6 Maj, 2022

Një pjesë e shkrimtarëve të planetit tokë arrijnë të bëhen të pasur falë punës së tyre si shkrimtarë. Jo të pasur si Jeff Bezos apo Bill Gates por goxha të pasur në krahasim me pjesën tjetër të popullsisë, apo me pjesën dërrmuese të shkrimtarëve, të cilët, në përgjithësi, mbeten gjithmonë të varfër. Por para se të marrin famë dhe të bëhen shkrimtarë të pasur, këta vetë detyrohen të nxjerrin jetesën me gjithëfarë punësh. Mësoni se çfarë kanë bërë në jetë Murakami, Margaret Atwood, apo George Orwell.

Shtëpia e Librit

Margaret Atwood, shkrimtarja bashkëkohore kanadeze e njohur për teknikën e rrëfimtarisë së saj të jashtëzakonshme, mund të konsiderohet e pasur sot sipas çfarëdolloj standardi. Veprat e saj, të tilla si Rrëfenja e shërbëtores apo Testamentet, në të cilat trajton temat e tiranisë, çështjet gjinore dhe luftën frymëzuese të njeriut kundër padrejtësive, ka një pasuri që vlerësohet në rreth 20 milionë dollarë. Megjithatë nuk ka qenë gjithmonë kështu.

Në vitin 1972, Atwood, 33 vjeç, e la punën me rrogë në universitet dhe vendosi të dalë freelance, pra të punojë pa orar zyrtar dhe pa rrogë të rregullt. Ajo dhe partneri i saj i jetës shkuan të jetojnë në fshat me një buxhet të vogël dhe një fëmijë për të rritur.

“M’u desh të merrja çdo punë rastësore që mund të gjeja,” shkroi ajo pesë dekada më vonë në librin Burning Questions.

“Ne nuk ishim të varfër megjithëse një vizitor i tha njerëzve se ‘nuk kishim asgjë veçse një dhi’. (Në të vërtetë nuk ishin dhi; ishin dele). Por nuk po fitonim para bollshëm. Ne mbillnim shumë zarzavate, mbanim pula dhe banorë të tjerë jonjerëzorë në fermë. Biznesi mini-bujqësor kërkon para, dhe në rastin tonë edhe humbte para, kështu që mua më bënte punë të nxirrja ca para nga të shkruarit nëse mundesha krahas shitjes së vezëve.”

Atwood qëndroi rreth një dekadë në fshat dhe i plotësoi të ardhurat duke shkruar ese mbi librat për gazeta të ndryshme. Ajo botoi shumë libra gjatë të gjitha viteve, por suksesi komercial duket se mori hov pas vitit 1985 me botimin e Rrëfenjës së shërbëtores. Është një libër distopik, frymëzimin për të cilën, Atwood e mori nga romani 1984 nga George Orwell. Ajo thotë se synimi ishte që të krijonte një roman distopik feminist ndërsa shton se Orwell është “heroi i saj”.

Vetë Orwell pati një jetë goxha të vështirë deri sa, goxha vonë në karrierë, romani Ferma e Kafshëve i dha një ortek me para. Orwell punoi si polic në Burma për Perandorinë Britanike, një punë për të cilën shprehte neveri, ndërsa jetoi si bohem varfanjak një Paris para se të hynte në jetë më seriozisht në Londër. Ai punoi si ndihmës në një librari librash të përdorur dhe më pas, me hope si artikullshkrues nëpër gazeta dhe revista të ndryshme, ku shkruante për letërsinë, shoqërinë dhe politikën. Librat dhe romanet e botuara prej tij gjatë kësaj kohe tërhoqën vëmendje të paktë në atë kohë. Libri i tij më i hershëm, I varfër dhe i pastrehë në Paris dhe në Londër, u refuzua nga dy shtëpi botuese, në njërën prej të cilave redaktor ishte poeti T. S. Eliot, i cili e përshkroi librin si “shumë interesant” por i tillë që nuk “nuk ngjan se mund të botohet për biznes”.

“Nëse ke pak mend, mundet të nxjerrësh një jetesë të mirë si librar,” shkroi ai në Kujtimet e librarit më vonë. Por jeta e librarit dukshëm ishte tepër e ngathët për aventurierin Orwell, i cili vijoi të hulumtojë shoqërinë duke e parë atë nga vendet më të çuditshme, nga pusi i një miniere, nga qendra sociale për të vobektit apo nga qelia e një stacioni policie.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Orwell u punësua nga BBC për të lexuar ese mbi letërsinë dhe politikën pasi u refuzua nga komisioni mjekësor si i paaftë për luftë. Ai ishte plagosur gjatë Luftës së Spanjës ku luftoi si vullnetar kundër fashistëve.

U desh të vinte viti 1944 dhe të botohej romani Ferma e Kafshëve që Orwell të merrte veten financiarisht. Dhe jo vetëm kaq, por paratë e fituara i mundësuan të blejë një shtëpi të vogël në një ishull në Skoci, ku ai praktikoi pasionin e tij të vjetër të peshkimit dhe shkroi 1984.

Në një rast, Orwell shkroi me ironi se kapitalizmi është ai që e ka paguar atë me mijëra paund për të bërë libra anti-kapitalistë.

Haruki Murakami shet sot miliona kopje të librave të tij në të gjithë botën dhe është një nga eksportet kulturore më të suksesshme të Japonisë. Megjithatë, në rininë e tij, atij iu desh që të punonte çfarë të mundej kur ishte student ndërsa pas shkollës, hyri në kredi në bankë për të hapur një klub.

“Për mua nuk kishte alternativë tjetër veçse të nxirrja me fitim klubin,” shkroi Murakami dekada më vonë, ndërsa rikujton se si miqtë e tij më të afërt besonin se ai do të dështonte sepse ishte tepër naiv për të qenë biznesmen.

“Vetë puna ishte e rëndë. Isha në klub nga mëngjesi deri natën vonë dhe dilja prej aty vetëm i raskapitur. Kisha gjithëfarëlloj eksperiencash të dhimbshme dhe zhgënjime me bollëk. Por, pas një copë here, fillova të nxjerr mjaftueshëm fitime sa të punësoj njerëz të tjerë dhe në fund isha në gjendje të merrja frymë më lirshëm,” thotë Murakami.

Suksesi i tij si shkrimtar nisi pasi karriera e tij si pronar klubi xhazi të suksesshëm mbaroi. Në vitin 1987 ai botoi Pylli norvegjez, historia e një studenti në epokën e trazirave të viteve 1960 dhe romancën e tij. Ai u bë aq i famshëm nga ky libër sa pothuajse u bezdis.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>