nga Admin

23 Maj, 2008

Përshëndetje miq të librit,

Nëse keni qenë duke pritur të gjeni një kopje të librit të Ben Blushit “Të jetosh në ishull”, tani keni mundësi ta bëni këtë edhe nëpërmjet Shtëpisë së Librit.

Te jetosh ne ishull, Ben BlushiTë jetosh në ishull” është romani i parë i autorit Ben Blushi, i njohur si politikan, ish ministër dhe zëvendësministër në disa dikastere në vitet e fundit, si dhe një gazetar i njohur në fillimet e tij.

Është një nga rastet unike kur një politikan i kthehet letërsisë, ndërkohë që gjatë këtyre 18 vjetëve shoqëria shqiptare ka njohur fenomenin që një pjesë jo e vogël shkrimtarësh e poetësh, njerëz të letrave në përgjithësi lanë penën dhe iu përkushtuan politikës.

Me një rrëfim e stil jo të zakontë në letrat shqipe, veçanërisht pas viteve ’90, autori e ka marrë temën nga Historia e Shqipërisë e shekujve XV-XVIII, por duke e trajtuar artistikisht si rrallëkush e duke sjellë një informacion me frymë analitike nga një pikëvështrim i ri dhe tërësisht sipas gjykimit të tij të ngjarjeve të mëdha të shoqërisë shqiptare të kësaj periudhe. Por, pavarësisht nga linjat e personazhet e shumtë që gërshetohen në libër, tema themelore e romanit do të mbesë procesi i gjatë shoqëror i islamizimit të shqiptarëve nga të krishterë në myslimanë, debatet për të cilin vazhdojnë të jenë në qendër të polemikave edhe në ditët tona dhe i kanë ndarë studiuesit, historianët, analistët, etj. në kampe me pikëpamje të ndryshme.

  • Libri i ben Blushit, “Te jetosh ne ishull” eshte nga te rrallet ne letersine e sotme shqipe dhe ia vlen ta lexosh per mesazhet qe percjelle te lexuesi. Aty eshte pasqyruar ne menyre artistike ecuria e konvertimit te shqiptareve ne myslimane qe ishte nje dukuri masive per te mbijetuar, per te pasur favorizime e perfitime materiale. Kjo gje eshte pasqyruar mire dhe nga autore te huaj,si: Edith Durham te “Brenga e Ballkanit”, George Kastelan te “Historia e Ballkanit” etj. Askund nuk fyhet islami si fe apo njerezit qe perqafuan islamin, perkundrazi pershkruhet artistikisht historia e konvertimeve qe qene me shumice gjate pushtimit osman, cka i sollen vendit tone shume peripeci te cilat po i vuajme edhe sot.Kultura islame te populli yne eshte mish i huaj qe veshtire te ngjizet me kulturen e krishtere evropiane.Vepra pasqyron realitetin po ashtu si shkruante vite me pare Faik Konica ne novelen: ” Doktor Gjilpera zbulon rrenjet e drames se Mamurrasit” apo I.Kadareja te ” VITI I MBRAPSHT” me personazhet Alush Gjati e Doske Mokrari, ku sipas shkrimtarit “… bandat myslimane te Esat Pashes kerkonin kthimin e Turqise dhe vinin verdalle nen zhurmen e daulleve, britmave “Duam Baben”, d.m.th. Sulltanin turk dhe kendonin :” Per xhenet u nisem, sosem ne xhehnem,/ Shqiperi moj kucke, c’na bere verem”. Urime Ben Blushi per bashkohesine e romanit tend me pershkrimet realiste e me personazhet qe te mbesin ne kujtese…

