nga Admin

17 Janar, 2015

Përvjetori – Mitologjia Skënderiane” e autorit Dhosi Liperi (1897-1968), u promovua post mortum, më 11 janar 2015 në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar. Në prag të 547-vjetorit të vdekjes së Heroit tonë Kombëtar, 47 vjet pas vdekjes së autorit, vepra botohet tashmë e plotë

Fragmente të shkëputura nga “Mitologjia Skënderiane” Dhosi Liperi

“Mitologjia Skënderiane”

“Mitologjia Skënderiane” e autorit dhe historianit Dhosi Liperi (1897-1968), është një punim në stil të gjerë prej 579 faqesh nga studimet e tij etnografike, të cilat me aq kujdes dhe sakrificë, si një punëtor i mirë, i ka grumbulluar në kohë dhe hapësirë. Duke jetuar dhe ndërmarrë ekspedita në malësitë tona të Shqipërisë së Mesme dhe të Veriut, ky autor grumbulloi ndër vite një material të gjerë folklorik, i cili shkonte deri në periudhën e shekullit XV. Ndërkohë që për Skënderbeun, Heroin Kombëtar të shqiptarëve, është shkruar dhe janë botuar me dhjetëra studime e libra të natyrave të ndryshme, duke përfshirë autorë të tillë, që nga Barleti në shekullin XVI e deri te Schmitt-i në shekullin XXI. Por, me Etnografinë dhe mbledhjen e dëshmive të saj për Skënderbeun janë marrë pak njerëz. Mund të përmendim Martin Sirdanin (Skënderbeu sipas gojëdhënash) dhe Dhosi Liperin, studimet e të cilit vetëm tanimë po e shohin “dritën” e botimit.

Fatosi ynë i madh, duke luftuar në krye të popullit të tij heroik, i gozhdoi hordhitë e tërbuara turke ndër malet e Shqipërisë për 25 vjet me radhë dhe e shpëtoi Evropën e qytetërimin e saj nga rreziku i njëmendët. Fama e tij mori dhenë dhe shumë shkrimtarë, historianë, poetë e artistë të huaj e kanë përjetësuar kujtimin e lavdinë e tij, gjatë shekujvet. Por më shumë se ata, janë përpjekur e kanë bërë vetë shqiptarët për Heroin e tyre Kombëtar, të cilin e adhuronin dhe e mbanin si simbol lirije. Burra të pendës dhe atdhetarë të mëdhenj duallën në shesh qysh prej kohës së Barletit e Frang Bardhit gjer te De Rada e te Naimi, tejkëtej Adriatikut e qysh prej Gramenos e Mjedës gjer te shkrimtarët e poetët tanë të sotshëm dhe e kanë hymnizuar Atë meritimthi. Sidomos gjatë pushtetit popullor u përgatitën dhe artistë të talentuar, të cilët e kanë latuar në bronz figurën e tij të madhe.

Po, veçanërisht, ajo që ka rëndësinë më të madhe është fakti se kujtimi e lavdia e Atij kanë mbajtur të gjalla ndjenjat e lirisë së popullit tonë gjatë shekujvet të robërisë së zezë, i kanë ushqyer shpresat dhe e kanë nxitur atë vazhdimisht për kryengritje të pandërprera, shumë kohë para se të delnin komitat e partizanët. Shqiptarët s’e kanë harruar kurrë Skënderbeun, megjithëse turqit barbarisht kanë përdorur çdo mjet e mënyrë për t’i çdukur Atij dhe emrin. (Mitologjia Skënderiane, f. 16)

 

HERAKLIU I GEGEVET

Ka shumë rëndësi për mua kujtimi që kam ruajtur për Skënderbenë prej vogëlie, emri që kam dëgjuar për të së pari. Isha shumë i vogël atëhere e vazhdoja klasën e dytë a të tretë të shkollës fillore greke në Përmet. Shkollë shqipe nuk kishte atëhere. Kjo ndalohej rreptësisht prej qeverisë turke dhe patrikanës greke, që ishin lidhur me aleancë të fortë kundër zgjimit kombëtar të shqiptarëvet.

