nga Admin

21 Korrik, 2014

Premysl Vins/ Shqipëria, në librat çekë, në shekullin XIX-XX/ Historitë e ushtarëve çekë që erdhën në Shqipëri për të luftuar në anën e austro-hungarezëve në vitin 1915 dhe pas kthimit në vendin e lindjes, u kthyen në autorë librash për Shqipërinë

Christmas-truce-3_2749189bJaroslav Křenek nuk i harroi kohët e kaluara në Shqipëri. I riu çek që pëlqente leximin, ishte pjesë e ushtrisë austro-hungareze, kur në vitin 1915 ajo pushtoi Shqipërinë e Veriut dhe atë të Mesme. Në ditarin që mbante gjithnjë në çantën e shpinës, Křenek shënonte çdo detaj nga ky vend për të cilin nuk kishte dëgjuar asgjë më parë. Jo vetëm bukuritë e natyrës, por dhe raportet njerëzore ishin aq të veçanta në këtë kënd të Ballkanit. Gjatë kthimit në Çeki pas luftës ai hodhi në letër të gjitha kujtimet nga Shqipëria, të cilat i botoi më pas në librin “Kujtimet për luftën në Shqipëri” (çekisht “Vzpomínky na vojnu v Albanii”) në të cilin ai përshkruan bukuritë e natyrës shqiptare, atmosferën orientale të qyteteve si të Elbasanit dhe Tiranës, që po shfaq simpati ndaj shqiptarëve dhe ka interes edhe për gjuhën dhe historinë shqiptare. Libri i tij tregon vështirësitë e ushtarëve në Shqipëri – epidemitë e shpeshta të tifos e të kolerës, transportet e lodhshme në terrenin malor, por gjithashtu tensionin midis ushtarëve të kombësisë çeke dhe asaj gjermane dhe hungareze. Deri në fillimin e Luftës së Parë Botërore kontaktet midis çekëve dhe shqiptarëve ishin të rralla. Kjo situatë ndryshoi me fushatën ushtarake të ushtrisë austro-hungareze në Ballkan kur në vitin 1915, austro-hungarezët pushtuan Shqipërinë.

