nga Admin

10 Nëntor, 2012

Mirela Sula

Ka dalë rishtazi në treg libri më i fundit i psikologes dhe shkrimtares tashmë të mirënjohur, Mirela Sula – “Mos e lër mendjen të ikë”

Komentet për librin flasin vetë

Mirela Sula“Libri i Mirela Sulës, nga ata që kam lexuar së fundmi, është nga më të mirët dhe të dobishmit për të gjithë njerëzit sot, që dëshirojnë të kuptojnë fiksimet e tyre neurotike nga të cilat vuajnë pa fund dhe i prishin punë vetes dhe familjeve të tyre. Vetja është vlera më e madhe e njeriut, por armiku më i madh i vetes mund të bëhet po vetja. Vetja, e pakuptuar dhe e keqpërdorur nga vetja, të hedh në trishtim, të sëmurë fizikisht, të pengon në jetë, të divorcon, mund të të bëjë keq, dhe të shkatërron përfundimisht. Autorja na tregon se si mund ta shmangim këtë duke e ruajtur veten nga vetja. Do të thosha shkurt se është një libër aq i dobishëm sa edhe recetat e një gatimi të mirë për një amvisë që do të gatuajë.” – Prof. Dr. Artan Fuga, anëtar i Akademisë së Shkencave

“Autorja në këtë libër ilustron përmes një pikture të shkëlqyer çështjet psikologjike që ne ndeshim në jetën tonë të përditshme. Ajo e arrin këtë duke përdorur histori nga realiteti shqiptar dhe ngjarje nga jeta e saj personale, duke sjellë në dritë shoqërinë e të shkuarës, frikën e të ardhmes dhe rrjedhimisht edhe shqetësimin që ne kemi shpesh për të tashmen e gjendjes sonë mendore. Sokrati, filozofi i njohur grek, një herë ka thënë: “Jo jeta, por jeta e mirë është ajo që duhet vlerësuar”. Ky është mesazhi që unë kuptova nga ky libër.” – Sebi Fishta, psikolog, USA

“Përmes këtij libri, Mirela Sula ka treguar se uria më e madhe e qenies njerëzore nuk është për para, tituj, seks etj, por është aktivizimi i dimensioneve që potencialisht ekzistojnë në brendinë tonë për të jetuar në plotësi. Autorja nuk bën ndryshime, por kalon mbi ndryshimet, gjegjësisht bën transformime radikale për të gjetur kuptimin e jetës në të gjitha fazat e saj. Mirela Sula me këtë libër na mëson se, nëse ekziston një pse, atëherë ekziston edhe një si.” – Hetem Ramadani, bashkautor i librit “Për meditim, sukses dhe shëndet”

“Ky libër është si trëndafilet e nuses që e lumtur ua hedh pas shoqeve, që edhe ato të kenë po aq fat! Është ndihmë për të gjithë ata që mendojnë se janë në honet e humbjes së vetes dhe harresës nga jeta! Që tani kam piketuar njerëz në udhëkryq, të cilëve do t’ua rekomandoj këtë libër!” – Prof. Dr. Milika Dhamo, psikologe dhe profesoreshë në UT

Mos e ler mendjen te ike, Mirela Sula

“Duke reflektuar në ndjesitë e thella dhe trazuese si dhe në kurajën e ndërmarrë të Mirela Sulës në përgatitjen e librit të ri të saj, u ndjeva “xheloze” që ajo ka mundur ta realizojë këtë në mënyrë kaq tërheqëse dhe efektive… Unë vetë do t’i rikthehem disa herë këtij libri që ta lexoj sërish, ndonjëherë ndoshta vetëm kapitullin që do të kem nevojë në një ditë të veçantë.” – Dr. Iris Çarçani, psikiatre e fëmijëve dhe adoleshentëve, Londër

“Ishte kënaqësi të lexoja këtë libër, që për mua është një tjetër histori për të njohur më mirë pushtetin e mendjes! Duke lexuar këtë libër të ngjallet admirim për forcën, durimin, optimizmin, inteligjencën dhe aftësitë organizative që shfaq Mirela Sula, e cila me mirësi mbulon të gjitha vlerat e saj. Është zotësi të arrish vetëzbulimin në këtë mënyrë. Shpresoj që ky vetëzbulim ta ndihmojë lexuesin për të besuar te fuqia e mendjes.” – Autrela Pano, psikologe, USA

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>