• Kreu
  • /
  • Blog
  • /
  • Të rejat nga bota e librit, edicion special

Të rejat nga bota e librit, edicion special

Nga: Liu i Cakut10 Nëntor, 2020

Shumë shtëpi botuese në Shqipëri zgjedhin muajin nëntor për të publikuar librat e rinj. Këto janë librat e ardhur në librari gjatë ditëve të fundit.

Shtëpia e Librit

Letërsia

Flush, një biografi, nga Virginia Woolf

Flush ishte një qen i racës spaniel kuqalash qimegjatë-veshërënë që i përkiste poetes së shekullit të nëntëmbëdhjetë Elizabeth Barrett Browning. Virginia Woolf mësoi mbi të nga letrat e dashurisë që Elizabeth i shkroi bashkëshortit të saj të ardhshëm, poetit Robert Browning, dhe gjeti se “portreti i qenit të tyre më bëri mua të qeshja aq shumë, sa nuk i rezistova dot tundimit ta ktheja atë në jetë.” “Biografia” që u realizua kombinon përshkrimin plot fantazi dhe ndjenja me komentet e mprehta shoqërore dhe sjell për lexuesin humorin aspak sentimentalist të Woolf. Ne shohim Flushin si një të besuar të Elizabeth në krevatin e saj të sëmundjes në rrugën Uimpull dhe xhelozinë e tij ndaj vizitave që i bënte në shtëpi Robert Browning, për të vijuar me arratinë e dashnorëve për një jetë të re në Itali.

Botuesi: Shtëpia e Librit

176 faqe, 700 lekë

Biblioteka sekrete e Aushvicit, Antonio Iturbe

Romani është i bazuar në historinë e vërtetë të një vajze, që rrezikoi jetën për të mbajtur gjallë magjinë e librave gjatë Holokaustit. Dy mësues ngrenë vështrimin të pataksur. Mbajnë në dorë diçka që në Aushvic është rreptësisht e ndaluar, po u zbuluan dënohen me vdekje. Këto sende janë të rrezikshme, nuk mund t’i zotërosh. Nuk qëllojnë, nuk janë me majë, as prerës apo lëndues. Janë thjesht libra: të vjetër, të shkalafitur, me faqet e grisura, thuajse copë e çikë. E megjithatë nazistët i gjuajnë si të zijosur, dhe kur i gjejnë i shkrumbojnë, sepse librat janë shumë të rrezikshëm: të shtyjnë të mendosh.

Botuesi: Morava

392 faqe, 1200 lekë

Një lojëndërr, August Strindberg

Në vitin 1901, kur u shkrua “Një lojëndërr”, August Strindberg është tashmë një shkrimtar i njohur, shumë prodhimtar, sapo ka përfunduar së shkruari dramat “Nusja e kurorës”, “Mjellma e bardhë”, “Drejt Damaskut III” dhe “Kristina”. Dhe është i përfshirë në një histori të stuhishme dashurie me aktoren e Teatrit të Stokholmit, Harriet Bosse, me të cilën fejohet, martohet, ndahet dhe ribashkohet brenda po të njëjtit vit. Është 52 vjeç, është gati të hedhë në lojë një zar të ri, me të cilin e ka provuar pak dorën edhe në dramën e mëparshme. Është gati të hedhë në lojë një ëndërr. Ajo që ndodhi mandej dihet. Shfaqja e “Një lojëndërr” në skenën e Teatrit të Stokholmit, me Harriet Bosse-n në rolin kryesor, do të hapte një terren të ri në artet interpretuese dhe do të parashikonte teatrin ekspresionist të shekullit të 20-të.

Botuesi: Arka e Noes

101 faqe, 600 lekë

Një nga ne fle, Josefine Klougart

Ndërsa kthehet në shtëpi, për të vizituar nënën e saj që po vdes nga kanceri, tregimtarja rrëfen një lidhje dashurie të shkurtër, të thellë, si dhe hidhërimin dhe zhgënjimin pas fundit te kësaj dashurie. Figuracioni mbresëlënës i librit dhe proza e shkëlqyer mbështesin temën kryesore: kontrastin tronditës midis kujtimit të figurave qe simbolizojnë qëndrueshmërinë ne jete: prindërit e tu, shtëpia e fëmijërisë, dashuria jote dhe, nga ana tjetër, dështimet e vazhdueshme që përjetojmë gjatë jetës.

Një roman realist, thellësisht poetik, “Një nga ne fle” i ka siguruar Klougartit vlerësimet e panumërta dhe kandidime për çmime të rëndësishme, duke përfshirë Readers’ Book Award, dhe një vend midis zërave të rinj kryesorë në letërsinë botërore.