Přemysl Vinš
Přemysl Vinš

Në radhët e ushtrisë austro-hungareze luftoi një numër i madh ushtarësh me kombësi çeke. Gjatë luftës arritën në Shqipëri me mijëra çekë. Nëpër Shqipëri udhëtonin dhe me jetën shqiptare njiheshin jo vetëm gazetarë dhe shkencëtarë, por edhe çekë nga shtresa të ndryshme shoqërore dhe lidhnin kontakte me shqiptarët. Në atë kohë ndodheshin në Shqipëri disa personalitete të njohura nga jeta politike dhe kulturore si p.sh. Presidenti i mëvonshëm komunist Antonín Zápotocký ose poeti, gazetari dhe përkthyesi i njohur çek Stanislav Kostka Neumann. Prania e numrit të madh të çekëve në Shqipëri gjithashtu u reflektua në krijimtarinë e tyre. Pas fundit të luftës dhe pas krijimit të shtetit çekosllovak me Shqipërinë dhe me kulturën shqiptare merreshin sidomos ata ish-pjesëtarë të ushtrisë austro-hungareze në Shqipëri të cilët botuan disa libra me kujtime për fushatën e tyre ushtarake në Shqipëri. Poeti Stanislav Kostka Neumann ishte një tjetër ushtar çek i cili qëndroi në Shqipëri. Librat e tij “Elbasani: kujtimet e luftës” (çekisht “Elbasan; Válečné vzpomínky”) viti 1922 dhe “Bragozhda dhe kujtime të tjera luftarake” (çekisht “Bragožda a jiné válečné vzpomínky, viti 1928), rindërtojnë në letër një atmosferë të Elbasanit të atyre viteve, duke na lënë një dëshmi se si dukej jeta në qytet në ato kohë. “Shumica e ushtarëve çekë e shikonin Shqipërinë si portën e orientit. Në natyrën e mahnitshme, xhami të qyteteve dhe zakone shqiptare shumë prej tyre gjetën frymëzim për veprimtarinë e tyre letrare”, tregon studiuesi i ri çek Premyls Vins. Jaroslav Křenek shkroi në vitin 1931 “Katër tregime shqiptare” (çekisht “Čtyři albánské povídky) në të cilat ai lidhi përvojat e veta nga qëndrimi në Shqipëri me tregimet që mësoi në Shqipëri. Bëhet fjalë për tregime dhe përralla që kanë lidhje me gjakmarrjen, besën dhe trimërinë e shqiptarëve. Këto tregime zhvillohen në sfondin e ngjarjeve reale dhe shpesh në to flitet për personalitete historike, si për Esat Pashë Toptanin ose për Mbretin Vid. Në veprën e poetit, Stanislav K. Neumann, gjenden edhe vjershat me titujt “Vera në Elbasan” dhe “Përshëndetje dhe kujtime”, ku autori shpreh dashurinë e tij ndaj Shqipërisë dhe popullit të saj. Duke gjetur frymëzim në ambientin shqiptar, ai shkroi edhe një përrallë të vetën që quhet “Përralla për minaren që doli shëtitje, dhe për ushtarin që kishte uri”. Christmas-truce-2_2749187cNeumann gjithashtu vizatoi disa akuarele që shfaqin rrugët e Elbasanit. Nga autorët e tjerë që u frymëzuan nga qëndrimi në Shqipëri është dhe ish-ushtari Karel Stellner(1873 – 1955) i cili botoi në vitin 1925 “Përrallat e mbrëmjeve të majit”. Edhe pse tregimet e tij janë të trilluara, kanë një bazë reale. Këto tregime i shkroi për ushtarët e tjerë dhe për të birin e tij në Çeki. Në një tregim, autori përshkruan përshtypjet e tij nga vizita e një shkolle shqiptare në qytetin e Milotit. “Pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Çekosllovakisë dhe Shqipërisë në vitin 1922 u themelua në Pragë Shoqata Çekosllovako-Shqiptare. Nuk është asnjë surprizë se pjesën e madhe të anëtarëve të saj e krijuan ish-ushtarët (J. Křenek, S. K. Neumann) dhe specialistët nga koha para luftës (Josef Vinař)”, thotë Vins. Shoqata çekosllovako-shqiptare botoi në vitin 1938 një libër jashtëzakonisht interesant që merret me Shqipërinë. Fjala është për një përmbledhje tekstesh me titullin “Shqipëria, mendimet për rolin e Shqipërisë në botë, për historinë e saj, ekonominë kombëtare dhe kulturën shqiptare”. Autori i saj ishte konsulli i nderuar i Shqipërisë në Pragë, çeku Jan Matoušek. Kjo është përmbledhja e studimeve që merren me situatën politike të Shqipërisë midis viteve 1920 dhe 1930 (autori është Josef Jirout), me zhvillimin ekonomik (autori ështëVáclav Červený), por përveç kësaj përmban përshtypjet nga vizita e Shqipërisë (autori është Artuš Černík), studimin gjeografik (autori është Karel Kuchař), vjershën e Neumann-it “Përshëndetje dhe kujtime” dhe tekstin e Vinař-it për rilindjen kombëtare shqiptare.

Pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, është qeverisja e Ahmet Zogut ajo që do t’i tërheqë vëmendjen një tjetër autori çek. Josef Jirout e shfaq hapur simpatinë e tij ndaj Mbretit shqiptar. “Informacione të vlefshme sjell edhe teksti që merret me zhvillimin ekonomik të Shqipërisë. Ai analizon pasojat e krizës botërore ekonomike në gjysmën e parë të viteve ‘30 në Shqipëri dhe lexuesi i sotëm mund të përfytyrojë nivelin e bashkëpunimit të atëhershëm ekonomik midis Çekosllovakisë dhe Shqipërisë. Sipas të dhënave të librit, importi nga Çekosllovakia përbënte 7% nga gjithë vëllimi i importit shqiptar. Shumë interesante është parathënia e këtij libri të cilin e shkroi diplomati i atëhershëm çekosllovak në Tiranë Lev Vokáč”, thotë Vins. Në tekstin e tij reflektohet situata politike në Europë në vitin 1938 dhe trazirat e luftës së re në Europë. Vokáč shpreh tërheqjen e tij ndaj Shqipërisë dhe kërkon paralele midis situatës në Çekosllovaki dhe Shqipëri. Duke theksuar pozitën strategjike të të dyja vendeve, autori është në dijeni se Çekosllovakia dhe Shqipëria rrezikohen nga vendet fqinje. Ky tekst u përfundua vetëm disa muaj para nënshkrimit të Traktatit të Mynihut kur zonat kufitare me popullatën gjermane u shkëputën nga Çekosllovakia. Një tjetër botim interesant është “Historia diplomatike e Shqipërisë” me autor konsullin çekosllovak në Tiranë Josef M. Kadlec. Libri i tij përshkruan në mënyrë të hollësishme bisedimet për çështjen e fatit dhe të kufijve të Shqipërisë në Konferencën e Paqes të Parisit.

