3 Mars, 2022

Universiteti Milano-Bicocca bëri të ditur se një vendim i mëparshëm për të ndaluar leksionet e shkrimtarit Paolo Nori mbi veprën e Dostojevskit për shkak të sulmit rus kundër Ukrainës, është tërhequr.

Shtëpia e Librit

Në vitin 1867, Dostojevski dhe bashkëshortja e tij u arratisën nga Rusia për t’i shpëtuar kreditorëve dhe mbijetuan si varfanjakë në Zvicër dhe Itali, ku shpesh u përzunë nga shtëpitë për shkak se nuk paguanin dot qiranë. Dhe gjatë kësaj periudhe, gjigandi i letërsisë ruse shkroi Idiotin, një nga kryeveprat e tij.

Por Idioti dhe autori i tij, Dostojevski, tërhoqën vëmendjen për një telash tjetër ditët e fundit: shkrimtari Paolo Nori u ankua në një video të postuar në Instagram se universiteti Bicocca në Milano kishte njoftuar “shtyrjen për më vonë” të një serie leksionesh të planifikuara të tij. Tema e leksioneve: Fjodor Dostojevski. Arsyeja e “shtyrjes”: dallga anti-ruse që ka mbërthyer botën pas sulmit të Putinit mbi Ukrainën.  

“I dashur profesor, zëvendësrektori i Didaktikës më ka informuar për një vendim të marrë me rektorin për të shtyrë për më vonë leksionet mbi Dostojevskin,” shkroi emaili, sipas videos së Norit.

“Kjo bëhet për të shmangur çdo debat, veçanërisht në nivel të brendshëm, gjatë kësaj periudhe me tensione të forta.”

Nori tha se ishte ftuar nga universiteti për të dhënë katër leksione mbi Dostojevskin, romanet e të cilit, Krim dhe ndëshkim, Idioti, Djajtë, dhe Vëllezërit Karamazovë kanë magjepsur botën që nga koha kur u publikuan por që në Rusinë Sovjetike, pati një periudhë mes viteve 1935 dhe 1955, në të cilën, nuk u botuan dhe as nuk u studiuan nëpër shkolla.

(Në Shqipëri, veprat e Dostojevskit ishin praktikisht të ndaluara gjatë kohës së komunizmit dhe u botuan për herë të parë vetëm pas vitit 1991, shpesh të përkthyera në ilegalitet apo në burg.)

“Ata më ftuan mua. Leksionet duhej të zgjasnin 90 minuta dhe ishin të hapura për të gjithë,” tha Nori dhe pastaj vijoi: “E kuptoj se ajo që po ndodh në Ukrainë është e tmerrshme dhe më vjen të qaj kur mendoj për të. Por kjo që po ndodh në Itali është qesharake. Jo vetëm të qenit një rus që jeton sot qenka e gabuar në Itali, por edhe të qenit një i vdekur rus, një i tillë, si Dostojevski, i cili u dënua me vdekje më 1849 vetëm për shkak se kishte lexuar diçka të ndaluar. Është e pabesueshme që një universitet të ndalojë leksionet mbi një autor si Dostojevski.”

Video e Norit shkaktoi zemërim të gjerë publik dhe shumë figura publike ndërhynë në mbështetje të tij.

Të mërkurën, universiteti publikoi një deklaratë në median sociale ku njoftoi se vendimi është tërhequr dhe se leksionet do të mbahen siç ishin planifkuar.

“Universiteti është i hapur për dialog dhe dëgjon,” thuhet në deklaratë.

Bota demokratike është revoltuar gjatë ditëve të fundit me Rusinë putiniste dhe agresionin ushtarak në Ukrainë.

Lexo më shumë:

Vladimir Putin është në majë të një Piramide Pushteti që po rrënohet, ese nga Vladimir Sorokin

Dostojevski, shkrimtari që pa ngritjen e shtetit totalitar

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>