nga Admin

26 Mars, 2016

Ilustrime te librit per Konicen & ShkiroinSi u ndalua në vitin 1968 publikimi i vëllimit të tretë të Historisë së letërsisë shqipe, përgatitur nga Mark Gurakuqi, Vehbi Bala e Jup Kastrati. Një libër nën drejtimin shkencor të Dhimitër Shuteriqit dhe redaktor Koço Bihikun. Studiuesja Besa Hoxha–Beqiri sjell një studim mbi këtë vepër.

Edhe një çerekshekulli pas rënies së pengesave dhe ndalimeve ideologjike, pothuaj askush nuk e di se në vitin 1968, kur Enver Hoxha kishte nisur sulmin kundër prirjeve liberale dhe ndikimeve perëndimore që ishin shfaqur në jetën e vendit, një grup studiuesish si Mark Gurakuqi, Jup Kastrati, Vehbi Bala, nën drejtimin shkencor të Dhimitër S. Shuteriqit, sapo kishin përfunduar e dorëzuar për botim, madje futur edhe për shtyp, vëllimin e tretë të “Historisë së letërsisë shqipe”, i cili parashikonte të ofronte një pamje të përgjithshme tërësore të zhvillimit të letërsisë shqipe në periudhën midis dy luftërave (1912-1939). Por kur libri ishte futur në procesin e shtypshkrimit, një urdhër “nga lart” hodhi poshtë gjithçka.

Por, si u ndalua në vitin 1968 publikimi i vëllimit të tretë të “Historisë së letërsisë shqipe”, përgatitur nga Mark Gurakuqi, Vehbi Bala e Jup Kastrati: cili është roli i drejtuesit shkencor të projektit, Dhimitër S. Shuteriqit, dhe redaktorit Koço Bihiku? Si dhe pse u bllokua libri në shtypshkronjë, kur, për herë të parë dhe të fundit në regjimin komunist, do të vlerësohej në mënyrë institucionale vepra letrare e Gj. Fishtës, F. Konicës dhe Z. Skiroit. Për fat të keq, ky vlerësim mbeti brenda disa zyrave, ndërsa nisma për publikimin e tij jo vetëm u bllokua, por edhe u sekretua për afro 50 vjet. Është libri “Një histori letërsie e ndaluar” i Besa Hoxha-Beqirit, botimi më i ri nga shtëpia botuese “Naimi”, që ndriçon fatin krejt të panjohur deri më sot të vëllimit të tretë të “Historisë së letërsisë shqipe”, përpjekja e parë serioze për një tejkalim të kufirit politik e ideologjik në histori-shkrimin e letërsisë të gjysmës së dytë të shekullit XX. Studiuesja ka arritur të gjejë jo vetëm tekstin bazë të kësaj “Historie…”, por edhe recensionet e asaj kohe përgatitur nga Injac Zamputi, Ali Xhiku, Nasho Jorgaqi, Lefter Dilo etj., që analizonin paraprakisht veprën dhe jepnin vërejtje dhe sugjerime për të. Dje, në Akademinë e Shkencave, një grup studiuesish si Floresha Dado, Klara Kodra, Shaban Sinani, Spiro Gjoni, dhanë vlerësimet e tyre për këtë fenomen letrar të viteve ’70. Sipas prof. dr. Shaban Sinanit, mund të thuhet se “historiografia letrare e periudhës komuniste me këtë vëllim arriti shkallën më të lartë të lirisë së vet, një shkallë lirie që nuk dëshmohet as në botimin e viteve 1959-1960, aq më pak në botimin e vitit 1983”. Në këtë histori të letërsisë shqipe (të vitit 1968) për krijimtarinë dhe veprën e At Gjergj Fishtës, Faik Konicës, Zef Skiroi e të tjerë shkrimtarë të viteve ’30, të gjithë të anatemuar dhe të censuruar nga regjimi komunist, shkruhej pothuaj me atë liri siç mund të shkruhet sot! Për fat të keq, kjo histori letërsie u ndalua në momentin e fundit të shtypshkrimit dhe dorëshkrimi u fsheh. Për më tepër, ekzistenca dhe fati i këtij teksti nuk u përmend kurrë as nga hartuesit në gjallje, madje, për çudi, as në studimet postkomuniste për letërsinë shqipe.

Studiuesja nga Kosova, Besa Hoxha-Beqiri, mori përsipër sfidën e zbardhjes së plotë të kësaj historie plot enigma. Libri Një histori letërsie e ndaluar i Besa Hoxha-Beqirit, një studim historiko-letrar dhe krahasues, ka për qëllim të ndriçojë fatin krejt të panjohur deri më sot të vëllimit të tretë të Historisë së letërsisë shqipe, përpjekja e parë serioze për një tejkalim të kufirit politik e ideologjik në historishkrimin e letërsisë të gjysmës së dytë të shekullit XX. Autorja ka arritur të gjejë jo vetëm tekstin bazë të redaktuar nga Koço Bihiku, por edhe recensionet e asaj kohe përgatitur për librin nga Injac Zamputi, Ali Xhiku, Nasho Jorgaqi, Lefter Dilo, që vlerësonin librin dhe jepnin garanci për cilësinë e tij për botim.

Libri i Besa Hoxha-Beqirit e rikthen në vëmendjen e studiuesve historinë e ndaluar të letërsisë dhe e vendos atë në vargorin jo aq të gjatë prej rreth një shekulli historiografie letrare shqiptare. Kështu, me botimin e këtij libri, del nga heshtja një çështje që shkencës së studimeve letrare i intereson shumë. Autorja ka ofruar mundësinë për kërkime të mëtejshme rreth të quajturit pranim kritik i traditës letrare, një mundësi, ndonëse jo më e mira, shumë më e frytshme se mundësitë tejet të kufizuara që ofruan tekstet shkollore dhe universitare të historisë së letërsisë të gjysmës së dytë të shekullit XX.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>