13 Maj, 2016

Libri mund të shijohet edhe për dije pasi autori vërtetë ka abstraguar por kultura e tij ka futur më së miri edhe kulturën e shkencës mjekësore, që përfaqësonte Xhozef Brojeri, mësuesi real i Frojdit, kurse sa i përket Niçes, ndryshimi është më i madh por kurrsesi, larguar tejet filozofisë së tij. Në faqet e librit ata bëhen pacientë të njëri-tjetrit duke na shpjeguar më së miri ndjenjat, arsyetimet, filozofinë, përballjet e mendimit, filozofisë, gjendjes humane etj.

 

Titulli: Kur qau Niçja Origjinali: When Nietzsche swept Gjinia: Roman Autori: Irvin D. Yalom Shqipëroi: Lira Sejdini Shtëpia botuese: Morava Viti: 2008 Fq. 368 Pesha: 0.453 kg. ISBN: 978-99956-687-2-3
Titulli: Kur qau Niçja
Origjinali: When Nietzsche swept
Gjinia: Roman
Autori: Irvin D. Yalom
Shqipëroi: Lira Sejdini
Shtëpia botuese: Morava
Viti: 2008
Fq. 368
Pesha: 0.453 kg.
ISBN: 978-99956-687-2-3

Kur qau Niçja? Apo si mund ta kthesh shkencën në fikshën!

Të duhet me patjetër të lexosh pak gjëra para se të marrësh romanin “Kur qau Niçja”. Dhe, kjo është e kuptueshme pasi një i panjohur me diturinë e përgjithshme do të mbytet nga fama e pak emrave të përveçëm në libër dhe nga dilema e madhe: Çfarë është autentike dhe çfarë e trilluar?! E nëse do të dish se autori Irvin D. Yalom është edhe vetë i fushës psikoanaliste, atëherë mëdyshja do bëhet më e madhe.
Romani, që është marrë përsipër nga shtëpia botuese “Morava”, na ka falur një nga krijimet më interesante të pas viteve ’90, që përbën ushqim të mirë artistik, por që shërben edhe për edukimin e ndjenjave dhe sidomos futjen tej zgafellave të mendjes. Mu aty dy personazhet kryesore të veprës, filozofi i madh Niçe dhe doktori, ku ai konfesion Brojer, kanë dinamikën e tyre për fabulën e veprës. Veç fjalëve të filozofit të madh është përballja e personazhit tjetër kryesor psikoteraupetit Brojer, gjithashtu një nga doktorët më të mirë të kohës së tij, që gjendet në një krizë sa i përket metodikës së përdorur deri më atëherë në kohë për të trajtuar sëmundjet e psikës.
Fabula është asfare e vështirë dhe del me anën e kompozicionit të thjeshtë, që është pothuaj lineare. Ngrehina e tij ngrihet ashtu si edhe zhgënjimi i doktorit ngadalë, pas humbjes së kontaktit me një personazh, që atë e ka drejtuar në ide të reja sa i përket mjekimeve, dhe vazhdon me njohjen me një personazh tjetër, po kaq simpatik, që i kërkon të mjekojë Niçen. Dialogu mes tyre dhe ndërthurja jo e komplikuar e seancave të dyve përfshin të gjithë gjellen e librit, që mbaron disi patetike prej dialogëve të vështirë të dy personazheve. Në fakt, takimi i tyre asnjëherë nuk ka ndodhur, porse zhvillimi që i ka bërë autori të jep të kuptosh shumë nga zhvillimet e kohës dhe mbi të gjitha nga një kulturë parake që përfshin psikën në kohët moderne dhe mjedisin ku u gatua vëzhgimi mbi psikoanalizën.
Libri mund të shijohet edhe për dije pasi autori vërtetë ka abstraguar por kultura e tij ka futur më së miri edhe kulturën e shkencës mjekësore, që përfaqësonte Xhozef Brojeri, mësuesi real i Frojdit, kurse sa i përket Niçes, ndryshimi është më i madh por kurrsesi, larguar tejet filozofisë së tij. Në faqet e librit ata bëhen pacientë të njëri-tjetrit duke na shpjeguar më së miri ndjenjat, arsyetimet, filozofinë, përballjet e mendimit, filozofisë, gjendjes humane etj.
Si profesionist i fushës, Yalom, autori i shndërruar në shkrimtar, përshkruan edhe rrugën ku lind psikoanaliza përmes dialogëve interesantë të Brojerit me nxënësin e tij Frojdin, ku ata konsultojnë të gjithë procedurën, që u duhet të përgatisin me Niçen. Është shumë e vështirë, por edhe nga ana tjetër e paarritshme që të dy t’i afrohen me punën e tyre njerëzve të zakonshëm…
“Por është hipokrizia e të shkuarës, që ai mund ta shohë si tradhti. Megjithatë, unë nuk mund ta zhbëj atë. Do të uroja, që të kisha mundësi ta pastroja veten krejtësisht dhe të ndaja gjithçka me të: takimin me zonjushën Salome, komplotin nëpërmjet miqve të tij që ai të vinte në Vjenë, dhe, mbi të gjitha, shtirjen time, që jam unë pacienti dhe jo ai”, shprehet Brojer.

