nga Admin

11 Nëntor, 2013

Sërish në shqip gazetari që u burgos 40 herë dhe u dënua katër herë me vdekje

Reportazhe dhe komente frymëzuar nga Herodoti

FATOS BAXHAKU

periodista, rusia, RezykarVetë mjeshtri Kapuçinski na rrëfen se si në momentin që ai, fare i ri, nisi udhëtimin e tij të gjatë nëpër botë, në çantën e tij të gazetarit u gjet si rastësisht, si i vetmi libër për të marrë me vete, jo një guidë turistike, as ndonjë udhëpërshkrues i thjeshtë, por vetë “Historia” e Herodotit. Në fakt, duket sheshit se është një mënyrë për të mos dashur të flasë shumë për veten. Jeta e tij dëshmoi se ai ishte një udhëtar i lindur. Njësoj si Herodoti në shekullin V para Krishtit, ai nuk u lodh kurrë së kuriozuari, ndër vende të panjohur, andej ku rregullat i bënin qytetërime të vjetra dhe krismat e pushkëve. Andej ku njerëzit prisnin me durim që skamja të vendoste t’ua mbyllte më në fund sytë. Kapuçinski (1932-2007) ishte dëshmitar i 27 revolucioneve apo kryengritjeve të armatosura. Ai mbuloi pjesën më të madhe të ngjarjeve tronditëse që ndodhën që nga Amerika Latine, në Afrikë e Azi. U arrestua 40 herë dhe katër herë u dënua me vdekje, por u fal për shkak të presionit të komunitetit ndërkombëtar.

Ka do kohë që dy librave të tij të përkthyera në shqip, “Imperium” dhe “Perandori” u është shtuar edhe një i tretë (“Udhëtim me Herodotin”, përktheu Astrit Beqiraj, Papirus, Tiranë 2013). Ky është një libër që bën fjalë për përvojat e para të mjeshtrit të ardhshëm në gazetari si i dërguar i një gazete të vogël të Varshavës, në mes të viteve ‘50. Udhëtimi i tij i parë nis në Itali e Indi e më pas vazhdon në Afganistan, Japoni, Kinë, Egjipt. Kapuçinski kalon nga komenti i tij i detajuar mbi Herodotin te skenat të cilat ai haste në këto udhëtime.

Autori i këtyre radhëve bën pjesë tek ata që as nuk ka dëshirë t’i rrëfehen librat, e as t’i tregojë ato vetë. Zaten një nga magjitë e librit është era e tij e mirë, gjithnjë e mirë, si kur sapo del nga shtypshkronja, ashtu edhe kur nis të zverdhet e të marrë atë aromën e mirë si prej gjysheje. E prandaj nuk po hyjmë sot në detajet e historive që ai rrëfen. Kështu që pa e parë vetë librin nuk kemi gjë në vijë.

Vetëm se nuk mund të rrimë pa thënë se ky libër, sikurse edhe dy të parët e përkthyer prej tij, në shumë kuptime përbëjnë një shans të mirë si për ata – nëse ka mbetur ndonjë – që kërkojnë të lëvrojnë reportazhin, që u pëlqen udhëtimi, personazhet, “Tjetra”, ajo që është përtej kufijve të jetës së përditshme, ashtu edhe për ata që ëndërrojnë që një ditë të marrin rrugët e pelegrinit të shtypit dhe të kthehen me mendjen, zemrën dhe blloqet plot situata, ndjesi, histori, peizazhe, gjendje, me një fjalë me gjëra për të rrëfyer.

Është një libër që lexohet me kënaqësinë dhe lehtësinë e një rrëfimi udhëtimi, i përshkuar nga një stil i hollë, gati-gati autoironik nga njëra anë, dhe me seriozitetin e një libri që duhet ta japësh provim vetëm pas pak ditësh, nga ana tjetër.

