19 Janar, 2020

Një tregim nga Leo Tolstoi i jep përgjigjen pyetjes më të rëndësishme të njeriut. Si mund të jetosh mirë?

Tri pyetjet

Leo Tolstoi

Një ditë një perandori i shkoi në mendje se nëse ai i dinte përgjigjet e tri pyetjeve, ai nuk do të gabonte kurrë në asnjë vendim. Cila është koha më e mirë për të bërë secilën punë? Cilët janë njerëzit më të rëndësishëm për t’i pasur bashkëpunëtorë? Cila është gjëja më e rëndësishme të cilën duhet ta bësh përgjatë të gjithë kohës?

Perandori shpalli një dekret në të gjithë mbretërinë e tij duke njoftuar se kushdo që mund t’i përgjigjej këtyre pyetjeve do të merrte një shpërblim të madh. Shumë nga ata që lexuan dekretin shkuan te pallati menjëherë, secili duke dhënë një përgjigje të ndryshme.

Në përgjigje të pyetjes së parë, njëri këshilloi që perandori të bëjë një axhendë tërësore të kohës, duke shenjtërruar çdo orë, ditë, muaj e vit për punë të caktuara dhe pastaj ta ndiqte axhendën me rreptësi. Vetëm pas kësaj ai mund të shpresonte se do të bënte çdo detyrë në kohën e duhur.

Një tjetër iu përgjigj se ishte e pamundur të planifikoje paraprakisht dhe se perandori duhet vetëm të lë mënjanë të gjitha dëfrimet e kota dhe të ketë vëmendjen për çdo gjë në mënyrë që të dijë se çfarë duhet të bëjë në çdo kohë.

Ofertë, dy libra për 1760 lekë, 20% ulje. Lexo më shumë: Ofertat

Dikush tjetër këmbënguli se, vetëm fare, perandori nuk mund të shpresojë kurrë të ketë largpamësinë dhe kompetencën e nevojshme për të vendosur se kur duhet të bëjë secilën prej detyrave dhe se çfarë me të vërtetë nevojitej ishte të krijonte një Këshill të Urtësh dhe pastaj të vepronte sipas këshillave të tyre.

Dikush tjetër tha se disa çështje të caktuara kërkonin një vendim të atypëratyshëm që nuk pret për konsultime, por nëse ai dëshironte të dinte paraprakisht se çfarë do të ndodhte, ai duhej të konsultohej me magjistarët dhe fallxhorët.

Edhe përgjigjet për pyetjen e dytë ishin të ndryshme.

Një person tha se perandori kishte nevojë të vendoste besimin te administratorët e duhur, një tjetër nxiti që të dëgjoheshin priftërinjtë dhe murgjit, ndërsa të tjerë rekomanduan fizikantët. Të tjerë rekomanduan që të mbështetej vetëm te ushtarët.

Edhe pyetja e tretë tërhoqi shumë përgjigje të ndryshme. Disa thanë se shkenca ishte më e rëndësishmja. Të tjerë këmbëngulën për religjionin. Dhe akoma të tjerë thanë se më e rëndësishmja që duhej të bëhej në çdo kohë ishte aftësimi ushtarak.

Perandori nuk ishte i kënaqur me asnjë nga këto përgjigje dhe ai nuk dha asnjë shpërblim.

Pas shumë netësh mendimi, perandori vendosi të vizitojë një eremit që jetonte lartë në mal dhe që thuhej se ishte një njeri i ndriçuar. Perandori dëshironte të gjente eremitin dhe t’i bënte atij të tri pyetjet, megjithëse ai e dinte se eremiti nuk largohej kurrë nga mali dhe njihej se pranonte vetëm të varfër dhe rrefuzonte të fliste me çdo person që kishte pasuri apo pushtet.

Kështu perandori maskoi veten si një fshatar të varfër dhe urdhëroi shpurën ta prisnin në këmbë të malit ndërsa ai e ngjiti shpatin vetëm në kërkim të eremitit.

