nga Admin

2 Dhjetor, 2011

Statutet e Shkodres (foto)

Statutet e Shkodres (foto)Libri dygjuhësh “Statutet e Shkodrës në gjysmën e parë të shekullit XIV me shtesat deri më 1469” ka rreth një vit që ka dalë nga botimi por ai nuk ka qenë plotësisht i disponueshëm për të gjithë lexuesit dhe studiuesit e interesuar, prandaj kemi kënaqësinë t’ju njoftojmë se tashmë është rikthyer dhe është i disponueshëm në treg.

Libri është një vëllim elegant dygjuhësh në shqip dhe në italisht. Nismëtarët e  këtij botimi, në Shqipëri, menduan  për studiues e shkollarë shqiptarë dhe italo-shqiptarë, arbëreshë, të Universiteteve të Italisë, që të mund ta kenë më të lehtë studimin dhe thellimin e mëtejshëm, në shumë nga fushat kërkimore që propozon dokumenti në fjalë.

Botimi shqiptar përmban studimet që janë bërë nga disa autoritete italiane në zë të fushave të ndryshme të gjuhësisë, si dhe një studim të një historiani të njohur bashkëkohës zviceran, lidhur me rëndësinë e jashtëzakonshme që paraqet zbulimi i këtij dokumenti për historinë e Shkodrës, të Shqipërisë së Mesjetës, si dhe të kësaj  zone të Adriatikut dhe të Ballkanit e më gjerë. Statutet e Shkodrës janë një kod normash e ligjesh, që rregullonin jetën e qytetit lagunor të bregut lindor të Adriatikut, në të gjitha fushat, shoqërore, familjare, civile e penale, në bujqësi dhe artizanat, jetën qytetare dhe shpirtërore, marrëdhëniet mes feve, lidhjet mes shtetit e fesë, mes laikëve dhe klerikëve e me radhë. Ёshtë një model i qeverisjes së Shkodrës dhe zonave përreth, në bazë komunore, sipas standardeve më të larta europiane të kohës, së pari, pa dyshim, sipas modelit venecian, meqë lidhjet me qytetin lagunor të Shën Markut, ishin të forta, solide dhe shumëplanëshe. Çdo nen, çdo statut i këtij kodi-kushtetutë, është një mozaik interesant i zhvillimit, i qytetërimit dhe i demokratizimit të jetës së qytetit, për sa mund të ishte e mundur një gjë e tillë në ato kohë. Në këtë këndvështrim, ai kod i vogël, i hartuar me shumë kujdes, më pas i humbur dhe i harruar në shekuj, përbën vërtet një monument në disa pikëpamje dhe para së gjithash është monumenti i një të shkuare, së cilës i dëshirohet t’i ruhet kujtimi.

Statutet e rigjetura të qytetit të Shkodrës, i kthejnë Shqipërisë një faqe themelore, por të harruar të historisë së saj, duke e shkëputur atë nga imazhi stereotipik si vetëm “vend i shqiponjave”, vend pra i maleve dhe e bëjnë, madje, një pikë të pashmangshme krahasimi e mundësish të mëtejshme njohjeje me realitete të tjera qytetare të Adriatikut të Sipërm.

Ky botim i dytë i librit në dy gjuhë, shqip dhe italisht, pranë njëra-tjetrës, (sikurse dhe popujt, kulturat e të dyja vendeve në brigjet e Adriatikut, më vjen në mendje paralelizmi), përbën gjithashtu një risi “premierë”, ndoshta dhe në përvojën e botimeve shqiptare. Ёshtë rasti të përmend  me mirënjohje, edhe  punën e bukur, profesionale të ekipit të shtëpisë botuese “Onufri” në realizimin e plotë dhe përfundimtar të vëllimit, në një formë origjinale konceptimi dhe paraqitjeje të tij, më të arrirë (natyrisht) se botimi i parë i shtëpisë botuese “Viella” të Italisë.

Si intelektuale, publiciste dhe përkthyese, (edhe e artikujve studimorë të studiuesve të huaj në këtë libër), e impenjuar prej shumë vitesh në përcjelljen e ndërsjellë të të dyja kulturave që kanë dhënë e marrë në shekuj, me të përbashkëtat dhe të ndryshmet e tyre, do të uroja që ky botim të jetë vërtet një risi “premierë”: edhe në drejtim  të impenjimit dhe të njohjes  nga autoritetet shkencore shqiptare të këtij dokumenti, si dhe  të një fillimi kërkimesh e studimesh shqiptare në disa fusha. Vetëm se do të dëshiroja të mos mbetet i tillë, por të njohë botime e ribotime, të jetë temë veprash e veprimtarish, ku “të bëhet i qartë dhe i fortë” zëri shkencor  dhe  qytetar shqiptar.

Libri “Statutet e Shkodrës” është një mozaik i së shkuarës sonë fisnike, i dalë në dritë pas shumë shekujsh harrese, falë një impenjimi, pasioni dhe dashurie mendoj, edhe njerëzore. Pa munguar asnjëherë mendimi mirënjohës dhe respektues kundrejt ndihmesës së kolegëve shkencëtarë të huaj (gjithsesi fqinj,  europianë) për sa kanë bërë për ne, lidhur me kërkimet rreth këtij libri, mendoj se sot e tutje, më shumë se kujtdo, na takon ne, shqiptarëve, ta njohim, të duam dhe ta përcjellim në breza, si një pjesë të lashtësisë sonë, gjithçka që sjell prova të përkatësisë sonë dinjitoze në familjen e kulturave mesdhetare, europiane e më tej, në shekuj…

E kush më mirë, më shumë dhe më me shpirt se ne vetë, do të merret me çdo relike që e dëshmon këtë të vërtetë të madhe dhe të bukur? Kush tjetër?

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>