nga Admin

6 Qershor, 2010

Stambolli, Kujtime dhe qyteti, Ohran Pamuk

Autor: Arian Leka

Stambolli, Kujtime dhe qyteti, Ohran PamukKatër vjet më parë, teksa lexoja romanin “Unë jam e kuqja”, m’u krijua bindja se kisha njohur jo vetëm personazhet, por edhe autorin e veprës, ndaj nuk më mbetet tjetër veçse t’i uroj shkrimtarit Orhan Pamuk rikthimin në gjuhën time përmes librit ‘Stamboll – kujtime dhe qyteti’ e sakaq të mendoj se kështu si ka ardhur jeta, njerëzit nuk munden më t’i shmangen njëri-tjetrit dhe mos një herë, një herë do të takohen në qendra apo në periferitë e qendrave, në krye të rrugëve apo në fund të kapitujve të një romani, si për t’i thënë në ngut e sipër njëri-tjetrit: “po rendim më shumë se dikur…” Po për ku…?…Në kërkim të kujt…?

Një përgjigje është në kërkim suksesit (!), drejt të lumturisë (!) në kërkim të asaj përsosmërie (!) që kërkuan miniaturistët e kuajve në oborrin e Sulltan Muratit III apo dy onufrët tek pikturojnë kuaj në ikonë.

Ndërkaq njeriu jeton, bëhet më i ditur, më i famshëm, bekohet me familje dhe fëmijë, bëhet më i pasur, me të gjitha llojet e pasurive që përfytyrojmë se njeriu mund të zotërojë, përfshi këtu edhe pasuritë e shpirtit. Duket se njeriu po kap majat e realizimit të qenies të vet. Në këtë mendje duket se është edhe shoqëria, përherë e gatshme të justifikojë çdo gjë në emër të suksesit, duke e shndërruar suksesin përmasë të qenies dhe kohës sonë. Por vetëm duket kështu.

Zaret e tryezës i kanë të gjithë numrat, veç zeros. Kjo mungesë e zeros tek zaret, krijon te njeriu bindjen dhe suksesit të përhershëm, i krijon ndjesinë e evolucionit permanent. Por po kjo ndjesi i krijon gjithashtu edhe iluzionin se nga kjo jetë, si do që të vijë puna, nuk dalim të humbur, gjithsesi (jekun e kemi në xhep, apo jo?!). Gjithë kjo ëndërr zgjat deri ditën kur para nesh shfaqet dhimbja (e jona apo e të tjerëve si ne), plakja (e jona apo e një shoqërie të lodhur), varfëria (jonë apo e të panjohurve si ne), shfaqet vdekja (e jona apo e të ngjashmit tonë), shfaqet urrejtja, dështimi, lodhja, përjashtimi dhe shpërfillja e tjetrit.

Nuk do i kish përmendur këto cilësime të frikshme për disa dhe të pakëndshme për disa të tjerë, sikur të ato mos ishin tema të pranishme në krijimtarinë e Orhan Pamukut. Nga ana tjetër janë këto tema që plotësojnë ndjeshmërinë tonë mbi fatin dhe mungesën e tij dhe bëjnë tekefundit dallimin mes zareve që luajmë duke përdorur si tryezë shpinën e njëri-tjetrit dhe zareve që vërtiten mbi skrivaninë e Zotit që sheh dhe shkruan gjithçka.

Po katër vjet më parë, në ligjëratën e mbajtur në Akademisë suedeze të Çmimeve Nobél, Orhan Pamuk kujtoi babanë tij, ndjesë pastë. Ai burrë kishte dashur të bëhej poeti i Stambollit. Kishte përkthyer në turqisht madje dhe Paul Valery-në. Porse nuk kishte qenë krejt i gatshëm të bënte jetën e poetit në një vend të varfër dhe me pak lexues, ndaj dhe si formë të pranisë atërore zgjodhi shndërrimin në baule të mbyllur tekstesh të pabotuara. Krahas ëndrrës së vet të fshehtë për t’u bërë poet i Stambollit, ky baba ushqente edhe ëndrrën e shpallur për suksesin e të birit dhe uronte që një ditë ky bir të bëhej Pashá i letrave të botës – siç dhe u bë – ndonëse ka të ngjarë që i ati të ketë ikur nga kjo jetë pa e njohur shpagën që paguan shkrimtari në kësi rastesh.