Nuk ishte gdhirë akoma. Jashtë bënte ftohtë se qe dimër. Salepçiu ishte kthyer në kafenenë tonë e bisedonte me babanë tim, i cili e pyeste sesi shkonin në vëndin e tyre, ç’zakone kishin, e të tjera. Në përgjigjet që jepte Gega – me këtë emër njihej në Përmet salepçiu – zuri fill dhe emrin “Skënderbeu”. Unë që po ndiqja me vëmendje përgjigjet e salepçiut, të cilat ishin shumë interesante e tërheqëse, hapa sy e veshë kur dëgjova emrin e Skënderbeut dhe interesi e kureshtja ime po shtohej dhe virja kujdes të madh që të kuptoja dialektin e tij. Ky ishte nga Luma e Kukësit, një burrë i ri, i pashëm, i gjatë dhe i fortë e fliste me një ton burrëror e s’kishte aspak frikë, kur zinte fill emrin e Skënderbeut. Kishte dhe një veshje karakteristike të zezë, me një xhybe hedhur pas krahëve e të zbukuruar me theka të zes, që i përshtatej për bukuri e i kishte hie.

Kisha konsideratë të madhe për Herakliun, atë kreshnik të madh të mitologjisë greke, për veprat e mëdha që ka bërë në dobi të vëndit të tij. E adhuroja për fuqin’e tij fizike, guximin, shkathtësinë e qëllimin bamirës; dhe e njëjta ndjenjë m’u ngjall në shpirt edhe për Skënderbeun. Po ja dhe Skënderbeu, siç na e përshkruan hallvaxhiu, ishte i fortë si ai, saqë çante dhe shkëmbin me shpatë, krijonte dete e fluturonte me kalë. Madje ndjeva admirim më të madh për këtë Fatos, kur hallvaxhiu kapi thekat e xhokes së tij që i vareshin përpara në krahëror e na tha me një ton solemn: “Ja këta thekë përpara e mbrapa xhokes sonë i mbajmë të zes për zin’e Skënderbeut, që vdiq e na la jetimë”. (Mitologjia Skënderiane, f. 643/4)

Vdekja

…  Do të fliste edhe më, po iu pre fuqia përnjëherësh. Goja iu mbyll e fytyra iu murrëtye. E përvluan ethet. Sytë iu errën e fryma iu ndal. Papritur u këput e ra nga duart e atyreve që e mbanin. Ra si lis me dega, si një lis i goditur nga rrufeja. Vetëm tani e mposhti vdekja atë vigan. E kapi në befasi, kur ishte në kllapi. I gjeti rastin e çastin, nga frika ndoshta se vallë a e mundte dot, po të përfytej me të si më parë.

Gjëmë e kobshme u bë brenda në Kuvend. Nuk kishte aspak hie që u tund selia e tij nga klithmat e nga vomet. Krerët e Shqipërisë, ndonëse të pagëzuar në zjarrin e luftrave të rrepta, u ligështuan fort kur panë komandantin e tyre që u rrëzua si kep nga mali, e disa prej tyre s’dinin fare ç’bënin. Klithmat muarën dhenë e u trondit gjithë Lezhja trime, që nga Kuvendi në Pallat e që nga Pallati në kolubet e skajeve të saj; thuajse u rropos qyteti. Kambanat përhapnin lajmin e përmortshëm me tinguj monotonë e të përvajshëm e kumbimi i tyre përzihej me jonet vajtimore të gajdeve, të daulleve e të dajreve. Gjëmuan edhe topat e malësorët, që i dëgjuan larg në malet e tyre, u arraksën e i thirrën shoqi shoqit: “Muljeni, o burra! Gati të armatosur! Këta topa që dëgjojmë s’janë për gëzim. Ndonjë mynxyrë po ndodh në Lezhje a gjetiu afër saj. Mundet që armiku ka sulmuar. Të vrapojmë! – Po shpejt mësuan të vërtetën:

Vikama e kuje njerëzish u përhapën me shpejti tufani prej Lezhje nëpër fusha, prej fushave në kodra e prej kodrave në male:

“Vdiq Skënderbeu, Mbreti ynë! Vdiq Ati i Shqipërisë! Vdiq!”

