26 Janar, 2020

Leo Tolstoi

Shtëpia e Librit

Kritiku bashkëkohor Harold Bloom mendon se Shekspiri, jo vetëm që shpiku gjuhën angleze, por ai shpiku edhe njeriun, atë njeri që ne njohim sot. Sipas Bloom, para kohës së Shekspirit, personazhet, qofshin gra apo burra, plakeshin dhe vdisnin por ata nuk ndryshonin ndërsa te Shekspiri, personazhet zhvillohen më shumë se sa shpalosen dhe ata zhvillohen sepse e rikonceptojnë veten. Ndikimi i stërmadh që ka pasur Shekspiri që nga ajo kohë ka përcaktuar mënyrën se si Europa sheh vetveten.

Por ka një gjeni tjetër që nuk mendon fare kështu. Përkundrazi, ai e konsideron Shekspirin si banal. Kritikat e tij janë kaq të ashpra sa ai habitet me veten. Gjeniu në fjalë është Leo Tolstoi, i cili konsiderohet si një nga shkrimtarët më të mëdhenj të të gjitha kohhërave.

Në një ese të gjatë të botuar fillimisht në vitin 1903, Tolstoi shkruan:

“Mbaj mend habinë që ndjeva kur lexova Shekspirin për herë të parë. Prisja të merrja një kënaqësi të fuqishme estetike, por pasi lexova, njëra pas tjetrës, veprat e shikuara si më të mirat e tij: Mbreti Lir, Romeo dhe Zhuljeta, Hamleti, dhe Makbethi, jo vetëm që nuk ndjeva kënaqësi, por ndjeva një neveri dhe mërzi, dhe dyshova nëse unë isha i pandjeshëm pasi veprat që shikohen si maja e perfeksionit në të gjithë botën e qytetëruar unë i konsiderova vogëlsira apo drejtpërsëdrejti të këqija, ose nëse domethënia që bota e qytetëruar i ka dhënë veprave të Shekspirit ishte në vetvete e pakuptimtë.”

 Në fakt, historia na sugjeron se jo vetëm Shekspiri farkëtoi Europën, por edhe Europa e farkëtoi Shekspirin. Vetëm në gjuhën angleze ka me dhjetëra variante të Shekspirit, të detyruara nga evoluimi gjuhësor që nga koha kur Shekspiri i shkroi për herë të parë dramat e tij. Dhe kjo i ka dhënë udhë ndryshimeve të konsiderueshme në të kuptuarit të Shekspirit në varësi të varianteve të ndryshme, apo në varësi të përkthimeve të shumta në gjuhë të ndryshme.

Në shumë raste, cilësia e përkthimit në gjuhë të ndryshme ka qenë gjithashtu me rëndësi të madhe. Për shembull, Mbreti Lir u përkthye në rusisht nga vetë Pushkini. Por duket se kjo nuk ishte arsyeja që e shtynte Tolstoin të mendonte në këtë mënyrë.

Ai shkruan:

“Shtangia ime shtohej nga fakti se unë gjithmonë ndjeja fort bukuritë e poezisë në çdo formë; po atëherë pse veprat artistike të njohura nga e gjithë bota si ato të një gjeniu – veprat e Shekspirit – jo vetëm që dështonin të më kënaqnin, por ishin të papëlqyeshme për mua? Për shumë kohë nuk i besoja dot vetes dhe përgjatë pesëdhjetë viteve, në mënyrë që të testoja veten, unë rifillova të lexoj Shekspirin në çdo formë të mundshme, në rusisht, në anglisht, në gjermanisht dhe në përkthimin e Schlegel, siç më kishin rekomanduar. Shumë herë lexova dramat dhe komeditë dhe pjesët historike dhe në mënyrë të pandryshueshme kalova përmes të njëjtave ndjenja: neveri, lodhje dhe çuditje. Në kohën aktuale, para se të shkruaj këtë ese, i dëshiruar të testoja veten edhe një herë, kësaj here si një njeri i moshuar shtatëdhjetë e pesë vjeç, lexova edhe një herë në tërësi Shekspirin, përfshirë pjesët e tij historike Henri, Troilus dhe Kresida, Shtrëngata dhe Simbelinipor ndjeva akoma më fort të njëjtën gjë – por gjithsesi, këtë herë, jo me habi por me një bindje të fortë dhe të palëkundshme se lavdia e padiskutueshme  pre gjeniu që gëzon Shekspiri, dhe që detyron shkrimtarët e kohës sonë ta imitojnë atë dhe lexuesit dhe spektatorët ta zbulojnë atë në meritat e tij jo të vërteta – rrjedhimisht duke çorientuar të kuptuarit e tyre estetik dhe etik – është një e keqe e madhe, dhe është shumë e pavërtetë”.

