nga Admin

8 Maj, 2010

1984, George Orwell

Romani “1984” dhe “Pallati i ëndrrave” janë dy libra të shkruar në kohë të ndryshme dhe vende të ndryshme. Njëri është i shqetësuar për aktualitetin. Tjetri për të ardhmen. Të dy kanë të njëjtin shqetësim. Njëri rrjedh nga eksperienca praktike, tjetri nga frika se çfarë mund të bëjë pushteti për të mbajtur nën kontroll individin. Të dy mund të lexohen në çdo kohë dhe çdo vend dhe gjithsesi kanë kuptim. George Orwell e shkroi romanin e tij 1984, në vitin 1948, pra e vendosi ngjarjen 36 vjet në të ardhmen.
Thuhet se ky ka qenë romani fantastiko-shkencor më i fuqishëm i shekullit të njëzetë, një satirë apokaliptike tregon deri diku me bindje se si personaliteti individual i Uinston Smithit lihet mënjanë dhe se ai rikrijohet nga përpunimi i partisë, deri sa jo vetëm që i bindet Vëllait të Madh, por arrin deri aty sa ta dojë atë. Orwell jetonte në një vend të lirë kur ky roman u publikua. Kritikët e interpretuan romanin dhe fantazinë e autorit me mjetet e psikanalizës. Thanë se romani qe produkt i ndjesive të autorit në rininë e hershme, kur shkonte në shkollë dhe ndjehej i mbikëqyrur nga autoritetet.
Ismail Kadare qe në një situatë krejt të ndryshme. Në vitin 1981, ai publikoi romanin Pallati i Ëndrrave, ku personazhi kryesor qe një çunak që përdori emrin e familjes së vet aristokratike për të bërë karrierë në ministrinë e gjumit dhe të ëndrrave. Kadare jetonte në një vend që i ngjante kryekëput botës së përshkruar nga Orwell në romanin 1984. Autoritetet nuk përdorën interpretimet gajasëse të psikanalizës për të sulmuar këtë vepër por e ndaluan menjëherë qarkullimin e saj. Siç janë ngjashmëritë e shumta, duket se janë edhe dallimet. Për shembull, Pallati i Ëndrrave është vendosur në botën mikroskopike të mesjetës, ndërsa 1984 ka një këndështrim për të gjithë planetin e së ardhmes. Burrokracia në rastin e Orwell është shumë mirë e përcaktuar, e strukturuar nga lartë-poshtë dhe e pathyeshme. Te Kadare, kemi më së shumti një farë kaosi burokratik. Në fund, të dy ia vlejnë të lexohen.

  • Vetëm një saktësim: për herë të parë Kadare e ka botuar ne 1979 me titullin “Nepunesi i Pallatit të Endrrave” te permbledhja “Gjakftohtësia”.

  • {"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
    >