Grykat sokëllinin nga zëri stentorian i barinjve që jepnin telajmin; nëpër brigje u ndezën dhe flakadanë të shumtë, për të përhapur gjëmën e madhe. (Mitologjia Skënderiane f. 317-318)

….

Në krye të arkivolit po qëndronte Mbretëresha hierëndë e ndermadhe. Ishte e pikëlluar prej trishtimit, po lot nuk derdhte. Bënte durim, durim të madh. Gjithë rrëmeti që kishte mbushur sheshin plot e përplot, ia kishte qepur sytë e merrte ngushëllim prej saj e forcë. Më të djathtë, ajo mbante pranë saj një skuadër djemsh të parritur, moshatarë të birit të saj të vetëm, të Gjonit fatkeq, që vdiq gjatë rrethimit të qytetit të shenjtë. Ata njinjollë ishin djem trimash dhe heronjsh, të rënë në luftë për liri. Ja kishte lënë amanet i shoqi, shpirtmadhi Skënderbe që kur i ngjau mynxyra. Më të mëngjër e për rreth arkivolit rrinin burra të zgjedhur nga paria e Shqipërisë e dallonin ndër ta Lek Dukagjini, Memeu i Shlleut, Kokë Malçi i Mirditës, Shasharaku i Çidhnës, Gjoku i Vigjut, Gjini i Kastriotit të Dibrës, Zaçi Drianit dhe më plaku nga të gjithë Gjoeb Bësari. (M. S. f. 319)

… Princi i Mirditës kishte dhe një arësye tjetër të fortë që u trondit kaqë shumë. Ishte dhe i pikëlluar dhe i penduar se në disa raste i ka sjellë ngatërresa të mëdha Atij që po vajton tani e logoris duke çkulur flokët e kokës e duke rrahur me grushta kraharorin e tij leshtor: O imzot i shquar, / Mbret i lavdëruar, / Zëmrën t’a kam thyer / Me hilet e mia / Punë të këqia / O! jam i penduar / Dhe i pikëlluar. / Fajin s’e laj dot /  Me kuje edhe lot. / Më ndje pra, më ndje, / Me shpirt të madh që ke! / Ti Skënderbe, / Më ndje, o, më ndje!

(M. S. f. 320-321)

… O vëllezër shqiptarë dhe ju motrat tona! Ati ynë vdiq e na la jetimë. Burrë tjetër s’ka kush t’i zërë këmbën e t’i bëjë ballë armikut mizor. Kështu fortesat tona do të rrëzohen e vatrat do të na përdhunohen, punishtet do të rrafshohen e qytetet do të na shkatërrohen. Ai që i mbronte, ja, shtrihet këtu pa frymë! Ta vajtojmë e ta qajmë këtë burrë; të mos e harrojmë kurrë.

– Kurrë! Përgjigjet rrëmeti.

– Dhe zi për të mbajmë.

– Po, zi të mbajmë!

– Dhe rrobat tona t’i nxijmë, që ta kujtojmë gjithëmonë e porositë e tija t’i mbarojmë.

– Po t’i nxijmë! Thekë të zes t’i vëmë xhokes.

– Mjerimi ra mbi kokat tona e robërimi na pllakosi; dhe tisi i zi të na mbulojë, neve dhe brezat që vijnë, gjersa të agojë dita e bekuar e lirisë, siç na ka thënë Ai.

