nga Admin

18 Prill, 2013

Konsideratat e kritikës ndaj Migjenit duket se kanë ndryshuar me kalimin e kohës, nga këndvështrimi i periudhës para çlirimit te kritika marksiste-leniniste. Por a është sot Migjeni i anashkaluar në kritikën shqiptare?

ARS POETICA 6

(Një vështrim tjetër i poezisë shqipe)

GAZMEND KRASNIQI

Duket sikur ka bërë vend shqetësimi se sot flitet pak për Migjenin, se ai është mënjanuar nga studimet letrare. Ndoshta theksohet kjo “pak”, si për të thënë se për këtë poet dikur është folur shumë, duke u popullarizuar, gati duke u bërë një simbol i shkrimit të poezisë, saqë për dikë tjetër mund të ngrihet pyetja se mos ndoshta janë thënë aq shumë gjëra, pra nuk ka mbetur gjë për të thënë, apo se mos ndoshta kemi zgjimin e një qëndrimi të caktuar politik, sipas disa pretendimeve nga rrethe të tjera të caktuara.

Mendojmë se ky shqetësim përligjet nga shkrimet e shumta të bëra dikur për të e poezinë e tij, nga futja e vazhdueshme dikur e poezive të tij në tekstet shkollore dhe mënyra e komentimit të tyre – përgjithësisht sociologjik. Kjo është fizionomia më e popullarizuar e këtij poeti. Një anë tjetër e kësaj fizionomie është përdorimi politik dhe ideologjik i kësaj poezie si kundërvënie ndaj një letërsie të etiketuar për disa dekada si reaksionare, kryesisht ndaj emrave si Fishta e Koliqi.

Teksti “Historia e letërsisë shqiptare” (1983) ndoshta e përcakton këtë që thamë, kur shkruan: “Migjeni dhe vepra e tij u bënë objekt i vazhdueshëm studimi. Kritika dhe historiografia letrare borgjeze e vendit, para Çlirimit, dhe e jashtme, në ditët tona u orvatën ta paraqitin shkrimtarin si një “yll krepuskolar”, apo si një ithtar të rrymës borgjeze të “të zhgënjyerve” në prag të Luftës së Dytë Botërore; bile edhe ta nënvleftësonin vlerën e artit të tij. Kritika dhe historiografia jonë letrare, të mbështetura në metodologjinë dhe estetikën marksiste-leniniste, i kanë bërë veprës së Migjenit një vlerësim dialektik dhe i kanë dhënë poetit vendin që i takon në letërsinë shqiptare. Meritat e veprës së tij, tanimë janë çmuar në shkallë botërore”. Ky është një përfundim, por vetë trajtimi te zëri Arti i Migjenit, gjuha, ka nga këto shprehje kyçe: “…krahas paraqitjes së mjerimit të popullit, urrejtjes së grumbulluar te masat, protestës e revoltës së tyre, shkrimtari, në emër të forcave të reja shoqërore, bëri thirrje për përmbysjen e rendit të padrejtë politik, ekonomik e shoqëror”.

Duket qartë se, nën shtysat e pozitivizmit apo të realizmit socialist, asaj krijimtarie i kërkoheshin detyra shumë më të mëdha sesa mund të kërkohen nga një vepër arti. Kështu figura e tij të bëhej e përdorshme për qëllime jashtëletrare, siç kishte ndodhur edhe në esenë e një shkrimtari me shumë ndikim si Kadareja: Migjeni – një uragan i ndërprerë. E përmendim këtë, sepse eseja nuk ishte botim i rastit, por parathënie e botimit të plotë të veprës së Migjenit.

Shqetësimi i mësipërm na tregon që edhe pas kaq dekadash shohim se nuk është konsoliduar, sado përafërsisht, figura e një poeti si ai. Me një vështrim, sado sipërfaqësor, do të shohim se peshorja e studimeve rëndon nga studimi i jashtëm i kësaj poezie, gjë që e ka bërë të luhatshme figurën e këtij poeti dhe na nxit për vështrimin tjetër – atë të brendshëm.

