Onufri riboton sprovën e Kadaresë “Uragani i ndërprerë: Ardhja e Migjenit në letërsinë shqipe“.
ËSHTË E DREJTË E ÇDO AUTORI TË ZGJEDHË VERSIONIN QË I DIKTON NDËRGJEGJJA E TIJ.
Onufri nxjerr në librari sprovën e Kadaresë “Uragani i ndërprerë: Ardhja e Migjenit në letërsinë shqipe”. Pas botimit në veprën e plotë më 2009, ky botim i autorizuar i Kadaresë del për herë të parë si libër më vete. Këtu përfshihen dy parathënie të Kadaresë për këtë sprovë dhe hidhet dritë për herë të parë për botimin e vitit 1991,nga shtëpia botuese “8 Nëntori”. Ky botim ishte pa lejen e autorit. Në parathëniet Kadare shpjegon qartë dhe u jep përgjigje spekulimeve që e kanë shoqëruar këtë sprovë gjithë këto vite të tranzicionit. Libri ka 141 faqe, kushton 700 lekë. Ky është një libër i çmuar për nxënësit, studentët e letërsisë dhe pedagogët e tyre, si dhe për lexuesin e gjerë.
SHËNIM I AUTORIT PËR BOTIMIN E VITIT 2009, NË VEPRËN E PLOTË
Sprova për Migjenin, e titulluar fillimisht “Uragani i ndërprerë”, u shkrua si parathënie e gjerë për botimin e veprës “Novelat e qytetit të veriut”, në Francë, në fund të viteve tetëdhjetë. Meqenëse me tekstet e botimeve të veprave të letërsisë shqipe në gjuhë të huaja merrej shtëpia e botimeve politike “8 Nëntori”, përkthimi në frëngjisht, si edhe miratimi i tekstit nuk mund të bëhej veçse prej saj. Sprova për Migjenin kaloi kështu nëpërmjet një shtëpie botuese që shquhej për dogmatizmin e saj të skajshëm. Kjo ka kushtëzuar ndoshta edhe më fort një pjesë të kufizimeve të këtij teksti, që gjithsesi ishte vështirë të shmangeshin.
Ndërkaq, duhet thënë se me datën e botimit të kësaj sprove është kryer, me dashje ose pa dashje, një dezinformim publik, i cili për herë të parë po sqarohet në këtë shënim.
Sipas marrëveshjes me shtëpinë botuese franceze “Fayard”, proza e përkthyer e Migjenit, bashkë me sprovën e gjerë që e shoqëronte, u dorëzua në fillim të vitit 1989. Pak kohë më pas, libri doli nga shtypi në Paris. Teksti i sprovës nuk u botua në shqip dhe as u paraqit prej autorit në ndonjë shtëpi botuese.
Një vit pas ikjes së autorit në Francë, teksti i sprovës, i mbetur në zyrat e shtëpisë botuese “8 Nëntori”, u botua prej kësaj shtëpie pa kurrfarë leje të autorit, pa asnjë sqarim dhe jashtë çdo mbikëqyrjeje të tij. Redaktori i botimit, siç e dëshmon botimi, ka qenë Arshin Xhezo, kryeredaktor i gazetës më politike shqiptare “Zëri i popullit”.
Data e botimit 1991, pas rënies së komunizmit, për një temë delikate për nga natyra e saj, të shkruar më 1988-1989, siç është shënuar në fund të tekstit, pra në komunizëm, do të krijonte, pa dyshim, jo pak habi midis lexuesve. Thelbi i çështjes lidhej me pyetjen se si ishte e mundur që kjo trajtesë, e botuar pas rënies së komunizmit, nuk kishte as më të voglin sqarim për ato kufizime, një pjesë e të cilave diktoheshin madje dhunshëm prej rendit komunist, siç ishte problemi i klerit katolik dhe sidomos i Gjergj Fishtës. Për këtë është folur gjerësisht në intervistën në “Hyllin e Dritës”, që ribotohet në këtë vëllim të veprave.
