nga Admin

21 Maj, 2014

Dialektologjia/ Çfarë ka ndodhur me këto struktura të gjuhës pas Kongresit të Drejtshkrimit më 1972 apo pas rënies së sistemit komunist… Studimet e munguara këto vite dhe dialektet përballë globalizmit nën vështrimin e akademikut Kolec Topalli dhe gjuhëtares Mimoza Kore

Gjuhëtari nga Shkodra Kolec TopalliTopalli e quajti rrezik depërtimin e strukturave të huaja në fushën e sintaksës, një rrezik që mund të mënjanohet lehtësisht duke studiuar e duke vënë në qarkullim strukturat e gjedhet popullore, që gjenden në çdo dialekt të shqipes. “Sintaksa dhe morfologjia, me një fjalë gramatika, është kështjella e fundit që mund të tjetërsojë një gjuhë. Shformimi i tyre prish palcën kurrizore të gjuhës, skeletin e saj; prandaj ruajtja e tyre është detyrë parësore e çdo gjuhëtari, shkrimtari a intelektuali që përdor gjuhën amtare”, tha ai

Alda Bardhyli (Gazeta SHQIP)

Marije Shtjefi i thërret së bijës në dialekt. Shitëse në një dyqan suveniresh, Marija vazhdon t’i flasë me gjuhën me të cilën është rritur, fëmijës së saj. Në krahina të ndryshme të vendit, dialektet vijojnë të jetojnë si forma gjuhësore, që nuk kanë mundur të tjetërsohen, pavarësisht kohës dhe viteve. Albanologu dhe përkthyesi Robert Elsie kohë më parë, teksa merrej me studimin e shqipes, incizoi njerëz në zona të ndryshme të vendit, për të studiuar dialektet. Është mahnitëse të dëgjosh ata zëra që duket sikur kanë dalë nga librat e historisë… Dialektologjia është një nga fushat e gjuhësisë shqiptare, e cila ka shënuar prurje deri në vitet ‘90. Është e jashtëzakonshme të shohim sesi kjo formë e çmuar gjuhësore ka ruajtur strukturën e saj, në rajone të ndryshme shqipfolëse. Shumë vende nuk kanë mundur t’i shpëtojnë këto thesare nga globalizmi, ndërsa shqipja, pavarësisht shtrirjes së saj në kohë, ka mundur të mbetet e virgjër në shumë krahina të saj, duke e ruajtur gjuhën, si gurin që bënte bashkë familjet, fiset apo fshatrat. Por, ashtu si edhe fushat e tjera të kulturës e të dijes, në Shqipëri, në periudhën e pasluftës, midis viteve 1944-1990, edhe dialektologjia nuk i ka shpëtuar mungesës së lirisë akademike dhe diktatit që impononte sistemi i kohës. Për pesëdhjetë vite me radhë, studentët kanë qenë të detyruar të përdorin variantet e të njëjtit tekst. Duke filluar nga viti 1963, i njëjti tekst është botuar në pesë variante deri në vitin 1989, nga prof. Jorgji Gjinari, dy variante të tjera do të botoheshin më vonë të këtij teksti (më 1997 dhe 2000, ribotuar 2003, 2013) nga prof. Jorgji Gjinari e prof. Gjovalin Shkurtaj. Kur flasim për historinë e dialektologjisë në Shqipëri, një nderim duhet të bëjmë për figurën e prof. Gjinarit, i cili me një pasion këmbëngulës ka lënë pas vepra të çmuara, e kontribuuese në këtë fushë. Por çfarë solli Kongresi i Drejtshkrimit për dialektet? A e përjashtoi shqipja standarde këtë formë gjuhësore? Çfarë ndodh sot me dialektet në kushtet e globalizmit… Një tryezë e iniciuar nga Organizata Rinore RIAS dhe me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, bëri bashkë studiues të shqipes për të folur mbi këtë temë… shumë pak të diskutuar në këto dy dekada. “Dihet se krijimi i standardit të një gjuhe, si mjet komunikimi mbarëkombëtar, nuk e përjashton ekzistencën e dialekteve. Ato vijojnë jetën e tyre