nga Admin

21 Tetor, 2010

Martin Camaj vepra e plote

Martin Camaj vepra e ploteKëtë javë, në Tiranë, u promovua në praninë e shumë miqve e dashamirësve të letërsisë së Martin Camajt, kolana e plotë e veprave të tij. Në një ceremoni të shkurtër, vepra e të mohuarit u kthye në atdhe e plotë. Në ceremoni, morën pjesë e shoqja Erika Camaj, Bardhyl Demiraj, njeriu që është marrë gjerësisht dhe ka punuar për këtë vepër, botuesi i “Onufrit”, Bujar Hudhri dhe njerëz të artit e të letërsisë si Shaban Sinani, Mark Marku, Dhurata Shehri, Floresha Dado, Maks Velo, Rikard Ljarja, etj. Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Hudhri tha se “kemi kënaqësinë që të botojmë veprën e plotë të një prej shkrimtarëve të rëndësishëm shqiptarë”.

Fakti që Camaj mbetet ende sot disi “i papranuar”, sipas tij ka të bëjë me faktin që kur pas viteve ’90, vepra e tij erdhi në Shqipëri, shqiptarët emigruan. Në kopertinë është figura e Camajt sipas një vizatimi të Ibrahim Kodrës dhe një pikturë e tij nga Gjelosh Gjoka. Më tej fjalën e mori, Matteo Mandola i cili pasi vlerësoi punën e shkrimtarit vuri në dukje faktin se ai u afirmua në kohë të vështira, por më te letërsia shqipe do të ketë suksese të mëtejshme. Bardhyl Demiraj, prej disa vitesh titullar i degës së albanologjisë pranë Universitetit të Mynihut, themeluar prej Camajt u shpreh se ai është shkrimtari më i spikatur i mërgatës. Vetë Erika Camaj, u tregua fjalëpakë dhe pasi falenderoi ata që bashkëpunuan për ta sjellë të plotë këtë vepër, vlerësoi së tepërmi Demirajn, për punën kolosale që ka bërë. “Të dashur miq, vepra vjen aty ku ka vendin”, – tha ajo.


Kolana

Në kolanën 10 vëllimshe përfshihet vepra që është botuar në gjallje të autorit, mes të cilave novelat e njohura “Djella“, “Rrathë“, “Karpa“, “Shkundullima“, proza poetike “Dranja“, apo vëllime poetike, që ai vetë ka dhënë dorën e fundit, për të vijuar me ato që janë botuar pas vdekjes.

Në dy vëllimet e fundit përfshihen vepra, të cilat vetë autori i ka lënë mënjanë, duke i konsideruar si më me pak vlerë. Ato i përkasin fillimeve të karrierës së tij dhe duket se nuk plotësonin kërkesat që shkrimtari në kulmin e karrierës, kishte ndaj vetes. Por, gjithsesi nga ana e përgatitësve të veprës së plotë, është parë e udhës, që në këtë kolanë të përfshihet e gjithë krijimtaria, pavarësisht nivelit të saj, me qëllim që lexuesi të krijojë një ide të plotë mbi evoluimin e veprës së Camajt.

Mes veprave të botuara përfshihen edhe disa vëllime të para poetike, disa tregime të botuar në revistën “Shejzat”, mbi të cilat lexuesi ka pak ose aspak informacion. Janë gjithashtu edhe dy drama, njëra është botuar pas vdekjes, si dhe disa variante poezish të shkurtra, të cilat kanë parë dikur edhe dritën e botimit dhe në këtë kolanë, ofrohen më të kompletuara. Vëllimi i dhjetë, por që nuk mund të konsiderohet si i fundit për nga rëndësia, na ofron një tjetër dimension të ri. Përmes arkivit të tij letrar, ai na zbulohet si kritik letrar. Përmes tyre mund të mësojmë mbi mendimet e Camajt për zhvillimin e poezisë, prozës, apo letërsisë shqipe në përgjithësi. Gjithashtu, ai ofron edhe një doracak për shkrimtarët e rinj, apo edhe për lexuesin kërkues sesi punohet me stilin, vargun apo metrikën.

Shënim: Veprën e plotë me 10 vëllime të Martin Camaj mund ta gjeni pranë Librarisë tonë Shtëpia e Librit në Tiranë. Për çdo pyetje ju ftojmë të na kontaktoni.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>