  • Arti pezhishkë i Blushit

    Arti pezhishkë i Blushit

    Pas reagimeve të para që erdhën nga ana e muslimanëve dhe jomyslimanëve për romanin “të jetosh në ishull”, Blushi politikan përgjigjet nga jashtë ishullit të tij si ai “budallai që hodhi gurin në ujë dhe të mençurit nuk e nxjerrin dot”, por kësaj here duke e fshehur dorën e tij ishullare dhe duke shfaqur atë diplomatike. Alibia që ai ngre se librin e tij duhet ta lexojmë artistikisht, nuk është vetëm se një rrjetë merimange apo siç i thonë në dialektin e Korçës një pezhishkë, me të cilën ai do të mbulojë qoshet e errëta të ishullit të tij islamofob. Blushi sikur na thotë se qëllimi i tij kur ai shkroi librin qe: Arti për art!
    Shijoni pra artin dhe figuracionin brilant të këtij libri!
    Blushi e di fort mirë se këto dokrra i ha pak kush, disa naivë mediash apo edhe ndonjë pjesë e popullit të thjeshtë. Sidoqoftë edhe sikur t’ia lejonim vetes këtë sforco, shija artistike nuk do të zgjaste gjatë dhe në fund në kujtesë do të mbetej mesazhi i keq që ai përçon për Islamin dhe muslimanët në këtë libër.
    Cili është arti që Blushi kërkon të shijojmë ne nga ky libër? Mjeshtëria e tij artistike për të fyer, tallur dhe përçudnuar Profetin e Islamit? Paralelizmat e tij perverse, në mes Sali Benishit dhe Profetit? Krahasimet e tij të tërthorta mes Islamit dhe kafshëve? Apo mesazhet e tij të koduara që sajon me lodrat dhe fëmijët e Ibrahimit? Apo mos vallë e ka fjalën për mjeshtërinë e përshkrimit sesi Sara gatuante patëllxhanë, patate dhe peshk…?
    Për çfarë krijimi artistik flet Blushi, kur në romanin e tij ai trajton personazhe historik të cilët i deformon sipas shijeve të tij “artistike”?!
    Pikërisht ky islamofob i thekur, që ka treguar publikisht dhe jo artistikisht, se vjell vrer ndaj shumë gjërave që kanë emrin Islam, nuk mund të ngrejë tymnaja të tilla pas të cilave përvëlon zjarri i urrejtjes ndërfetare.
    Që Blushi gënjen kur deklaron gjëra të tilla këtë e kupton edhe bufi dhe jo më vetë ai, që është tepër i ndërgjegjshëm se nëpërmjet romanit të tij ai u përçon njerëzve mesazhet e tij për Islamin dhe muslimanët.
    Por, mesa duket i biri i skenaristit të filmit “Beni ecën vetë”, besuaka realisht se personazhi i tij kryesor tuhaf e pa identitet, Ibrahimi, u gjendka me shumicë në radhët e muslimanëve shqiptar!
    Jo fort i nderuar Ben, me të vërtetë që yt atë film e paska bërë për ty!

    Vargjet satanike të Rushdisë, tani në versionin shqiptar edhe me romanin “Të jetosh në ishull” të Ben Blushit.

    Autori ka një mllef të papërshkrueshëm ndaj Islamit, ai këtë e ka shprehur disa herë edhe në mënyrë publike, siç ishte rasti kur me të replikoi në parlament ish ministri i jashtëm, Mustafaj, për çështjen e Konferencës Islamike. Këtë urrejtje patologjike që ai ka ndaj Islamit nuk gjen rrugë ta shpreh në një trajtim akademik, por e gjen në rrugën më të përshtatshme, pse jo edhe më të rehatshme për të shfryrë gjithë arsenalin e tij të pështirë të sharjeve dhe ofendimeve. Romani ia jep lehtësisht atij këtë mundësi. Duke vënë në gojën e personazheve të tij ofendimet ndaj Islamit, ai bën një çlirim të brendshëm, të akumuluar prej kohësh, e që nuk ka mundur ta shpreh dot publikisht. Kjo kuptohet edhe nga fjalët që ai i tha Arian Çanit, në emisionin “Zonë e lirë” ku ai u shpreh se: ky kishte një libër që ia kisha borxh vetvetes.

    Autori mesa duket është frymëzuar nga vepra si ajo e Rushdisë, për të vjellë vrer ndaj fesë së bashkëkombësve të tij, kjo mesa duket i është dukur mënyra më komode, më e shpejtë dhe më pak problematike, pse jo edhe më provokative. Ai mund të mbrohet se ai është thjesht një roman, një imagjinatë, por ai e di shumë mirë se mesazhi që ai përçon është mjaft i qartë, dhe i kuptueshëm për shumë kë, paçka se publikisht, tanimë i çliruar nga dufi që mbante në vete prej kohësh, shprehet me hipokrizi se është pro tolerancës dhe bashkëjetesës fetare me myslimanët! Personazhet imagjinar të tij dhe retorikat e tyre antiislame nuk janë gjë tjetër vetëm se gishtat e dorës së tij kriminale me të cilën ai tenton të vrasë bashkëjetesën ndërfetare mes shqiptarëve. Nuk e di sesi mund të kërkosh të të mirëkuptojnë myslimanët shqiptarë kur ti fyen skajshmërisht në mënyrë perverse fenë e tyre?!

    Ishulli është një tokë e izoluar që laget nga të katër anët me det. Por libri ishull i autorit në fakt është një moçal me ujë të ndenjur, i mbushur plot me mushkonja me të cilat do të infektoj detin e kripur që i vjen përreth. Është një kënetë e pështirë që ka vite që tenton të zgjerohet dhe kërkon që me mushkonjat e saj të përhap malarien e antiislamizmit në mesin e shqiptarëve.

    Libri fillon me historinë e një të krishteri që shkon te hoxha për tu bërë musliman dhe ndër të tjera ai në dialog me imamin që i shpjegon Islamin thotë:

    “Unë zgjohem herët në mëngjes, si kafshët që shes dhe shëroj, prandaj, nuk e kam vështirë të falem në oraret që përcakton feja juaj. Njoh shumë të tjerë që do të ishin bërë mysliman në qoftë se do të kishin regjimin e bagëtive.” Fq.8

    Këtu ai barazon Islamin me bagëtinë, gjë që ai e përsërit shpesh herë në romanin e tij të pështirë.