 

Raca e udhëtarëve

KapuscinskiJo çdokush mund ta bëjë këtë punë. Që në dhomën e tij të vaposur në Delhi, Kapuçinski djalosh kishte me vete “Historinë” e Herodotit. Ai rrëfen se atë ia kishte dhënë për rrugës një kolege e gazetës, një personazh, të cilin ai as nuk e lavdëron fort dhe as nuk e përmend më vonë. Ishte pikërisht kjo që i dha lajmin se për herë të parë do të nisej për një udhëtim jashtë Polonisë. Mbase ka qenë pikërisht kjo kolege me përvojë që ka parë e para te djaloshi me kostum të sajuar udhëtarin dhe mjeshtrin e mëvonshëm. Pastaj Herodoti shfaqet e zhduket hera-herës përgjatë librit njësoj si të jetë një manual jo vetëm udhëtimi në histori, apo në karakterin njerëzor, por edhe një mësues që nuk i ndahet nxënësit të tij në çdo hap.

 

Të jesh i qartë që në fillim

Vetë Kapuçinski ironizon veten kur na thotë se me të mbërritur në Indi nuk dinte as vetë se nga ta niste punën. Sorollatet disa kohë

nëpër Indinë e sapodalë nga një luftë e përgjakshme fetare dhe, pak nga pak, nis të gjejë ndonjë gjë për t’i dërguar kolegëve të tij në Varshavë. Asokohe ai dinte për Indinë pak më shumë se ç’dinte një fshatar indian për Poloninë. Në udhëtimin e dytë, në 1956, ai shkon në Pekin. Këtë herë djaloshi ka vënë mend: asnjë punë nuk bëhet mirë nëse nuk e kemi të qartë në kokë se për çfarë jemi nisur. Në udhëtimin e dytë, krahas Herodotit ai ka marrë me vete një tufë të madhe me libra, ku përfshiheshin edhe fjalimet e zgjedhura të Mao Ce Dunit. I përzierë në tufën e funksionarëve kinezë, që e vëzhgonin pa pushim, ai e dinte fort mirë se ku ishte dhe çfarë po bënte. Pastaj erdhi transferimi i tij në Agjencinë Polake të Lajmeve. Kjo kthesë duhet t’ia ketë bërë punët edhe më të qarta.

 

Peizazhi jo vetëm si sfond i palëvizur

Nganjëherë piktorët e kanë më të thjeshtë. Mjafton të gjesh peizazhin e duhur, kohën e duhur dhe gjendjen tënde të duhur dhe ja ku e bëre një pikturë të mirë. Gazetari e ka në fakt shumë herë më të vështirë. Teksa ndjek një ngjarje, teksa flet, në shumicën e kohës njëkohësisht me shumë vetë, atij i duhet edhe të transmetojë ndjesinë e udhëtimit te lexuesit apo shikuesit e tij, u duhet t’i thotë se vendi ku ndodhet ndryshon aq shumë prej shtëpive tona të qeta, se këtu buka e përditshme nuk është thjesht një dhuratë e Perëndisë për të gjithë, se jeta dhe vdekja shumë herë janë aq afër, se me se shkohet atje, a kanë trenat sedilje… plot gjëra. Përshkrimi gjeografik zë një vend parësor në shkrimet e mjeshtrit. “Të nesërmen në mëngjes shoku Li më mori në redaksinë e ‘Çungkuo’. Po e shihja Pekinin për herë të parë me ditë – shkruan ai diku në libër – nga të gjitha drejtimet shtrihej një det i tërë shtëpish të ulëta të fshehura pas muresh. Mbi mure dilnin vetëm kulmet e çative në gri të errët, fundet e të cilave mblidheshin në majë në formën e krahut. Nga larg kjo të kujtonte një tufë të madhe zogjsh të zinj, të cilët prisnin pa lëvizur sinjalin për t’u nisur…”. Nuk është një përshkrim i bukur, as i hijshëm e as romantik. Është thjesht i vërtetë, është Pekini gri në të cilin shumë shpejt “zogjtë”, do të merrnin sinjalin për t’u nisur. Revolucioni Kulturor ishte në prag.

