12 Tetor, 2019

Karikatura e Peter Handke, publikuar Komiteti i Nobelit. Niklas Elmehed. © Nobel Media.

Shoqata e Poetëve Eseistëve dhe Novelistëve të Amerikës, PEN America, një nga organizatat më të mëdha përfaqësuese të shkrimtarëve, publikoi një deklaratë kritike për zgjedhjen e Peter Handkes për çmimin Nobel të këtij viti. “Ne jemi të tronditur nga zgjedhja e një shkrimtari që ka përdorur zërin e tij publik për të sulmuar të vërtetën historike dhe për të ofruar ndihmë publike për kryesit e gjenocidit”.

Nju Jork – PEN America publikoi deklaratën e mëposhtme nga shkrimtarja dhe presidentja e PEN America Jennifer Egan, në përgjigje të zgjedhjes së Peter Handke për Çmimin Nobel në Letërsi për vitin 2019.

“PEN America zakonisht nuk komenton mbi çmimet letrare të institucioneve të tjera. Ne pranojmë se këto vendime janë subjektive dhe se kriteret nuk janë uniforme. Gjithsesi, njoftimi i sotëm (10 tetor) i çmimit Nobel në Letërsi 2019 për Peter Handke duhet të shërbejë për një përjashtim. Ne jemi të tronditur nga përzgjedhja e një shkrimtari që ka përdorur zërin e tij publik për të sulmuar të vërtetën historike dhe për të ofruar ndihmë publike për kryesit e gjenocidit, të tillë si ish-presidenti i Serbisë Slobodan Milosheviç dhe udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç. PEN America është angazhuar që nga miratimi i statutit tonë më 1948 të luftojë kundër publikimeve dashakeqe, falsiteteve të qëllimshme dhe manipulimit të fakteve. Statuti ynë na angazhon të punojmë për të “luftuar urrejtjet dhe për të mbrojtur idealin e një njerëzimi që jeton në paqe dhe barazi.” Ne e hedhim poshtë gjykimin që një shkrimtar që ka ngritur në mënyrë të vazhdueshme pikëpyetje mbi krime të dokumentuara të tërësi të mund të lartësohet për “gjenialitetin e tij gjuhësor.” Në një kohë nacionalizmi në rritje, udhëheqëish autoritarë dhe dizinformimi të gjithëpërhapur nëpër botë, bashkësia letrare meriton më mirë se sa kaq. Ne na vjen thellësisht keq për zgjedhjen e Komitetit të Nobelit për Letërsinë”.

————-

PEN America mbron ndërveprimin e letërsisë me të drejtat e njeriut për të mbrojtur lirinë e shprehjes në Shtetet e Bashkuara dhe në të gjithë botën. Ne mbrojmë lirinë për të shkruar, duke pranuar se fuqia e fjalës transformon botën përreth nesh. Misioni ynë është që të bashkojmë shkrimtarë dhe aleatët e tyre për të festuar shprehjen krijuese dhe për të mbrojtur liritë që mundësojnë shprehjen krijuese.

Marrë nga pen.org

© E drejta e autorit për përkthimin shqip i përket Shtepia e Librave sh.p.k. Ky përkthim mund të kopjohet nga media jokomerciale, e tillë si blogjet individuale, me kushtin që të citohet burimi me emër dhe të referohet me link për te botimi origjinal.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>