13 Korrik, 2019

CHARLES CARROLL

Sipas Charles Carroll-it nga Saint Louis-i, autor i librit Zezaku është bishë (The Negro a Beast, 1900) dhe Kush e tundoi Evën? (The Tempter of Eve, 1902), zezaku u krijua nga Zoti së bashku me kafshët, me të vetmin qëllim që Adami dhe pasardhësit e tij të mos ngelnin pa kamerierë, pjatalarës, lustraxhinj, halepastrues dhe furnitorë këso shërbimesh në Kopshtin e Edenit. Si sisorët e tjerë, edhe zezaku zotëron një si punë mendjeje, diçka midis qenit dhe majmunit, ama shpirti i mungon krejt.

Gjarpëri që tundoi Evën ishte në të vërtetë shërbëtorja afrikane e çiftit të parë njerëzor. Kaini, i shtrënguar nga i ati dhe rrethanat që të martohej me të motrën, iu shmang incestit dhe parapëlqeu të martohej me njërën nga këto majmune a shërbyese lëkurëzeshkëta. Nga kjo martesë hibride zunë fill racat e ndryshme përmbi tokë; raca e bardhë, nga ana e vet, rrjedh nga një tjetër bir i Adamit, më serioz ky.

Ndodhi, pra, që tërë pasardhësit e Kainit të jenë si majmunëria parake, pa shpirt. Kur e ëma është zezake, burri nuk mundet dot t’u kalojë bijve e bijave as edhe një fije shpirti hyjnor. Prandaj atë e kanë vetëm të bardhët. Nganjëherë bën vaki që aksh mulat të nxërë shkrim e këndim, por fakti i thjeshtë që Aleksandër Dymai zotëronte një farë inteligjence nuk do të thotë që zotëronte edhe shpirt.

*******************************************************************************************************************************************

ALFRED ATTENDU

Në Haut-les-Aigues, një kënd i Jurës pranë kufirit zviceran, doktor Alfred Attendu drejtonte Sanatoriumin e tij panoramik të Riedukimit, më mirë të themi azilin e budallenjve. Vitet 1940-1944 ishin vitet e tij të arta; në atë periudhë kreu i pashqetësuar hulumtimet, eksperimentet dhe vëzhgimet që i përmblodhi pastaj në tekstin e tij, që ngelet ende një klasik mbi këtë temë, Bezdia e inteligjencës (L’embêtement de l’intelligence, Bésançon, 1945).

I izoluar, i harruar, i vetëmjaftueshëm, i furnizuar bollshëm me njerëz për riedukim, i mbrojtur në mënyrë misterioze ndaj çfarëdolloj ndërhyrjeje teutone, ndoshta falë gjendjes së mjerë të të vetmes rrugë që shpinte tek ai, bërë shoshë nga një ngatërresë në bombardim (gjermanët kujtuan se rruga çonte në Zvicër, për shkak të një tabele me një shigjetë ku qe shkruar “Strehë për Debilët”); me pak fjalë, mbret në mbretërinë e tij të vogël plot me budallenj, Attendu-i i lejoi vetes në gjithë ata vjet të mos merrte parasysh atë që gazetat quanin në mënyrë pompoze rrokullima e një bote, por që në të vërtetë, parë nga lartësitë e Historisë, a gjithsesi nga ato të Jurës, nuk qe pos se një ndryshim i dyfishtë policish me ndonjë incident ashtu si kalimthi.

Që nga titulli i librit të Attendu-së, buthton, pra, teza e tij që në çdo funksion apo veprimtari jo të nevojshme për jetën vegjetative, truri është burim bezdie. Për shekuj, opinioni i përgjithshëm e quante idiotizmin e njeriut shenjë zvetënimi; Attendu-i e përmbys këtë paragjykimin shekullor dhe pohon që idioti nuk është tjetër veç prototipi parak njerëzor, variant i zvetënuar i të cilit jemi vetë ne dhe, si të tillë, të prirur kah çrregullimet, pasionet dhe ndërkryerjet kundër natyrës, që kretinit të vërtetë, të kulluarit (lum ai) i kursehen.

