nga Admin

15 Shkurt, 2011

Nga: Erion Kristo

(rreth poemës së Arian Lekës Ndreqje gabimesh)

Ndreqje gabimesh, Arian Leka (imazhi)Arian Leka, i njohur si poet, prozator, eseist, fitues i shumë çmimeve kombëtare e ndërkombëtare, si dhe i botuar në revista prestigjioze, zhytet sërish dhe krejt në botën e një trilli të rrallë. Libri Ndreqje gabimesh është një trill, një risi jo thjesht për poezinë shqipe, që i dhuroi autorit çmimin “Lasgush Poradeci” – 2011 të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.

I larguar paksa nga bota e ujit, që me vëllimin poetik Libër Deti arriti zenitin e vet, poeti tashmë çapitet në një botë tjetër, në një materie të re, kërkon dhe gjen tingull ndryshe në botën e gabimeve njerëzore dhe të përqeshjes hyjnore ndaj “gabimeve” tona, hyn pa udhërrëfyes në botën e marrëdhënieve intime burrë – grua, trup – shpirt, nga e thjeshta, primarja, primitivja, jo drejt më të lartës, spirales, por drejt më së thjeshtës fare, aty ku fillon jeta. Ky libër nuk premton evolucion. Është ndërprerje edhe në krijimtarinë e autorit, pavarësisht se duket se një syth i tij bulon nga libri poetik Strabizëm, gjithashtu fitues i Pendës së Argjendtë, pesë vjet më parë.

Gabimet njerëzore dallohen, shquhen qartë, që në vargjet e para të poemës. Madje ato duken se janë aty dhe presin të shfaqet e para figurë njerëzore e tekstit poetik, si për të shpallur jopërsosjen si udhëheqës. Arian Leka i drejtohet idilikës njerëzore, konceptimit të modelit klasik të së bukurës dhe së mirës si t’i drejtohej demonëve futur në trupat njerëzorë: “Dil prej meje. / Siç del kavilja / që të pengon të ngarendësh në fushë. Siç/ prej një race të egër pëllumbi / del / pëllumbesha e butë”, sepse “Nga më e bukura njeriu mërzitet./Kafaze teli thur për zogj.

Dyshimi, forma e lëkundshme që ndryshon formë, kalimi i pandjeshëm nga qenia njerëzore në një formë tjetër, në formën mitike të shtazës imagjinare që ka fusha me lule dhe bar në stomak dhe që nuk do të ngrihet në lartësitë e njeriut, të njerëzores, të shoqërores, që dëshiron të jetë kafshë që ripërtyp fusha të gjera me gabime dhe që këshillon të ruhemi nga njeriu me hark, shigjetë dhe kukurë të re, njeriu që kërkon ta përmirësojë gjenetikisht, teksa…“Duke gjurmuar gabimin tek unë / mund të vrisje edhe atë cilësi fare të vockël / tretur te gabimi… Apo nga dëshira për të zgjuar / njeriun tek unë – ndërsa unë vetë kënaqem / rri shtrirë, dergjem njëlloj si gabimi / shigjeta e humbur…

Gabimi, pra mbetet një konstante e jetës. Kjo e bën njeriun njeri dhe njerëzor. Kjo ndeshet duke e lexuar, përsëritur dhe pranuar nëpër faqe, si një mësim, apo si një përvojë e panxënë mirë. Me këtë gabim përplasesh shpesh nëpër vargjet e poemës, i ikën, e shmang dhe prapë rikthehesh për të nomatisur përballë tij si përballë një muri lutjesh.

Ndërkaq poema Ndreqje gabimesh, ndonëse e shkruar me thjeshtësi dhe edukim gati spartan për sa i përket shmangies së simbolikave dhe metaforizimeve të lodhura, është e vështirë për t’u përcaktuar apo klasifikuar në një zhanër të vetëm, sikundërse është e vështirë të besosh se e rrok duke e zotëruar pjesshëm, këngë pas kënge. Për shkak të teknikave shkrimore dhe stilistikave që autori përdor, kjo poemë kërkon lexim dhe shijim në tërësinë e vet, deri tek vargu i fundit, madje deri tek pika në fund të këtij vargu, përfshi këtu edhe heshtjet.