Në po atë ligjëratë Orhan Pamuk përmendi edhe faktin se me gjithë sukseset, njeriun e kohërave moderne e mundojnë po ato gjëra që kanë munduar edhe njeriun e zanafillës: mungesa e tokës, mungesa e një çatie mbi kokë dhe uria.
Toka, Çatia mbi kye dhe Uria jetojnë pranë nesh si kafshë të zbutura shtëpiake, si për të na kujtuar se kemi zbutur Natyrën, por Natyra e ka ndryshuar fare pak thelbin e natyrës sonë humane. Kur mëson këto njeriu ka dëshirë të kthejë kohën pas dhe së andejmi dallon se nuk i mjafton dylbia për të parë sa janë larguar prej tij gjërat që dikur i kishte dashur me jetë. Sheh gjithashtu se gjendet i vetëm në ballon. Në ballonin që e ka çuar drejt qiejve të suksesit, nuk gjendet më asnjë prej atyre thasëve me rërë që e mbanin lidhur me tokën dhe njerëzit e tjerë. I ka flakur poshtë, me dorën e vet, të gjitha, duke besuar se ishin thjesht thasë, se suksesi dhe jo rëra që na shket ndër gishtërinj si e përditshmja jonë, ishin të rëndësishme në jetë. Ka flakur dashurinë “me qafë të gjatë, me flokë bojëkafe e të shkëlqyeshëm”, siç përshkruhet tek “Stambolli”, emrat dhe fytyrat e të afërmve dhe të miqve të dikurshëm, ka flakur frikërat dhe është trimëruar, ka flakur letrat e dorëshkruara, përditshmërinë, tregjet e vogla, besimin, zanatet e ëndërruara, gabimet, humbjet, gjuhën amtare, ndjesinë e të qenit i vogël, anonim, ka flakur kombësinë, shpengimin, dyshimet, kurajën për të vazhduar dhe vërtetësinë e fëmijës që dikur kishte ëndërruar për të gjitha këto… Dhe ndihet i palumtur, si shumë njerëz të cilëve u ka rënë shorti të jenë njerëz prej boje dhe letre, por emra të shkruar, gjithsesi.

Dhe atëherë, pavarësisht se ku ndodhet, në qendër apo në cep të botës, në Stamboll apo në Tiranë, në avion apo në një nga ato lagjet periferike banorët e të cilave i përcjellin avionëm me sy, njeriun e kaplon trishtimi, e kap një mall e një ndjesi zbrazëtie, a mbërthen ankthi shpirtëror dhe ai shkurajim i veçantë që të mbështjell teksa shëtit përmes fjalive të shkurtra si rrugicat e mbyllura të një qyteti “aq të varfër dhe të përhumbur sa që zor të besosh se ka për t’iu kthyer ndonjëherë pasuria, zulma dhe kultura e dikurshme”, apo fjalive që zgjasin me faqe të tëra si pazaret dhe sheshet e hapura që priren nga deti, të cilat i gjejmë në mënyrë të spikatur tek ‘Stambolli’.

Në gjuhën e autorit të gjitha këto ndjesi përmblidhen në një fjalë e vetme: Hüzün. Dhe gjithë ky Hüzün bashkohet në rrëfimin dhe fotot që mbrojnë kujtimet e këtij qyteti që nuk është më siç ishte apo që është kujtesë.

Me sa duket këto ndjenja e shtyjnë edhe shkrimtarin – homo-s/criptor-in që shkruan dhe fsheh njëkohësisht të niset ose drejt një dhome më vete, për të bërë punën e përditshme të njeriut që përmes shkrimit shpëton njerëz apo botë të rrezikuara nga “holokausti” i kujtesës… Ose t’i braktisë të gjitha: dhomën, tryezën e punës, letrën, penën, dritaren me pamje nga ura e madhe e Bosforit që lidh kulturat e dy kontinenteve dhe, ndonëse mund t’i vijë në vesh vargu i Charles Baudelaire lexues hipokrit – i ngjashmi im – vëllai im (Hypocrite lecteur, – mon semblable, – mon frère!), ai merr rrugën drejt ca të panjohurve, për të cilët ka dëgjuar se i lexojnë me ëndje dhe i duan krijesat e librave të tij.