Sprova për Migjenin ishte një rast për t’i dhënë publikut të gjerë francez një tablo të përgjithshme të letërsisë shqipe që nga zanafilla e gjer në kohën tonë. Kufizimet e tekstit, gjuha shpeshherë e ngurtë, epitetet e ashpra “reaksionar, shovinist, arkaik, konservator”, të përdorura me tepri, shpeshherë për të lehtësuar kalimin e ideve dhe mesazheve liberale, nuk do ta dëmtonin aq rëndshëm tablonë në sytë e publikut francez, sa ç’do ta dëmtonte heshtja e plotë dhe mospërmendja e emrave të ndaluar, në radhë të parë e emrit të Gjergj Fishtës. Për publikun perëndimor epiteti “reaksionar” nuk kishte atë ngjyrim tragjik si te ne, ku përfytyrimi i parë shoqërues ishte skuadra e pushkatimit. Në tekst ishin trajtuar në një mënyrë pothuajse normale shkrimtarë të ndaluar ose gjysmë të ndaluar, si: Konica, Koliqi, Pasko, Poradeci. Mbetej gjithmonë Gjergj Fishta, i cili, ashtu si i dënuari numër një, që s’mund të shfaqet në publik pa prangat në duar, nuk mund të përmendej pa epitetet shoqëruese të zakonshme, çka ishte ndoshta më mirë sesa të mbetej në terr të plotë.
Aty-këtu në tekst ka ndonjë përpjekje të druajtur për ta ndryshuar gjuhën ndaj Fishtës, si në kreun pesë, ku flitej për nacionalizmin antisllav të poetit: “Aq më pak nuk i lejohej një poeti që, duke dhënë tablo tronditëse të kësaj ndeshjeje dhe duke u revoltuar me të drejtë ndaj padrejtësive që i qenë bërë e vazhdonin t’i bëheshin kombit shqiptar, të mos bënte, megjithatë, një dallim midis popujve sllavë e shovinizmit serbomadh”.
Ka gjasë të jetë herë e parë që në Shqipërinë komuniste shprehja “duke u revoltuar me të drejtë” të jetë përdorur për Fishtën.
Në të njëjtin kapitull, pak radhë më poshtë, thuhet se mesazhet shoviniste nuk pranoheshin në Shqipëri “qoftë edhe kur ato parashtroheshin nga një poet i shpallur kombëtar, e qoftë të shprehura me një poetikë hijerëndë e mjeshtërore, siç qe përmbledhja ‘Mrizi i zanave’, vepra më e arrirë artistikisht e tij”.
Siç shihet është një përpjekje, ndonëse ende e brishtë, drejt normalitetit. Po t’i shtohet kësaj edhe ikonografia e botimit francez, ku fotografitë e Fishtës, ashtu dhe të shkrimtarëve të tjerë të ndaluar, zënë vendin e tyre të natyrshëm midis plejadës së shkrimtarëve të mëdhenj të kombit, atëherë mund të thuhet se një përpjekje e parë, ndonëse e pamjaftueshme, është bërë drejt rehabilitimit.
Dosja e Gjergj Fishtës vazhdon të mbetet e hapur në Shqipëri. Dhe kjo është e kuptueshme. Borxhi ndaj tij mbetet gjithmonë i madh, më i madhi borxh ndaj një poeti i ndërgjegjes shqiptare. Ky borxh mund të lehtësohet dhe do të lehtësohet vetëm me dashuri dhe sinqeritet, dhe jo me nervozizëm dhe revansh. Për fat të keq, janë këto dy të fundit që ende ndihen më fort. Dhe është e natyrshme të jetë kështu, përderisa shpeshherë qëllon që në ballë të falangës për kinse mbrojtjen e poetit, shfaqen shpesh fytyra jo fort të besueshme. Është thënë dhe duhet përsëritur prapë se nuk mund ta mbrojnë poetin rrahagjoksat që gjer dje nuk ia përmendnin kurrë emrin, as disidentët e rremë, që kanë shërbyer në policinë e fshehtë komuniste, që kanë denoncuar e futur në burg kolegët, as ata që shquhen ende sot për nostalgjinë ndaj otomanëve, ose që afishohen kundër Gjergj Kastriotit.
Mospërputhja midis adhurimit ndaj Gjergj Fishtës dhe njëfarë shpërfilljeje që ende vazhdon është kushtëzuar ndoshta nga ajo që u tha më lart. Dëshmi e kësaj shpërfilljeje është përurimi tejet modest dhe gati-gati i bojkotuar i shtatores madhështore të poetit, vepër e skulptorit të shquar Ilmi Kasemi. Shtatorja e poetit e dyzuar nga transfiguracioni në bronz i poezisë së tij epike, u përurua në Lezhë, më 15 gusht 2009, në kohën që po shkruheshin këto radhë. Ajo që duhej të ishte një festë kombëtare e artit, shoqëruar me një ndjenjë të thellë meditimi për shkrimtarët e ndaluar, kaloi për habi si një ngjarje e rëndomtë, gati-gati e pavërejtur nga media dhe nga krejt shoqëria shqiptare.
