nga Admin

20 Maj, 2010

Ditën e premte, shtëpia botuese “Argeta LMG”, do të organizojë një veprimtari kushtuar Dante Aligierit dhe përkthyesit të saj në shqip, Pashko Gjeçi. E titulluar “Një pasdite me Danten dhe Pashko Gjeçin”, veprimtaria do të organizohet në ambientet e Galerisë Kombëtare të Arteve, në kuadrin e 745- vjetorit të lindjes së poetit italian, 50-vjetorit të përkthimit në shqip të “Komedisë Hyjnore” dhe 5-mujorit të ndarjes nga jeta të njeriut që i dhuroi kulturës shqiptare kryeveprat e letërsisë botërore.

Komedia Hyjnore, Dante AligieriKur Pashko Gjeçi i dha fund përkthimit të “Komedisë Hyjnore” të Dante Aligierit dhe vepra u botua e plotë në harkun kohor të pesë viteve, (1960-1965) e shoqëroi këtë ngjarje të rëndësishme për vetë atë si përkthyes, por edhe për kulturën shqiptare edhe me një artikull të botuar në shtypin e kohës, në vitin 1965. “Rreth vitit 1937, nis puna ime për përkthimin e ‘Komedisë Hyjnore’”, shkruan ai. “…Kryevepra e Dantes, si pa u kujtue u ba puna qendrore e viteve të mëvonshme. E pse kjo? …

Ndoshta se Dante, njeriu me kulturë e eksperiencë jete shumë ta gjanë, më dukej se çdo herë kishte atë fjalë, për të cilën kisha ma shumë nevojë. Që në vargjet e para çdo lexues i ‘Komedisë’ ka përshtypjen se ka të baja me një vepër shumë të vështirë me u kuptua. Sa vështirë do t’i duket atij që kërkon me përkthye mund të merret lehtas me mend”, vijon përkthyesi. Dhe nisi kështu një marrëdhënie e gjatë mes Pashkos shqiptar dhe Dantes italian, e cila bëri që të vinte mes lexuesve shqiptarë një prej kryevepra të letërsisë botërore. Një lidhje e cila ka bërë që sa herë të flitet për Dante Aligierin në shqip, të mendohet pashmangshmërisht për Pashko Gjeçin. Në shkrimin e tij, Gjeçi ndalet sidomos në vështirësitë që ka hasur gjatë përkthimit të veprës, ku nënvizon sidomos tercinat, me të cilat është ndërtuar vepra, rimën dhe stilin konciz të autorit. “Preokupacioni i vazhdueshëm i Dantes me thanë sa ma shumë në sa ma pak fjalë, asht një, torturë e vërtetë për përkthyesin. Në çdo varg ke përshtypjen se nuk mund të heqish gja, që të mos rrënohet krejt ndërtesa, e pra, për të përkthye sidomos me rima, diçka duhet të heqësh e diçka duhet të shtosh. Po çka? E këtu fillon një operacion i gjatë, i vështirë, me korrigjime pa fund, që të len gati gjithmonë të pakënaqun”, shton më tej Gjeçi. Për përkthyesin, poeti është i vështirë për t’u kuptuar por kjo, jo për modë, siç shkruan ai por për thellësi mendimi. “I vështirë pra kur shkruen errët, e ma i vështirë ndonjëherë kur asht i qartë. Dante si mentalitet asht mesjetar dhe, në të njajtën kohë, për hir të talentit të tij të fuqishëm, njeri aktual deri në ditët tona… Dante si kulturë asht klasik dhe, në të njajtën kohë, krijues i një poezie të re për kohën, themelues i një gjuhe të re, popullore. Po aq të denjë sa gjuhët klasike. Dante si eksperiencë njerëzore asht universal. Dhe këto tre faktorë rrahin me forcë në të gjithë veprën e tij, vigane në konceptim, vigane në ekzekutim. Mund i randë pra me sjellë gjithë këtë barrë në gjuhën tande pa humbë gjysmën rrugës. E mbi të gjitha, pengesa e të gjitha pengesave asht vetë gjenia e poetit… Do t’isha i kënaqun sikur të kem arrijtë me i dhanë lexuesit shqiptar një ide sado të zbehtë të forcës krijuese të Dantes. Uroj që kjo puna ime të jetë një nxitje dhe t’u vlejë sado pak përkthyesave të ardhshëm të ‘Komedisë Hyjnore’ në gjuan tonë”, e përfundon shkrimin e tij përkthyesi Pashko Gjeçi duke i konsideruar të gjitha si “shënime nga mbresat e një pune të gjatë e të mundimshme”.