Pasi mbërriti në strehën e njeriut të shenjtë, perandori gjeti eremitin duke gërmuar një kopësht para kasolles së tij. Kur eremiti pa të huajin, ai përshëndeti me kokë dhe vijoi të gërmojë. Puna ishte dukshëm e e lodhshme për të. Ai ishte burrëi moshuar dhe çdo herë që ngulte belin në tokë për ta kthyer dheun, ai gulçonte rëndë.

Perandori iu afrua dhe i tha, “unë kam ardhur këtu të kërkoj ndihmën tënde me tri pyetjet: Kur është koha më e mirë për të bërë secilën punë? Cilët janë njerëzit më të rëndësishëm për t’i pasur bashkëpunëtorë? Cila është gjëja më e rëndësishme të cilën duhet ta bësh përgjatë të gjithë kohës?”

Eremiti dëgjoi me vëmendje, por vetëm i ra lehtë shpatullave perandorit dhe vijoi të gërmojë.

Perandori tha, “ti duhet të jesh i lodhur. Më lër të të jap një dorë.” Eremiti e falënderoi, i dha perandorit belin dhe pasta u ul në tokë për të pushuar.

Pasi gërmoi dy rreshta, perandori ndaloi dhe u kthye te eremiti dhe përsëriti tri pyetjet e tij. Eremiti sërish nuk iu përgjigj, por në vend të kësaj u ngrit dhe bëri me shenjë nga beli dhe tha, “pse nuk pushon pak? Unë mund t’i rikthehem punës.” Por perandori vijoi të gërmojë. Një orë kaloi, pastaj dy. Në fund dielli filloi të perëndojë pas malit. Perandori uli belin dhe i tha eremitit, “unë erdha këtu për të të pyetur nëse ti mund t’i përgjigjesh tre pyetjeve të mija. Por nëse nuk më jep dot përgjigje, të lutem ma thuaj në mënyrë që të mund të kthehem në shtëpi.”

Eremiti ngriti kokën dhe pyeti perandorin, “a dëgjove dikë që po vraponte për këtu?”

Perandori ktheu kokën. Ata që të dy panë një burrë me një mjekër të gjatë të bardhë që doli nga pylli. Ai nxitonte duke u lëkundur, me një dorë të gjakosur mbi një plagë në stomakun e tij. Burri vrapo drejt perandorit para se të rrëzohej në tokë pa ndjenja. Duke hapur rrobat e këtij burri, perandori dhe eremiti panë se ai kishte plagë të thellë. Perandori e pastroi plagën mirë dhe pastaj përdori këmishën e tij për ta lidhur atë, por gjaku e lagu këmishën brenda pak minutash. Ai e shpëlau këmishën de e lidhi plagën për herë të dytë dhe e përsëriti këtë deri sa rrjedha e gjakut ndaloi.

Më në fund i plagosuri e mori veten dhe kërkoi të pijë ujë. Perandori vrapoi poshtë për te rrëkeja dhe solli një kanë me ujë të freskët. Ndërkohë, dielli ishte zhdukur dhe ajri i natës po ftohej. Eremiti i dha perandorit një dorë për ta bartur të plagosurin për te kasollja ku ai u shtri në krevatin e eremitit. Burri mbylli sytë dhe qëndroi i qetë.

Perandori ishte lodhur nga një ditë e gjatë e ngjitjes në mal dhe e punimit të tokës në kopështin e eremitit. I mbështetur te tera, ai ra në gjumë. Kur u zgjua, dielli sakaq ishte ngritur mbi mal. Për një çast ai harroi se ku ishte dhe se pse kishte ardhur deri atje. Ai pa te krevati ku i plagosuri po e shikonte gjithashtu atë i hutuar. Kur ai pa perandorin filloi ta shohë me vëmendje dhe me një pëshpërimë të lehtë tha, “të lutëm më fal.”

