Ribotohen dy vepra nga Martin Camaj

1
583

Rrathe Martin Camaj (roman)Figura e Martin Camajt si studiues dhe shkrimtar zë një vend të shquar në kulturën kombëtare shqiptare. Ndonëse ai jetoi larg lexuesit të tij natyral dhe i munguan efektet e recepsionit, prapëseprapë letërsia e Camajt e përmban mjaft të gjallë bashkëbisedimin me lexuesin e tij shqiptar. Siç është shprehur edhe vetë, ai ka qenë i dashuruar me gjuhën shqipe dhe i shfrytëzoi në maksimum mundësitë e saj shprehëse.

Mbas botimit të kolanës me veprën e plotë të Martin Camajt, rishtazi botuesi vendosi të risjellë dy prej veprave të tij në formatin e përhershëm. Përzgjedhja e dy veprave është mjaft përfaqësuese për veprën e Camajt i cili vazhdon të mbetet relativisht pak i njohur për lexuesin shqiptar.

Romani “Rrathë” paraqet veprën e parë të madhe në prozë e Martin Camajt, i cili atëbotë ishte bërë i njohur si lirik. Edhe pse më vonë u botuan prej tij vepra të tjera në prozë, romani Rrathë është vepra e tij më e vëllimshme në këtë zhanër letrar. Martin Camaj e publikoi romanin “Rrathë” në vitin 1978 si botim të vetin. Ai punoi rreth pesëmbëdhjetë vjet me këtë tekst, që e konsideronte si veprën e tij kryesore e ku do të përcillte në mënyrë letrare djalërinë e përjetuar në Shqipëri, si edhe ngjarjet revolucionare dhe ndryshmet shoqërore në kohën e komunizmit. Romani përbëhet nga tri pjesë: “Rrathë uji”, “Rrathë zjarri”, “Rrathë gjaku”. Pjesët lidhen me njëra-tjetrën përmes figurave kryesore Bacit dhe veçanërisht Agonit.


Djella, Martin Camaj (foto)Romani tjetër “Djella”
është vepra tjetër e përzgjedhur nga botuesi. Sipas Ernest Koliqit vepra është disi e vështirë të përcaktohet si zhanër kur shkruan te parathënia “Rromanx apo dituer poetik? Çanësimet e veprave vertët origjinale janë përherë të vështira. Autori, pa u kujdesur për gjininë letrare dhe duke lënë mbas dore mësimet e marra në shkollë, e derdh lëndën në një kallup sui generis (të përgjithshëm). Kjo tregon se, i rrëmbyer prej diçkaje të përbrendëshme që dëshiron të shprehë jashtë, kalon sipër modeleve të zakonshme dhe i shtjellon mendimet dhe ndjesitë në trajtën më të dobët dhe të vetëdijëshme. Nuk e lodh mendjen për teknikë tregimtare. Argumenti i vlon në shpirt dhe lirohet prej tij duke përdorur herë prozën dhe herë vargun.”

Mbi të gjitha, duhet të gëzohemi për faktin që Marin Camaj po merr gjithnjë e më shumë vendin e tij në ngrehinën e letrave shqipe.

Sipas Kadaresë, “Tiranitë, krahas nervozizmit dhe stuhive kalimtare, janë përpjekur të krijojnë portat e rreme e të gabuara. Në ngrehinën e përkorë të letrave shqipe, atje ku është duke zënë vendin e vet Martin Camaj, ashtu si në çdo panteon, hyhet vetëm prej një porte, asaj të madhes. E ajo portë, siç e tregon emri, nuk njeh veçse arsyet e mëdha.

Siç është thënë dikur, De Rada i paharrueshëm, në një përshkrim të natës së pashkëve, ka rrëfyer për “engjëjt që e bëjnë veç gostinë e tyre”. Në tryezën e epërme, ku kanë zënë vend krenajat e letërsisë, nuk ngjiten zhurmat e vogla e as afrohen profilet e rëndomta. Atje ka përherë mirëkuptim e harmoni, ndaj e kremtja vazhdon përherë dhe ndriçimi i shandanëve nuk sos. – Ismail Kadare