E nuk është rastësi që në të njëjtin muaj, në maj, kemi të bëjmë me tri data që kanë lidhje me të dy këta mjeshtër. E para përkon me 745-vjetorin e lindjes së shkrimtarit italian, e dyta me 50 vjetorin e botimit në shqip të kryeveprës “Komedia Hyjnore” dhe e treta me 5-mujorin e ndarjes nga jeta të Pashko Gjeçit. Janë pikërisht këto tri arsye që kanë shtyrë Mehmet Gëzhillin, botuesin e shtëpisë botuese “Argeta LMG” të organizojë me këtë rast një aktivitet kushtuar këtyre tri datave. Veprimtaria, e titulluar “Një pasdite me Danten dhe Pashko Gjeçin, do të organizohet pasditen e së premtes, në ambientet e Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë. Ajo ka pikërisht në qendër këtë trinom – autor, vepër, përkthyes. Bëhet fjalë për një ngjarje e cila do të sjellë edhe një herë në vëmendje madhështinë e shkrimtarit dhe veprës, por edhe mjeshtërinë e përkthimit. Pritet të referojnë personalitete të kulturës, bashkëvuajtës të përkthyesit në burg e studentë të tij, si Shpëtim Çuçka, Amik Kasoruho, Nexhip Gani, Pëllumb Xhufi, Klara Kodra, Moikom Zeqo, Nelson Qirjako, etj. “Argeta LMG” e cila ka ribotuar dy herë “Komedinë Hyjnore” me përkthim të Gjeçit, ka gati për botim edhe dy vëllime të reja. I pari titullohet “Dantja dhe për Danten”, ndërsa i dyti “Pashko Gjeçi për Pashkon”. “Vëllimi i parë është i ndarë në pesë pjesë. E para ka poezi të ndryshme të Dantes, e dyta sjell traktatin origjinal të Dantes për gjuhën popullore, e treta do të sjellë mendimin shqiptar për Dante Aligierin, ku janë mbledhur shkrime të rreth 40-50 autorëve shqiptarë, që nga De Rada e deri në ditët tona. Ndërkaq në pjesën e katërt do të ketë personalitete të ndryshme botërore të përkthyer në shqip, të cilët flasin për poetin italian. Ndërsa pjesa e fundit do të vijë si një mozaik me fotografitë, skicat e ndryshme letrare, pulla poste e grafika që i janë kushtuar në periudha të ndryshme figurës së Dante Aligierit. Ndërsa në vëllimin kushtuar Pashko Gjeçit do të ketë të përmbledhur poezitë e para të tij, shkrimet kritike mbi autorë të ndryshëm, çfarë kanë shkruar për Pashko Gjeçin shoqëruar edhe me shumë fotografi si dhe një sërë kujtimesh nga nxënësit e Pashkos”, shpjegon Mehmet Gëzhilli. Ai vetë ka një kujdes të veçantë për përkthyesin, por edhe për vetë veprën, edhe sepse e lidh me një fakt nostalgjik. Jo vetëm se “Komedia Hyjnore” u botua për herë të parë në një vit kur ai ishte adoleshent, por edhe sepse kur fitoi një konkurs poezie mes shkollave, dhuratë mori pikërisht këtë kryevepër të letërsisë. E më vonë, kur ai themeloi shtëpinë e tij botuese, i premtoi vetes se donte të botonte vetëm vlera të mirëfillta nga letërsia shqiptare dhe ajo botërore. Dhe erdhi një ditë, kur vendosi të ribotonte “Komedinë Hyjnore” thuajse 50 vite nga botimi i saj i parë. E ribotoi dy herë, sepse Dante Aligieri dhe Pashko Gjeçi meritonin më shumë cilësi. Dhe sot, në prag të kësaj veprimtarie, ai e ndien veten jo pak krenar, sepse kreu një detyrim moral ndaj kulturës shqiptare, por edhe ndaj vetë përkthyesit, i cili arriti ta shihte veprën të ribotuar.

Burimi: Gazeta Shqip

  • Pershendetje..
    U pergezoj per kete pune kaq te madhe vetem vazhdoni…se shqiptaret vetem keshtu do te mund te ecin perpara….

  • {"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
    >