nga Admin

25 Mars, 2014

Gazetarja Rudina Xhunga promovon librin “Shkrimtarët e shekullit” (31 intervista në bibliotekën e botës), me parathënie nga Kryeministri Edi Rama

libri rama“Aroma e një dashurie të pamundur. Përsëri ka shumë dashuri të pamundura, nuk ka vetëm një, ndonjëherë kanë aromën e kripës së lotëve, ndonjëherë aromën e djersës së grushteve të mbledhura apo edhe aromën e flladit përpara errësirës”. Amoz Oz i përgjigjet kështu pyetjes së gazetares shqiptare, Rudina Xhunga, për aromën e një dashurie të pamundur. Ishte dhjetor i vitit 2008, e ndodheshin në Arad, Izrael. Pasi kishin shëtitur shkretëtirën, tashmë burri që e kishte tërhequr aq shumë përmes librave që i kishte lexuar, po u përgjigjej të gjitha pyetjeve që atë e kishin grishur herët, shumë kohë përpara se të mbërrinte tek ai. Ishte më i shkurtër seç e mendoje dhe më i qeshur se ç’do shpresoje. “Nuk sillet me ty si burri i dhjetëra çmimeve, kandidati i Nobelit, shkrimtari i përkthyer në 30 gjuhë, negociatori i paqes mes Izraelit dhe Palestinës. Është i thjeshtë, i rehatshëm. Me të je njëlloj si në libër”, rrëfen Xhunga. Amoz Oz, shkrimtari që çdo ditë shkel shkretëtirën për të ndjerë forcën e saj, është vetëm një prej 31 shkrimtarëve, që gazetarja Rudina Xhunga i ka intervistuar për emisionin “Shqip” në “Top Channel”.