 

Historia dhe e sotmja

Që kur u kthye nga India, Kapuçinski e kuptoi se Herodoti, ndonëse gjigant, nuk mjafton. Kështu që jo vetëm në rastin e Indisë, por në të gjitha udhëtimet e tij të mëpastajme ai përshkruan të sotmen duke u nisur nga baza historike, nga traditat, nga feja mbizotëruese, nga grupet etnike. Kështu që ndodh që kemi një shpjegim shumë të saktë e të thjeshtë të sistemit të kastave në Indinë antike të gërshetuar me trazirat mes indusëve dhe myslimanëve që çuan në ndarjen e Pakistanit nga India e Nehrut, që po ndodhnin mijëra vjet më pas. Historia për të nuk është thjesht kuriozitet. Nuk ka rëndësi se kur ka ndodhur një ngjarje, dje, pardje, apo mijëra vjet më parë. Për udhëtarin mjeshtër historia ka po aq vlerë sa edhe e sotmja, madje shpesh edhe më shumë, sepse vetëm ajo mund të shpjegojë gjëra që e sotmja i fsheh mjeshtërisht.

 

Tejçimi i gjendjes te publiku

Kjo puna e gazetarit shëtitës nuk është gjithnjë edhe aq e këndshme. Kur je në mes të shiut, apo kur dridhesh nga i ftohti mbi dëborë, kur zorrët nisin të kërcasin pas një agjërimi të detyruar. Ka shumë raste kur reportazhistë fusin në shkrimet e tyre edhe gjendje të tilla, le t’i themi të vështira. Nuk dihet mirë se si: ngaqë duan t’u mburren të tjerëve se ç’kanë hequr? Ngaqë duan ta ndajnë me dikë momentin e dhimbshëm? Apo thjesht sepse vetëm kështu publiku e përjeton më mirë vendin ku ishin? Me siguri Kapuçinski mendonte këtë të tretën. Në vapën e Sudanit, në 1960, ai mezi mban shënim: “… Këtu qenka vapë, mendova dhe aty për aty vendosa të dal në qytet. Nuk dija ç’të bëja, kur kisha bërë disa qindra metra i thirra mendjes se po bija në kurth. Nga qielli shprazej zjarr, i cili po më gozhdonte në asfalt. Koka po më bënte miza dhe po nisja të mos mbushesha dot me frymë. Po ndjeja se nuk mund të vazhdoja dot më tej, po njëkohësisht po ndërgjegjësohesha se nuk kisha fuqi për t’u kthyer në hotel… Më afër kisha një mango, kështu që shkova me zor të madh deri atje. Mbërrita te trungu dhe u plasa në tokë, në hije. Hija në momente të tilla është diçka krejtësisht materiale, trupi e pranon hijen njëlloj si buzët e përvëluara pranojnë lakmueshëm gllënjkën e ujit…”. Tani, falë tij, ia dimë të gjithë edhe më shumë vlerën hijes.

 

Të bërët njësh me njerëzit

Djaloshi Kapuçinski në udhëtimin e parë duket se ka qenë fort në siklet. Nuk dinte gjuhën, zakonet, rrugët, lëkura e tij ishte ku e ku më e bardhë se e vendasve. Porse e kalon shpejt këtë fazë. “Mosnjohja e anglishtes – shkruan ai – bënte sidokudo që të ndihesha më i afërt, më vëllazëror me kalimtarët e zakonshëm nëpër qytete apo me fshatarët e katundeve që kisha kaluar. Udhëtonim në të njëjtin mjet. Unë dhe gjysmë miliard banorët e Indisë, që nuk dinin asnjë fjalë anglisht!”. Kapuçinski, sigurisht që mësoi anglisht, madje fare mirë. Por asokohe as që nuk e dinte se po thoshte një nga sekretet e kësaj pune: bëhu njësh me njerëzit që takon!

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>