Me ‘Stambollin’ në formë libri që kemi në dorë, lexuesi mund të ndjehet si perandorët e mozaikëve që mbajnë në dorë botën. Nuk them ndonjë profeci nëse pohoj se këtë libër jo vetëm do e duam, por edhe do të na duhet. Tek ai do të gjejmë një Stamboll të ndryshëm nga ai që mundemi të zbulojmë vetë gjatë vizitave turistike. Nga ana tjetër, përmes atij Stambolli, ndoshta do të shohim më qartë vendlindjet tona të vogla, vendohet e mbyllura, të qeta, ku duket se prej vitesh nuk ndodh asgjë, vendlindje ndaj të cilave numërojmë 1001 kusure, vendlindje të cilat ç’kishin për të na thënë në vesh na e dhanë fshehtas, si një pare në xhep, para se t’i braktisnim për të vajtur drejt kryeqendrave, për të mos ua përmendur kurrë më as emrin.

E teksa jemi në këtë pikë, tek vendosja e kryeqendrave përballë periferive, më është dukur e çmuar ideja e organizatorëve, që autorit të romanit “Unë jam e kuqja” i bëhet dhuratë vizita në Berat – qytetin e kodikëve, kaligrafëve, miniaturistëve, skribëve, kishave, xhamive dhe teqeve të përhumbura në paqet e tyre, që është edhe skenë edhe atmosferë e romaneve të tij.

Gjatë vizitës në Berat, njerëz të tjerë, dikur qendër e sot periferi, do të gjejnë ndoshta rastin të tregojnë, pa e fshehur krejt atë kapardisjen e atyre që kanë qenë një herë qendër, një histori të messhekullit të XVIII. Historia bën fjalë për rivalitetin mes poetit të famshëm të qytetit, Nezimit – autorit të një divani të përmendur – dhe myftiut të Beratit, mulla Aliut, që gjithashtu shkruante poezi. Për shkak të pushteteve të ndryshme, rivaliteti i tyre artistik e ndau qytetin më dysh: poeti nuk donte atë që donte myftiu, por myftiu e donte edhe atë që kishte poeti. Sherri shkoi gjatë e për ta zgjidhur këtë dava u desh që sheh ul Islami t’i shkruante administratës vendase një letër, ardhur po prej atij Stambolli prej nga na vjen edhe libri i shkrimtarit Orhan Pamuk. Nuk ua heq kënaqësinë beratasve për ta rrëfyer fundin e kësaj ndodhie të denjë për vëmendje dhe respekt, që gjithsesi u mbyll me paqën që i takon t’i mbyllin çështjet qytete që kanë parë shumë, siç janë Stambolli dhe Berati. U kujtova për këtë për të theksuar se ato që kemi për t’i thënë njëri-tjetrit nuk mbarojnë këtu, siç dhe nuk kanë filluar me ne. Brenda secilit dikush pret të shfletohet si ky libër, pret si baulja e dorëshkrimeve të paraardhësve tanë që na zë rrugën gjersa ta hapim për të zbuluar se aty brenda rron i ngjashmi ynë që gjithashtu pret t’i thërrasim në emër.

Megjithatë nuk përjashtohet as mundësia që në Berat, teksa shkrimtari Orhan Pamuk ka vizituar muzeun Onufri, në kishën Fjetja e shën Mërisë, brenda në Kastron e qytetit të lashtë, të jetë dëgjuar një zë ardhur diku nga kohërat e Rilindjes së largët. Ndonëse pa kurrfarë ngulmimi, diku mes ikonostasit dhe harqeve, zëri do mëtojë të thotë: “e kuqja jam edhe unë, e kuqja jam edhe unë”, me pakënaqësinë e një personazhi të lënë jashtë nga vepra omonime e Orhan Pamukut. Dhe kjo pasi kësaj jete nuk i mungojnë rastësitë e pashmangshme, që i bëjnë veprat njerëzore të duken një opera aperta, në pritje të atyre që vijnë.

  • Stambolli eshte me te vertete nje liber i mrekullueshem. Nje rrefim autobiografik i nderthurur bukur me historine, sociologjine , dhe psikologjine. Nje analize e perkryer me nje stil te mrekulllueshem per te nxjerre ne pah rrenjet e cdo individi. Cuditerisht tek ky liber shoh shume paralele me zhvillimet shoqerore, ekonomike dhe kulturore tek ne. Nje trishtim qe te ben te duash vendllindjen dhe te ndiesh per te krenari.
    Nje liber qe nuk duhet lene pa lexuar, nese do te kuptosh thelle se si je ndertuar dhe si funksionon si individ i plotesuar.

  • {"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
    >