Ndërkaqë u kthye dhe urdhëroi njerëzit e tij: O djem! Blozën e vatravet tona, që do të shkretohen, e zgjyrën e punishteve, që shesh do të bëhen, sillmani këtu! – Korrube e thasë, mbushin me blozë e me zgjyrë, i suallën ata shpejt përpara. I pregatitën shpejt e shpejt. Dhe atëhere princi i Mirditës mori prej atij pluhuri të zi e, duke ia hedhur përsipër xhokes së tij thirri si përçart: Xhoket e bardha, me kulira e me shtufa e me theka si dëborë, t’i nxijmë. T’i nxijmë, që thekat e zes të tyre, kur të pajiten mbi trupin tonë, të na goditin e të na kujtojnë porositë e tij; forcë të na japin, urrejtje të na zgjojnë e për ahmarrje të na nxisin, që sërish lirinë ta fitojmë. Dhe mbi kokat tona tisi i zi të bjerë, që kurrë nga mëndja të mos na hiqet gjëma që na gjeti. Kshtu nxin dhe kokën, në atë hov trishtimi edhe dëshpërimi. Dhe ju o motra, strvecevet tuaja të bardha e rubevet si bora gjyrën e korbit t’u jepni. E zeza t’ju kujtojë or’e çast korbin e zi dhe amanet bijve tuaj t’ua lini luftën për liri. Të parët që e dëgjojnë e po veprojnë si ai, janë njerëzit e tij. Por si për çudi bindet edhe populli dhe e imiton. Korrubet e thasët shpërndahen e pluhuri i zi jepet dorë më dorë. E thonë edhe sot malësorët, siç e kanë dëgjuar gojë pas goje prej gjysh stërgjyshi. Burrat e Mirditës mbajnë xhoken e zezë me theka e grat’e tyre stravecat e zeza e shamejat (rubat) e zeza. Ali Zejneli na thotë shprehimisht kështu: – “Na thekat e zeza i kemi në xhokat për zi të Skandërbegjut”. Riti që u zhvillua në këtë mënyrë, ishte solemn, po ogurkeq. Prandaj ngrihet Memeu, nga Shlleu i Matit, me një defter të madh nënë sqetull, ndërhyn i zëmëruar e flet kështu me forcë:

– Ndal, ti or Lek Dukagjini! Se nuk e ke mbroth gjëkundi. Miaft dhe ju të tjerët! Dhe ju motra, pushoni! Kështu do t’i mbajmë porositë që na dha Ai? Kështu do ta përballojmë armikun e fortë e mizor, që këtë rast pret të na përpijë? O, jo! Nuk i delet mbanë me vajtime e me zi. Kurrë! (M. S., f. 325-326)

… “Më së fundi kërkoi të betohen para lipsanit të shenjtë. Dhe ata u bindën e zëri i tyre gjëmoi në atë shesh të madh:

– Betohemi!

– Dhe shpresat të mos i humbisni kurrë, o shokë, se Ai duke dhënë frymën e fundit, na siguroi me këto fjalë të paharrueshme: – “Eshtrat e mia, o Zot, nuk do të qetohen kurrë në varr të zi, gjersa të vijë ajo ditë e uruar, që Shqipëria të bëhet përsëri një lule e bukur ndër kombet e tjerë, që ta ketë zili bota. Dhe ajo ditë do të vijë me siguri. E ka caktuar vetë Zoti. Shpresat t’i kini të plota. Shpirti im është me ju. Do të ngrihet nga varri që t’ju udhëheqë. Shpata ime do t’ju mbrojë.” (M. S. f. 328)