Titulli: Problemi Spinoza Origjinali: The Spinoza Problem Gjinia: Roman Autori: Irvin D. Yalom Shqipëroi: Agim Doksani Shtëpia botuese: Morava Viti: 2012 Fq. 395 Pesha: 0.426 kg. ISBN: 978-9928-120-90-8
Titulli: Problemi Spinoza
Origjinali: The Spinoza Problem
Gjinia: Roman
Autori: Irvin D. Yalom
Shqipëroi: Agim Doksani
Shtëpia botuese: Morava
Viti: 2012
Fq. 395
Pesha: 0.426 kg.
ISBN: 978-9928-120-90-8

Dialogu fikshën i të dy personazheve është një mrekulli realizmi për pastërtinë e ndërtimit të frazave dhe thjeshtësinë. Dyshoj se përkthyesja ka të ngjarë që t’ia ketë ulur pak dramaticitetin me një shqipërim tej normales, por nuk mund ta shtyjmë më tej përshkrimin tonë, kur nuk kemi argumente dhe nuk njohim origjinalin. Dialogu e kthen doktorin në pacient të filozofit, duke na parashtruar se mbretëresha e dijeve mbetet filozofia. “ Si t’i përshkruaj sa më mirë mendimet e mia? Unë mendoj gjëra të errëta, të frikshme. Shpesh ndiej sikur jeta e ka kapur majën…Jam ngjitur në majë dhe kur hedh sytë poshtë për të parë se çfarë shtrihet përpara shoh vetëm përkeqësim, plakje, të bërit gjysh, flokë të bardha, ose në të vërtetë….Nuk është zbritja ajo që më shqetëson, por mungesa e ngjitjes…”.
Dhe përgjigja e Niçes është me një pyetje: Përse ju nuk mund të vazhdoni të ngjiteni?
Individi në fakt nuk i zgjedh vetë qëllimet e tij në jetë në mënyrë të vetëdijshme, ato janë një rastësi e historisë dhe këtë personazhet tona na e thonë në shtjellime të tjera. “Të mos zotërosh planin tënd të jetës do të thotë që ta lësh ekzistencën tënde të jetë një rastësi”, i thotë Niçe.
Libri edhe sikur kompozicioni të ishte më i ngatërruar mbetet i mrekullueshëm për dialogët dhe mënyrën sesi na e përcjell filozofinë dhe njohuritë e kohës përmes dialogut. Në mënyrë simbolike, doktori, që përfaqëson njeriun e kohës kthehet në pacient të filozofisë së Niçes.
I ngjan pak një krijimi edhe postlibri ose pasthënia. Kur e mbaron librin, autori merr vesh në një letër që zbulohet vite më vonë se vërtetë Brojeri me Niçen nuk janë takuar asnjëherë, por ekzistonte një përpjekje e kohës prej disa intelektualëve për ta përcjellë filozofin te doktori më i njohur i kohës për psikën, që t’i nënshtrohej realisht metodikave të tij…Ashtu si dy personazhet femra jo vetëm janë të vërteta por janë edhe shumë vitale në përfytyrimet që krijojnë dhe në sqarime të shumta, mbi të cilat u ngritën dhe teori. Të gjithë elementët që e bënë dialogun e romanit tejet interesant dhe ku një njeri mund të përfitojë edhe sikur nuk do ta lexojë librin të tërë, por thjesht diku për t’u mrekulluar me mëndjen humane, ndaj “Kur qau Niçja” është ekranizuar dhe vendosur në skenë me sukses. Ai ia vlen të lexohet, kurse “Moravës” i takon një falënderim i veçantë për zgjedhjen e mençur dhe sjelljen në shqip…

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>