nga Admin

19 Mars, 2014

Autorë shqiptarë në Panairin gjigant të Librit në Leipzig

FATOS BAXHAKU (Gazeta SHQIP) 

Panairi i librit ne Lajpcig (3)Sapo kemi mbërritur në Leipzig. Shoqata e Botuesve Shqiptarë, e ndihmuar nga Ministria e Kulturës, na ka caktuar që bashkë me të tjerë të marrim pjesë në një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore të Europës: Panairin e Librit në Leipzig.

“Es gab kein Winter dieses Jahr!” (Nuk bëri fare dimër sivjet!). Një shofer gjerman, me një goxha palë mustaqe, po na çon nga aeroporti i Leipzig-ut për në lagjen Eutritzsch. Gjermani duket i ofenduar nga Perëndia. “Vetëm një ditë ra 15 centimetra borë dhe pastaj asgjë më tepër. Nuk është fare mirë kështu.” Ne i ngulim sytë matanë penxheres, në pllajën e pamat të Saksonisë, duke u munduar të kujtojmë ndonjë gjë nga historia e këtij vendi. Dimë që nga 16 deri më 19 shtator 1813, bash në këto anë është zhvilluar beteja e famshme mes koalicionit prej 270 mijë njerëzish të drejtuar nga princi austriak Schwarzenberg, gjenerali rus Benningsen dhe mareshali prusian Bluecher dhe 170 mijë francezëve të Napoleonit. Ishte një masakër e vërtetë, por edhe një ndër disfatat më të rënda perandorit. Leipzig është një qytet që deri në bashkimin e Gjermanisë bënte pjesë në Republikën Demokratike Gjermane. Dikush kujtohet edhe për “Lokomotivën” e Leipzig-ut, një skuadër e famshme futbolli asokohe. Teksa udhëtojmë, shohim një copë herë mbetje të periudhës komuniste. Thuajse njësoj si te ne, edhe këtu kanë ekzistuar blloqet me parafabrikate. Disa syresh na kujtojnë peizazhet tona të njohura, por vetëm pak kilometra më tej shfaqen stabilimentet e “Porsche” dhe “BMW” dhe ato kujtimet e largëta duken një vogëlsi e papërfillshme në krahasim me peshën e tyre.

Poetët Arian Leka, Lindita Arapi dhe prof. Matteo Mandala
Poetët Arian Leka, Lindita Arapi dhe prof. Matteo Mandala

Në mëngjesin e së nesërmes përballemi me një pamje të rrallë. Një gjigant prej metali dhe xhami lartësohet para nesh me një madhështi gati-gati të frikshme. Një lumë njerëzish zbarkon çdo dhjetë minuta nga tramet dhe autobusët. Njerëzia, e ardhur nga e gjithë Gjermania, por edhe nga Zvicra e Austria, vrapon që të shohë stendat e librave. Brenda ka lokale, koncerte, salla konferencash, qendra interneti, konkurrime të rinjsh, studio televizive që transmetojnë pa reshtur… Befas e ndiejmë veten fare të vegjël në rrymën e njerëzve që shtyhen gjithëkah. “Po na duket vetja si Pinoku në barkun e balenës”, i themi Matteo Mandala-së, profesorit të njohur arbëresh të kulturës dhe gjuhës shqipe në Universitetin e Palermos. Mandala vitin e shkuar pati fituar çmimin e parë të Panairit të Librit në Tiranë me një libër mbi Lekë Matrangën. E qeshura e tij arbërore jehon plot gaz deri tej në fund të mureve të xhamta e kjo na jep guxim të bëjmë përpara drejt qoshkës sonë “kombëtare”.

