nga Admin

16 Tetor, 2013

Shtëpia botuese Saras ka hedhur në treg romanin historik Pema e jeniçerëve, shkruar nga historiani i njohur anglez Jason Goodwin. Një udhëtim në Stambollin e viteve 1836, përmes rrugëtimit të një detektivi, Jashimit, i cili përpiqet të zbulojë historinë e një vrasjeje në zemër të oborrit të sulltanit. Në Stambollin e rrëfyer nga Goodwin, takojmë dhe shumë shqiptarë, midis të cilëve dhe Ali Pashë Tepelenën

ALDA BARDHYLI (Gazeta SHQIP)

Pema e Jenicereve (3)Pema e jeniçerëve, një nga romanët më të bukur historik të shkruar vitet e fundit, nga historiani dhe shkrimtari i njohur anglez Jason Goodwin, tashmë mund të lexohet edhe në shqip nga shtëpia botuese Saras, nën përkthimin e Fari Laçkës. Nëpërmjet ngjarjeve të vendosura në Stambollin e viteve ‘1800, libri Pema e jeniçerëve ofron një panoramë nga afër të botës ekzotike të Perandorisë Osmane të vonë. Atmosfera në Perandori shfaqet plot me konflikte dhe luhatje ndërmjet dëshirës për të ringjallur traditat që po humbasin dhe forcave për ndryshim që kërkojnë të revolucionarizojnë perandorinë dhe ta vënë atë përkrah me fuqitë moderne të Europës së asaj kohe. Libri nuk është vetëm një përshkrim i ndier për Stambollin apo Perandorinë Otomane. Libri është dhe një rrëfim për historinë tjetër të Shqipërisë. Asaj historie që ne e gjejmë në rreshta librash qofshin ata dhe letrarë, si në rastin e këtij libri. Në rrugëtimin e tij historik, Goodwin na njeh me shumë personazhe shqiptare që i takoi në Stambollin e atyre viteve, mes të cilëve dhe një personazh të njohur, siç ishte Ali Pashë Tepelena. Libri është një dëshmi për rolin që kanë pasur shqiptarët në zhvillimin e Perandorisë Osmane, duke i përshkruar ata si njerëz me karakter të fortë e të aftë për të t’ia dalë çdo situate. “Një shqiptar nuk e ka problem luftën”, thotë ai. Dhe pse një libër letrar, në të sqarohen shumë raporte historike. “Është e pamundur të shmangesh nga ndikimi që historia ka te ty dhe në momentin kur je duke bërë një rrëfim letrar”, shprehet Goodwin. Teksa është përpjekur të rindërtojë Stambollin e pas viteve 1800, ai ka hyrë në filozofinë që mbajti gjallë një nga perandoritë më të mëdha në Ballkan e më gjerë, duke kuptuar mirë, rregullat e pashkruara që ende janë të forta sot në funksionimin e një shteti. Pema e jeniçerëve është një leksion i madh historie, një lexim i kujdesshëm i të cilit të bën të kuptosh raportet me të tashmen.

WebNë vitin 2007, libri Pema e jeniçerëve është nderuar me çmimin Edgarpër novelën më të mirë të vitit dhe është përkthyer në mbi 40 gjuhë. Jason Goodwin e ka bazuar librin mbi historinë e një detektivi, Jashimit, i cili do të bëhet protagonisti që do ta frymëzojë dhe për tri novela të tjera që do të vijnë për lexuesin sërish nga shtëpia botuese SarasGuri i Gjarprit, Karta Belini dhe Syri i keq. Seritë portretizojnë Jashimin, një eunuk në rolin e detektivit, i cili njeh shumë mirë kulturën osmane dhe atë perëndimore, gëzon besimin e sulltanit dhe zyrtarëve të lartë dhe më shumë i pëlqen të jetojë në një banesë modeste jashtë pallatit madhështor. Gjithë historia e Pemës së jeniçerëve bazohet në një ngjarje të vërtetë. Në qershor të vitit 1826, sulltani Mahmud II shpërbën dhe vret mijëra prej trupave jeniçere që dikur kishin qenë elita e forcave ushtarake të Perandorisë Osmane, por që me kalimin e kohës ishin kthyer në elementë turbullues dhe kishin dalë jashtë kontrollit të sulltanit. Dhjetë vjet më vonë, trupat e reja të modernizuara sipas modelit perëndimor, të cilat zëvendësuan jeniçerët, duhet të paraqesin para njerëzve disa manovra dhe taktika ushtarake gjatë një parade. Dhjetë ditë para kësaj ngjarjeje, katër nga oficerët zhduken. Njeri prej tyre gjendet i vdekur. Kryekomandanti ia beson detyrën për të zgjidhur këtë mister Jashimit. Ndërkohë vritet konkubina e re e sulltanit dhe vidhen edhe xhevahiret e nënës së tij. Jashimi duhet të hetojë tri raste të ndryshme në të njëjtën kohë. Për shkak të këtij misioni, këmba e Jashimit shkel në vende të ndryshme si: ambasada, xhami dhe nëpër rrugët e rrugicat e Stambollit. Për të zgjedhur këto vrasje, Jashimi kërkon ndihmën e ambasadorit polak dhe gruas së ambasadorit rus. Ai zbulon se rastet kanë lidhje me njëri–tjetrin dhe përfshijnë jo vetëm intrigën për hakmarrje nga ana e jeniçerëve të mbetur gjallë dhe të fshehur diku, por edhe luftën për pushtet midis eunukëve të pallatit dhe orvatjet pa fund të ushtarakëve për demokratizimin e jetës, shoqërisë dhe vendit.