Botuesi: Dituria

228 faqe, 900 lekë

Letra Milenës, Franz Kafka

Franz Kafka e takoi Milena Jesenskà-n në vitin 1920, kur ajo ishte duke përkthyer tregimet e tij të hershme në gjuhën çeke, dhe shumë shpejt marrëdhënia e tyre kaloi në një fazë më të ngushtë. Ndjenjat e Kafkës ndaj Milenës qenë aq të forta, saqë i rrëfeu asaj ditarët e tij dhe, duke vepruar kësisoj, i hapi asaj zemrën dhe i rrëfeu ndërgjegjjen e vet. Ndërkohë që “dhuntia për të jetuar” e Milenës i dha njëfarë gjallërie Kafkës, kohëve të mbrame e lodhi së tepërmi dhe lidhja e tyre qe e parathënë të mos zgjaste më shumë se dy vjet. Në vitin 1924 Kafka ndërroi jetë në një sanatorium pranë Vjenës, ndërsa Milena ndërroi jetë në vitin 1944, në duart e Nazistëve, duke na lënë pas këto letra të tijat si shënjuese të marrëdhënies së tyre.

Botuesi: Arka e Noes

266 faqe, 1,000 lekë

Ekonomia

Fundi i tregut të lirë, Ian Bremmer

Fundi i tregut të lirë detajon fenomenin gjithnjë e në rritje të kapitalizmit shtetëror, një sistem në të cilin qeveritë kontrollojnë ekonomitë lokale përmes zotërimit të kompanive që dominojnë tregun dhe rezervave të mëdha të kapitalit me tepri, duke shfrytëzuar kështu për përfitime politike. Ky trend është një kërcënim për avantazhin e Amerikës dhe për sjelljen e tregjeve të lira në çdo vend.

Ian Bremmer, një ekspert mbi udhëkryqin midis ekonomisë dhe politikës, ka ndjekur rritjen e firmave shtetërore në Kinë, Rusi, shtetet Arabe të Gjirit Persik, Iran, Venezuelë dhe në shtete të tjera. Ai demostron sfidën gjithnjë e më të vështirë që kapitalizmi shtetëror do të paraqesë për të gjithë ekonominë globale.

Botuesi: Minerva

308 faqe, 1200 lekë

Historia dhe aktualiteti

Premtomë, baba, Joe Biden

Në nëntor të vitit 2014, trembëdhjetë anëtarë të familjes Bajden u mblodhën në Nantakit për Ditën e Falënderimeve, traditë të cilën e kishin mbajtur për dyzet vite me radhë; ishte e vetmja gjë e pandryshueshme e jetës që ishte bërë e mbingarkuar dhe plot tension. Dita e Falënderimeve ishte një mundësi e jashtëzakonshme për anëtarët e familjes Bajden që të gjenin kohë për t’u lidhur; një kohë e mirë për të reflektuar mbi të shkuarën dhe të asaj që e ardhmja mbante. Por, ky vit ishte i ndryshëm nga të tjerët. Djali i madh i Xho dhe Xhill Bajdënit, Bo, ishte diagnostikuar me tumor malinj në tru pesëmbëdhjetë muaj më herët, dhe gjithçka ishte e pasigurt. “Premtomë, baba” i kishte thënë Bo babait të vet. “Ma jep fjalën që çfarëdo që të ndodh, do të jesh mirë.” Xho Bajdën ia kishte dhënë fjalën.

Premtomë, baba flet për vitin që do të pasonte, i cili do të ishte viti më sfidues dhe më përjetues i jetës dhe karrierës së pashoq të Xho Bajdënit. Zëvendëspresidenti Bajdën udhëtoi më shumë se njëqind mijë milje atë vit, rreth e qark botës, duke u marrë me krizat në Ukrainë, Amerikën Qendrore dhe Irak. Kur vinte një telefonatë nga Nju Jorku a Kapitol Hilli, Kievi a Bagdadi, “Xho, kam nevojë për ndihmën tënde”, ai përgjigjej pozitivisht. Për dymbëdhjetë muaj, ndërsa Bo luftonte për jetën e tij, të cilën e humbi, zëvendëspresidenti mbante në ekuilibër thelbin e dyfishtë të jetës së tij; përgjegjësia ndaj vendit dhe përgjegjësia ndaj familjes. Gjithnjë me çështjen e kandidimit për president në mendje.

Botuesi: Pema

312 faqe, 1400 lekë

Arbni historik, gjeografik, kishtar dhe politik, Aurel Plasari

Libri tregon të dhënat kryesore të historisë së trojeve shqiptare gjatë mesjetës, një periudhë pak e studiuar dhe pak e njohur e historisë së Shqipërisë, punë e shumë dekadave e profesor Aurel Plasarit.