Në librin e tij, psikiatri frëng përshkruan dhe propozon një Eden zanafillor të populluar me imbecilë: përtacë, të ngathët, syderra, mollëzazbehtë, buzëmëdhenj, gjuhëjashtë, zëtrashë dhe të ngjirur, dëgjim të ulët, seks të papërfillshëm. Me një shprehje klasike, i quan les enfants du bon Dieu. Pasardhësit e tyre, të quajtur, pa vend, njerëz, priren gjithnjë e më fort t’i largohen modelit platonik apo imbecilit primitiv, të shtyrë kah honet marrakote të gjuhës, moralit, punës, artit. Herë e tek, ndonjë nënë fatlume ka nderin të lindë idiot, shëmbëlltyrë nostalgjike e krijimit të parë, në fytyrën e të cilit pasqyrohet rishtazi Zoti. Këto qenie të qashtërta janë dëshmia e heshtur e zvetënimit tonë; vërtiten mes nesh si shëmbëlltyra të mendjetrashësisë primitive hyjnore. Njerëzit, ama, turpërohen dhe i ngujojnë për t’i harruar; të urtë, engjëjt pa mëkat jetojnë jetë të shkurtra, por me një ngazëllim të përhershëm, të pafre, duke mbllaçitur dhé, duke u masturbuar vazhdimisht, duke u llapashitur në baltë, ose kruspull në koliben miqësore të qenit, duke kallur hutueshëm gishtërinjtë në zjarr, të pambrojtur, sipëranë, të paprekshëm.

Çdo lëvizje që rreket t’i fusë debilët, të lindur ose të bërë të tillë nga traumat, në gjirin e shoqërisë civile, bazohet në hamendjen – sigurisht të rreme – që ne jemi të zhvilluarit, ata të zvetënuarit. Attendu-i e përmbys këtë hamendje, vendos pra që të zvetënuarit jemi ne, ata modeli, dhe i jep jetë kësisoj një lëvizjeje të përkundërt, mbetur sot e gjithë ditën për arsye të mirëditura pa të tjerë ndjekës, pos bashkëpunimit të lashtë por të heshtur të autoriteteve më të larta, jo vetëm psikiatrike, të prirura të theksojnë tek imbecilët atë çka i bën ata tamam imbecilë.

Arsyet nuk i mungonin. Nga lartësitë e Haut-les-Aigues kishte parë – në mënyrë metaforike, se as shqiponjë qe e as teleskop kishte – ushtritë e njërës apo tjetrës palë të vejevinin si në një film komik, duke shtyrë kangjella të shtrira gjerë e gjatë ajri të pandijshëm, duke shtënë praptazi, duke ikur drejt fitores, duke ndërtuar për të shkatërruar, duke shqyer flamuj çmimlirë me vlerën e jetës. Tollovitë e tyre të dala mendsh as që i qaseshin gjykimit njerëzor.

Dhe tek hidhte, ama, sytë nga ana tjetër, brenda cakut të kopshtit të tij të çelët, shihte mes bredhash torollakët e vet, njëzetvjeçarë edhe ata e plot jetë, duke lozur lojëra të pareshtura trillimi, për shembull, si ta bësh copa-copa topin me dhëmbë, si ta rrëmosh hundën me gishtin e madh të këmbës së shokut, si të kapësh peshq në moçal, si t’i hapësh të gjitha rubinetet për të parë ç’ndodh, si të gërmosh një gropë për t’u ulur brenda, si t’i bësh fije-fije çarçafët e nderur dhe pastaj të vraposh rreth e rrotull duke tundur lëveret, ndërkohë që më të shtruarit, filozofikisht, mbushnin kërthizën me pleh ose, përsiatës, shkulnin një e nga një qimet e kokës. Edhe kundërmimi i Kopshtit zanafillor ai duhet të ketë qenë. Lypnin mbrojtje, po, por me cilësinë e kasnecëve të çmuar, shembullorë, të brishtë; të prekur, siç i thoshin rëndom, nga i miri Zot, të përzgjedhur për shokë lodrash të Birit.

Zgjedhja ishte e detyruar: gjithkush do të kish zgjedhur të mangëtit e azilit. Merita e Attendu-së qëndronte gjithsesi në nxjerrjen e pasojave të duhura nga një zgjedhje e këtillë: duke u nisur nga ajo që të qenit budalla është për njeriun normal kushti ideal, të studionte në ç’mënyra budallenjtë jo të përsosur mund të mbërrinin përsosjen e dëshiruar. Në ato kohëra të metët nga trutë e kokës klasifikoheshin sipas moshës mendore, të deduktueshme me provat përkatëse: moshë mendore tre vjeç ose më pak, idiot; nga tre në shtatë vjeç, imbecil; nga tetë në dymbëdhjetë vjeç, debil. Qëllimi i studiuesit, pra, ishte zbulimi i mjeteve të volitshme për t’i kthyer debilët në gjendje imbecili, dhe imbecilët në idiotizmin më total. Orvatjet e ndryshme të Attendu-së në këtë drejtim dhe metodat më rëndësore janë përshkruar me hollësi në librin e tij aq interesant, cituar shpesh nëpër bibliografi. Çuditërisht, nuk kanë qenë të shumtë ata që kanë vënë në dukje që embêtement do të thotë, etimologjikisht, edhe: kafshërim.

