8 Nëntor, 2020

Thomas Carlyle është gjithashtu i famshëm për thënie të mënçura.

Emrin e Zotit Carlyle (Lexohet Karlile) e hasa për herë të parë te George Orwell. Në esenë e tij Mbi Nacionalizmin Orwell i referohet Karliles në dy raste, në të dyja rastet, jo për mirë. Orwell iu referua atij si “një nga intelektualët baballarë të fashizmit”.

Kjo punë do të kishte mbetur këtu, me një referencë mes të shumtave nga Orwell gjatë përshkrimit prej tij se çfarë është nacionalizmi “në kuptimin më të gjerë të mundshëm të këtij termi”. Por rastësia e deshi që emri i Karliles të më hidhej para syve sërish.

Fragment nga Liza në botën e çudinavet, botim i vitit 1944

Ca kohë më vonë, më ra në dorë varianti më i hershëm (dhe më i mrekullueshëm) i romanit Liza në botën e Çudirave të Lewis Carol. Ky ishte botimi i vitit 1944, me shqipërimin e mrekullueshëm në gegnisht nga Hysejn Çela dhe Beqir Çela. I ngacmuar nga gjuha shumë e rrjedhshme e botimit, fillova të kërkoj më shumë informacion mbi përkthyesat. Nuk ka pothuajse asnjë lloj informacioni se çfarë ishin dy përkthyesit e parë të Lizës. Për këdo që njeh sadopak mundin e përkthimit, kjo është gjynah i madh. Dy pasionantë të mëdhenj që i dhanë shqiptarëve Lizën kanë humbur dhe për ta nuk dihet asgjë. As kur kanë lindur dhe as kur kanë vdekur. Por në databazën e Bibliotekës Kombëtare ama, emrat e tyre janë të renditur në listën e përkthyesve.

Beqir Çela rezulton të ketë përkthyer në Shqipërinë e viteve tridhjetë edhe një libër tjetër dhe ky është një libër i zotit Carlyle. Libri titullohet: Heroi si profet Muhamedi dhe islamizmi dhe është botuar në shqip nga shtypshkronja Stamles në Durrës në vitin e largët 1935. Pra një ingliz që shkruan një libër për profetin Muhamed dhe Islamin në shekullin e nëntëmbëdhjetë dhe që sillet në shqip në shekullin e njëzetë, në një periudhë goxha të trazuar me religjione të vjetra që pothuajse po vdisnin dhe religjione të reja – komunizëm, fashizëm, nacionalizëm e izma të tjera – që po ngrihen.

Fragment nga Liza në botën e çudinavet, botim i vitit 1944

Por hutuar me mrekullinë e një shqipeje të harruar, (Liza këtu flet me një gjuhë që ne instinktivisht e lidhim me atë të pleqve dhe plakave që dhuna e standardit letrar nuk arriti t’i ndryshojë), sërish fakti që përkthyesi Beqir Çela kishte marrë mundimin të përkthente një gjë nga Thomas Carlyle qëlloi të ishte thjeshtë një çudi tjetër kalimtare.

Ishte një rast i tretë që më ngacmoi mjaftueshëm sa për të kërkuar emrin e Thomas Carlyle në enciklopedinë Britanike për të mësuar se çfarë kishte qenë: Flush, në biografi nga Virginia Woolf.

“Dihej nga të gjithë se qeni i znj. Karlile, Nero, kishte kërcyer nga dritarja e katit sipër me synimin për të vrarë veten,” shkroi Woolf në librin e saj, një biografi e qenit të poeteshës britanike Elizabeth Barret – Browning, e cila ishte e famshme në Anglinë e periudhës Viktoriane si poetja kryengritëse që u arratis me dashnorin pa lejen e prindit.

Nero pra ishte, sipas Woolf që citon burime të kohës, ishte një qen i vogël, ndoshta dogo kubanez, ndoshta maltez, i cili i përkiste familjes së zotit Carlyle dhe që, një ditë të bukur, u hodh nga dritarja. Normalisht që askush nuk mund ta dijë se pse një qen hidhet nga dritarja, por gojët e liga thoshin se Neroja e gjeti mjedisin përreth vetes tepër mbytës dhe jetën të padurueshme. Zonja Carlyle iu përgjigj këtyre thashethemeve dashakeqe me sugjerimin se Neroja nuk ishte tip vetëvrasës por vetëm budalla. Ai kërceu nga dritarja, jo për të vrarë veten, por për të kapur zogjtë që i fluturuan aty pranë. Siç duket, vetëvrasja e një qeni ngre të njëjtat pikëpyetje me vetëvrasjen e një njeriu për personat pranë tij.

Po zoti Carlyle çlidhje kishte me këtë botë? Pasi rastisa emrin e tij për herë të tretë e kërkova për ta parë se çfarë ishte dhe zbulova shkurtimisht se:

Thomas Carlyle ka qenë një historian britanik i shekullit të nëntëmbëdhjetë. Ai ka zhvilluar edhe një teori sipas të cilës, heroi dhe heroizmat kanë ndikim të madh në historinë e njerëzimit.

Sipas Enciklopedisë Britanike, Carlyle publikoi në vitin 1841 një libër me titull Mbi Heronjtë, adhurimin e heronjve dhe Heroiken në Histori në të cilën lavdëroi fuqinë, në veçanti atë të kombinuar me bindjen e një misioni të dhënë nga zoti. Ai e diskutoi heroin si hyjni (mit pagan), si profet (Muhamedi) dhe si poet, (Dante apo Shekspiri) apo si prift (Martin Luther). Ai shkoi më tutje duke diskutuar figurat e Oliver Cromwell dhe Napoleon Bonaparte.

Dhe heroizmi është gjithmonë një mall i shumëkërkuar pasi i mëson njerëzve se është më mirë të vdesësh, se ka një shpërblim në jetën e përtejme e madje, se ky shpërblim është i mundshëm edhe kur je, fjala vjen, komunist-ateist që nuk beson te jeta e përtejme.

Ndoshta ishte dashuria e tij për Frederikun e Dytë, mbretin e Prusisë, i cili përmes luftës arriti të bëjë Prusinë qendër të asaj që më vonë u bë Gjermania, ajo çfarë i rikujtoi Orwell në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, kur ai po shkruante esenë Mbi Nacionalizmin, figurën e Carlyles dhe rrjedhimisht deklaratën se ai “ndoshta babai intelektual i fashizmit” në Britaninë e Madhe.

Pra ky është zoti Carlyle, qeni i së cilit, tentoi pa sukses të vriste veten, pasi sipas Woolf, e gjeti “të padurueshme rraskapitjen nga jeta në lagjen Çejn.”

Kopertina e Flush, një biografi nga Virginia Woolf

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>