duke pësuar ndryshime në përshtatje me vetë zhvillimin e krahinës ku fliten dhe në marrëdhënie me standardin. Rastet e gjuhëve të mëdha të Europës, si anglishtes, frëngjishtes, italishtes etj., që kanë krijuar standardin e tyre prej disa shekujsh, duke ruajtur edhe dialektet, janë një shembull i qartë për këtë. E njëjta gjë mund të thuhet për gjuhën shqipe, e cila, ndryshe nga gjuhët e mësipërme, ka një standard të ri, të krijuar prej jo më shumë se një gjysmë shekulli, por dialektet e saj gjëllijnë, duke hyrë në marrëdhënie të ndërsjella me të: nga njëra anë, standardi ushtron ndikimin e vet mbi dialektet, duke futur elemente të modernizimit të gjuhës, fjalë të reja që lidhen me mënyrën e re të jetesës dhe ndryshimet e mëdha ekonomike e shoqërore; nga ana tjetër, dialektet derdhin vazhdimisht pasurinë e tyre leksikore e frazeologjike në gjuhën standarde. Për këtë arsye, çdo nënvleftësim i fuqisë krijuese të dialekteve sjell dobësim e varfërim jo vetëm të dialektit, por edhe të vetë standardit”, tha akademiku Kolec Topalli. Duke e quajtur globalizmin si një dukuri të pashmangshme, Topalli tha, se duhet të punohet, që në shumë raste, në vend të shprehjeve e fjalëve të huaja, të përdorim fjalë nga burimi i shqipes, që janë farkuar me mjeshtri prej popullit dhe mund të gjenden në dialekte e në të folme të veçanta, që vijojnë të gjallojnë e të bëjnë jetën e tyre. “Po jap ndonjë shembull. Për fjalën e huaj model, populli i krahinës së Elbasanit ka krijuar gjedhe, që shkon me foljen zgjedh, domethënë ‘ajo që zgjidhet’. Për foljen krijoj, arbëreshët e Dalmacisë kanë lentoj nga fjala e shqipes landë. Janë dy shembuj që dëshmojnë se sa ndihmesë mund të sjellin dialektet për të mënjanuar fjalët e huaja, që po vërshojnë me fuqi e shpejtësi të madhe në gjuhën shqipe”, tha Topalli. Profesori e quajti rrezik depërtimin e strukturave të huaja në fushën e sintaksës, një rrezik që mund të mënjanohet lehtësisht duke studiuar e duke vënë në qarkullim strukturat e gjedhet popullore, që gjenden në çdo dialekt të shqipes. “Sintaksa dhe morfologjia, me një fjalë gramatika, është kështjella e fundit që mund të tjetërsojë një gjuhë. Shformimi i tyre prish palcën kurrizore të gjuhës, skeletin e saj; prandaj ruajtja e tyre është detyrë parësore e çdo gjuhëtari, shkrimtari a intelektuali që përdor gjuhën amtare”, tha Topalli. Sipas tij, drejtimet e një pune të mirëfilltë shkencore për mbrojtjen e pasurisë dialektore mund të jenë “mbledhja, evidentimi dhe hulumtimi i fjalëve, shprehjeve dhe strukturave ndërtimore të dialekteve, me qëllim që të bëhen pasuri e standardit duke ndihmuar mënjanimin e elementeve të huaja; studimi i pasurisë gjuhësore të autorëve të ndaluar ose të mënjanuar në periudhën e diktaturës komuniste për të marrë prej tyre atë pasuri që ata e shfrytëzuan nga thesari popullor për të krijuar veprat e tyre; hartimi i fjalorëve dialektorë, sidomos për të folme ende të pastudiuara; hartimi i një fjalori të tipit thesaurus, ku të përfshihet e gjithë pasuria leksikore e dialekteve të shqipes etj.”