Mjekimi i parë i heqimit konsistonte në heqjen e çdo kontakti të të shtruarit në azil me fjalën. Meqë disa prej të internuarve zotëronin ende, në çastin e shtrimit, ndonjë mjet, sado rudimentar, komunikimi gojor, të sapombërriturin aty e izolonin në një birucë a kuti, gjer heshtja dhe errësira të mos ia hiqnin çdo llafollogji të mbetur a të dyshuar. Në përgjithësi mjaftonin pak muaj; infermierët e sprovuar të doktor Attendu-së dinin të dallonin, nga lloji i hungërimave të azilantit, kur ishin pjekur kushtet për ta nxjerrë atë nga zgafella e për ta çuar në thark.

Terapia e tharkut qëlloi më e efektshmja për të mbërritur qëllimin e radhës, fshirjen nga ana e konviktorit të çdo gjurme sjelljeje të mirë, pastërtie, rregulli dhe karakteristika të ngjashme nën-njerëzore, nëse këto shprehi ishin fituar më parë. Në këtë kuptim, azilantët më të vështirë ishin ata që vinin nga institucione fetare, vende të mirënjohura, në fakt, për respekt skrupoloz ndaj sjelljeve të mira dhe pastërtisë. Kurse ata që vinin drejtpërsëdrejti nga gjiri i familjes, nga gjiri i familjes franceze, ishin vetvetiu të prirur kah pagdhendja e pisllëku.

Të gjithë konviktorët qenë të pajisur me dajakë dhe ftoheshin herë pas here nga infermierët, duke u dhënë shembull, të shtronin në dajak shokët; kjo terapi prirej të zhdukte nga boshi i tyre mendor çdo mbetje agresiviteti shoqëror. Mandej djem e vajza i mësonin të rrinin lakuriq, edhe dimrit, dhe bile i shtynin me anë shembujsh konkretë kah do lojëra kafshërore lloje-llojesh. Kjo, sidomos, në grupin e debilëve, që merrnin pjesë në të tilla lojëra me goxha qejf bashkë me infermierët; sepse tek imbecilët dhe, më bukur akoma, tek idiotët, instinktet kishin shkuar drejt stërhollimit e prapësimit për te qashtërsia parake: më e shumta që mund të bënin ishte të hanin reciprokisht të pëgërat. Nga ana tjetër, debilët, me qokë të vet, i jepeshin ëndjeplotë një lloji jete gazmore seksuale engjëllore.

Natën bëhej potere e madhe, që jo rrallë kthehej në zdërhallje të vërtetë, hokatare. Shenjë e mirë se gjumi i qetë dhe i gjatë është simptomë, sipas Attendu-së, e një aktiviteti mendor të paligjshëm gjatë ditës. Në fakt, po qe se një të internuar e gjenin gjatë natës në këtë gjendje anormale gjumi të thellë, infermierët e zvarrisnin jashtë shtratit dhe e hidhnin në një vaskë me ujë të ftohtë. Nganjëherë ndërhynte edhe ndonjë imbecil duke hedhur infermierin në vaskë; idiotët më të evoluar, nga ana e tyre, rrinin veç, tashmë krejt apatikë: aristokratët, të përkëdhelurit e Drejtorit, i quanin “infermierë”. Atyre kryekëput idiotë u pëlqente mbi të gjitha kinemaja, sidomos ajo me ngjyra, por edhe zhurma e madhe i kënaqte, dhe në kulm disqet të ashtuquajtura për Festival. Në rrjedhën e proceseve të ndryshëm që u shtrëngua të pësojë doktor Attendu-ja nga 1946 e tutje, doli në pah një tjetër hollësi e bukur shkencore: gati të gjithë debilët një, dy ose trevjeçarë që gjendeshin në Sanatorium, të ashtuquajturit “p’tits anges”, ishin fëmijët e tij, të prodhuar in loco me sa dukej me anë të farëzimit artificial; për mëmat e reja, njëzetë e tre, kishin ngritur një maternitet-pulari të rehatshëm, me dysheme çimentoje që mund të lahej lehtësisht.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>