Baza e kësaj vepre poetike, shkruar në formën e një poeme me XVII këngë, është një lloj vënieje në dyshim e gjithë vlerave të arritura në etikë dhe të ngritura në estetikë rreth figurës njerëzore, duetit njerëzor. Kjo vepër vjen si dekonstruksion i mitit të dashurisë për të përkundërtin / për të përkundërtën, është thirrmë për një marrëdhënie tjetër mes tyre, një marrëdhënie ku nuk premtohet më e mira, por ndryshimi, ku në themel të gjithçkaje rri Gabimi. Janë gati – gati ca vise përfytyrimi pa engjëj, pa shenjtorë dhe moralistë, por me njeriun që gabon dhe fal gabime dhe që “gabimin e vjetër e shlyen me një gabim të ri”, duke besuar gjithashtu se edhe “i falshëm edhe mësues është gabimi.

Kjo na bën të kërkojmë e të gjejmë tek kjo poemë forma të tjera qasje e mëtime të tjera veç formës së shfaqur të femrës dhe të mashkullit, përtej burrit dhe gruas dhe ta shtyjmë kërkimin në fill të asaj që e kemi quajtur jetë dhe vdekje, aty ku gjithçka është e rrezikuar, e kërcënuar, aty ku qenia shfaq rebelizëm, rebelohet, klith për mbijetesë, aty ku krijesa njerëzore nuk “është më gjahtar, por viktimë” dhe ia del të mbijetojë duke besuar më të thjeshtën: “embrionin, fillesën, farën, vezën, lulen, kërcellin, gjethen dhe marrëdhënie e tyre me rrënjën dhe me një dorë që i ka braktisur format dhe zanatet e tjera për të qenë kultivues, kopshtar.” Vetëm kaq.

Kopshtar, po i kujt, i çfarë gjëje? Jeta është Mjeshtëri që i lutet formave të jetës të gabojnë, të tradhtojnë për të jetuar, për t’ia dalë mbanë, të zgjedhë komandën “duhet” edhe kur e di se ç’do, se ç’dëshiron. Jeta e propozuar kësisoj në poemën Ndreqje gabimesh bëhet Mjeshtëri që i sheh format mbi të cilat kemi ngritur idhujtarinë, idiolatrinë, besimin e rremë, forma me të cilat nuk mund të vijohet më pa qenë i verbër. Ndaj kërkon shëlbim.

Punishte gabimesh /  ku fajet lindin / përsosen me dorë / dhe vdesin pa u përsosur.” Jetë dhe forma jete derdhen para shqisave tona “Fajtore. Të papastra, si gjithçka e barkut tënd, / si duart dhe dorezat e thikave në thertore.” Këto forma shfaqjeje na shtyjnë të besojmë se autorit nuk i ka interesuar të merret thjesht me dashurinë e përcaktuar si burrë – grua apo femër  – mashkull. Duket se mëtimi i tij shkon përtej. Ku? Tek “Çështë bërë nga Zoti duhet shkatërruar…” Tek pamje që të kujtojnë pikturat me mishra të varur të piktorit me emër filozofi Francis Bacon. Tek ajo që Arian Leka na e sjell në vëmendje se gjithçka, sado e përcaktuar dhe e mbyllur në burgun e formës duhet marrë në duar me kujdesin që i duhet një mine e cila mund të të plasë në dorë për t’i përsheshur përfytyrimet, idetë dhe idilet.

Le të besojmë autorin kur përmend veset që lindën nga një formë e përkryer, njëlloj siç mund të besojmë se edhe Odiseu e “mësoi nga barqet e luleve / dinakërinë e hidhur  / të fshehjes së ushtarëve në bark.” Atëherë le ta besojmë se dhe Arian Leka në poemën Ndreqje gabimesh ka fshehur kërkesën poetike (dikur edhe profecitë në formë poezish shfaqeshin) për një rikonstruktim që i drejtohet dashurisë, por që e tejkalon atë, për të përfunduar gjithsesi tek një formë e re besimi që mund të jetë po Dashuria si vlerë e rimarrë, e rivalorizuar. Le të besojmë edhe tek ftesa për ndreqje më të gjerë gabimesh sesa rrafshi erotik, seksual, seksual apo thënë ndryshe, rrafshi i marrëdhënies dashurore.

