste të Musolinit në emër të po atyre idealeve që kishin motivuar më parë lëvizjen për pavarësi. Sipas autorit, në periudhën e ekzistencës së shtetit shqiptar nuk u realizua aspak vëllazërimi i kombit, por “Shqypnia u bâ pasuni e njij grupi, shqyptarët u êmnuen sherbtorët e vllaut. Luftari i maleve, puntori i fushave dikur rroku pushken me trimni të pashembullt kundra anmikut qi deshti me i pushtue token; në ditët e liris u gjet para vllaut-anmik qi i grabiti tokën, i shkeli zêmbren, i neperkambi nderen. E pushka i u ngri në dorë. Pamvarsija e jonë jetoi nder ditë t’errta aq sa shumkush mërrijti me vshtirsi të dallonte robnin prej liris. Na u dha disa herë me mendue mos nuk ishim bâ ende për liri, mos ishim këputë pá u pjekë. Mund të jetë kênë deri diku e vertetë…” (f. 146). Autori duket se është i zhgënjyer nga shqiptarët dhe i dëshpëruar për mosrealizimin e premtimit të vëllazërimit mes shqiptarëve. Ai na thotë se barazia midis vëllezërve u prish, ngaqë njëri prej tyre u soll si Vëllai i Madh (klasa sunduese me në krye mbretin Zog) që i nënshtroi më të vegjlit (malësorët, punëtorët). Në emër të lirisë u vendos robëria e re që e pamundësoi përpjekjen për çlirim: “pushka i u ngri në dorë” sepse është e vështirë që vëllai të ngrihet kundër vëllait edhe kur ky i fundit është i padrejtë. Vrullin kombëtar e breu sërish dyshimi se ndoshta nuk jemi akoma gati, se duam kohë të piqemi. Prandaj, siç del nga artikulli në fjalë, vëllazëria shqiptare ka hyrë në një rreth vicioz: e paaftë të jetësohet dhe e pamundur që të ndryshojë realitetin.

Zgjidhja mund të vijë veçse nga jashtë, në trajtën e një pushtimi qytetërues. Autori pranon se pushtues të shumtë e kanë shkelur më parë atdheun dhe se ushtarët e huaj përgjatë historisë kanë qenë “flamurtarë të vdekjes”. Me përjashtim të Romës së Lashtë dhe Romës së Re, që janë tjetërlloj: “Nji popull qi ka ndriçue heret e vonë nji botë, nuk mundet me futë në zi nji komb. Nji komb të vogël, nji komb të pafuqishëm. Ushtarët e Romës shklasin në token e Ilirve per me u a njitë dorën, per me i pagzue – n’êmen të miqsis shekullore, n’êmen të dashtnis njerzore – : vllazen; per me i lanë, per hater të historis së lumnueshme, të lirë” (f. 147). Njëlloj si me newspeak-un oruellian, artikull-shkruesi i Hyllit të Dritës e përkufizon lirinë vetëm si liri të popullit prej shfrytëzimit, duke përjashtuar kuptimin e lirisë politike dhe të sovranitetit. Në këtë mënyrë, nuk ka humbje nga pushtimi, vetëm fitim, përderisa Vëllai i Madh egoist u zëvendësua nga një vëlla tjetër i madh bamirës, që na ka ndihmuar edhe më parë në histori. (Sigurisht që autori ka treguar kujdes që të heshtë për faktin se pushtimi/çlirimi italian ishte përgatitur kohë më parë se të ndodhte dhe se ishte Musolini ai që e mbështeste, derisa e rrëzoi dhe e përzuri, Vëllain e Madh shqiptar.) Perandoria e re Romake u vjen shqiptarëve si një shpërblim për mbrojtjen që ata i kanë bërë dikur Europës kundër Perandorisë Osmane. Ilirët dhe Skënderbeu, si mite kombëtare, shërbejnë për të legjitimuar kalimin nga njëra perandori te tjetra: “Shqyptarët, tuj bajtë nder krahë flamurin e Gjergj Kastriotit, kan hî nën hije të njij flamuri rë ri, kan hî nen mproje të njij Mbreti me zêmber… Sheshi i veprimit t’onë âsht Shqypnija në kuader të Perandoris së Romës” (f. 149).