Bojkoti i shtatores nxori në pah se veçimi i poetit vazhdonte në Shqipëri, njëzet vite pas rënies së komunizmit, për të tjera arsye tani dhe nga të tjerë faktorë. Nuk ishin të paktë ithtarët e poetit që, me dashje ose pa dashje, në vend që të shmangnin pengesat dhe moskuptimin, shpeshherë i shtonin ato. Krijohej përshtypja se s’bëhej asnjë përpjekje për të afruar drejt Gjergj Fishtës njerëz që, për arsye që diheshin, nuk e njihnin atë, ose që mendimin e gabuar për të dëshironin ta qortonin. U krijua kështu, dashur pa dashur, një brez sanitar rreth poetit, pra një veçim i ri, pikërisht atëherë kur duhej të ndodhte e kundërta.
Një tjetër mungesë e kësaj sprove për Migjenin është trajtimi i figurës së mbretit Zog. Ndonëse shteti komunist kishte një linjë të përcaktuar rreptë lidhur me këtë personazh, mund të thuhet, pa frikë, se censura për Fishtën ishte dukshëm më e pakapërcyeshme se ajo për mbretin. Rrjedhimisht, sado paradoksale të duket, për shtetin komunist shqiptar poeti Gjergj Fishta ishte më i rrezikshëm se mbreti Zog.
U theksua kjo për të vënë në dukje se përmendja e monarkut të parë shqiptar në këtë parathënie kurrsesi nuk ishte aq e vështirë sa e Fishtës, kështu që as epitetet e vrazhda ndaj tij nuk ishin as të detyrueshme dhe as të përligjura. Arsyeja e ashpërsisë ndaj mbretit lidhet me tjetër gjë, dhe pikërisht me një nga motivet kryesore të kësaj sprove, marrëdhëniet midis sunduesit diktator dhe shkrimtarit të madh. Në kohën që u shkrua kjo sprovë dukej qartë se ky raport të kujtonte më shumë rendin komunist, sesa shtetin mbretëror. Për rrjedhojë, paralelizmi i hamendësuar midis diktatorit komunist dhe mbretit, vetvetiu e dëmtonte kryesisht këtë të fundit.
Një tjetër problem delikat që, në një mënyrë ose në një tjetër, shtrohet në këtë trajtesë, është raporti midis Migjenit dhe shkrimtarëve të mëdhenj të ndaluar, kryesisht Fishtës. Ky raport as është shtruar e as që mund të shtrohej drejt. Sipas një tradite të keqe të ideologjisë sunduese të kohës, Migjeni cilësohej gati-gati si pararendës i realizmit socialist shqiptar, çka ishte një mashtrim i pashembullt. E keqja vazhdoi më pas, kur, në vend që ky mashtrim, bashkë me komunizmin, të rrëzohej, ai vazhdoi të mbrohej, këtë herë nga kampi kundërshtar, nga vetë fishteanët. Migjeni vazhdoi të quhej shkrimtar pothuajse komunist, ndonëse të gjithë e dinin se kjo nuk ishte e vërtetë dhe se mentori i tij i parë kishte qenë pikërisht Ernest Koliqi, i shquar për antikomunizmin e tij.
Pas viteve ’90, në kohën e demokracisë, kundër Migjenit, kinse në emër të antikomunizmit, u përdor dhe ende vazhdon të përdoret një gjuhë mizore, që nuk i lë asgjë mangët traditës staliniste.
Kësaj tradite iu shtua zakoni i keq shqiptar, sipas të cilit rikthimi në Panteonin e letrave i një shkrimtari të madh, shoqërohej nga dëbimi prej Panteonit i një tjetri shkrimtari të madh. Kështu u vunë në skajimin më të mbrapshtë të mundur Fishta me Migjenin, thua se nuk mund të rrinin të dy atje ku të dy e kishin vendin në këtë botë: pikërisht në Panteon.
Historia e trishtë, e bashkë me të keqkuptimi dramatik, ende vazhdon në kohën e ribotimit, pas njëzet vitesh, të kësaj sprove.
Tiranë, fundvere 2009
SQARIM PËR BOTIMIN E VITIT 2015
Ky është sqarimi i dytë, pas atij që ka shoqëruar botimin e kësaj sprove në serinë e “Veprës së plotë” të autorit në vitin 2009.
Siç është përmendur në shënimin e parë, tekste të tilla problematike, kanë shtruar, dashur pa dashur, një alternativë paradoksale, për të mos thëmë, jo fort të logjikshme. Thelbi i saj lidhej me pyetjen: ç’do të bëhej me tekste të tilla të krijuara në një rend të vështirë ku liria e shprehjes nuk njihej? Do të botoheshin më pas, ashtu, siç ishin shkruar, pa kurrfarë ndryshimi, apo do të lejohej njëfarë retushimi minimalist, natyrisht i shpallur prej autorit?