    Autori në gojën e imamit shprehet për Kur’anin me tone negative, se ai është libri i ndalimeve:

    “Këtu tregohet se çfarë duhet të bëjë një mysliman. Dhe po ashtu se çfarë nuk duhet të bëjë. Mos harro se gjërat që nuk duhet të bësh, janë më të rëndësishme se ato që duhet të bësh. Kurani është libri i ndalimit dhe jo i lejimit.” Fq.9

    Autori shprehet për Kur’anin se është shkruar nga Muhamedi, duke i vënë këto fjalë në gojën e imamit:

    “Muhamedi shkroi Kuranin, megjithëse deri 40 vjeç nuk dinte as shkrim, as këndim, njësoj si ti sot.” Fq.9

    Autori në mënyrë të hollë këtu aludon se analfabetizmi qe një nga arsyet që i shtyri një pjesë të shqiptarëve të përqafojnë fenë e një analfabeti…

    Autori ironizon me gojën e imamit edhe me çifutët dhe Musain që kërkoi uljen e namazeve nga 50 në 5 duke thënë: “Kjo në sajë të çifutëve që bëjnë tregti edhe me faljet për Zotin.” Fq 11,

    Autori bën edhe sarkazëm me agjërimin duke thënë në gojën e Ibrahimit: “Po lopët, viçat, delet dhe qengjat e mi ai duhet t’i detyroj të mbajnë ramazan, tha ai pafajsisht.” Fq. 12

    Duke keqinterpretuar zekatin dhe aluduar për parazitizmin ai thotë me gojën e Ibrahimit: “po a nuk do të varfërohem unë një ditë duke i falur vazhdimisht të tjerëve pjesë nga pasuria ime? Atëherë ti do të jetosh duke u ushqyer nga zekati që do të shpërndajnë të tjerët, u përgjigj imami. Ky është Islami.” Fq. 12

    Ky është Islami sipas Blushit!

    Më poshtë duke aluduar për nivelin e ulët logjik të Islamit thotë: “A duhet të përfitojnë zekat të krishterët, këtë dua të them, përfundoi ai kur kuptoi se kishte fituar superioritet logjik që në ditën e parë të abetares islame.” Fq. 13

    Autori deformon besimet islame duke i vënë në gojën e imamit: “Do të quhesh Ibrahim. Ibrahimi nuk ka qenë as i krishterë, as çifut dhe as mysliman.” Fq.14

    Në gojën e imamit ai për profetin Ismail shprehet: “Kurani thotë se Ibrahimi pati një fëmijë me skllaven e tij Hagar dhe ky fëmijë u quajt Ismail, që do të thotë i egër dhe i fortë.” Fq. 14

    Këtu autori perifrazon në fakt Biblën, ku Haxheri bëhet Hagar dhe jo Kuranin. Se kush ishte nëna e Ismailit nuk përmendet në Kuran, ndërsa kuptimi emrit i Ismail nuk është ky që thotë autori, vetë pasazhi biblik që ka huazur autori përmend kuptimin e emrit të tij ashtu siç përmend edhe se si do të jetë Ismaili në të ardhmen, gjë që autori tinëzisht e shndërron në kuptimin e emrit të Ismailit!

    Më pas po në gojën e hoxhës ai thotë:

    “Ismaili u rrit si njeri i egër në mes të rërës dhe urisë.”…. Sot ne myslimanët jemi pasues të kësaj fare.” Fq. 14

    Kjo është përshtypja që ka autori për myslimanët. Që e përsërit edhe në gojën e personazheve të tjerë.

    Autori tallet me emrin Abdullah që hoxha do t’ia vërë si mbiemër Ibrahimit i cili refuzon duke thënë: “Abdullah duket si budalla dhe nuk mund t’ia lë peshqesh këtë tallje fëmijëve të mi.” Fq. 15

    Mbasi kishte pranuar Islamin i sapoquajturi Ibrahim del nga xhamia, dhe tashmë ishte bërë natë, autori thotë: “Kishte dalë nga xhamia. Nata ishte e gjitha përpara tij.” Fq. 15

    Në mënyrë figurative autori kamuflon hyrjen në Islam të këtij njeriu me kohën e muzgut, pra në kohën kur këtij njeriu po i errësohej ndërgjegjja dhe pasi pranon tërë kushtet e Islamit del nga xhamia dhe para tij shfaqet nata, pra vetë errësira e plotë e ndërgjegjes ku ai tashmë kishte hyrë, që për autorin është Islami. Ai zgjedh këtë figuracion që përkon me kohën ngjarjes, për të shprehur pikëpamjen e tij ndaj Islamit.

    Autori e lë pa një emër të mëparshëm njeriun që u bë mysliman dhe u quajt Ibrahim, duke dashur ta lërë edhe atë si njeri pa identitet dhe personalitet të mëparshëm.

    Ibrahimi i thotë së shoqes: “Katandia jonë do të shtohet sepse unë besoj se disiplina e Islamit do t’i sjellë mbarësi kafshëve tona.” Fq. 18

    Edhe njëherë autori barazon Islamin me një regjim kafshësh.