. Gjuhëtarja Mimoza Kore, në kumtesën e saj “Në proceset integruese duhet përkujdesje edhe për dialektet e të folmet”, vërejti se në kushtet e reja, ku të gjitha shoqëritë janë të përfshira në vorbullat e globalizmit, gjuhët e popujve të vegjël janë të kërcënuara e aq më tepër dialektet e të folmet. Për këtë arsye, sot po vërehet një prirje e re. Nga njëra anë popujt dhe vendet duan të përfshihen në rrjedhat e globalizmit, të bëhen pjesë e botës së madhe, siç është dhe dëshira e madhe e popullit tonë për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian, por nga ana tjetër, secili do të ruajë në vorbullat përfshirëse identitetin, individualitetin, atë çka e bën të ndryshëm nga të tjerët, të dallueshëm. Kjo ka bërë që të vihet re një prirje në dukje kontradiktore: njësimi dhe vlerësimi i barabartë i kulturave të ndryshme brenda së tërës, por edhe rivlerësimi kulturor, veçanërisht i popujve të vegjël, sepse kjo ka të bëjë me konceptin e respektimit të të drejtave të njeriut e më ngushtësisht, ka të bëjë me respektimin e veçorive kulturore të tjetrit. Mjeti kryesor identifikues kulturor është gjuha. Me krijimin dhe njësimin e gjuhës sonë letrare, duket se vëmendja u përqendrua në këto dekadat e fundit në pasurimin dhe kodifikimin e saj. Por çdo gjuhë në botë jeton përmes dialekteve dhe të folmeve, të cilat e pasurojnë, e zhdërvjelltësojnë dhe i japin jetë gjuhës standarde. Ndodh shpesh që kjo e vërtetë harrohet dhe dialektet e të folmet shihen si një shfaqje që i takon së shkuarës. Dialekti apo e folmja ruhet më mirë nga brezi i moshuar. Po kështu, tiparet dialektore ruhen më mirë në persona me arsim të paktë sesa në të shkolluarit. Dallim ekziston edhe për sa i përket gjinisë. Tek e folura e grave ruhen më mirë karakteristikat e një të folmeje. Në shoqëritë ku demokracia është e pazhvilluar, gruaja ka një rol ekonomik të dorës së dytë, kundrejt burrit, i cili e lë atë pa arsim dhe jashtë jetës shoqërore aktive. Kore shtroi në takim pyetjen: Po a duhet të flasin të rinjtë sot në dialekt? Në këtë stad që jemi, gjuha standarde ka arritur të përfaqësojë edhe variantin gjuhësor me prestigj në shoqërinë tonë, prandaj rendet për të përvetësuar mjetin (gjuhën standarde) që të krijon më tepër mundësi dhe sukses në profesion dhe në jetën shoqërore. Nga ana tjetër, ajo theksoi se duhet të zhdukim edhe paragjykimin se është turp të flitet në dialekt, përkundrazi dialektet janë realitete gjuhësore. Ato përbëjnë bazën e gjuhës letrare. Duhet vetëm të dimë, në cilën situatë duhet ta përdorim gjuhën letrare e në cilën dialektin. Ashtu sikur nuk vishemi njësoj për raste të ndryshme. Gjithashtu nuk duhet që standardi të bjerë në nivelin e dialektit, por njësi dhe dukuri dialektore duhet valorizohen (t’u rritet vlera) dhe të hyjnë në standard. Por çfarë ka ndodhur pas viteve ‘90 më dialektet? A ka pasur studime të reja në këtë fushë? Këto 24 vite, prurjet në fushën e dialektologjisë kanë qenë të pakta. Duket se të huajt kanë qenë ata, që nga joshja për shqipen, janë ndalur në këtë strukturë të saj. Por, studiuesit shqiptarë, duhet të kishin bërë më shumë këto vite, pas rënies së sistemit komunist, në kushtet e daljes në dritë të materialeve të reja të panjohura, të një mënyre të re të konceptimit të objektit ose të metodës së parashtrimit të të dhënave, por edhe për shkak të evidentimit të një problematike të re të patrajtuar deri tani. Dialektet janë pjesë e trupit të një gjuhe apo dy udhëtare që ecin në të njëjtën rrugë, pavarësisht vendeve nga të cilat nisen…