Pas fundit të Luftës së Dytë Botërore dhe pasi në Çekosllovaki dhe Shqipëri pushtetin e morën komunistët, marrëdhëniet bilaterale u intensifikuan në të gjitha fushat. Në vitet ‘50, ekzistonte në Fakultetin Filozofik në Pragë seminari i gjuhës shqipe të cilin e drejtonte Dhimitër Pilika dhe në Çekosllovaki studionin qindra studentë shqiptarë. Në periudhën e orientimit pro-sovjetik të Shqipërisë në vitet 1948–1961 u botuan në Çeki disa libra që u afronin lexuesve zhvillimin e fuqishëm ekonomik të Shqipërisë në krye me Partinë e Punës së Shqipërisë. Në Pragë botohet libri i ilustruar me fotografi me titullin “Shqipëria vent shqiponjash” autori i të cilit ishte Dhimitër Pilika(1923 – 2003). Gjithashtu u botuan dy libra me kujtime udhëtimesh që i njihnin lexuesit me ndërtimin e socializmit në Shqipëri, me luftën kundër analfabetizmit dhe me historinë dhe zakonet shqiptare. Libri i parë nga viti 1959 prej autorit Václav Jaroš(1898 – 1970) quhet “Dritat shkëlqejnë mbi Tiranë”, të dytin e shkroi Václav Cibula(1925 – 2009). Romani i tij quhet “Mbi male dhe në det” dhe u botua në vitin 1960. Në kohën e komunizmit u përkthyen nga frëngjishtja në gjuhën çeke disa tregime shqiptare me titullin “Shqiponjat fluturojnë lart” dhe Dhimitër Pilika përktheu romanin e Shefqet Musarajit nga koha e luftës. Ai doli në vitin 1951 me titullin “Me partizanët shqiptarë”. Nga periudha pas përçarjes me Bashkimin Sovjetik u botua libri “Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë” që solli informacione të përgjithshme për Shqipërinë. Autori i këtij libri ishte ballkanologu i njohur dhe njohësi i historisë shqiptare Pavel Hradečný(1938-2006). “Deri më sot nuk dihet fati i fjalorit çekisht-shqip të cilin e përpunoi pedagogu dhe kolegu i Pilikës Václav Polák(1912-1981). Sipas informacioneve që kam nga fakulteti, fjalori u rendit në planin e botimit, por Václav Polák u arrestua për arsye politike dhe fjalori i tij u konfiskua. Pasi doli nga burgu fjalorin nuk e gjeti më”, shprehet Vins. Numri i librave për shqiptarët nga periudha pas rënies së komunizmit mbetet relativisht i ulët. Janë botuar tre romane të shkrimtarit Ismail Kadare në gjuhën çeke – “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, 1990, “Prilli i thyer” 2007 dhe “Kush e solli Doruntinën”, 2011. Në vitin 2007 u botua Fjalori i parë Shqip-Çekisht dhe Çekisht-Shqip dhe autorja e tij, përkthyesja dhe albanologja Hana Tomková(1934) përktheu përrallat shqiptare. Përrallat u botuan në vitin 2009 nën titullin “Bukuria e vendit. Përralla dhe tregime shqiptare”. Një nga librat më të rëndësishëm në vitet e fundit është libri “Historia e Shqipërisë”, 2008 të cilin e shkroi historiani Pavel Hradečný. “Për arsye të vdekjes së tij të parakohshme, librin e përfundoi një kolektiv autorësh. Bëhet fjalë për një publikim të jashtëzakonshëm në vendin tonë, sepse zoti Hradečný për librin e tij shfrytëzoi rezultatet e kërkimit të tij shumëvjeçar në Shqipëri”, shprehet Vins. Albanologu është marrë me kërkimet mbi veprat çeke nga fundi i shekullit XIX deri në shekullin XX nga çekët kushtuar shqiptarëve, për të nxjerrë në dritë raportet historike mes dy vendeve përmes botimeve. Sipas tij, në krahasim me ambientin gjerman ose austriak, numri i librave çekë për shqiptarët është relativisht i vogël, por ky fakt nuk e ul vlerën e tyre.      