    Në gojën e Ibrahimit autori shprehet: “Islami po afron dhe era që fryn mbi qytet po sjell rërë shkretëtire.” Fq 18

    Injoranca e autorit për agjërimin shprehet kur ai thotë: “duhet të agjëroj më shumë se një muaj në vit,” fq. 20

    Autori e quan Islamin kolerë me gojën e priftit: “Kolera islame ju hyri në shtëpi, i tha burrave të fshatit pa i përshëndetur. Në qoftë se nuk e izoloni do t’ju përpijë të gjithëve një nga një.” Fq. 22

    Përsëri prifti shprehet: “Islami është një kolerë që ka një mijë vjet që përhapet me majën e shpatës. Miliona njerëz në Lindje jetojnë nën këtë epidemi, por duke qenë të gjithë njëlloj të sëmurë nuk kuptojnë se nga se vuajnë dhe as nuk përpiqen ta shërojnë veten.” Fq .23

    Prifti përsëri shprehet: “Qysh nga ajo ditë ujërat e papastra të Islamit derdhen në oqeanin tonë dhe sot ato ndotën dhe fshatin tuaj.” Fq. 23

    Në gojën e priftit autori tregon supremacinë mendore të të krishterëve si dhe egërsinë që myslimanët shfaqin ndaj njeri-tjetrit: “Sot, ata janë më të fortë. Por ju duhet të jeni më të zgjuar. Turqit kanë shpatën, por të krishterët kanë mendjen. Ky ballafaqim mes shpatës dhe mendjes do bëjë që ju të mbeteni shumicë në fshatin tuaj. Duhet ta izoloni Ibrahimin që të gjithë të kuptojnë se në këtë fshat nuk mund të jetosh dot si mysliman. Por edhe në qoftë se të tjerë do t’i bashkohen Islamit, shumë shpejt ata do të kacafyten. Turqit janë si ujqit. Pasi shumohen vrasin njeri-tjetrin. Ju duhet ta ushqeni zjarrin që ata kanë shpirt. Kjo është dredhia që duhet të përdorni.” Fq. 25

    Në fq. 26. tregon historinë e një dervishi, Demir Hani që kishte mbajtur gruan e një bajraktari një muaj në teqe për ta shëruar dhe kishte fjetur me të duke e lënë shtatzënë dhe diku autori thotë: “E ëma dhe babai kishin qëlluar të dy të verdhë, të gjatë dhe me sy blu si gjithë malësorët shqiptarë, ndërsa djali doli i shkurtër dhe pis i zi. Fshati filloi të përqeshte bajraktarin.” Fq.26

    Tendenca raciste këto, të shfaqura edhe në sprovën e Kadaresë, ku i karakterizon shqiptarët si të bardhë. Edhe këtu autori krahas perversitetit të dervishit, njeriut që predikonte Islamin e etiketon atë si njeri me ngjyrë në mënyrë të tërthortë nëpërmjet pjellës së tij të jashtëligjshme.

    Autori vazhdon:

    “Demir Hani i prekte me dorë në vende të ndaluara dhe disa prej tyre i kish fëlliqur.” Fq. 26

    Tjetër etiketim i autorit për myslimanët:

    “Kur njëri prej tyre tha nëpër dhëmbë se kisha po e toleronte Islamin, prifti i tha: biri im, myslimanin po e vrave, të vret; po e le pa bukë, të vjedh; po nuk i fole çmendet. Më mirë një i çmendur se një mysliman.” Fq. 29

    Aludimet se toka nuk u përket atyre që bëhen mysliman: “Babai juaj e kishte përfituar atë tokë si i krishterë. Ju e keni trashëguar si bijtë e një krishteri. Vëllai yt nuk është i krishterë dhe ajo tokë është e jotja, sa kohë që ti nuk je mysliman.” Fq. 30

    Kur filloi Ibrahimi të agjëronte, fjeti i vetëm pranë vatrës dhe nuk shkoi të flinte në shtrat me gruan dhe ajo i tha: “I mjeri ti, i tha gruaja. Ku e gjete këtë fe që të ndalon gjërat që do më shumë në jetë?” fq. 31.

    Kjo është një tjetër shfaqje e injorancës së qëllimshme të autorit për një nga ritet islame, rit që të pengoka nga afrimi me gruan edhe natën!

    Njerëzit e fshatit tallen me Ibrahimin duke i thënë: “Ibrahim, o derr, Muhamedi të pret në ferr.” Fq. 33

    Ibrahimi tashmë i transformuar i flet hoxhës duke i thënë: “Fëmijët e mi janë pa bukë, i tha Ibrahimi dhe i tregoi javën e tij të tmerrshme. Jam gati të vras për të shuar urinë e tyre.” Fq. 34

    Tjetër sharje e fshatit: “Ibrahim, o qafir, do të zhdukim me pahir, mysliman nga taksirati, nuk ka vend për ty fshati, Muhamedi është synet, Ibrahimi është lanet.” Fq. 35

    I biri i Ibrahimit kishte zënë rob një njeri të fshatit që i kishte sharë të atin dhe nuk e lironte nëse fshati nuk hiqte dorë nga bojkoti. Dhe autori thotë: “…dhe ai nuk kishte kohë të arsyetonte nëse pjekuria e të birit ishte fryt i moshës apo i urisë së ditëve të fundit. Pemët piqen duke i ushqyer mendoi, njerëzit piqen nga uria.” Fq. 36

    Pra se uria i çon në vrasje muslimanët, duke i tejkaluar kështu edhe parashikimet e priftit…!