Ka pasur një kohë përpara këtij studimi të jashtëm, kur Migjeni i nënshtrohej një studimi të brendshëm. Atë vit që vdiq Migjeni, kemi punimin e Dhimitër Shuteriqit të ri,       që thotë se ai iu largua metrikës tradicionale, ritmeve dhe rimave të saj, pasi u bë dominante asonanca, e cila nuk qe pranuar më parë. Sipas këtij punimi, Migjeni ia dha asaj vendin e nderit në poezinë e vet, sepse “ajo asht ma delikate në tingull, se nuk ta vret as syrin as veshin, ngaqi asht ma e shpeshtë e ma e larme se rima”. Po si mund të ketë poezi pa ritëm e rimë, ngrihet pyetja. Autori i punimit e ngre pyetjen për t’iu përgjigjur po vetë. “Nji kësij pyetje e bajnë ata qi s’e dallojnë vargun metrik nga poezia. Tue përziem vargonim e poezi, ata harrojnë se ka vargje të përpikët pa farë poezie brenda, e prozë qi asht poezia vetë. Me fjalë të tjera, për Migjenin – si edhe për ne – poezia nuk asht as vargu, as proza, por diçka që shfaqet në to, tue u dalluem prej tyne. Prandaj nuk mund të themi se Migjeni s’asht poet, vetëm se të shprehunit e tij vesh nji rrobe që i përngjan hem vargut, hem prozës, qëndron në mes të të dyjave”. Në vazhdën e këtij trajtimi është edhe Qemal Draçini, kur thotë për Migjenin, “ka të simbolizmit paraqitjet e gjendjeve të brendshme shpirtnore me simbole të jashtme, pasqyrimin e shpirtit n’objekte të natyrës, ka vetë ‘vargun e lirë’ e krijimin e asonancës, tonin fonologjik të vjershës – por mungon në përgjithësi muzikaliteti i përkryem i vargut, stolisja metaforike, paraqitja trashendentale e fytyrimit”.

Këto teza nuk patën zhvillim të mëtejshëm, sepse u përcaktuan edhe nga e ardhmja e atyre që i hodhën. E para i takon një studiuesi që, i prirë për drejtime të reja letrare (kupto: përmbajtësore) kaloi në drejtim tjetër, duke u bërë kodifikuesi i realizmit socialist. E dyta nuk mund të gjente vend te studimet që kërkonin t’i paraqisnin shqetësimet e tij individuale vetëm si sociale. (Përveç të tjerash – një tjetër faktor jashtartistik – autori i kësaj teze vdiq si armik i regjimit.) I brendshëm është edhe gjykimi i Koliqit – edhe pse ka vend për të diskutuar gjatë prej njohësve për raportin migjenian me poetët “e zhgënjyer” serbë – kur shkruan për të: “Lidhet me grupimin e poetëve serbë të quejtun razocarani (të zhgënjyemit). I stolisi poezitë e veta me reminishenca që vijnë nga kjo rrymë. Veç të tjerash, poezia e tij tash asht shprehë me nji shqipe të pasigurtë e jo të njitrajtshme, qi nxjerr në pah mungesën intime të çdo zàmi idiomatik. Ai, i vlersuem nëpërmjet nji kriteri të pastër estetik, mundet me e ruejtë nji vend në letërsinë mikpritëse shqiptare, por jo aq falë poezisë së tij të vrudhshme me sfond social, sa falë do modulacioneve të thjeshta qi t’kujtojnë Corazzini-n….”

Është fjala për këto vargje të Corazzini-t, i cili së bashku me disa shokë të tij, ashtu si dhe Migjeni, qenë goditur nga sëmundja e pashërueshme e kohës – tuberkulozi: Oh, po unë jam, unë jam vërtet i sëmurë!/ E vdes pak nga pak, çdo ditë. Është e qartë se krahasimi duhet bërë me këto vargje të Migjenit: Dalngadalë po shof/ Si jeta një nga një/ Secilën ndjesi/ Me tradhti/ Po ma vulos. Me sa duket, ky mendim i Koliqit plotësohet nga Qemal Draçini, megjithëse ky e ka shprehur këtë ide shumë më herët. Draçini thotë se te vargu i Migjenit “shpesh mbresët, ngashërimet, ndjesit, me një fjalë bota e brendshme shpirtnore shpërthen jashtë me ashpërsin e një shprehjeje së mbledhtë me gjasë të një formyle logjike”. Apo idetë përmblidhen në një frazë si aforizma. Një ilustrim i mendimit të Draçinit do të ishte ky: Na, të birt’ e shekullit të ri,/ me hovin tonë e të ndezun peshë,/ ndër lufta të reja kemi m’u ndeshë/ dhe për fitore kem’ me ra fli. Në fakt, pas kësaj shprehjeje së mbledhtë me gjasë të një formyle logjike, përgjithësisht në segmente të shkëputura të tekstit, kapeshin interpretimet themelore që i bëheshin leximit të Migjenit, duke u realizuar pikërisht ajo që i druhej ky pyet: propagandimi para artit. Ilustrime të tilla mund të gjejmë disa – deri të më të pakapshmet apo banalet – por ky interpretim, sigurisht, binte ndesh me mendimet e shprehura nga autori për këtë problem, kur te letra që i dërgonte redaksisë së revistës “Bota e re”, thoshte: “Mendoj se kryesorja në gjitha artet është artistikja. Sepse, pyet ai: A thua poezia qytetare sociale nuk ka të drejtë në përkryerjen artistike; apo detyra e saj është – të jetë vetëm pllakat?”