Botuesi: Akademia e Shkencave

297 faqe, 1200 lekë

Kosova: Çfarë duhet të dijë secili, Tim Judah

Gazetari i The Economist Tim Judah ka kaluar vite të tëra duke mbuluar rajonin, ofron përgjigje të thukëta e të mprehta për një varg pyetjesh në librin e parë mbi Kosovén që prej pavarésisë. Pse është e rëndësishme Kosova? Kush janë shqiptarët? Kush janë serbët? Pse Kosova është aq e rëndësishme për serbët? Ç’rol luan Kosova në botë?

Botuesi: Artini. 249 faqe, 1,000 lekë

Pa pikë pa presje, Ardian Ndreca

Ardian Ndreca ka lindur në Shkodër në vitin 1969. Ka kryer studimet për filozofi në Romë ku edhe jeton që nga viti 1990. Mban katedrën e Historisë së Filozofisë moderne pranë Universitetit Urbanian dhe është profesor i ftuar pranë John Carroll University (Cleveland). Nga viti 2006 deri në vitin 2015 ka drejtuar revistën “Hylli i Dritës” dhe nga viti 2016 drejton të përkohshmen “Shêjzat”. Ka qenë i pranishëm në shtypin shqiptar me artikuj kritikë, polemika dhe shkrime të natyrës historike. Fushat e tij të studimit në lëmin e filozofisë janë kryesisht idealizmi gjerman, ekzistencializmi si edhe filozofë të ndryshëm bashkëkohorë. Ka botuar një seri artikujsh filozofikë në revista të specializuara.

Ka organizuar konferenca shkencore si edhe disa kuvende ndërkombëtare, ndër të cilat përmendim: “L’Albania nell’Archivio di Propaganda Fide” (Romë, tetor 2015), “Drita e Arkivave, dritë mbi arkivat” (Tiranë, dhjetor 2017).

Botuesi: Onufri. 334 faqe, 1,000 lekë

Libra për fëmijë

Sapiens, lindja e njerëzimit, Yuval Noah Harari, David Vandermeulen, Daniel Casanave

Kjo novelë e parë me ilustrime e titulluar “Sapiens: lindja e njerëzimit” na rrëfen se si majmuni i madh Ape, tërësisht primitiv, u shndërrua në sunduesin e gjithë planetit Tokë, ia doli të ndante atomin, të fluturonte deri në Hënë e të manipulonte kodin gjenetik të jetës. Të udhëhequr nga Juval Noah Harari e nën shoqërinë e personazheve si Bill Prehistoriku, Doktor Fantazia dhe Inspektori Lopez, ju ftojmë të ndërmerrni këtë udhëtim drejt skutave më të errëta të historisë.

Botuesi: Botart. 248 faqe, 2,000 lekë

Ditari i Gregut, Ditë emocionuese, vol.13, Jeff Kinney

Kur shkolla e Grer Hoflit mbyllet për shkak te deborese gjithë laglia e tij shndërrohet në një fushëbeteje dimürore. Grupet rivale luftojnë për territore, ndertojnë fortesa masive debore dhe bejne luftime epike me topa bore. Dhe në qendër jane Gregu dhe miku i tij më i besuar, Roul Xhefersoni. Behet një luftë e ashpër per mbijetesë dhe Gregu me Roulin manovrojnë në katastrofën e lagjes përmes aleancave, tradhtive dhe bandave ndërluftuese. Pasi të shkrijë dëbora, Gregu me Roulin do të shfaqen si heron? Apo a do të arrijnë që të mbijetojnë, por të parë të nesërmen?

Botuesi: Ideart. 218 faqe, 700 lekë

Mbi origjinën e specieve të Çarls Darvinit, Sabina Radeva

Sabina Radeva është një artiste e artit grafik dhe ilustruese, e cila jeton në Londër (Angli). Në vitin 2008 ajo mbrojti tezën e Masterit shkencor në Biologji Molekulare, pranë Universitetit “Max Planck” në Gjermani. Në vitin 2009 ajo e braktisi lëmin shkencor për karrierën artistike dhe qysh atëherë vazhdon të studiojë në mënyrë autodidakte për t’u bërë ilustruese. Sabina është e dhënë pas projekteve që bëjnë bashkë shkencën dhe artin. Ajo është nënë e dy vajzave, që janë burim i frymëzimit të saj. Një libër mrekullisht i ilustruar “Mbi origjinën e specieve” i ritreguar prej saj, sapo u publikua në faqen elektronike të Kickstarter-it u shndërrua në një sukses kudo nëpër botë dhe ky është vetëm libri i parë i publikuar deri më tani prej saj.

Botuesi: Botart. 64 faqe, 1000 lekë

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Etiketa


Gjithashtu mund të lexoni

Librat më të kërkuar për momentin

Alda Bardhyli :Tre librat që kanë ndikuar në jetën time

Thërmija letrare – Qeni i i Zotit Carlyle tentoi të vriste veten

Të rejat nga bota e librit, tetor 2020