* * *

… Kur të dynden turqit si rrebesh mbi tokat tona, do të kërkojnë varrin tim e shpatën, pa derman. Do të hudhen menjëherë mbi varrin që ta shkatërrojnë; baltë e gur mbi të nuk do të lënë, dhe eshtrat e mia do t’i përshkëndisin e në plehra do t’i hedhin. Ahmarrje të tmerrshme duan të bëjnë! Shpatën time do ta rrëmbejë Sulltani i tyre, porsi trofenë më të lakmueshme: do ta ngjeshi në shenjë ngadhënjimi; do t’u tregojë si fakt robërimi të Atdheut tonë të shtrenjtë e si provë poshtërimi për mua e për ju; do të mburret me të e vring do ta nderi, që t’i kalli frikën gjithë Evropës. Kështu do të veprojë ai mizor, pa tjetër. … Po ju, o shokë, varrin tim e shpatën nuk do t’i tregoni kurrsesi; do t’i mbani fshehur; do t’ia dorëzoni tokës t’i ruajë si amanet të shenjtë. Se prej eshtrave të varrosura do të ngrihet shpirti im si hie e do të vigjilojë mbi fatet e Shqipërisë dhe shpata ime do të vringëllijë e do t’u grahë bijve e nipërve tuaj e do t’u prijë në luftë, që ta fitojnë përsëri lirinë. Mua, gjatë luftrash të ashpra e rreziqesh të mëdhenj, nuk më është cënuar asnjë qime e kokës nga armiku i urryer; si do të duroni ju të më trushkohen eshtrat në varr? – A mund të ndodhi një dhunë e këtillë, o Perëndi!

– “Kurrë!” thirrën luftëtarët, të cilët s’mundën të përmbahen.  -“Dhe shpata ime kreshnike, sogjetare e nderit dhe e lirisë së dheut tim, që ka qenë tmerri i armikut e juve ju ka pri në fitore e lavdi, si mund të poshtërohet. Ajo do të mbetet e paprekshme ashtu siç është. Ajo është e imja dhe unë do ta ruaj që t’ua lë trashëgim pasardhësvet tuaj, atyreve që do të jenë bijtë e mij të denjë e do ta përmbushin idealin tim e lirinë e vërtetë do t’i dhurojnë mëmëdhethit. Ata do t’i zënë këmbën djalit tim e xhinsit tim; do të jenë bijt’e mij legjitimë. Tjetërkujt s’ja jap. Armiku s’mund ta grabisi e ta ngjeshi; Oh, jo kurrë! Prandaj, kur të mbyll sytë, merreni trupin tim e shpatën e shkoni më ndonjë mal të shkretë e të pahullshëm, ku nuk shkel dot këmbë njeriu, po vetëm shqipet qepen pas thepave, dhe atje hapni varrin e ma varrosni trupin e shpatën bashkë me të. Dhe asnjeriu mos i tregoni.”

 

Zija e shqiptarëve për Skënderbenë

Populli shqiptar e qau dhe e vajtoi Prijësin e tij dhe mbajti zi për të si askush tjetër.

– A ka në botë popull tjetër që të ketë mbajtur zi për heroin e tij kombëtar gjatë pesë shekujsh e këtë zi ta ketë manifestuar gjer në ditën e sotme, jo vetëm me shpirt e zemër, po dhe me veshjen e tij karakteristike për burra e për gra, pa dallim feje si populli i ynë – i Shqipërisë së Mesme – për Skënderbeun?

Xhokja e zezë me kulirë e me thekë, ka qenë veshja karakteristike e gjithë krahinave të shtetit të dikurshëm të Skënderbeut. Kulirë quhet pjesa e xhokes që hidhet prapa krahëvet. Ali Zejneli na thotë: – “Na thekat e zeza i kemi në xhokat për zi të Skandërbegjut”. … Kur u ba harbja e madhe, e meti Skandërbegju në fushë të Lezës, se u pre me anmekun, xhithë xhindja u mblodhën në fushë të Kruës e banë mexhilis të math që ç’të bajmë na për punë të Skandërbegjut: “Do t’i nrojmë rrobat q’i kemi pasë të bardha e ti bajmë të zeza për zi të Skandërbegjut,” – kanë thanë. Hasan Çehi, plak 80 e ca vjeç, në Rilë të Zaranikës së Elbasanit më tha këto më 1 tetor 1965: – “Së pari Kruja i ka nxi jakucet. Ene un’e kam jakucen e zezë e kam shkue në Tiranë me jakuce e kam gërxyë e kam dalë në fotografi. Tirana ma shkroi mua kostumin”. Dhe plaku 90-vjeçar Mark Llesh Pepa na thotë: -“Gjrat’e të pesë bajraqeve të Merditës kanë vu rubat e zeza në krej, shamejat. Ky më dha të kuptoj se aqë më fort ka mbajtur e po mban zi krahina e vetë Ohri, i cili simbas tregimit të tij, përbëhet prej tre bajraqesh: Tre bajrakët e Ohrit kanë qanë: i Kthellës, i Selitës e i Rrazës e u mblidhshin në Fushë të Liçenit, çi soët e ka zanë liçeni i hidroçentralit.

