nga Admin

15 Shtator, 2012

Autori i “Gomorra”-s flet për librin e ri të Salman Rushdie që do të publikohet më 18 shtator. Është historia e viteve pafund “si klandestin” pas dënimit me vdekje të Khomeini-t për “Vargje satanike”

Roberto Saviano (Gazeta SHQIP)

Të shkruash një libër të ndryshon përgjithmonë jeta. Tregimi i Salman Rushdie, më shumë se 20 vjet pas “fatwa”-s, dënimi me vdekje që Khomeini dekretoi publikisht, është dramatik dhe mahnitës në të njëjtën kohë, ashtu siç do të jenë faqet e kryeveprës që do të publikohet pas disa ditësh. “Fatwa” është tema e librit të tij të ardhshëm dhe “New Yorker” ka vendosur të bëjë një rezyme paraprake. Faqe që duhet të lexohen veçanërisht nga ata që vitet e fundit e kanë përshkruar dënimin e tij si një dredhi mediatike të dobishme për të shitur libra, apo që e diskutuar me fraza si “Rushdie është i pranishëm në të gjitha festat”, ose një tjetër “ruhet me roje, por është një adhurues i madh i jetës dhe grave” e banalitete të tilla të përsëritura.

Pra, ai që po jeton është një dënim i dyfishtë. Nga njëra anë ia mbath prej atyre që të kanë dënuar me vdekje dhe përpiqesh të vazhdosh jetën, ndërkohë që nga ana tjetër do të urrehesh nga një pjesë e shoqërisë të cilës i duket e pavend që një i persekutuar të ketë jetë publike dhe private. Megjithatë, thellë-thellë në vetvete e di se faji yt i vërtetë është se je akoma gjallë. Persekutimi nuk sjell kurrë me vete solidaritet. Pret një mbështetje, që nuk e merr as nga njerëzit më të afërt, të cilët fillojnë të ndihen të papërshtatshëm dhe jo në lartësinë e duhur për të përmbushur këtë detyrë. Ose më keq akoma, të bëjnë të ndihesh në faj “se shkatërrove jetën”, “se duhet të luftosh me kundërshtarët për t’u mbrojtur”.

Faqet e publikuara te “New Yorker”, të titulluara “I vdekuri”, përshkruajnë përplasjen e Salman Rushdie me lajmin e “fatwa”-s dhe hapat e tij të parë në jetë i shoqëruar nga rojet. Është një jetë e re ku çdo gjë ndryshon: shtëpia, emri (Joseph Anton është identiteti i ri që ai mori me kërkesë të policisë), mënyra e jetesës, zakonet, marrëdhëniet, gjithçka. Që nga ai moment “ai nuk është Salman, as për miqtë. Tani është Rushdie”. Për të treguar këtë ndryshim, në libër, ai vetë përdor një person të tretë që flet për veten. Një person i tretë që ndryshon shumë nga Salman i tanishëm dhe Salman i atyre momenteve të para të tmerrshme. Rushdie kujton se lajmin ia dha një gazetare e “BBC”-së, e cila i telefonoi në shtëpi para policisë. Kështu ndodh kur je një personazh publik dhe lajmet që të përkasin ty i merr vesh më parë një gazetar se ti. Telefonatat e gazetarëve të tjerë vijuan me akuza dhe kritika. Ata thoshin se ai nuk ishte një libër, por një fyerje e drejtpërdrejtë. Nuk kishte pse theksohej fakti që nëse do të kishte dashur t’i fyente, mund ta kishte bërë shumë kohë më parë.

E vërteta ishte se libri i tij nuk kishte reshtur së qeni libër, përkundrazi u shndërrua në diçka tjetër. Madje as ai që ishte përpjekur ta mbronte, i nisur nga qëllime të mira, nuk mund ta bënte më, qëkur Rushdie shkroi librin e tij; Për librin “Vargje satanike” tashmë qarkullonte një version alternativ, jo ekzistues, që e bënte të urryer nga njëra anë dhe paladin të lirisë së fjalës nga ana tjetër. Lajmi i “fatwa”-s pastaj erdhi në një moment të vështirë të jetës së tij private. Pavarësisht se gjërat me të shoqen nuk shkonin mirë, ajo vendosi të përballet me dënimin bashkë me të. Në këto faqe, thelbi i tregimit është përemri “ne” që Rushdie e përshkruan si “një akt guximi”.