Amos-Oz-Rudina-Xhunga

Nobelistë, kandidatë për çmimin “Nobel”, por dhe shkrimtarë që kanë ndikuar me librat e tyre në shoqërinë e sotme, kanë folur hapur për Xhungën, si në një libër. Ajo fillimisht ka lexuar librat e tyre, më pas si një lexuese e pasionuar ka dashur të kuptojë të gjitha mesazhet që i gjente mes rreshtash. Një gërshetim i gazetares dhe shkrimtares që është brenda Xhungës, për të njohur dhe depërtuar brenda atyre “qenieve të rralla” në dukje tepër të largët, për të kuptuar të gjitha pse-të. Vetëm pasioni për letrat, do ta bënte atë t’i gjente të gjitha udhët, që do ta çonin në shtëpinë e nobelistes së ndjerë Doris Lessing në Londër, vetëm pak pasi ajo kishte marrë çmimin e madh letrar, në Turqinë e Orhan Pamuk, të takonte Selman Rushdien, Alberto Bevilacqua etj. Të gjitha këto intervista ajo i ka përmbledhur tashmë në një libër nën titullin “Shkrimtarët e shekullit (31 intervista në bibliotekën e botës)”, me parathënie nga Kryeministri Edi Rama, botuar nga “Dudaj”. Libri është promovuar dje, në një atmosferë mes miqve dhe verës, ku ishte i pranishëm dhe Kryeministri Rama. “Secila shumë e ndryshme nga tjetra, por të ndërlidhura shqip, falë një shqiptareje, e cila endet prej kohësh në bibliotekën e botës duke ëndërruar të kapërcejë edhe kufirin e fundit, ku në fund ndalet për t’u kthyer me alibinë e diçkaje të bukur; zëra që vijnë nga larg përmes një harte shenjash e kodesh, nga ato të thesarkërkimeve ku papritur sheh vende që i njeh pa i pasur shkelur kurrë, fytyra që i ke dashur dikur, edhe pse i sheh për herë të parë, apo që i ke njohur e dashur përherë, por papritur i gjen krejt ndryshe, si përtej dritares së hapur drejt botës shqipfolëse nga Robert Elsie, në një intervistë që sjell veçanërisht kënaqësinë e një takimi ku tingulli e tronditja shfaqen bashkë si gur i rënë vrik mbi pasqyrën e ujit, për t’u bërë radhë që përhapen rrotull teje, dhe vështrimi tretet pa ngut duke kapërcyer një e nga një kufijtë që shtyjnë njëri-tjetrin; në rrjedhën e kohës që prej dritares së Selman Rushdie, vjen si hapësirë vetjake ku zënë vend me radhë, të gjitha kuptimet e mbledhura bashkë prej kohësh dhe vendesh të ndryshme dhe kujtesa njehsohet me eksperiencën e fëmijërisë ndërsa shqetësimi vjen nga kufiri i fundit, ai që refuzon së brendshmi të pushojë së qenë para raportit të paracaktuar në lidhje me dikë, disa a të gjithë, rrugës ku ama s’ka hiç fare pendim për kënaqësinë, kohën, shqetësimin, si një tis që lidh dritaret e fjalëve të David Grossman-it, Fabio Volo-s e Roberto Savianos; krenarë secili në dhembjen e brishtësinë e vet, si pikënisja e një jete matanë, pa frikë, thjesht të kthjellët, se “nuk janë lavditë e së shkuarës ato që kanë rëndësi… janë njerëzit…”, shkruan Kryeministri Edi Rama në parathënie. Ky libër është një udhëtim në bibliotekën bashkëkohore të botës, duke marrë prej saj copëza shpirti dhe historish që vijnë si mesazhe në Shqipërinë e së tashmes. Letërsia ka qenë gjithnjë forma më e lartë e komunikimit mes vendeve, shpeshherë e heshtur po aq e fortë në ndikimin e saj. Ndaj personazhet e zgjedhura nga Xhunga, duken si një zgjedhje e zgjuar, për të depërtuar në ato biblioteka ku gjuha e shenjave, flet po aq qartë sa shkrimi. Libri është një manual për të kuptuar botën, atë çfarë ndodh sot, përmes rreshtave më të ndjeshëm të thënë nga protagonistë të rëndësishëm të saj. Këto intervista i ngjasojnë një libri iluminist esesh, ku filozofia ngjan aq elegante dhe kur Alfonso Signorini, thotë se “do të ishte dashuruar marrëzisht pas Callas, nëse do të kishte jetuar në kohën e saj. Nuk do të kishte bërë as televizion dhe as të drejtonte dy revista, por do të kishte rendur pas saj dhe nuk do ta kishte lëshuar më”. Kjo përmbledhje intervistash, është një libër për historinë, letërsinë, dashurinë dhe vetminë, treguar përmes emrave që kanë bërë art, duke mbetur thellësisht njerëzorë…

 

 

Doris Lessing

Lufta. Sapo nisi lufta ne bënim fëmijë, sepse njerëzit bëjnë më shumë fëmijë kur ka luftë. Në fillim të jetës, kur isha 20 vjeçe,  linda fëmijë si të gjithë të tjerat në atë kohë. Tani shoh gratë që përpiqen të kenë fëmijë dhe s’munden

 

Orhan Pamuk

Unë shkruaj me dorë. Madje kam përdorur shumë rrallë dhe makinën e shkrimit. Dita më kalon duke shkruar dhe rregulluar shkrimet. U qëndroj besnik zakoneve të mia për të shkruar, shkruaj ngadalë-ngadalë, si milingonë.

 

Selman Rushdie

S’besoj shumë te fuqia e letërsisë për t’i përmirësuar gjërat. Nuk besoj as që mund të kërkohet nga librat që të kenë atë efekt. Letërsia funksionon në mënyrë më të thellë, në brendësi të mendjes së lexuesit. Nëse lexuesi angazhohet me librin, nis të ketë ndryshime në mendje. Nëse një libër të thith vërtet, je një tjetër njeri kur e mbaron…

 

Roberto Saviano

Mjafton të shohësh shkrimet nëpër mure kundër meje, por është normale. Më quajnë një njeri që ka spekuluar, ka fyer dhe që s’ka bërë kushedi se çfarë. Prandaj, jam mbyllur në burg dhe nga kjo pjesë e shoqërisë civile, mizore dhe cinike.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>