21 Janar, 2021

Në kohë normale, një udhëtim në Paris është një ëndërr e bukur. Në kohë anormale si këto që po jetojmë, me kufij të mbyllur për pjesën dërrmuese tonën, Parisi është një udhëtim i paarritshëm. Por qyteti magjik është temë e shumë librave, përmes të cilave mund të eksplorohen shumë kthina të dashurisë së madhe. Këto janë librat që ne rekomandojmë për të lexuar mbi Parisin, pjesa më e madhe e të cilave janë në gjuhën shqipe.

Parisi. Foto kortezi: Patrick Nouhailler/ Flickr

Suita francize, Irène Némirovsky

Shqipëroi: Nasi Lera

Botimet Dituria, 380 faqe, 1,000 lekë

Nëse të pëlqen Parisi por edhe pak historia, do të të pëlqejë patjetër edhe ku roman i autores hebraike-franceze Irène Némirovsky. Ky është romani që flet për eksodin e qershorit të vitit 1940, që përfshiu mes një rrëmuje tragjike familjet franceze të të gjitha shtresave, nga më të pasurat në më të thjeshtat. Autorja vdiq në Aushvic në vitin 1942 ndërsa romani i saj u zbulua vetëm pesëdhjetë vjet më vonë.

Dhe dielli lind, Ernest Hemingway

Në periudhën menjëherë pas Luftës së Parë Botërore, një gjeneratë e tërë të rinjsh përpiqen të harrojnë tmerret e luftës duke bërë qejf, sa më shumë, aq më mirë. Ernest Hemingway ishte njëri prej tyre. Në Parisin e viteve 1920, Hemingway dhe miqtë e tij ia bëjnë fora me festa.

Shqipëroi: Sazan Gjomena

Dituria, 228 faqe, 700 lekë

Nga Parisi në hënë, Adam Gopnik

Nuk gjendet në shqip

Autori bashkëkohor amerikan Adam Gopnik jetoi në Paris si korrespondent i The New Yorker. Kjo është përmbledhja e shkrimeve të tij mbi jetën në Paris.

Katedralja e Parisit, Viktor Hygo

Shqipëroi: Bujar Doko

Mësonjëtorja, 438 faqe, 800 lekë

Një nga klasikët e letërsisë botërore, Katedralja e Parisit është një roman në përpjekje për të shpëtuar katedralen e Notrëdamit, e cila ishte e shënjuar për t’u shembur.

Që të gjithë kanë dëgjuar për personazhet kryesore: një rome me emrin Esmeralda dhe kurrizoja, Kuazimodo, i cili ka rënë në dashuri me të. Historia na dërgon përreth katedrales në mesin e viteve 1800. Që nga ajo kohë, Parisi në këtë zonë pothuajse nuk ka ndryshuar fare. Nëse keni fat dhe e vizitoni Parisin, do ta keni të lehtë të njihni në terren vendet e përshkruara në libër. Por kjo nuk vlen për pjesën tjetër të Parisit. Ajo që gjendet sot është shumë e ndryshme nga çfarë ka përshkruar Hygo.

Tropiku i Gaforres, Henry Miller

Nuk gjendet në shqip

Ky është ndoshta romani më i famshëm për jetën “e shthurur” të Parisit, shkruar nga një amerikan, kryevepra e të cilit u censurua në atdheun e vet si e papranueshme për moralin e shoqërisë për më shumë se tre dekada.

I varfër dhe i pastrehë në Paris dhe Londër, George Orwell

Shqipëroi: Gjergj Erebara

Shtëpia e Librit, 238 faqe, 800 lekë

Ju të gjithë e njihni Parisin si vendin e dashurisë, ushqimit të shkëlqyer dhe elegancës apo jo? George Orwell ka përshkruar anën tjetër të Parisit. Një incident i pakëndshëm i ndodh shkrimtarit të ri, që e zhyt në mjerim, në uri dhe në kërkim të punëve të rëndomta. Shkrimtari, që më vonë u bë i njohur me pseudonimin George Orwell, nisi në këtë mënyrë të eksploronte Parisin dhe, më pas Londrën, nga statusi i “skllavit të skllavit” dhe prej syve të endacakut.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>