“Po çfarë ke bërë që unë të duhet të të fal?” pyeti perandori.

“Ju nuk më njihni mua, madhëria juaj, por unë ju njoh. Unë isha armiku yt i betuar dhe desha të merrja hak mbi ty sepse gjatë luftës së fundit ti më vrave vëllanë dhe më more pronën. Kur mësova se ti do të vije vetëm në mal për të takuar eremitin, unë vendosa të të zija pusi gjatë rrugës së kthimit për të të vrarë. Por pasi prita shumë kohë dhe sërish ti nuk u ktheve, unë e lash pritën dhe u përpoqa të të gjej. Por në vend që të të gjeja, unë rashë te shpura jote, të cilët më njohën dhe më dhanë këtë plagë. Për fat, unë u arratisa dhe erdha këtu. Nëse nuk do të të takoja, me siguri do të kisha vdekur tashmë. Unë desha të të vras ty, por në vend të kësaj, ti më shpëtove jetën! Mua më vjen turp dhe të falënderoj. Nëse unë jetoj, betohem se do të jem shërbyesi yt për të gjithë jetën dhe do t’i kërkoj fëmijëve dhë fëmijëve të fëmijëve të bëjnë njësoj. Të lutem më jep mua faljen tënde.”

Perandori u gëzua shumë kur pa se sa lehtë u pajtua me armikun e tij. Ai jo vetëm që e fali atë por i premtoi se do t’i kthejë të gjihta pronat dhe se do të dërgojë mjekun dhe shërbyesit e tij për t’u kujdesur deri sa ai të shërohej plotësisht. Pasi urdhëroi shoqëruesit e tij ta çonin këtë burrë në shtëpi, perandori u kthye për të takuar edhe një herë eremitin. Para se të kthehej në pallat perandori deshte të përsëriste edhe një herë të fundit tri pyetjet e tij. Ai e gjeti eremitin duke mbjellë farë në tokën që ata kishin punuar një ditë më parë. Eremiti u ngrit dhe pa perandorin.

“Po pyetjet e tua sakaq e kanë marrë përgjigjen,” tha ai.

“Po si?” pyeti perandori i çuditur.

“Dje, nëse nuk do të të kishte ardhur keq për mua dhe nuk do të më ndihmoje të punoja kopështin, ti do të sulmoheshe gjatë rrugës së kthimit. Pas kësaj do të ishe bërë pishman që nuk qëndrove me mua. Për rrjedhojë koha më e rëndësishme ishte koha kur ti po punoje kopështin, por personi më i rëndësishëm isha unë, dhe puna më e rëndësishme ishte të më ndihmoje mua. Më vonë, kur burri i plagosur erdhi këtu, koha më e rëndësishme ishte koha që ti kalove duke i mjekuar plagën sepse po të mos kujdeseshe për të ti do ta humbje shansin që të pajtoheshe me të. Në mënyrë të ngjashme, ai ishte njeriu më i rëndësishëm, dhe puna më e rëndësishme ishte që të kujdeseshe për plagët e tij. Mbaj në mendje se ka vetëm një kohë të rëndësishme dhe kjo kohë është Tani. Çasti aktual është e vetmja kohë mbi të cilën ne kemi kontroll. Personi më i rëndësishëm është gjithmonë ai që është me ty, që është pranë teje, sepse askush nuk e di se me çfarë njerëzish do të ketë të bëjë në të ardhmen. Dhe puna më e rëndësishme për të bërë është që ta bësh këtë person që është pranë teje tani të lumtur, sepse vetëm kjo do të thotë të jetosh.”

© E drejta e autorit për përkthimin shqip i përket Shtëpia e Librit. Ndalohet ripublikimi pa lejen paraprake të mbajtësit të të drejtës së autorit.

Lexo më shumë:

Leo Tolstoi, si të gjejmë kuptim në një botë të pakuptimtë?!

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>