    Ibrahimi pranon taktikën e të birit për të mbajtur peng Mihalin, një prej banorëve të fshatit dhe u vë kusht atyre për jetën e tij që të ndalin bojkotin. Aludime këto për pengmarrjet e të huajve që ndodhin në disa vende islame.

    Në gojën e Ibrahimit autori thotë: “Bashkë me dimrin po vjen Islami, kjo dihet. Për tu mbrojtur nga dimri kam dru. Por për t’u mbrojtur nga Islami pyeta imamin. Pranova kushtet e tij dhe u bëra mysliman. Ibrahimi u habit edhe vetë nga shpjegimi që i kishte bërë Ali Tepelenës. Gjatë ramazanit ai ishte menduar shumë të kuptonte se çfarë e kishte shtyrë të shkonte në Islam. herë pas here mendonte se ditën që ishte bërë mysliman shpirti i tij i rrumbullakët ishte palosur në dysh dhe kishte marrë formën e një gjysmëhëne, që tani varej e paushqyer brenda kafazit të brinjëve të tij.” Fq. 43

    Islami barazohet këtu me dimrin dhe urinë.

    Ali Tepelena e pyet Ibrahimin se a kishte marrë para imami që e kish pranuar të bëhej mysliman dhe Ibrahimi e pyet pse dhe ai i thotë: “Kam dëgjuar se imamët u marrin para shqiptarëve që t’i pranojnë në Islam, ndaj të pyeta.” ?!!! Fq. 43

    Nga faqja 44 deri në fq. 47 Ali Tepelena i shpjegon Ibrahimit bektashizmin si më i favorshëm për shqiptarët.

    Në faqet në vazhdim ndër të tjera tregon edhe prirjet homoseksuale dhe pedofile të Ali Tepelenës…

    Në gojën e Ali Tepelenës autori thotë: “Sikur në këtë fshat të gjithë të bëhen mysliman, atëherë punët do të jenë më zi se sot. Kjo do të ndodhë dikur, por ti nuk do t’ia arrish asaj dite, tha Aliu duke dalë.” Fq. 51

    Autori i parasheh të zezat e sotme te kthimi në Islam që bënë shqiptarët e djeshëm.

    Në gojën e Arianit Komnenit, kryeplaku i pleqësisë së Voskopojës autori thotë: “Islami e mëson njeriun të mendojë se në këtë tokë ai ka ardhur vetëm për të nderuar Allahun dhe për asgjë tjetër dhe prandaj myslimanët nuk punojnë, nuk pikturojnë, vetëm Muhamedi trashëgoi te pasardhësit e tij pushtet dhe pas tij edhe sulltanët e tjerë.” Fq. 55

    Islami këtu barazohet me parazitizmin.

    Në gojën e Arianitit: “Kam gjithë jetën që mendoj atë që thashë: shqiptarët nuk dinë të zgjedhin dhe ç’është më e keqja nuk dinë të mbrojnë atë që zgjedhin dhe akoma më keq ata e tradhtojnë shpejt atë që zgjedhin. Ibrahimi është një shqiptar i vërtetë, por historia më thotë se duke qenë kaq i vërtetë, ai është i padobishëm dhe madje i dëmshëm.” Fq. 56

    Këto janë vlerësimet që ka autori për bashkëkombësit e vet!

    Për disa faqe në vazhdim autori vë në gojën e Arianitit imagjinatën e tij për historinë e Skënderbeut, që për të ishte një intrigant e tradhtar i fesë së të parëve që luftonte për pushtet… deri sa thotë: “Por Skënderbeu ishte edukuar si mysliman dhe unë nuk besoj se atë e ka vrarë ndërgjegjja, por është e vërtetë se në qoftë se do t’ia kishte mbajtur fjalën Arianit Komnenit, ne sot do të jetonim ndryshe.” Fq. 61

    Pra Skënderbeu ishte edhe i pabesë, sepse ai ishte edukuar si mysliman!!!

    Në gojën e Arianitit: “Islami sapo ka ardhur në këto troje dhe dita kur ai të ikë është akoma shumë larg.” Fq. 65.

    Ëndrra e autorit për largimin e Islamit nga trojet shqiptare.

    “por besimi se aleanca e krishterimit mund ta detyronte Islamin të tërhiqej në Azi, aty ku Zoti ka parashikuar territoret e tij, nuk iu venit për asnjë çast.” Fq. 66

    Islami është pra fe që për të nuk ka vend vetëm se në Azi!