Koliqi kishte shqetësime konkrete të historiografisë shqipe kur sillte në vëmendje se “Në përshtypje të parë Majakovskij, Esenin, Pasternak e tjerë shkrimtarë të Kryengritjes së Tetorit duken kryekëput të shkëputun nga vija historike e zhvillimit letrar rus. Por, po të vrehet me vëmendje nënshtresa e veprave të tyne, shihet se ndjekin me trajta e frymë të re (ndoshta jo me art më të lartë) gjurmat e Pushkinit, të Tolstojit e të Dostojevskit”. Kjo bëhet më e qartë kur shikon se, herë drejtpërdrejtë, herë jo, ai kërkon të shpjegojë raportet e tij me Migjenin, për të cilat gjykon se në Tiranën zyrtare po spekulohet, duke ia kundërvënë atij vetë. Sipas tij, Migjeni

“u imitue nga nji varg i dendun shkrimtarësh të rinj, por nuk arriti me krijue nji shkollë pikërisht sepse u shkëput nga tradita letrare vendase”. Draçini e çon më tej këtë ide kur shprehet: “Me Migjenin çelet e mbyllet njiheri nji anë e veçantë e poezis së mendimit shqiptar. E njimend: Migjeni u imitue në trajtë e në formë të vargut, ndoshta edhe n’atë t’ekspresionit, por nuk u ndoq edhe në mendim rryma e tij”. Koha i dha të drejtë vërejtjes për mosarritjen e krijimit të shkollës letrare, megjithëse për shumë kohë ka ekzistuar si iluzion se çështja qëndron ndryshe.

Kjo mënyrë diskutimi për Migjenin merr vlerë të veçantë po të kujtojmë se, për gati pesëdhjetë vjet, duket sikur ndër poetët shqiptarë është parë si shenjë e bashkëkohësisë vargu i lirë, por po ta shohësh me vëmendje, kupton se shpesh kemi të bëjmë me një keqkuptim që lidhet me titullin e librit poetik të Migjenit, i cili, në të vërtetë, nuk ka aluduar për poetikë por për etikë, sepse në vargjet e tij të çlira kemi vetëm gjurmë të atij që duhet ta quanim varg të lirë. Pipa pohon se titulli “Vargjet e lira” lidhet ma pak me metrikën sesa me karakterin e protestës. Për fat, në studimet më serioze kjo është vënë në dukje: “I revoltuar në jetë dhe në art” – në këtë kuptim të dyfishtë duhet marrë titulli i përmbledhjes “Vargjet e lira”. Pipa është i mendimit se në një vend ku poezia shoqërore nuk është gjë e re, poeti i “Vargje të lira” nuk do të dallohej shumë prej grupit të shkrimtarëve të tjerë shoqërorë. Por në Shqipëri është një i vetëm, është një pionier; “Puna e pionierit mund të ketë qenë edhe vetëm nji kushtrim, edhe vetëm nji gjest. Por ky gjest asht fatidik, ky kushtrim ka randsi”. Arshi Pipa pajtohet me idenë se “Hymja e Migjenit në letërsin shqipe shënon nji datë. Kjo hymje asht e vrullshme dhe e then traditën”.

Sipas argumentit të tij, në atë çast historik të poezisë shqipe qe gjë e rrallë për një poet që të mos shfaqej me tetërrokëshin shqiptar, çka do të jetë karakteristikë e shumë poetëve shqiptarë pas tij, prandaj sot e dallojmë me zor këtë cilësi migjeniane. Këtë ia shikon si heterogjenitet kulturor, sepse një poezi që kërkon të jetë antitradicionale, kërkon të lëvizë lirisht. Si jo shqiptare, Pipa ia shikon edhe sensin e fortë të metaforës. Kalimet e dhunshme apo kontrastet e thella janë një gjë e re në poezinë shqipe.

