29 Janar, 2021

Ky vit duket se ka nisur vrullshëm për botimet. Shkrimtarët shqiptarë duket se janë frymëzuar për të na sjellë copëza nga jeta shqiptare ndërsa nga letërsia e huaj erdhi Orwell, Handke, Allende e Lackberg. Ne kemi gjithashtu kënaqësinë t’ju njoftojmë se Shtëpia e Librit po zgjerohet me libra në gjuhën angleze.

Shtëpia e Librit

Shkrimtari britanik George Orwell vdiq në vitin e largët 1949 por shtatëdhjetë vjet pas vdekjes, ai vijon të jetë një nga shkrimtarët më të lexuar në botë. Në shtatëdhjetëvjetorin e vdekjes, të drejtat e autorit të Orwell skaduan në shumicën e legjislacioneve të botës dhe kjo duket se i dha hov ribotimeve të njëpasnjëshme të veprave të tij. Shtëpia botuese Onufri solli këtë muaj 1984 me shqipërimin e Arben Kallamatës, botimi i katërt i këtij libri në shqip pas botimit të Zenit (2005), Pema (2018) dhe Pegi, (2020). Pegi botoi gjithashtu romanin Ferma e Kafshëve me shqipërimin e Sokol Çungës. Ky është botimi i tretë i Ferma e Kafshëve në shqip.

Shtëpia e Librit solli librin I varfër dhe i pastrehë në Paris dhe në Londër një nga librat më të njohur të Orwell në të cilat autori rrëfen eksperiencën personale si i varfër dhe i pastrehë në dy metropolet e mëdha. Kjo është hera e parë që ky libër vjen në shqip.

————–

Shkrimtarja Arlinda Guma botoi këtë muaj romanin e saj të tretë, Bob Legjenda. Autorja krijon ngjarje që janë pjesë e realitetit të përditshëm, me personazhe që i flasin lexuesit shqiptar të kohës sonë. Janë rrëfenja që gjithkush mund t’i ketë dëgjuar në formë thashethemesh nga shoqëria e vet në ndonjë lokal te blloku, për ngjarje që u kanë ndodhur personave të njohur ose pak të njohur. Bob Legjenda vjen pas romaneve Bulevardi i yjeve, (2014) dhe Terma humanitarë si fjala bombardim (2016)

294 f. 900 lekë

Prezantuesi Pandi Laço publikoi romanin e tij të parë, Curvid19. Ndalim-qarkullimi dhe makthet e vitit 2020 duket se e frymëzuan Laçon të hakmerret ndaj telasheve të një viti të vështirë duke shkruar për Nikun, një artist në mes të të tridhjetave dhe pa punë të qëndrueshme, ndërsa ai përballet me terrorin e virusit.

240 f. 1000 lekë.

Grigor Banushi sjell pjesën e tretë të trilogjisë së tij që nis me romanin Aromat e vjeshtës dhe vazhdon me Vals në shkretëtirë.

Zërat e Natës ka në qendër personazhin tashmë të njohur i një gazetari dhe shkrimtari, i cili shpesh gjendet në vende e në kohë të gabuar, por që me zhvillimin e ngjarjeve edhe në dy pjesët e tjera, tashmë kjo nuk përbën më rastësi.

253 f. 1000 lekë

Stefan Çapaliku solli historinë e pazakontë të një ushtari italian, piktor, i cili humbi anijen e fundit për në shtëpi pas Luftës së Dytë Botërore dhe mbeti në Shkodër e më pas jetoi në Durrës ku ra në dashuri me një vajzë vendëse. Atje, përveçse me pikturë merret edhe me skenografi, derisa anija e fundit me ushtarë të mbetur e kthen në shpi më 1947.

Renzo Collura, një artist i humbur në Shqipëri f. 64, 1000 lekë

Pas një mungese të gjatë, Ushtari i mirë Shvejk nga Jarosllav Jashek u rikthye në treg. Një nga librat më të lexuar në historinë e re të Shqipërisë nuk besoj se ka nevojë për më shumë prezantim.

437 f. 1500 lekë

Një nga klasikët e letërsisë botërore, Silva nga Gèrard de Nerval erdhi në shqip për herë të parë nga shtëpia botuese Arka e Noes me shqipërimin e Feride Paplekës. I botuar për herë të parë më 1853, Silva ky është romani që u adhurua nga disa nga shkrimtarët më të mëdhenj të botës si Marcel Proust dhe Umberto Eco.

64 f. 500 lekë.

Shtëpia e Librit u pasurua këtë muaj me rreth 200 tituj librash në gjuhën angleze. Ju mund t’i shikoni këto libra këtu ose mund të na vizitoni në librarinë tonë në Tiranë në adresën: Rruga Nikolla Jorga Nr. 8, (pallatet 12-katëshe te ish-Ekspozita në oborr të brendshëm).

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>