    “Kur anija jonë iu afrua portit, mbi të cilin xhamitë e Stambollit ngriheshin si direkë, sytë jeshil të babait u errën. Kam ardhur të ta heq perçen e dashur, pëshpëriti babai me vete, sikur t’i drejtohej një gruaja që e kishte thirrur për ndihmë.” Fq. 67.

    (vazhdon)

    Në faqet në vazhdim autori bën një përshkrim të gjatë të historisë të Arianit Komnenit dhe të të atit të tij dhe përpjekjet e tyre në Stamboll ku në bashkëpunim me serbin Brankoviç, grekë dhe faktorë të tjerë politikë, kërkonin të ngrinin një revoltë të krishtere ballkanike kundra shtetit Osman musliman. Komploti dështoi dhe Arianit Komneni kthehet për në shtëpi pa të atin që i vdiq në Stamboll. Rrugës për në kthim ai kalon nga Italia, nëpër Romë dhe më pas në Milano ku aty sheh një tablo ku paraqitej shën Marku duke predikuar në Aleksandri. Autori këtu fillon të përshkruaj me detaje pikturën e cila:

    “Tregonte predikimin e Shën Markut në Aleksandri… Në pikturë ai është gjysmë i zhveshur me flokë të verdhë dhe me një hundë të gjatë dhe flet i hipur mbi një shkallare në mes të një sheshi të madh. Pas tij ka disa burra të heshtur dhe të veshur me kapela të zeza që duhet të jenë grekë, çifutë ose romakë. Ndërsa përpara tij qëndrojnë arabë me çallma të bardha dhe mjekra të gjata. Arabët diskutojnë me njëri-tjetrin me sa duket për ato që thotë shenjti. Në mes të këtij sheshi të gjerë ngrihet madhërishëm një tempull i rrumbullakët që i ngjan kishave të sotme, ndërsa pas saj është qyteti i ndërtuar nga arabët e i mbushur me minare të larta. Në cep të sheshit një deve mban kokën lart duke parë nga Shën Marku. E gjithë piktura kishte një ngjyrë pjeshkë, por pasi e pashë me kujdes kuptova se e vetmja ngjyrë që i mungon është jeshilja. Sa do të doja ta kishte parë im atë. Me siguri do ta kishte quajtur: Bota siç duhet të jetë. Myslimanët dhe kafshët mësojnë krishterimin.” Fq. 72-73.

    Kuptohet që kjo është një tablo imagjinare ku ngërthen elementë me distancë të madhe historike, një apostulli kristian flokëverdhë, hundëgjatë që nënkupton një perëndimor dhe jo një semit siç ka qenë Marku. Pra autori na parqet predikimin e një krishterimi perëndimor, evropian, duke nënkuptuar së pari kulturën e këtij kontinenti sesa vetë krishterimin dhe ky njeri predikon në Egjiptin musliman e që në arkitekturën e tij ruan në ballë tempujt madhështorë që u ngjajnë kishave dhe pas tij si në kohë, por edhe nga mungesa e madhështisë qëndron urbanistika arabe, me minaret e shumta, pra me asgjë madhështore si ky tempull dhe ky apostull i ardhur nga shekujt që qëndron më lartë se ata që ka përpara mbi një shkallare dhe arabët poshtë tij e që këtu edhe nga diçitura që i vihet në fund barazohen me devenë. Autori i identifikon disa herë në librin e tij muslimanët me kafshët, si me bagëtitë, devenë, ujqërit. Dhe këtë e bën herë në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe herë në mënyrë të tërthortë. Tablosë imagjinare, nuk i mungojnë arabët, myslimanët, xhamitë dhe të gjitha ngjyrat e tjera, por i mungon jeshilja! Përse? Komunizmi identifikohej si e kuqja ndërsa sot Islami identifikohet si rreziku i gjelbër. Kjo duhet të jetë bota sipas autorit, muslimanëve kafshë, që u predikohet krishterimi dhe Islami që nuk duhet të ketë vend as kurrkund në tablonë e botës.

    Më pas autori na përshkruan sesi Arianit Komneni mbërriti në Shkodër dhe vetë ai tregon: “Pas disa javësh në Raguzë, më hipën në një anije, e cila më solli në Shkodër. Atje desh vdiqa nga uria sepse nuk gjeta as punë dhe as strehë për një muaj rresht. Shkodra ishte një vend ku turqit i trajtonin të krishterët si skllevër dhe ku unë pata shumë ftohtë atë dimër. ” fq.74

    Janë fjalë që flasin vetë dhe nuk kanë nevojë për koment, gjithçka që dominohet në atë kohë nga turqit dhe muslimanët në tablonë e autorit paraqitet e errët. Një shirit e zi ky që e përshkruan të gjithë librin.

