Pesë shkrimtarë, në garë për veprën e vitit

0
757

Publikohen emrat e shkrimtarëve pretendentë për çmimin e madh të letërsisë

Pesë autorë janë kandidatë për çmimin e madh të letërsisë që çdo fundviti ndahet nga Ministria e Kulturës. Dy poetë, Ferik Ferra dhe Rita Petro, si dhe tre prozatorë si Arben Dedja, Lazër Stani dhe Virion Graçi, janë pretendentët për “Veprën më të mirë të vitit”. Arben Dedja konkurron për këtë çmim me veprën “Histori (e)skatologjike”, një përmbledhje me tregime, me të cilën mori dhe çmimin “Autori i vitit” në Panairin e Librit një vit më parë. “Një rrëfim i jetës së diktaturës përmes një sensi të hollë humori”, thuhej në motivacionin që shoqëroi këtë çmim. Shkrimtari Virion Graçi është përzgjedhur për këtë çmim me romanin e tij më të ri “Stina e hijeve”. Pas debutimit të hershëm në gjininë e prozës si i suksesshëm, Graçi rikthehet me një roman që dallohet për stilin, por dhe subjektin që mbart. Vepra është një paralele me baladën e Kostandinit me Doruntinën. Një fabul epike që pasqyron shqetësimet komplekse të shoqërisë shqiptare. “Është një histori e vërtetë: një prind shqiptar, vajza e të cilit luftonte t’i mbijetonte kancerit, ishte mjekuar në Greqi duke shfrytëzuar dokumentet e sigurimit shëndetësor të kushërirës së saj, por nuk mbijeton. Vajzën e vdekur e sjellin në fshehtësi në Shqipëri, duke i shpëtuar zbulimit nga policia. Si?! Atë e vendosin në pozicionin e rregullt të një pasagjeri.” Ky është subjekti ku Graci udhëton përmes rreshtash në këtë roman, duke na sjellë dramën e madhe të shqiptarëve të viteve të fundit. Lazer Stani është një tjetër tregimtar i njohur për narrativën e të treguarit. Ai është pretendent me përmbledhjen me tregime “Kohë për nuse”. Libri përmban tetë tregime: “Të magjepsurit”, “Përqafim në mort”, “Pianisti”, “Kohë për nuse”, “Një histori dhe një emër gruaje”, “Me sy të fiksuar pas një ylli”, “Idioti udhëton për Amerikë” dhe “Daiza Zaharia”. Janë histori shqiptare, të rrëfyera me një stil të jashtëzakonshëm, që të rrëmben me thellësinë, bukurinë, çiltërsinë, lirshmërinë dhe vërtetësinë e tyre tronditëse. “Tregimet e Lazër Stanit janë krijesa të botës së tij shpirtërore dhe shprehin para së gjithash dramën e brendshme; në to dëshmohen përplasje, pezullime e kundërthënie; përmbushje synimesh dhe dëshirash, po dhe dështime; ringjallje të serishme të tyre ose shuarje të pjesshme ose të plota. Në to çdo gjë rrëfehet në një kontrast, që nuk ndjek një model, po degëzohet; ndodhin drama brenda dramave, të vogla e të mëdha, kontraste dhe kundërthënie brenda kundërthënieve”, shkruan për këto tregime Anton Nikë Berisha. Poetja Rita Petro është në garë për çmimin autori i vitit me përmbledhjen poetike “Vrima”. Ky libër synon të zbulojë poetikisht skutat më të errëta të ndërgjegjes universale dhe të shpirtit njerëzor. Në qendër të harmonisë së trupave qiellorë dhe të trupave njerëzorë vendoset Erosi, prania e të cilit ndihet në çdo varg të librit si amësi dhe si sensualitet femëror. Të shtatë elementet që përbëjnë jetën janë përdorur si detaje për universin poetik të librit Vrima: Ujë – Tokë – Ajër – Zjarr – Zot – Grua – Burrë. Me art e në mënyrë kontraverse poetja thyen tabutë që lidhen me moralin, gojëdhënat, botëkuptimet filozofike të ekzistencës, duke provokuar deri në ekstrem intelektin dhe ndjesitë e lexuesit. Edhe në situatat më romantike ajo nuk i përkëdhel ndjenjat, por i trondit ato. I gjithë libri pulson nga ekstaza e dashurisë, që është gjendja e krijimit dhe që poetja e krahason me dhembjen e lumturinë që ndien femra kur nxjerr në jetë fëmijën. Në garë për çmimin e madh është dhe poeti Ferik Ferra, i cili përgjatë viteve të diktaturës e dënoi me heshtje artin e tij. Ndërsa këta pesë autorë janë të përzgjedhurit e vitit për librin më të mirë, një tjetër çmim do të jetë për “Veprën letrare më të mirë të vitit të përkthyer”. Duke parë numrin e madh të veprave të përkthyera që çdo muaj hyjnë në libraritë tona, ky çmim është po aq i rëndësishëm. Të përzgjedhurit për këtë çmim janë Romeo Çollaku për përkthimin e poezive të Paul Claudel, Rudi Erebara për përkthimin e Herman Melville, “Mobi Dik”, Bajram Karabolli për përkthimin e Juan Rulfo “Pedro Paramo dhe Rrafshina në flakë”, Edlira Lloha për përkthimin e Witold Marian Gombrowicz “Ferdydurke” dhe Agron Tufa për përkthimin e Evgenij I Zamatin “Ne”. Çmimet do të vlerësohen nga një juri me kryetare Dhurata Shehrin dhe anëtarë Parid Teferiçi, Arta Marku, Edmond Çali dhe Jeton Neziraj. Për të mbërritur te këta autorë janë përzgjedhur 1300 tituj, si nga letërsia artistike ashtu dhe nga letërsia artistike e përkthyer, të botuara gjatë vitit 2014. Ceremonia e ndarjes së çmimeve do të mbahet në datën 12 dhjetor.

 

Kandidatët

“Vepra letrare më e mirë e vitit e përkthyer”

  • Poezi – Paul Claudel – Romeo Çollaku
  • Mobi Dik – Herman Melville – Rudi Erebara
  • Pedro Paramo dhe rrafshina në flakë – Juan Rulfo – Bajram Karabolli
  • Ferdydurke – Witold Marian Gombrowicz – Edlira Lloha
  • Ne – Evgenij I. Zamâtin – Agron Tufa

 

“Vepra më e mirë e vitit”

  • Histori (e)skatologjike – Arben Dedja
  • Poezi e zgjedhur – Ferik Ferra
  • Stina e hijeve – Virion Graçi
  • Vrima – Rita Petro
  • Kohë për nuse – Lazer Stani