Edhe në artikullin e vitit 1939, sikurse në atë të Fishtës të vitit 1917, vëllazëria, apo bashkimi (njësimi) kombëtar, trajtohet si një konstrukt politiko-shoqëror, të cilin shqiptarët nuk kanë mundur ta realizojnë kur kanë pasur vetëqeverisjen. Sipas këtij këndvështrimi, nuk mjafton që shqiptarët ta quajnë veten vëllezër të një gjaku e bij të një atdheu, por duhet që ta tregojnë këtë gjë edhe me anë të një gjendjeje të caktuar të rregullimeve institucionale. Përderisa nuk e kanë arritur (plotësisht) këtë gjendje, kjo tregon se ata vuajnë nga “kompleksi i Rozafës” (për të huazuar terminologjinë e Artan Fugës), pra janë vëllezër që nuk e ndërtojnë dot kalanë e tyre. Për artikullshkruesin e vitit 1939, kapërcimi i “kompleksit të Rozafës” do të ndodhë me ndërhyrjen e jashtme, nga autoriteti i perandorisë së painteresuar e mirëdashëse ndaj kombit shqiptar. Paradoksi qëndron pikërisht te përdorimi i vëllazërisë për zhvlerësimin e idesë së vëllazërisë kombëtare, e lindur pikërisht për t’i dhënë fund nënshtrimit të shqiptarëve ndaj perandorive të huaja.

Sot: Vëllazëria si zbulim i vazhdueshëm

“Kompleksi i Rozafës” u fanitet dhe i përndjek shqiptarët edhe sot e gjithë ditën. Përballë përçarjeve shtetërore dhe keqqeverisjes, ideja e kombit është degdisur në retorikë apo ritual dhe kuptimi e përfytyrimi i kombit si vëllazërisë politike ndihet veçse në mënyrë të zbehur. Shqiptarët nuk shohin për nga njëri-tjetri, por vazhdimisht i kanë sytë jashtë në pritje të një vëllai të madh që t’u zgjidhë problemet dhe t’u dhurojë atë që ata vetë mendojnë se nuk janë në gjendje për ta realizuar, ose se do t’ju duhet një kohë e gjatë për ta realizuar. Ashtu siç prisnin dikur nga vëllazëria e kombeve jugosllavë, nga vëllai i madh rus apo kinez, po ashtu edhe sot presin që dikush t’i marrë përdore dhe nuk duan të mësojnë të ecin vetë. Në më të shumtën e herës shikojnë nga Perëndimi, ndërsa, kur ky duket sikur nuk ka mendjen tek ne, ia shkelin syrin “popullit vëlla” turk, ndërsa ndonjë sheh ëndrra me sy hapur se “vëllazëria myslimane” është ajo më e sinqerta. Duke u ngutur për t’u futur nën tutelën apo perandorinë e fuqishme të radhës që u duket se do t’ua mbarojë punët e veta, shqiptarët në fund të çdo here shohin se punët u kanë mbetur përgjysmë. Në këtë mënyrë, nuk bëjnë tjetër veçse përjetësojnë “kompleksin e Rozafës”, duke e dorëzuar fatin e tyre në vendimmarrje e receta të huaja, të cilat sado pa interes dhe mirëdashëse t’ju duken, kërkojnë flijime nga vetë shqiptarët dhe nën sipërfaqen e një qëndrueshmërie të përkohshme, mbjellin farat e një përçarjeje më të thellë, pikërisht siç ndodh edhe te balada e murimit.

Vëllazëria e kombit, në vend që të merret si një gjendje e caktuar e qytetërimit, mirëkuptimit dhe zhvillimit të shqiptarëve, duhet kuptuar si një zbulim dhe shpallje. Është zbulimi, të cilin së pari e bëri Rilindja Kombëtare dhe më pas i është dashur ta rizbulojë secili brez i shqiptarëve, se ne shqiptarët, që “shqipojmë” njëri-tjetrin, kemi të njëjtin fat dhe se ne e kemi në dorë që së bashku ta përmirësojmë për veten tonë e për brezat që do të vijnë. Është shpallja se shqiptari ekziston, jo thjesht në kuptimin etnografik, si një zbukurim më shumë në qilimin e paanë të njerëzimit, por edhe si një vullnet kolektiv që shpreh universalen, duke u nisur nga vetvetja. Pa këtë zbulim dhe shpallje nuk mund të jetësohen përpjekjet e pjesshme, lokale, të shkëputura dhe të paorientuara për qytetërimin, mirëkuptimin dhe zhvillimin e shqiptarëve, edhe nëse këtyre përpjekjeve nuk u mungon ndihma e huaj.