29 Maj, 2014

Keynes dhe koha e lire (1)Ekonomistët më të famshëm kanë vështirësi përballë pyetjes se pse njerëzit vijojnë të punojnë edhe më shumë, pasi kanë mbuluar nevojat e veta. Ndoshta konsumi na është kthyer në mani të pathyeshme…

Çudia

ELIZABETH KOLBERT, The New Yorker

Kjo është pjesa e tretë e një shkrimi me katër pjesë: Kliko këtu për pjesën e dytë dhe këtu për pjesën e parë.

Tetëdhjetë vjet pasi Keynes hartoi fillimisht “Mundësitë Ekonomike”, një çift ekonomistësh italianë, Lorenzo Peçhi dhe Gustavo Piga, filluan të diskutojnë mbi të. Si mundej që “një njeri me inteligjencën e Keynes” vranë mendjen ata, ka qenë “kaq i saktë në parashikimin e rritjes ekonomike të së ardhmes dhe përmirësimit të standardeve të jetesës” dhe kaq i gabuar mbi të ardhmen e kohës së lirë? Ata vendosën ta shtrojnë këtë pyetje para kolegëve të vet në Europë dhe në Shtetet e Bashkuara. Ndoshta disa prej tyre që u pyetën qenë gra; në çdo rast, të gjithë ata që u përgjigjën qenë burra. Rezultati “Rishikimi i Keynes” (2008) sugjeroi se ekonomistët fitues të çmimeve Nobel, qenë gjithashtu të hutuar nga “mbingarkesa”.

Shumë kontribues në këtë analizë ia atribuojnë gabimin e Keynes te leximi i gabuar i tij mbi natyrën njerëzore. Keynes spozoi se njerëzit punojnë në mënyrë që të fitojnë mjaftueshëm sa të blejnë atë që kanë nevojë. Dhe kështu, arsyetoi ai, ndërsa të ardhurat rriteshin, këto nevoja do të plotësoheshin me gjithnjë e më pak orë pune. Punonjësit do të dilnin nga puna më herët dhe më herët, deri sa të mbërrinte koha kur ata do të iknin në shtëpi në mesditë.

Por kjo nuk është mënyra se si njerëzit janë. Në vend që të mbyllin punën më herët, ata gjejnë gjëra të reja për t’i konsideruar të nevojshme. Shumë nga këto gjëra të reja që ata kanë gjetur as që ekzistonin në kohën kur Keynes shkroi esenë – laptopë, mikrovalë, Xboxes, smartfonë, ora inteligjente, frigoriferë inteligjentë, çanta dore Prada, xhinse të markës True Religion, termometra mishi me bateri, ato shufrat që i fut në frigorifer dhe pastaj në birrë për ta mbajtur birrën të ftohtë ndërsa e pi.

“Shumica e gjërave të konsumit materjal janë në mënyrë të fuqishme të krijuara nga veset,” vërejnë Gary Becker dhe Luis Rayo në komentet e tyre për “Rishikimi i Keynes.” (Becker, i cili vdiq më herët këtë muaj, kaloi karrierën e tij në Universitetin e Çikagos; Rayo tashmë është te Shkolla Ekonomike e Londrës.)

“Pas një periudhe shijimi, konsumatori i zakonshëm mësohet me atë që ai ka blerë dhe… menjëherë aspiron të blejë produktin tjetër në pritje,” shkruajnë ata. Sipas mendimit të Becker dhe Rayo, kjo pangopësi është ngulitur thellë te ne. Njerëzorët fillojnë të evolvojnë “në mënyrë që të kenë pika reference që i prijnë për lartë ndërsa rrethanat e tyre përmirësohen.”

Përkundër tyre, Joseph Stiglitz, nga Universiteti i Kolumbias, merr një përqasje konstruktiviste. Zgjedhjet e njerëzve, argumenton ai, formohen nga shoqëria dhe, me kalimin e kohës, bëhen vetëpërforcuese. Ne “mësojmë si të konsumojmë duke konsumuar,” shkruan ai te eseja si të “shijojmë kohën e lirë duke shijuar kohën e lirë.”

Në mbështetje të këtij mendimi, Stiglitz citon eksperiencat e kundërta të Europianëve dhe Amerikanëve. Në vitet 1970, britanikët, francezët dhe gjermanët, por dukshëm, jo italianët – harxhonin po aq shumë orë në punë sa edhe amerikanët. Por pas kësaj kohe, Europianët e stilit kejsianist, filluan të këmbejnë të ardhurat me kohën e lirë. I punësuari amerikan aktualisht punon mesatarish rreth njëqind e dyzet orë më shumë se sa francezi mesatar. (Ligjet aktuale franceze imponojnë që punëtorët të marrin tridhjetë ditë pushim të paguar në vit, ligji britanik e ka njëzet e tetë; shifra korresponduese në SHBA është zero.) Stiglitz parashikon se Europianët do të reduktojnë më tej orët e tyre të kohës dhe do të bëhen edhe më të aftë për të marrë orë pushim, ndërsa amerikanët, pasi janë bërë konsumatorë të përsosur, do të vijojnë të punojnë me orë të gjata dhe të blejnë më shumë gjëra. Televizorët, vëren ai, “mund të vendosen në çdo dhomë si dhe në sediljen e përparme dhe të pasme të makinave.”

Një grup i tretë ekonomistësh sfidon presupozimi kejsianist se koha e lirë është më e pëlqyer se sa puna. Puna mund të mos na bëjë ne njerëz të lirë, por ajo i jep kuptim ditëve tona dhe pa të ne do të ishim të humbur. Në këndvështrimin e Edward Phelps, të Universitetit të Kolumbias, një karrierë siguron “shumicën, për të mos thënë të tërën e vetëpërmbushjes së arritshme në shoqëritë moderne.” Richard Freeman, i Harvardit, është edhe më këmbëngulës. “Puna e rëndë është e vetmja mënyrë përpara,” shkruan ai. “Ka kaq shumë gjëra për të mësuar dhe prodhuar dhe për të përmirësuar sa ne nuk duhet të shpenzojmë më shumë se një pikë kohë duke jetuar sikur të ishim në Eden. Nipërit tanë vijojnë të na nxisin.”

Kjo është pjesa e tretë e shkrimit “Nuk kemi kohë! Si ndodhi që ne u bëmë kaq të mbingarkuar?” 

Pjesa e katërt:

Pabarazia, ekonomia është rritur, por vetëm për disa

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>