Me fjalë të tjera, mbi këto tekste do të rëndonte njeri nga dy dënimet: të mbartnin përgjithmonë vulën e së keqes, apo për të shmangur këtë të mos botoheshin më, thënë ndryshe, të shuheshin përgjithmonë?
Çështja e retusheve është shoqëruar me spekulime, nisur nga më banalet, siç është data e krijimit të veprës, gjer te natyra e retushit.
Tek sqarimi i vitit 2009 – çështja themelore është ajo e datës. Në pamje të parë ngjante e thjeshtë dhe, në thelb, është e tillë. Nuk ka gjë më të vërtetueshme në botë se sa koha e krijimit të një vepre. Megjithatë, në një vend ku spekulimi kthehet në modë, guximi i spekulantëve nuk njeh kufi. Ndaj dhe sqarime që në rrethana normale s’do të ishin të nevojshme, bëhen të tilla.
Në kushtet e ndërrimit dramatik të rendit politik kur flitet për retushet, është fjala në radhë të parë për ato të natyrës politike. Retushet e tjera, janë pjesë e procesit normal të krijimit në çdo kohë e në çdo vend.
Kjo marrëveshje për termat është e domosdoshme për të ndërprerë çdo abuzim. Një tjetër domosdoshmëri, është shpallja prej autorit e çdo retushimi bashkë me përgjegjësinë morale që ai merr për të.
Domosdoshmëria e tretë, ndër më themeloret, është saktësimi i qartë, se në këtë çështje është fjala kryesisht për vepra studimore, sprova e shpalime panoramike, dhe kurrsesi për krijime të mirëfillta artistike. Retushimet për romane apo drama ku pas rrëzimit të komunizmit, personazhet komunistë kthehen në antikomunistë dhe e kundërta nuk janë veçse sajesa të humorit të kafeneve dhe s’ka pse të merren seriozisht prej askujt.
Për t’u kthyer te pyetja se ç’do të bëhet me krijimet eseistike, te të cilat pavarësisht seriozitetit dëshmohen haptas gjurmët shtrënguese të kohës, ose kufizimet e vetë autorit, zgjidhja e problemit nuk është e pamundur. Qortimi i një mendimi, ndreqja, plotësimi, apo riformulimi i një vizioni, qoftë edhe në rastet delikate, kur arsyet janë politike, janë të njohura.
Për tekste të tilla, alternativa ose, të botohen ashtu siç kanë qenë, pa as më të paktën ndreqje, ose të zhduken nga faqe e dheut, vështirë se mund t’i qëndrojë logjikës normale. Në rastin e zgjidhjes së dytë, asaj të zhdukjes, vetvetiu do të shtrohej pyetja: në emër të kujt do të bëhej kjo? Për t’i bërë një nderim të tërthortë epokës që u përmbys? Për të pranuar, gjithmonë tërthorazi, një triumf të mbrapshtë karikaturesk të saj?Me fjalë të tjera, për të nbrojtur si të përjetshme gabimet e diktuara prej saj?
Është e drejtë e çdo autori të zgjedhë versionin që i dikton ndërgjegjja e tij. Aq më tepër për vepra që botohen pa lejen e tij, siç ndodh shpesh në hapësirën shqiptare në Ballkan.
Si përfundim, mund të thuhet se përvoja botërore na mëson që, pa qenë kurrsesi i njëjti proces me retushet artistike, ndreqja e gabimeve në procesin e studimeve eseistike, pavarërisht shkakut të zanafillës, është pjesë e zhvillimit dhe emancipimit kulturor.
Kjo e drejtë e autorit, pjesë themelore e së drejtës universale, nuk mund të preket nga askush dhe në asnjë rrethanë. Është autori që e ka bërë gabimin, është ai që e shpall publikisht atë, dhe është përsëri ai dhe askush tjetër, që përpiqet ta ndreqë.
Këtij parimi i përmbahet ky botim i fundit i sprovës për Migjenin. Siç ndodh shpesh në raste të tilla, ky nuk është kurrsesi një rishikim i plotë i tekstit. Përkundrazi, retushet janë tepër të rralla e të kursyera. Si të tilla ato janë të pamjaftueshme për të shmangur keqkuptimet. Janë heqje radhësh dhe paragrafësh dhe asnjëherë shtesë. Ndër dhjetë kapitujt e kësaj sprove, retushe (heqje radhësh) kanë vetëm dy prej tyre: i pesti dhe i gjashti, gjithsej rreth dyzet radhë. Pjesa tjetër e tekstit është e njëjta me atë të vitit 1989.
Ismail Kadare
Verë, 2015