    Arianit Komneni tregon sesi ai shkoi përsëri në Stamboll dhe pa: “Stambolli ishte një ferr. Kishte shpërthyer një kryengritje jeniçerësh dhe gjithë qyteti ishte në flakë. Jeniçerët që ishin rebeluar kundër vezirit të madh vidhnin, përdhunonin gra dhe masakronin nëpunësit e shtetit. Në krye të tyre ishte Halil Patrona, një shqiptar.” Fq.75

    Shikoni sesi e përshkruan qendrën e kalifatit, kryeqytetin e perandorisë osmane, si një qytet kusarësh ku mbretëronte kaosi dhe nuk sheh asnjë shenjë qytetërimi, por të krijohet përshtypja se ndodhesh në folën e ujqërve ku ata shqyejnë njeri-tjetrin. Fakti që autori vë në krye të kësaj batërdie një shqiptar ndoshta do të ironizoj me faktin që shpesh thuhet për mirë integrimin e shqiptarëve në strukturat drejtuese të perandorisë osmane, autori sikur na thotë që ja për të tillë shqiptarë u dashka që ne të krenohemi!

    Arianiti takohet me kryebanditin: “…më priti në bodrumin e një taverne të madhe nga ku drejtonte gjithë bastisjen e Stambollit që ai e quante revolucion. Çdo minutë atje vinin jeniçerë të zbathur që sillnin ora muri si dhe argjend e bizhuteri grash që i shtrinin mbi tavolina në mënyrë që Halili të mund t’i shijonte.” fq.75

    Këtu autori do të na tregojë seç kanë bërë dhe mund të bëjnë shqiptarët e islamizuar që nën ndikimin e Islamit batërditë i quajnë revolucion. Që ky është faji i islamizimit të këtij njeriu dhe jo nga vetë natyra e shqiptarit kuptohet nga disa rreshta më poshtë ku ai fillon të përshkruaj këtë bandit: “Unë jam nga Vlora, më tha. Kam ardhur i vogël në Stamboll. Patrona që ishte tmerri i Stambollit, kishte dy sy të vegjël, por të ëmbël. Mua m’u duk njerëzor kur po fliste për origjinën e tij dhe e pyeta shqip nëse ishte mysliman apo i krishterë. Unë jam jeniçer, ma ktheu turqisht dhe pastaj më pyeti se pse isha në Stamboll.” Fq.75-76.

    Këtu mund të shohim sesi autori tregon ëmbëlsinë dhe butësinë e origjinës shqiptare. Dhe kush e shndërroi atëherë këtë njeri në bishë të tillë? Përgjigja jepet nga vetë teksti kur Komneni e pyet për fenë menjëherë pasi ai tregon për këtë origjinë kaq paqësore të këtij njeriu, si për të na treguar se kjo fe e bëri këtë njeri të tillë. Dhe ai i përgjigjet se është jeniçer, pra sikur i thotë se jam musliman bektashi, tamam si Ali Tepelena që edhe ai ishte një bandit dhe ishte njëkohësisht bektashi!

    Arianiti duke qëndruar nën shoqërinë e këtij banditi konstaton: “Ato ditë, duke fjetur mbi një tavolinë të vogël prej druri kuptova se sa e kalbur ishte nga brenda karrigia e Islamit turk, këmbët e së cilës megjithatë kishin qindra vite që na shtypnin. Halil Patrona dhe shokët e tij, kur u lodhën duke grabitur dhe vrarë kaluan në kërkesa të forta ndaj Sulltanit, të nxitur edhe nga disa islamistë fanatikë, të cilët kishin qenë gjatë gjithë kohës kundër stilit evropian dhe artistik të qeverisjes që kishte ushtruar Sulltan Ahmeti. Vitet e fundit, Ahmeti III, siç e quanin, i kishte shtuar shpenzimet për zbukurimin e Stambollit dhe kishte nisur madje të vizatonte portretet e sulltanëve në muret e xhamive, gjë që islamistët e konsideronin një blasfemi të rrezikshme.” Fq.76

    Këtu autori na jep sesi pjesë e këtij kaosi ishte Islami dhe islamistët fanatikë përkundrejt sulltanit që kishte qëlluar me shije perëndimore dhe dashamirës ndaj së bukurës, të cilën këta islamistë nuk e honepsnin dot. Fantazia absurde e autorit arrin deri aty sa të sajoj gjëra që nuk kanë bërë ndonjëherë vaki, sulltani që paska pikturuar në muret e xhamisë portrete sulltanësh! Dhe kjo shpifje shikohet nga autori si shenjë e ndikimit të përparuar evropian, të cilës i kundërvihen islamistët.

    Më poshtë përsëri autori flet për origjinën e Halil banditit duke thënë: Një natë, kur nuk e zinte gjumi, më tregoi se familja e tij kishte qenë e krishterë dhe Halilin e vogël e kishin marrë turqit si devshirme, siç kishin bërë me qindra djem që i marrin dhe sot si taksë nga familjet e krishtera. Atij i kujtohej deti i Vlorës dhe thoshte se ai ishte më i pastër se deti që lagte Stambollin.” Fq. 76

    Këtu me detin ai nënkupton origjinën e tij të krishterë ku edhe më parë Islamin e quan si ujëra të pista, siç edhe është përmendur. Pra në momente reflektimi banditi shqiptar e pranonte se origjina e tij e krishterë ishte më e pastër moralisht dhe më e virtytshme sesa deti i Islamit që lagte Stambollin.