Njësoj si në pjesët e tjera të Europës, edhe në Çeki, mund të ndeshim një interes të madh për ngjarjet në Ballkan në periudhën pas Kongresit të Berlinit në vitin 1878 (pas këtij të fundit u hap edhe çështja shqiptare). Në lidhje me ngjarjet e vrullshme në Ballkan udhëtonin në këtë pjesë të kontinentit tonë shumë gazetarë, udhëtarë, shkencëtarë dhe aventurierë të ndryshëm, të cilët nëpërmjet artikujve, librave dhe studimeve të tyre i njihnin lexuesit me gjendjen politike, ekonomike dhe kulturore në Ballkan. Në këtë mënyrë lexuesit çekë merrnin informacionet edhe për shqiptarët. “Të gjitha shtresat e shoqërisë çeke lexonin gazeta dhe revista që përmbanin artikuj për shqiptarët. Artikujt që u botuan në këto revista dhe gazeta kishin pa dyshim ndikim të madh për krijimin e imazhit të shqiptarëve”, thotë Vins. Nga shtypi çek i dekadave të fundit të shekullit XIX më shumë artikuj për shqiptarët përmbajtën gazetat dhe revistat Zlatá PrahaOsvětaČeská včela dhe Světozor. Ndër autorët e këtyre artikujve mund të përmendim gazetarët Vladimír Sís (1889-1958), Josef Toužimský (1848-1903), botanistin Josef Rohlena (1874 – ?), etnografin dhe shkrimtarin Jan Třeštík (1859 -?) ose mjekun dhe shkrimtarin Josef Vinař (1875 –1963) i cili bashkëpunonte me albanologun e njohur Jan Urban Jarník (1848-1923). Josef Vinař ishte një nga çekët e paktë që flisnin dhe kuptonin shqip. Për shtypin çek Vinař përktheu disa vjersha shqiptare, këtu përfshihet edhe vjersha e njohur e Pashko Vasës “O moj Shqypni, e mjera Shypni” (çekisht “Ó Albánie, ubohá Albánie“). Deri në fund të shekullit XIX u botuan vetëm artikuj të ndryshëm etnografikë, por jo shumë libra – me përjashtim të dy monografive të Jarník-ut. Në gjermanisht ai shkroi librin “Zur albanischen Sprachenkunde” (1881) në të cilin paraqitet pasqyra e gramatikës shqipe dhe përkthimi i disa teksteve nga shqipja në gjermanisht. Monografia tjetër e Jarník-ut nga viti 1883 u botua çekisht me titullin “Kontributi për njohjen e dialekteve të gjuhës shqipe” ku autori nënvizoi dallimet midis gegërishtes dhe toskërishtes.       Rritjen e konsiderueshme të interesit për kombin shqiptar e solli fillimi i shekullit XX, sidomos periudha pas vitit 1910 kur në trevat shqiptare zhvilloheshin kryengritje të shumta kundër Portës së Lartë. Fjala është për botimin e përkthimit të poezisë shqiptare të titulluar “Këngët kombëtare shqiptare” në vitin 1911. Autori i kësaj përmbledhjeje vjershash ishte Josef Vinař i cili përktheu në gjuhën çeke disa vjersha të poetëve arbëreshë – Zef Skiroi, Jeronim De Rada, Dhimitër Kamarda. Gjithsej, përmbledhja e tij përmban 18 vjersha epike, ndër të cilat gjendet eposi për Skënderbeun dhe balada e njohur e Kostandinit dhe Doruntinës. Përveç kësaj, përmbledhja e vjershave përmban disa përkthime të lirikës martesore e dashurore nga rajonet e Korçës dhe të Kalabrisë. Në parathënien e librit, Josef Vinař i njeh lexuesit shkurt me historinë shqiptare dhe me gjuhën shqipe. Përmbledhja e poezisë së tij është e veçantë në ambientin çek dhe deri më sot ky është përkthimi i vetëm i poezisë shqiptare në gjuhën çeke. Në të njëjtin vit u botuan në Brno “Përrallat arnaute” (nga arkeologu kroat Ćiro Truhelka (1865-1942) i cili i përmblodhi këto përralla në komunitetin shqiptar afër qytetit Zadar. Nga kroatishtja i përktheu në gjuhën çeke Matyáš Hajný. Këto botime kanë pasur një rol të rëndësishëm për përçimin e një imazhi për Shqipërinë dhe shqiptarët në kuadër të një izolimi të plotë prej gjysmë shekulli. Dhe pse botimet kanë qenë më shumë me karakter publicistik, ato kanë mundur ta çojnë Shqipërinë si një vend me vlera dhe kulturë të hershme tek çekët.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>