Stenda shqiptare është në këndin që mbyll pavijonin e botimeve nga Lindja dhe nga Ballkani. I kalojmë me radhë Serbinë, Bullgarinë, Slloveninë, Malin e Zi, ca më tej Rumaninë. Kërkojmë më kot gjithandej mos lexojmë fjalën Kosovë, por ajo nuk është. Kush e di se si ka qenë puna këtë vit. Më në fund jemi në “zyrën” tonë të përkohshme, në stendën e librave nga Shqipëria. Krejt në shpinën tonë është stenda e Arabisë Saudite. Në fillim çuditemi nga numri i madh i vizitorëve, por vetëm për pak e mësojmë sekretin: arabët thuajse çdo orë nxjerrin nga një ëmbëlsirë tradicionale për njerëzit. Fjala është përhapur shpejt dhe menjëherë rreth arabëve të edukuar mblidhet një turmë gati e papërballueshme që rrufit me një shpejtësi marramendëse sasi të mëdha bakllavaje duke tundur kokën: Gut, gut! Bakllavaja mbaron shpejt, por arabët kanë rezervë edhe disa biskota ndjellëse me fiq të thatë, të cilat e kryejnë edhe ato shumë mirë rolin e tyre.

Një tjetër pavijon jogjerman është ndër më të vizituarit. Është thuajse i barabartë me tonin, dhe po aq modest, porse përballë tij ka gjithnjë njerëz. Një vajzë e re me gërshetat tipike bionde, bën mund teksa rreket t’u japë përgjigje të gjithëve. Në këtë qoshe nuk flitet fare për librin, por për vendin: A do të ndodhë luftë? A keni frikë? Po Krimea? Ukrainasja e shkretë flet e flet pa pushim, deri në gojëtharje, duke iu përgjigjur pyetjeve serioze të gjermanëve këmbëngulës. Nga fillimi deri në fund nuk bëri gjë tjetër veçse foli e foli për dheun e saj të shndërruar nga dhimbje në modë.

Krejt përballë me stendën tonë modeste, “Traduki” – një organizatë që ndihmon në përhapjen e kulturës lindore dhe ballkanike në hapësirën gjermanofolëse – ka organizuar një sërë aktivitetesh. Këtu, për një javë me radhë, shkrimtarë nga Ballkani ose si i thonë sot, nga Europa Juglindore, do të prezantojnë punët e tyre dhe do të diskutojnë me kolegë gjermanishtfolës jo vetëm mbi letërsinë e kulturën, por edhe mbi të sotmen dhe të ardhmen e rajonit tonë. Këtu takojmë Lindita Arapin, një shoqe e kolege e mbarë. Gazetare dhe shkrimtare, ajo jeton prej kohësh në Gjermani, ku punon për “Deutsche Welle”. Lindita na pret me buzë në gaz, por me sy të trishtë. Ka mall, ka mall për çdo gjë që ka të bëjë me Shqipërinë. Si gjithë “të shkulurit” nga dheu ynë, na bën pyetje të dëlirta, që në fillim na vënë në siklet. Por ne e kuptojmë fare mirë. Është meraku i njerëzve që jetojnë larg, për vendin dhe njerëzit e tyre.

Më në fund vjen radha e prezantimeve. I pari prej nesh flet Besnik Mustafaj. Një aktor gjerman reciton një ese të tijën mbi historitë tona të fundit. Disa qeshin, të tjerë tundin kokën me habi, të tjerë akoma diskutojnë me shokun që kanë ngjitur, por më në fund të gjithë duartrokasin. Besniku, i mësuar me këto gjëra, duket si në shtëpinë e tij teksa përshëndetet me të pranishmit, ndërsa neve na kujtohet edhe një herë Pinoku i ngratë në barkun e balenës.

Një ditë më pas i vjen radha Arjan Lekës. Neve në stendën e librit na vjen si një jehonë fjala “Durrës”, të cilën poeti e përmend shpesh. Është dashuria e tij më e madhe. Teksa Arjani flet e flet neve për dreq se ç’na merr malli për ato dallgëzat që të ledhatojnë këmbët ne “pedonalen” e qytetit të tij.