Në fund, krejt ndryshe nga sa pritej, Jashimi ia del mbanë të parandalojë disa konspiracione me sukses.

Pema e Jenicereve (5)Rrëfimi që Goodwin i bën kësaj historie është i jashtëzakonshëm. Stambolli i shekullit XIX shfaqet nga njëra fletë tek tjetra e librit, e duket sikur vetë Goodwin e shpie lexuesin nëpër qytet, ndërkohë që përshkrimet e tij mbi qytetin të ofrojnë një kënaqësi të pafund. E gjitha kjo e kombinuar me një protagonist, të cilit rrethanat e vështira i japin mundësinë që me mendjemprehtësi të zhbirojë natyrën komplekse të pushtetit dhe seksualitetit dhe në mënyrë të pashmangshme detektivi osman i Goodwin del ngadhënjimtar. Më shumë se një mister historik dhe ekzotik, ky libër lexohet si letërsi dhe përjetohet si një thriller. Por ajo çfarë e bën Pemën e jeniçerëve të jetë një libër i cili lexohet me një frymë është dhe mënyra sesi Goodwin shkruan. Vetë ai tregon në një intervistë se është dashuruar me Stambollin, që kur nisi të studionte histori në Kembrixh. Stambolli nuk është vetëm qyteti i pamjeve të bukura historike, por dhe qyteti ku mund të kuptosh më mirë forcën e pushtetit. Jason Goodwin ka lindur në vitin 1964 dhe është shkrimtar e historian britanik. Ai ka studiuar histori bizantine në Universitetin e Kembrixhit. Pas suksesit me librin Kopshtet e Barutit, ose Kohë për një çaj: Udhëtime në Kinë dhe Indi në kërkim të çaji, bëri një udhëtim nga Polonia në Stamboll të Turqisë. Me rrëfimin e tij mbi këtë udhëtim i titulluar Më këmbë deri në Bririn e Artë, në vitin 1993, mori çmimin John Llewellyn Rhys/Mail on Sunday. Më pas shkroi Zotat e horizonteve: Një histori e Perandorisë Osmane. Më vonë u bë i njohur si autori i serive misterioze duke filluar me librin Pema e jeniçerëve. Ngjarjet e novelës tjetër me personazh eunukun Jashim, Karta Belini, zhvillohen në Venecia. Novela e titulluar Syri i heq, me epiqendër haremin e sulltanit, doli në pranverë të vitit 2011 dhe një tjetër aventurë në Stamboll e titulluar Lexuesi latin, pritet të publikohet në vitin 2013.

 

[callout]Ali Pasha, dhelpër e vërtetë

Për Jason Goodwin, Ali Pasha është një personazh i njohur në Stambollin e pas viteve 1800. Teksa shfletonte letrat pafund të arkivave turke, ai është ndeshur shpesh me emrin e këtij shqiptari jo të zakonshëm. Në Stambollin e atyre viteve, shqiptarët mund t’i gjeje kudo. Goodwin është i magjepsur nga forca e këtyre njerëzve, të cilët, edhe pse mijëra kilometra larg, flisnin me aq dashuri për vendin e tyre dhe dinin të mbronin njëri-tjetrin. Te Pema e jeniçerëve shqiptarët janë kudo. Ata i gjen në ushtrinë e jeniçerëve, apo në kuzhinën e sulltanit, apo roje të rëndësishme në portat e perandorisë… Por një prej tyre ishte ndryshe. Ai ishte Ali Pasha. “Ali Pasha ishte një kryekomandant, i cili me dinakëri dhe mizori kishte ngritur një gjysmë shteti të pavarur në malet e Shqipërisë dhe Greqisë Veriore. Katërmbëdhjetë vjet më parë, Jashimi kishte parë kokën e tij të vënë në një nga kolonat e portave të sarajeve të sulltanit. Luani, – ngriti zërin Mustafai. – Kështu e quanim ne atë. Kam shërbyer në ushtrinë e tij. E bëja për vendin tim. Por Ali Pasha ishte dhelpër e vërtetë. Ai na dha paqe. Unë doja luftë. Në vitin 1806 shkova në Danub. Atje u bashkova edhe me trupat. Me jeniçerët? Mjeshtri i supës tundi kokën. Si kuzhinier. Që atëherë isha kuzhinier. Lufta nuk ka shumë rëndësi për një njeri. Një shqiptar s’e ka fare problem. Pyesni grekët. Por gatimi…. – Ai mërmëriti i kënaqur.

Jashimi bashkoi duart dhe u fryu. – Unë jam njeri i traditës, – vazhdoi mjeshtri. – Për mua, jeniçerët ishin simbol i traditës. Këtë perandori e ndërtuan ata, apo jo? Dhe një i huaj e ka të vështirë ta kuptojë këtë gjë. Regjimenti i jeniçerëve ishte si një familje….” – shkruan Goodwin në Pema e jeniçerëve. Dhe pse libri është një krijim letrar, Goodwin tregon se në shkrimin e kësaj historie është bazuar te dokumente të ndryshme historike, që për vite me radhë i ka kërkuar në arkivat e Stambollit.[/callout]

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>