nga Admin

22 Qershor, 2016

Shkelqim Cela

Shkelqim CelaShkëlqim Çela, autori fitues i çmimit “Kadare”, dhënë vetëm dy javë më parë nga Fondacioni Mapo, ka udhëtuar nga SHBA ku jeton drejt Tiranës, për të promovuar dje librin “Embriologji”, me të cilin u vlerësua me çmimin e madh. Libri me tre novela që sipas autorit janë një letërsi retrospektivë, ku shkohet pas në kohë, ashtu si titulli që mbartin, u promovua në prani të personazheve të njohur të kulturës në hollin e Universitetit Europian të Tiranës. Drejtori i Media Mapo, gazetari Alfred Lela, tha se Fondacioni Mapo po synon të ngrejë një traditë të së ardhmes me këtë çmim me vlerë 10 mijë euro, duke e bërë atë një nga çmimet më të rëndësishme letrare në vend. Nismëtari dhe donatori i këtij çmimi, Henri Çili, u shpreh se çmimi vjen si pjesë e një iniciative letrare më të madhe që media Mapo ka ndërmarrë me mbështetjen e Universitetit Europian të Tiranës, siç është suplementi Mapo Letrare te gazeta Mapo, ngritja e rrjetit të kritikës për letërsinë shqipe dhe hapja e degës së letërsisë. Shkrimtarja Diana Çuli, që ishte dhe anëtare e jurisë, i dorëzoi trofeun shkrimtarit Shkëlqim Çela, duke vlerësuar veprën e tij, u shpreh se ajo tregon momentet e zhvillimit të letërsisë shqipe. Vetë autori vlerësoi çmimin si një kontribut që bëhet për promovimin e autorit shqiptar dhe prozës shqipe, duke e cilësuar “si një mungesë që duhet plotësuar”. Ai tha se ky çmim është një kontribut që bëhet për librin në letër përballë “rrezikut” dixhital. 33 autorë konkurruan në edicionin e dytë të çmimit “Kadare”, nga të cilët u kualifikuan 11 autorë, dhe në short listën e fundit ishin 7 autorë; Ada Çapi me “morPhina”, Arb Elo me “Ursa Major”, Bardhyl Londo me “Qyteti i pandehmave”, Grigor Banushi me “Simfonia e pambaruar”, Mustafa Nano me “Selam aleikum, baba”, Pranvera Bekteshi me “Ora me rërë” dhe Shkëlqim Çela me “Embriologji”. Juria ishte e përbërë nga shkrimtarë dhe kritikë; Diana Çuli, Ylljet Aliçka, Rudolf Marku, Preç Zogaj, Agim Baçi, Gilman Bakalli dhe Alfred Lela. Në votimin final për fituesin, juria u nda 4 me 3 ndërmjet Vera Bekteshit dhe Shkëlqim Çelës. Juria e zgjodhi “Embriologjinë” e Çelës si prozën më të mirë me motivacionin: “Për një tekst që ndërthur letërsinë e kujtesës nëpërmjet groteskut dhe autoironisë, me një individualitet që iu garanton këtyre tri novelave dhe autorit, një hyrje në letrat shqipe”. Çmimi “Kadare” me vlerë 10 mijë euro akordohet nga Fondacioni Mapo me mbështetjen e Universitetit Europian të Tiranës. Fituesi u shpall gjatë Ditëve Letrare të Razmës që u mbajtën në fund të muajit maj në Razëm. Ky çmim u themelua në vitin 2015 dhe fituesi i parë ishte autori Rudolf Marku me romanin “Ri divorcet e Viktor N.” Shkëlqim Çela, jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe profesioni i tij është shumë larg letërsisë. Ai punon si staticien, ndërsa shkruan poezi dhe prozë prej vitesh, por për herë të parë emri i tij u bë kaq i njohur, pasi fitoi një nga çmimet më prestigjioze të letërsisë shqipe. Autori tërhoqi vëmendjen e jurisë që vitin që shkoi me një përmbledhje me proza të shkurtra për të arritur një vit më pas që të tërheqë dhe votat e tyre që e nxorën fitues.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>