Ndreqje gabimesh…! Po cilat gabime, çfarë duhet e mund të ndreqet? Ç’mund dhe ç’duhet të shohim përtej marrëdhënies mes mashkullit dhe femrës? Ç’simbolikë fshihet nën këtë anatomi njerëzore, rrëfyer me morfologjinë e një përralle për Evën dhe Adamin e një herë e një kohe? Për se përdoren gjithë ato vargje sinonimikë: shkatërroj, rrafshoj, zhbëj, zhbij, prish, shkallmoj, vrarë, shpërdoroj, shkrij, çmontoj, plas, vret, shqep, gërric, përdhos, thyej, çaj ?– Thua për një trup të brishtë njerëzor? A mund të mendojmë se përtej këtij trupi është jeta, jetesa, të jetuarit, mënyra si mendojmë, veprimet, përvojat, gjithë sa nuk duam dhe që na mundon, paraardhësit, pasardhësit, arti, poezia, vendi yt, njerëzit e dashur dhe të padashur, gjithë sa kemi ndërtuar ne dhe paraardhësit tanë dhe që njëlloj si të qe një minë detare, plot gunga në trup, rrekemi ta çmontojmë, gjithë kujdes, me drojën se do të na vrasë, me frikën se prej saj do të mbetemi të gjymtuar dhe me dyshimin se jemi vallë në jetë nëse nuk i vëmë në këtë provë marrëdhëniet tona?!

Dhe prapëseprapë… Dhe sidoqoftë: “Gabimi ishte antitrupi / varkë shpëtimi / vaksina mbrojtëse nga i njëjti gabim.”

Libri Ndreqje gabimesh, është prirja drejt më të thjeshtës, aty ku jeta kanoset dhe mbrohet nga fara. Kërkon të mbrohesh? Shtohu! Kërkon të zhdukesh? Shtohu! Po çfarë paska, çfarë ofrohet dhe çfarë gjejmë përtej mishit dhe gjakut, çfarë ka përtej farës tek kjo poemë? Ç’mund t’i bëjmë vetes dhe njëri – tjetrit në këtë proces ku gati shpallet shenjtëria e gabimit, thuajse një ungjill i tij? “Të qep / gjithë sa shqepa vetë / dhe gjithë sa gjeta të shqepur/tek ti”.

Ndoshta në të vetmen mënyrë që i mbijetoi përvojave, trupi, mendja, shpirti “merr formën e gjilpërës së madhe me një sy. / Hyn edhe del nëpër trupin tënd të lodhur / vetëm e vetëm për të thurur një lule, një lule të vogël.

Në këtë poemë Arian Leka shpaloset fort sepse mbështetet në djerrina që papritmas nën çokun e fuqishëm poetik kthehen në deltina, ku poetin të soneteve befas nuk i interesojnë më tingujt dhe vargjet e rregullt, ka hequr dorë se dashuria shfaqet si bimë fatkeqe, së cilës as lulet dhe as gjethet nuk i rrojnë gjatë, ku njerëzit i dhurojnë njëri – tjetrit kërcej mërzish, i luten Zotit të marrë formën e shpezës dhe t’u pastrojë zemrat që meshojnë nën formulë ripagëzimi: “Ati ynë që zbret nga qielli, gabimin e përditshëm epna edhe sot dhe bëj të mundur që i falshëm dhe jo  njëjtë të jetë gabimi.

Duke folur për gabimin, që i përket të gjitha botëve, autori shkruan: “Thënë ndryshe: jeta ndahej në njerëz të gabueshëm /dhe në aq pak gabime /sa për të mos qenë engjëjt /që për veten mbajnë pasqyrë dhe krehër /dhe për të tjerët/shpatë.” Se “njerëzit nuk kanë frikë vdekjen, kanë frikë shëmtimin”, se gratë ende nuk kanë vendosur ende cilin të zgjedhin mes dy modelesh: “vrasësen apo ledhataren”, se “dashuria bredh e uritur gjer në fund të pranverës”, se dikush, tinës të tjerëve, “në shishe hollake, si epruveta mbledh djersë dashurie”, ndjen frikë dhe lutet: “Ndaje thartirën me mua. Dashuria që tepron për zogj, tepron edhe për ne të dy, gjersa njerëz të tjerë nga veset dhe nga virtytet do të na ngjajnë.”

Ndreqje gabimesh hyn tek librat profanë. Por pavarësisht nga kjo pyetja fatale mbetet: A duhen ndrequr gabimet e vjetra me gabime të reja, siç ngulmohet më se një herë në poemë? Përgjigjja është: sipas dëshirës, ad libitum, si t’ju pëlqejë.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>