nga Admin

20 Janar, 2015

Gjuhëtarja, kritika ndaj formave poetike të kumtesave shkencore

At Shtjefen GjecovAt Shtjefën Gjeçovi është kujtuar përmes një konference shkencore në 140-vjetorin e lindjes dy ditë më parë në Kuvendin Françeskan në Shkodër. “Át Shtjefën Gjeçovi, thesar në hulumtim”, quhej konferenca që bëri bashkë studiues nga Italia, Kosova, Gjermania apo Shqipëria. Gjuhëtarja Ledi Shamku solli një qasje të re, mbi pikëpamjet e françeskanit rreth mitologjisë. Evalda Paci solli në kumtesën e saj

përveçime letrare e gjuhësore të Át Gjeçovit. Studiuesi e publicisti Ardian Ndreca trajtoi institutin e martesës në Kanunin e Lekë Dukagjinit. Filologu Bardhyl Demiraj, me trajtesën Fe e Preme, përcolli kontribute të reja në studimet gjeçoviane. Át Vitor Demaj paraqiti pikëpamjet edukuese si vlera humane e atdhetare në veprën Agimi i Gjytetnisë. Studiuesja Fatbardha Hoxha trajtoi vizione qytetëruese të Gjeçovit, ndërsa studiuesi Alfred Çapaliku paraqiti kontributin e Konicës për Gjeçovin. Por këto këndvështrime të të parit të figurës së At Gjeçovit janë quajtur nga gjuhëtarja Ledi Shamku si tepër poetike. “Dy sesione, paradite dhe pasdite, me një aradhë kumtesash mbi veprën e Gjeçovit, m’u përngjanë më fort si një takim poetik sesa një tryezë shkencore. Dua të kujtoj së pari se Gjeçovi ka në arkiv mbi 10 mijë fletë dorëshkrim, pra ka mjaftueshëm lëndë për t’ia sjellë shkencës albanologjike. E mandej dua sërish të kujtoj se ne të sotmit rrojmë gati një shekull pas Gjeçovit. Dhe pikërisht në këtë shekull gjuhësia ka formësuar e përsosur metodat dhe objektet e veta si shkencë, ka rritur disiplinat e veta kapërcyellore si Etnolinguistika e Sociolinguistika, ka modernizuar strukturalisht metodat e Gjuhësisë së Krahasuar e të Indoeuropianistikës. Pra në daçim, ne të sotmit kemi në dorë çdo mjet a zhvillues shkencor për ta rilexuar imtisht jo vetëm lëndën gjuhësore shqipe që mblodhën Gjeçovi me të tjerë, po edhe vetë mendimin e tij shkencor e atë të të tjerëve mbi të”, është shprehur Shamku. Sipas saj ka ardhur koha që të çohet përpara shkenca e albanologjisë dhe të mos ngatërrohet gjuhësia me letërsinë”. Janë dy disiplina të ndryshme, gjuhësia ka filtrat e veta shumë të sakta dhe të pazëvendësueshme. Të dilet nga rrethi i përsëritjes së të njëjtave kumtesa gjeneralizuese, që nisin e mbarojnë të gjitha me rreshtimin e veprës së dikujt, thjesht numërim bibliografik pra, pa zbritur në asnjë detaj, i cili mandej zhbirilohet shkencërisht. Si çdo shkencë tjetër, gjuhësia rron te detaji”, thotë Shamku. Sipas saj, duhet marrë në konsideratë fakti se regjistri i kumtesave shkencore duhet të jetë i thjeshtë, i kuptueshëm, i përqendruar te brendia e mendimit dhe jo te forma e tij, e cila gjithë këto kohë shfren në një barok të lodhshëm poetik. Albanologjia, sipas saj, nuk ka më studiues por veç përshkrues. Në konferencën kushtuar Gjeçovit folën për rolin dhe veprat e tij dhe Willi Kams, Frok Kristaj e Prend Buzhala, Tomor Osmani, Mimoza Priku , Arben Prendi, Elinda Ramadani, Nertila Ljarja, Rrokin Daberdaku e Gjovalin Çuni. Sipas At Vitor Demaj, kumtesat do të botohen në nji vëllim të veçantë në Botimet Françeskane. Konferenca u shoqërua dhe me hapjen e një ekspozite në mjediset e librarisë françeskane, me objekte, dorëshkrime e libra që i përkisnin Át Shtjefën Gjeçovit.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>