30 Korrik, 2019

Elefanti zhduket, Haruki Murakami

Tregimet e shkurtra të shkrimtarit japonez Haruki Murakami, (lindur në Tokio më 1946), janë publikuar në tre përmbledhje të mëdha, Shelgu i Verbër, gruaja që po fle, Elefanti Zhduket dhe Burra pa gra. Deri tani në shqip janë sjellë vetëm përmbledhja me tregime Elefanti Zhduket me përkthimin e Ivana Dervishit, Skanderbeg Books 2018.

Murakami di se si të zgjojë kureshtjen e lexuesit duke krijuar mistere mbi gjëra jo domosdoshmërisht të rëndësishme dhe duke ngritur pikëpyetje pothuajse pa u vënë re ndërsa e gjezdis lexuesin përmes jetëve dhe ndjenjave të personazheve të tij të zakonshëm. Përmes tregimeve të tij të shkurtra ai duket se është në gjendje t’i flasë njerëzve të të dyja gjinive dhe të të gjitha moshave.

Tregimet e tij të shkurtra janë edhe një panoramë e shoqërisë së Tokios, ëndrrave dhe dëshirave të saj.

Për shembull, te tregimi Vajza e Ditëlindjes, një tregim i shkurtër por plot të papritura përmes të cilave Murakami na ngacmon me përsëritjen me këmbëngulje të pyetjes: Çfarë dëshire ti ke, në rast se dikush të premton se do të ta bëjë realitet?

Kjo është një pyetje e vjetër sa historia e letërsisë, të cilën lexuesi ia ka bërë vetes sa herë që është përballur me përrallat me nimfa, me xhinde, me perri, me zota apo me djaj, por që Murakami ka arritur ta shtrojë në kontekstin e Tokios moderne duke ngacmuar lexuesin e një bote ku magjia nuk ekziston dhe ku pyetje të tilla ngjajnë naive deri në budallallëk. Dhe megjithatë, megjithatë, më thuaj, çfarë dëshire ke? Unë do të ta plotësoj!

Këtu më poshtë po japim edhe dy fragmente që na pëlqyen veçanërisht shumë gjatë leximit të këtyre tregimeve.

———-

“Unë do desha të flisja me të. Një gjysmë më mjafton: vetëm ta pyes rreth saj dhe t’i tregoj asaj për veten time, dhe – ajo që me të vërtetë dua të bëj – t’i shpjegoj asaj kompleksitetin e rastësisë që na bëri ne të rastisemi në një rrugë dytësore në Harajuku një mëngjes të mrekullueshëm prilli më 1981”.

Vajza 100% perfekte

————

“Nuk jam ende i sigurt nëse bëra zgjedhjen e duhur kur i tregova gruas për sulmin kundër bukëpjekësit. Por në fund të fundit, kjo mund të mos ishte një çështje e të drejtës dhe të gabuarës. Gjë që do të thotë që zgjedhjet e gabuara mund të japin rezultatet e duhura, ose anasjelltas. Unë vetë kam krijuar bindjen se, në fakt, ne nuk zgjedhim kurrë asgjë. Gjërat ndodhin. Ose nuk ndodhin.

Nëse e sheh në këtë mënyrë, thjeshtë sa ndodhi që unë i tregova gruas mbi sulmin ndaj bukëpjekësit”.

Sulmi i dytë mbi Furrën e Bukës

Vizitoni www.shtepiaelibrit.com për t’u njohur me botimet më të fundit të librave në shqip.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>