Sipas tij, që të shihet në brendësi përplasja me tradicionalen, vlen të krahasohet me kujdes poetika migjeniane me atë që gjallonte më përpara: kështu do të dallojmë regjistrin e veçantë stilistik të këtij poeti. Vlen të përmendim analizat që i janë bërë figurave gramatikore (inversionit dhe elipsës), figurave të diksionit (sinekdokës dhe krahasimit), apo figurave të tjera (thirrjes retorike dhe hiperbolës), aliteracionit dhe ritmeve origjinale. Vlen të përmendet pohimi i ndonjë stilisticieni se “që me Migjenin në poezinë shqipe ka vend të qëndrueshëm vargëzimi i mbështetur në ritmin e të folurit emocional sipas stilit të gjuhës bisedore, me elemente të rrëfimit lirik dhe nëpërmjet pyetjeve ose dialogut, me shumë krahasime po ashtu të bisedës së gjallë, me përpjesëtimin më të madh të foljeve kundrejt epiteteve poetike etj”; se në këtë mënyrë vargu: Kafshatë që s’kapërdihet asht, or vlla, mjerimi, do të shihet ashtu siç do të niste çdo bisedë, pra me tiparet e ligjërimit bisedor. Por në këtë ligjërim, në fakt, fshihet edhe një metaforë e fortë, e cila flet për një ligjërim bisedor shumë të ngritur, duke bërë të qartë talentin e mirëfilltë të poetit.

Studiuesit vërejnë se Migjeni arrin të krijojë ritme të ndryshme ndër poezi të ndryshme. Ai arrin edhe të ndryshojë ritmin brenda një poezie, si tek “Baladë qytetse”. E përshkruan gruan: …një hije gruaje,/ një kens këso bote,/ një fantom uje… Por kur vjen puna për të folur për vallen e gruas së mjerë nëpër rrugët e qytetit, në mënyrë që sarkazma të dalë më e dukshme dhe therëse, menjëherë e ndryshon ritmin, ndërton vargje me aliteracione, me rima të pasura etj. …vallzonte valle në rrugë të madhe./ Dy hapa para, dy hapa prapa/ me këmbë të zbathun,/ me zemër të plasun…

Migjeni është i pari në poezinë shqipe që përdori rimën apofonike (konsonancën):

…therin qiellin kryeqat dhe minaret e ngurta,

profetent dhe shejtent në fushqeta të shumëngjyrta…

Është i pari, pas Poradecit, që përdori pauzën.

Përsëritja është një element artistik i përdorur me shumë efekt prej këtij poeti.

Na bëhet se nuk gabojmë, shkruan studiuesi Zheji, kur themi se zbulohet diçka e sensibilitetit muzikor të Migjenit dhe, në të njëjtën kohë, diçka që e lidh atë me vargëzimin dhe instrumentalizmin popullor…

Ky studiues përmend raste të shumta të përsëritjeve migjeniane, por le të marrim vetëm njërën prej tyre:

Kangë Perndimi, kangë njeri të dehun nga besimi në vete…

Kangë e tij nji fe tjetër…

Një mjet artistik i përdorur me mjeshtëri prej tij që, padyshim, dëshmon edhe shkollën e Mjedës, është bartja. Ja një epitet që përcillet me bartje:

…me fytyrë të zbehtë dhe me syt

të zez si jeta e saj..

Nga pikëpamja e poetikës është pranuar se ai ka pasur edhe afërsi me ekspresionizmin dhe ekspresionistët. Kanë tipare të shumta ekspresioniste: temat (mjerimi, papunësia, prostitucioni, fatalizmi); personazhet (fëmijët, gratë, murgeshat, mantenutat, studentët, intelektualët kundërshtarë të moralit patriarkal etj.); idetë (kritika e sistemit shoqëror dhe fryma antifetare); vizionet (vizioni i mbinjeriut dhe i botës së re, në njërën anë, por edhe i fundit të botës nën anën tjetër); mjetet shprehëse që përdor ky poet e prozator dhe format letrare që kultivon ai (poezia lirike dhe proza e shkurtër).

Këto që përmendëm, e të tjera si këto, na tregojnë se vërtet Migjeni nuk tregoi ndonjë shkollë të caktuar poetike, por megjithatë futi i pari shumë veçori që e përcaktojnë edhe sot zhvillimin letrar – vetëm një vështrim i vëmendshëm mund të përcaktojë se ato veçori janë kryesisht migjeniane, duke u përvetësuar e tretur me kohë në ligjërimin e poetëve të tjerë, që nga Kadareja apo poetë të tjerë, të rëndësishëm apo të parëndësishëm. Nëse në periudhën e realizmit socialist, apo edhe përtej saj, Migjeni ka ndikuar shumë me atë që Qemal Draçini ia shikon si vërejtje, pra me vargun që vuan nga “formyla logjike”, ky nuk është faji i tij.

Me këtë mënyrë qasjeje, mendojmë se arrijmë në përfundimin që studimi i brendshëm do të na e bënte më të qëndrueshme figurën e Migjenit: një nga “thyerësit” dhe, rrjedhimisht, një nga pohuesit e mëdhenj të traditës poetike shqipe. Megjithëse një nga autorët më të studiuar të letërsisë shqipe, Migjeni kërkon lexime të reja.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>