 

Arkivi i dialektologjisë

Një material i pasur dialektor, mirë i sistemuar, ruhet në kartotekën e dialektologjisë të Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, po kështu një numër i konsiderueshëm regjistrimesh me magnetofon, përfshirë edhe tërësinë e materialeve të regjistruara për Atlasin Dialektologjik të Gjuhës Shqipe (ADGJSH), ruhen në arkivin e Institutit të Folklorit, mbi 60 skica dhe monografi dialektore janë botuar për shumicën e të folmeve të shqipes. Janë shkruar gjithashtu dhjetëra studime me karakter përgjithësues për dukuri të veçanta dialektore dhe për grupe të folmesh. Janë botuar libra për dialektet dhe historinë e formimit të tyre, për të folmet e gegërishtes veriperëndimore dhe qendrore, janë botuar shtatë variante të tekstit të dialektologjisë shqiptare dhe një tekst për sistemin “Bachelor”, si edhe libri Gjuha shqipe dhe dialektet e saj nga Agnija Desnickaja dhe, mbi të gjitha, është botuar ADGJSH.

 

[callout]Një princ, studim për dialektet e shqipes

Ndër botimet më të reja për dialektologjinë është ai i botuar nga Qendra e Studimeve shqiptare në Londër. “Dialektet shqiptare” quhet libri i shkruar, i cili përmban studime filologjike të karakterit të dialektologjisë krahasuese të gjuhës shqipe, të përgatitura nga princi Louis-Lucien Bonaparte dhe të botuara në anglisht, gjatë periudhës 1882-1890 në revistën akademike “Transactions of the Philological Society”, në Londër. Libri përfshin harta të detajuara të zonave të banuara nga arbëreshët në Itali, duke specifikuar se cili dialekt përdoret në zona të caktuara. Nga ky këndvështrim, studimi ka vlera të mëdha demografike dhe etnografike për përqendrimet dhe shtrirjen e arbëreshëve në Itali. Në studimin “Shqiptarët në tokën e Otrantos”’, Bonaparte sjell një material të detajuar me emrat e fshatrave ku shqipja arbëreshe flitej akoma në fundshekullin e 19-s. Veç kësaj, ai jep një pasqyrë përmbledhëse të tingujve të përdorura në dialektin gegë dhe toskë, nëndialektet që rrjedhin prej tyre, duke përfshirë edhe përdorimin e këtyre tingujve në të folmen e Shkodrës, atë greke (moderne), të Kalabrisë dhe të Sicilisë. Kjo tabelë e tingujve të shqipes, sipas autorit, është e para e llojit të saj. Një punë të ngjashme, por jo kaq të detajuar, ka bërë para tij edhe albanologu i famshëm gjerman Hahn, literaturën e të cilit Bonaparte e ka konsultuar, ashtu siç ka konsultuar ndërmjet të tjerash edhe literaturën e Kristoforidhit, si dhe të Dhimitër Kamardës, me të cilin duket se ka qenë i afërt, pasi e ka pasur mysafir të tij në Londër, për disa muaj. Po në këtë studim, Bonaparte jep shembuj të disa fjalëve të izoluara shqipe në dialektet gegë dhe toskë, të shqiptarëve të Greqisë, Kalabrisë, Sicilisë dhe atyre të Shkodrës, si dhe disa fraza të shkurtra, të përdorura në gjuhën e përditshme nga arbëreshët. Kjo pjesë e studimit, edhe pse jo voluminoze, është shumë e rëndësishme për studimin e leksikologjisë së shqipes së fundshekullit të 19. Përdorimi i tingujve të ndryshëm në të njëjtën fjalë, paraqet interes për fjalëformimin e shqipes së vjetër. Edhe pse studimi i përket shekullit të 19, ai është i vlefshëm për të studiuar shqipen e vjetër të mbartur nga arbëreshët në Itali gjatë shpërnguljeve të tyre, kryesisht në Mesjetë nga vitet 1400 e në vazhdim, e të trashëguar brez pas brezi deri tek arbëreshët e fundit të viteve 1800. Studimi i Bonapartes është një vlerë që shtohet në morinë e studimeve që duhet të jenë në këtë fushë. [/callout]

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>