Pjesa më domethënëse e kritikës lidhet me sugjerimin se Shekspiri nuk kishte një koherencë në filozofinë e vet dhe nuk kishte ide apo mendime që ia vlejnë të merresh me to dhe as interes mbi problemet shoqërore apo fetare. Tolstoi sugjeron se Shekspiri nuk kishte një sjellje të përkufizueshme dhe kishte një këndvështrim material, cinik dhe imoral mbi jetën.

Kritikat e Tolstoit ndaj Shekspirit i analizoi disa dekada më vonë George Orwell.

Sipas Orwell, një pjesë e madhe e këtyre kritikave mund të kundërshtohet. Shkruan Orwell:

“Nuk është e vërtetë, në kuptimin e asaj që shpreh Tolstoi, se Shekspiri është një shkrimtar jomoral. Kodi i tij moral mund të jetë i ndryshëm nga ai i Tolstoit, por përfundimisht e ka një të tillë, i cili është i dukshëm nëpër të gjithë veprën e tij.”

Por sa i përket kritikës se Shekspiri nuk ka filozofi, Orwell duket se bie dakord me Tolstoin. Ai thotë:

“Shekspiri nuk është mendimtar dhe kritikët që pretendojnë se ai ishte një nga filozofët e mëdhenj të botës janë duke folur gjepura. Mendimet e tij janë vetëm zhele. Ai ishte njësoj si shumica e anglezëve, me një kod sjelljeje por pa një mendim për botën dhe as një të menduar filozofi.”

Orwell e lexoi esenë e tij mbi kritikat e Tolstoit ndaj Shekspirit në një emision të BBC në vitin 1941. Për të, fakti që katër dekada pasi Tolstoi shkroi këto kritika, eseja e tij mbi Shekspirin ishte në përgjithësi e harruar në publik, tregon se kritika ishte e pavend dhe në praktikë, nuk u dëgjua. Ai tha se ndërsa vepra e Tolstoit ishte vazhdimisht në qarkullim në anglisht (siç vijon të jetë edhe sot), eseja e tij kritike nuk ishte më në qarkullim. Kopjet e para kishin përfunduar me kohë dhe në vitin 1941, Orwellit “iu desh të kërkonte në të gjithë Londrën deri sa e gjeti në një muze.”

Dhe ndryshe nga Tolstoi dhe Orwell, Harold Bloom mendon krejt të kundërtën. Ai shkruan:

“Asnjë shkrimtar perëndimor, apo asnjë Lindor që unë kam qenë në gjendje të lexoj, nuk barazohet me Shekspirin në inteligjencë, dhe mes shkrimtarëve unë mund ta përfshij në listën e filozofëve kryesorë, të të urtëve fetarë dhe psikologëve nga Montaigne te Niçe apo te Frojd.”

© Të drejtat e autorit për këtë shkrim i përkasin Shtëpia e Librave sh.p.k. Nuk lejohet kopjimi pa leje. Vjedhësit do të ndëshkohen në mënyrë ligjore dhe joligjore.

Lexo më shumë:

Pse shkruajmë? Katër shpjegime nga George Orwell

Për çfarë flet romani Ana Karenina?

Tri pyetjet – Çfarë do të thotë të jetosh? Tregim nga Leo Tolstoi

Leo Tolstoi, si të gjejmë kuptim në një botë të pakuptimtë?!

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>