nga Admin

4 Shtator, 2012

Autori Philip RothSi mund ta njohësh një autor, për të cilin ke dëgjuar vetëm të flitet? Ndoshta është më mirë t’i referohesh librit të tij të parë. Për shkrimtarin amerikan, Philip Roth, ndoshta ky lexim duhej filluar nga “Ankimi i Portnoit”. Ky libër, i treti në karrierën e Roth, bëri të diskutohej gjatë për të si autor. I botuar në vitin 1969, romani u kritikua për përshkrimet seksuale dhe të masturbimit, e madje u quajt edhe skandaloz nga një pjesë e mirë e kritikës. Së fundmi, ky libër ka ardhur edhe për lexuesin shqiptar nga shtëpia botuese “Skanderbeg Books”, e cila ka publikuar edhe libra të tjerë nga shkrimtari amerikan si “Inati” apo “Del Hija”. Për këtë libër është shkruar shumë deri më sot. Përveç përjetimit personal të leximit, mjafton të futesh në kërkim online dhe blogjet në të cilat diskutohet për të janë të pafundme. Distanca kohore prej gati 40 vjetësh, tashmë e bën gjykimin edhe më të lirshëm. “Ankimi i Portnoit” është cilësuar si një libër i revolucionit seksual, një monolog erotik e njëkohësisht libri më komik për seksin. Aleksandër Portnoi është ulur dhe po rrëfehet përballë psikanalistit të tij për çfarë ka ngjarë me seksin, epshin, obsesionin, joshjen, lojërat dhe vuajtjet e tij seksuale. Në të vërtetë, rrëfimi i tij është një monolog i gjatë i një djaloshi të varur plotësisht nga seksi, të diktuar nga epshi dhe kureshtja ndaj nënës së tij dhe nga një përkujdesje fatale për të mos i cenuar kodet morale të përcaktuara nga brezat e familjes së tij, trysni kjo e dhënë nga Philip Roth përmes një rrëfimi sa komik, aq edhe të vërtetë e të dhimbshëm. Një çrregullim trupor, i ndikuar sa nga fiziku, aq edhe nga etika familjare e prejardhjes së Portnoit, si dhe impulset e tij altruiste, përplasen me një dëshirë të skajshme seksuale të tij, shpesh edhe me natyrë perverse, që e bëjnë Aleksandër Portnoin të gjendet shpesh në situata të vështira.

Për shkak të kohës kur është botuar, “Ankimi i Portnoit” cilësohet si një roman emblematik, pasi iu përgjigj me idetë e tij valës së revolucionit seksual që përfshiu fundin e viteve ‘60. Menjëherë pas botimit, libri provokoi një debat të gjerë publik për shkak të përsiatjeve dhe analizave të tij mbi seksualitetin dhe obsesionin mbi seksin, si dhe përshkrimeve pa tabu mbi vetëkënaqjen, reaksion ku veçmas u përfshinë edhe intelektualë hebrenj të Amerikës. Philip Roth njihet si një shkrimtar i “heshtur”. Intervistat e tij nuk janë të shumta, por edhe në rastet kur ndodhin, nuk ia arrijnë qëllimit të tyre. Janë të kursyera në fjalë dhe argumentet ndoshta nuk marrin shpesh përgjigjen e kërkuar. Roth flet ftohtë për këtë prirje të tij të të trajtuarit të seksualitetit në librat e tij. “Më ka interesuar gjithmonë të kuptoja se çfarë ndodh në jetën e personave kur në mes hyn seksi. Ka qenë një temë me shumë rëndësi, edhe pse tani nuk më tërheq më si dikur”, thekson shkrimtari. Në një intervistë të tij pak kohë pas botimit të librit, Roth është shumë i kursyer në shpjegime përpara furtunës që shkaktoi libri. Këtë monolog erotik pa tabu, për habi të të gjithëve ai e sheh më shumë si një çështje letrare, një çështje stili se sa parimesh. “Disa ide që më pas i kam shkruar në librin tim, më qarkullonin në mendje që nga koha kur kam filluar të shkruaj. I referohem veçanërisht ideve mbi stilin e rrëfimit. Libri është i ndërtuar mbi teknikën e ‘bllokimit të ndërgjegjes’, ku copëza materialesh të formës dhe dimensioneve të ndryshme, vendosur njëra mbi tjetrën, i bën bashkë një lidhje e rastësishme më shumë se sa një rrjedhë kronologjike. E kisha provuar diçka të tillë edhe më parë, ndaj mendova ta ripërdorja për të vendosur përfundimisht nëse do ta bëja timen këtë tip rrëfimi apo do ta hidhja tej”, thekson shkrimtari amerikan. E ndërsa pyetet nëse ky roman i rrallë i rrëfimeve seksuale mund të jetë krijuar vetëm duke pasur parasysh shtysa letrare, Roth përgjigjet: “Jo. Por koncepti nuk është asgjë krahasuar me realizimin. Sipas pikëpamjes sime, përderisa ‘idetë’ e mia mbi seksin, fajin, fëmijërinë, mbi burrat hebrenj e gratë e tyre të sjellshme, nuk janë formësuar në një strategji apo në një mënyrë rrëfimi, këto ide nuk ndryshonin aspak nga ato të shumë njerëzve të tjerë. Të gjithë kanë ‘ide’ për një roman: kryeqyteti është i mbushur me njerëz që e kanë kokën plot ide për një roman, por që nuk janë në gjendje as të nisin ta shkruajnë. Shpesh, unë jam një prej tyre”. Tashmë ai është një nga shkrimtarët amerikanë të gjeneratës së tij më të vlerësuar. Është vlerësuar dy herë me Çmimin Kombëtar të Kritikëve, tre herë me “PEN/Faulkner Award”, ka marrë çmimin “Pulitzer” në vitin 1997, pak muaj më parë mori çmimin “Princi i Asturias në Letërsi” dhe së fundmi emri i tij qarkullon në listën e favoritëve për çmimin “Nobel”. Roth është rebeluar shpesh ndaj faktit që atë sot e cilësojnë si shkrimtari më i mirë hebre që është gjallë. “Kjo gjë më inatos jashtë mase. Do të doja të më konsideronin si një prej shkrimtarëve më të mirë amerikanë në gjallje”, ka thënë ai në një prej intervistave të tij të shkurtra. Ndërkohë, romani “Ankimi i Portnoit” është përfshirë si një ndër 100 librat më të mirë të shek XX.

Burimi: Gazeta SHQIP

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>