Kur i afrohet një të dënuari për miqësi ose dashuri, fjala “ne” është më e rralla dhe inkurajuesja që mund të shqiptohet. Kjo do të thotë të pranosh peshën dhe rrezikun e situatës, të mos braktisësh, të mos tregosh me gisht atë që shkaktoi këtë situatë, edhe pse duke ditur që një dënim shkatërron gjithçka, ndjenja, lidhje, dëshira. Një dënim me vdekje nuk sjell me vete vetëm frikën dhe dhimbjen e paimagjinueshme, por të rëndon më shumë, sepse është përhapur nga mediat. Çështja nuk mund të trajtohet më si diçka private, mes mureve të shtëpisë, sepse e dinë të gjithë dhe kjo krijon një rreth vicioz të pashërueshëm: sado që të fshihesh, gjithmonë do të jesh i dukshëm për të tjerët. Duke qenë i famshëm nuk mund të vendosësh më asgjë në mënyrë të pavarur, madje as të zgjedhësh një shtëpi. Shqetësimi nuk është vetëm për veten, por për të gjithë familjen. Ndihesh përgjegjës për ta. Gjatë orëve të para pas marrjes së lajmit mendja e Rushdie shkoi menjëherë te Zafar “9 vjeç dhe tetë muaj” dhe që prej atij momenti ai filloi të numëronte çdo minutë që nuk kalonte me të, çdo ditëlindje që nuk festonin bashkë, çdo festë ku nuk ishte i pranishëm. Rushdie shpjegon se sa e vështirë është t’i thuash një fëmije që i ati nuk do të mundet dot kurrë ta çojë në një park lodrash, që nuk do ta shoqërojë më në shkollë. Zafar nuk do ta thotë kurrë më qetësisht dhe me krenari se është djali i Rushdie, pasi të dëgjojë gjërat që thuhen për të atin. Për ta qetësuar ai e siguron se do t’i telefonojë çdo ditë në orën 19:00. Dhe Salman e bën çdo natë. Është i përpiktë. Por një ditë prej ditësh telefoni bie pa pushim dhe askush nuk përgjigjet. Sa më shumë kalojnë minutat aq më shumë shtohet ankthi se mund të ketë ndodhur diçka e keqe. Pas një orë e gjysmë duke i rënë telefonit pa pushim, policia dërgon njerëzit e saj për të kontrolluar: burrat gjejnë portën e shtëpisë të shqyer dhe dritat e ndezur.

Në minutat që kalojnë para syve të tij fillojnë të shfaqen imazhet e të birit dhe të gruas së parë të shtrirë në tokë pa ndjenja, mbi një pellg me gjak. Për fat të mirë është vetëm një keqkuptim i tmerrshëm, një incident, por ato momente terrori shpjegojnë saktësisht se sa të frikësuar janë ata që jetojnë nën kërcënimin e vdekjes: që në pamundësi për të të vrarë ty, ua marrin jetën familjarëve të tu. Ke frikë se mos nuk ke qenë aq sa duhet i kujdesshëm për t’i fshehur ato, aq sa duhet i zoti për t’u dhënë atyre një jetë të sigurt, aq sa duhet përgjegjës për t’i mbajtur larg dhimbjes, larg teje.

Duhet theksuar se ka rojë shoqërues, njerëz krejtësisht të panjohur që nga një moment në tjetrin të bëhen të afërm se askush tjetër. Njerëz vite dritë larg nga jeta e tij e mbushur me libra, të cilët janë aq të kujdesshëm jo vetëm që ta mbrojnë fizikisht, por edhe që ta bëjnë të ndihet mirë. Ndonjëherë ka ndodhur që policët, duke mos qenë strikt ndaj rregullave të protokollit, e kanë çuar atë dhe Zafar të luajnë rekbi, ose të vizitojnë “Luna Park”-un, duke u dhuruar momente qetësie dhe gëzimi, gjë që nuk është normale për personat që jetojnë duke u ruajtur nga roje. Momente që shpreson se një ditë do t’i kesh sërish, por e di se po gënjen veten.

Ditën që u vu nën mbrojtje, Rushdie i tregoi të birit dhe ish-bashkëshortes Klarisa gjithçka që i kishin thënë burrat e sigurisë: “Çdo gjë do të marrë fund pas pak ditësh”. Kështu fillon gjithmonë jeta e një të kërcënuari me vdekje që përfundon nën regjimin e mbrojtjes: “vetëm disa ditë”. Ndërkohë që kanë kaluar vite e vite…

 

Revista dhe libri

“Joseph Anton” është titulli i librit të Rushdie, parashkruar nga “New Yorker”, që do të publikohet me 18 shtator

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>