    Në faqet në vazhdim Arianit Komneni vazhdon t’i tregojë historinë e tij Ali Tepelenës duke i thënë: “Mirëpo rrugët e tregtisë së Voskopojës, nga Selaniku dhe Rumania filluan të bllokoheshin nga bandat myslimane të Korçës dhe Beratit, të cilat e plaçkitnin herë pas here qytetin, duke grabitur tregtarët dhe karvanët e tyre. Shtypshkronja u bllokua për gjashtë muaj sepse karvanët që sillnin letër nga Rumania u vodhën dhe letra u dogj.” Fq. 78-79.

    Bandat për autorin ngelen gjithmonë me përbërje islame, madje këta njerëz ishin edhe barbarë ndaj dijes, përderisa digjnin edhe letrën që përdorej për shtypshkronjën, por pasi më parë vidhnin karvanin që e shoqëronte dhe mesa duket duke mos ia ditur vlerën dijes letrave i vinin flakën.

    Edhe njëherë autori disa faqe më pas kthehet për herë të tretë në Stamboll dhe duke e përshkruar atë tregon, por tani nën një Sulltan të ri dhe në një kohë pa trazira: “Në Stamboll qeveriste Osmani III, të cilin njerëzit e konsideronin si një Sulltan të ngathët dhe dembel që i kishte kufizuar liritë e të krishterëve, por edhe ato të myslimanëve. Osmani i kishte ndaluar gratë të dilnin në shëtitoret dhe lulishtet e qytetit dhe Stambolli në ato kohë ishte një qytet i zymtë burrash. Po ashtu, me një ferman të veçantë ishte ndaluar pirja dhe tregtimi i verës për të gjithë. Mirëpo pranë portit në Stamboll, aty ku mblidheshin marinarët, tregtarët dhe kontrabandistët, mund të gjejë nën banakë verë sa të doje dhe pronarët e tavernave i blinin me bakshishe të mira kontrollet e rrepta të qeverisë…Aty gjeje verë, femra, duhan dhe mund të takoje tregtarë dhe nëpunës të korruptuar me të cilët mund të zgjidhje çdo hall” fq.80

    Në këto rreshta autori nuk del haptazi për të treguar se ky sulltan ishte më fetar, por kjo nënkuptohet nga ndalimi që i qe bërë tregtisë së verës dhe natyrisht ky sulltan lë të kuptohet se po për shkak të fesë së tij ishte i ngathët, dembel dhe i kishte kufizuar liritë e grave, të krishterëve dhe vetë nënshtetasve të tij musliman. Por njëkohësisht autori tregon shthurjen e njerëzve dhe administratës që gjithsesi jo vetëm që nuk kishte devocion ndaj fesë, por jetonte në një hipokrizi dhe degjeneronte në vese.

    Më pas autori në gojën e Komnenit fillon të tregojë një ngjarje të re sesi ai njihet duke u larguar nga Stambolli me një tregtar grek dhe gruan e tij çifute, në gojën e së cilës ai vë këto fjalë: “Kostandinopoja kishte rënë shumë vjet përpara se të vinin turqit, që kur perandorët e saj kuptuan se krishterimi ishte një farë që nuk mund të hidhte rrënjë në Azi. Ata u dembelosën derisa hoqën dorë, siç bën çdo njeri që provon më kot të mbjellë një qiparis në shkretëtirë. Myslimanët, të cilët nuk kërkojnë diell, por vetëm hije, e mbuluan shkretëtirën me çallmën e tyre dhe një cep i saj kaloi detin dhe mbeti këtu.” Fq.82

    Qiparisi është një pemë e bukur dhe përherë e gjelbër apo e quajtur ndryshe edhe selvi. E pra kjo selvi na qenka krishterimi i cili çuditërisht nuk paska mbirë dot në shkretëtirë sepse atje nuk mbijnë gjërat e bukura dhe të drejta. Fjalia në vazhdim tregon qartë sesi muslimanët për autorin janë njerëzit e hijes, që tokës së tyre të shkretë, nga e cila ata erdhën, i shtuan edhe errësirën e çallmës, pra errësirën e fesë së tyre sipas autorit. Ku një skaj e kësaj fe errësire kapi edhe brigjet e Bosforit.

    Për autorin turqit dhe Azia është aq e keqe sa që edhe afërsia me to i prish njerëzit: “Mitilina ishte një qytet i vogël që shihte nga brigjet aziatike dhe grekët që ishin aty prej kohësh kishin humbur njerëzillëkun dhe ishin bërë mizorë si turqit që i mbanin ata të robëruar.”fq. 84

    (vazhdon)

  • Ky roman ka ngjallur shume debate dhe polemika pasi autori ka shtremberuar keqazi faktet historike, sipas imagjinates se tij, me ose pa qellim ketu vend per diskutim.

  • {"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
    >