Mbi kryet tanë, më në fund, ka mbërritur grija e dimrit gjerman. Një shkulmë uji, një diçka mes shiut dhe borës, përplaset nga një erë e marrë mbi muret e qelqta të gjigantit. Më pisk e kanë punën ata që pinë duhan dhe ne strukemi në një kënd bashkë me “hallexhinj” të ngjashëm gjermanë. Në darkë, më në fund, shtriqim kockat në krevatin në papafingo. Lajmi më kryesor është arrestimi i legjendës gjermane Uli Hoennes. Ish-futbollisti legjendar i viteve ’70, dhe aktualisht president i Bayern Muenchen, është dënuar nga gjykata për evazion fiskal prej miliona eurosh. Gjermania është ngjethur nga lajmi: njeriu simbol i Gjermanisë të shkojë në burg? Hoennes kërkon falje: Ishte gabimi më i madh i jetës sime. Do të shlyej gjithçka vetëm në burg mos më fusni! Por Gjermania është ajo që është dhe “legjenda” bëhet gati që, për tre vjet e gjysmë, ta ndajë bukën e jetën me lloj-lloj njerëzish, të cilët do të jenë shokët e tij të burgut. Lajmi i dytë është pikërisht panairi ku jemi dhe ne. Më lart nga interesi për Krimenë. Deri në ditën e tretë e kanë vizituar afër 68 mijë njerëz, më shumë se vitin e shkuar. Në ditën e fundit do të mësojmë se numri i miqve të festës së librit ka arritur në mbi 100 mijë.

I vjen radha e fjalës arbëreshit Matteo Mandala. Profesori e nis fjalën e tij me: Shqiptarë nuk ka vetëm në Shqipëri… dhe publiku bëhet gjithnjë e më kurioz teksa ai rrëfen shkurtimisht historinë e mbijetesës shekullore të gjuhës, kulturës dhe vetëdijes arbëreshe në Italinë e Jugut. Zëri i tij i thellë gjëmon përtej zhurmave që sjell zulma e njerëzve.

Në stendën tonë, përveç kolegëve, miqve e botuesve ndalojnë edhe plot kuriozë. Ka edhe pyetje të tilla: Shqipja është gjuhë sllave apo çfarë? Dreq o punë! Me përjashtim të Matteo-s, asnjë prej nesh nuk është gjuhëtar, por megjithatë mundohemi t’u shpjegojmë me durim aq sa dimë. Andej në të ngrysur një i moshuar pyet thjesht: Si i keni punët andej nga Shqipëria? Pas një rrëfimi të gjatë se ne kemi ndryshuar shumë, se kemi shumë probleme, por edhe shumë arritje, se ne kështu e ne ashtu, ai më në fund na thotë: E di, e di se keni ndryshuar. Unë jam nga ata që lexoj. Kam kohë boll. Vetëm se duhet të dini se zhvillimi i kombeve është një rrugë e gjatë, do kohë. Pa na shikoni ne gjermanëve. A e dini se çfarë ka hequr ky komb për të arritur këtu ku është tani? Ne ngremë supet të pafuqishëm. Gjermani që fliste me gjysmë zëri me sa duket kishte të drejtë. Edhe një herë tjetër na u kujtua Pinoku i vogël e thatim në barkun e balenës së stërmadhe.

Më në fund na vjen radha të flasim. Aktori i përhershëm reciton pjesë nga “Çadra e kuqe”, një libër që flet për familjet austro-shqiptare. Pastaj bëhen disa pyetje. Me thënë të drejtën të thjeshta, normale. Porse e bukura vjen më vonë. Një çift të rinjsh vjen të na urojë për librin, por në fund bën edhe pyetjen gati fatale: Ju keni bërë një libër dashurie në thelb, apo jo? Deri tani na rrëfyet histori të trishta. A keni për të na treguar ndonjë histori të lumtur dashurie? Heshtja jonë i lë disi të pakënaqur, por nejse ky duhet të ishte një muhabet i gjatë.

Gjiganti i madh, i çeliktë, i stërmbushur me libra e njerëz, nis të zbrazet pak nga pak. “Matteo, balena e volli Pinokun më në fund”. Profesori nis të qeshë me hare si përherë, por i duhet të përgjigjet në telefon. “Çë buon?” (Ça bën?), i përgjigjet ai zonjës së tij. Është e folmja e arbëreshëve, e katragjyshërve tanë, bash e në zemër të Saksonisë.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>