Zi e Skënderbeut në Zaranikë

Zak Sinani nga Mëliza e Shpatit të Elbasanit që kemi përmendur në faqen 228 / 235 na thotë:

Gryka e Zaranikës ka patur jakuce të zezë me theka të zes mrapa për zin’e Skëndërbeut dhe gratë vishnin përpajen e zezë përpara dhe xhoken e zezë mrapa për zin’e Skënderbeut. Të parët tanë kanë patur xhamadane jo të njyme të zeza, me mangie nga prapa të varura si krahët e shaponjës e thoshin të vjetrit: “Mangët e mangores si fletët e shaponjës”. Gratë tona mbanin linjë ose këmisha të bardha edhe xhoka të bardha e të gjata.

Shënim: Ky shpatarak, me përshkrimin e veshjes së të dy krahinave na jep një provë tjetër bindëse se Turqia e ka zhdukur emrin e Skënderbeut nga krahina e Shpatit të Elbasanit, se aqë më fort sa veshja, ideologjia. Pas gjithë këtyre fakteve po pyesim. Historia ose legjendat a tregojnë ndonjë popull tjetër në botë, që të ketë mbajtur 500 vjet zi, – gjer në ditën sot, për kreshnikun e tij, e këtë zi ta ketë manifestuar jo vetëm me shpirt e zemër e lutje, po dhe me veshjen e tij të vërtetë për burra e gra?

Veshja e hershme

Zyb Halili nga Cëdheni, na e përshkruan hollësisht kështu veshjen e vjetër: – “Veshja e vjetër e kohës së Skandërbegut ka qenë xhokë e bardhë, ksul të bardhë si hu me majë e çedikë leshi të bardhë e opena lopet”

Xhokia hallemadhe

Malësorët musulmanë thonë se i kemi nxirë xhoket tona e stravecet e gravet tona për zin’e Skënderbeut; po kështu thonë edhe malësorët katolikë – madje grat’e Mirditës i mbajnë edhe sot stravecet e nxira (Ali Zejneli); ja pra prova e bashkimit të musulmanëve dhe katolikëve në kujtimin e Skënderbeut. Mbi supat e fshatarëve të tu të varfër e të shtypur unë pashë kulirat e zeza q’u vareshin me thekat e zinj mbi supe. Kur takova fshatarët e tu të varfër e të shtypur veshur me xhoken hallemadhe, që supat mbanin përsipër kulirën e u vareshin thekët e zes, u binda se janë burra, stërnipër të atyre që kanë luftuar me Skënderbenë. Kulira që mbajnë mbi supat e thekët që tunden u kujtojnë atyreve … se si pajiten thekët e zes mbi supat e fortë ashtu u rreh dhe zëmra prej dashurie për Skënderbenë e prej dëshire të fortë për liri. Dhe u ka rrahur gjithëmonë, por u mungonte udhëheqja. Udhëheqja e fortë dhe e sigurtë u varros dhe ajo me Atë në varr të ftohtë, e qëndroi në pritje. Fshatarët, kur i pyeta për thekat e zes të xhokeve të tyre m’u përgjigjën: – “Këta thekë që na varen mbi krye e supa, na kujtojnë detyrën e shenjtë që kemi t’i dalim zot Shqipnis si na ka porositun Ai kur vdiq. (M. S. 363-365)

Përgatitur për shtyp nga Ing. Ylian Liperi

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>