ONUFRI RIBOTON ROMANIN “DASMA” TË KADARESË

0
418

Romani “Lëkura e daulles” është botuar së pari me këtë titull në vitin 1967, në revistën “Nëntori”. Një vit më pas ka dalë si libër më vete nën titullin “Dasma”. Më pas, pas shkurtimeve të ndjeshme, është ribotuar më 1981 me titullin e kahershëm “Lëkura e daulles”. Zanafilla e romanit ka qenë novela “Dasma e çuditshme”, me subjekt prishjen groteske të një dasme, si hakmarrje ndaj nuses, prej të dashurit të fyer.

Ndonëse i shpërfillur prej autorit, romani është përkthyer në disa vende perëndimore nga botues të majtë, përpara “Gjeneralit të ushtrisë së vdekur”. Një radio-dramatizim i veprës, me titullin “Dasma dhe fantazma”, është bërë prej BBC-së së Londrës më 1969.
Romani “Lëkura e daulles”PARATHËNIE

Me gjithë kohëzgjatjen e sistemit stalinist, Shqipëria nuk njohu teoricienë të realizmit socialist, ashtu sikurse Bashkimi Sovjetik pati Zhdanovin e tij. Ky koncept artistiko-politik ruajti përherë diçka abstrakte, lëvizëse, që do të ishte një kurth për shkrimtarin, ashtu siç mund të ishte një “aleat objektiv”, kur atij i duhej të dilte nga një gjendje e vështirë. Mungesa e “shkrimeve të shenjta” bënte që shkrimtarët të gjenin anashkalime të çuditshme. Kështu, për shembull, shkrimtari mundohej të nxirrte si shkak faktin që sloganet e realizmit socialist e kishin zanafillën në Bashkimin Sovjetik, që ishte i akuzuar nga Tirana si një vend revizionist qysh në fillimet e viteve gjashtëdhjetë. Atëherë, përse duhej ndjekur ky “shembull i keq” i komunizmit sllav? Përtej këtyre akrobacive dialektike, që mund t’i jepnin atij një çast pushimi, shkrimtari pësonte trysni të njëpasnjëshme, çka ilustrohet fare mirë në një pyetje drejtuar një personazhi, që është një njeri i letrave, në romanin “Lëkura e daulles”: “Përse ti ke shkruar kaq pak për fabrikat?”. Të tilla pyetje i vinin shpesh në vesh Ismail Kadaresë, vepra e të cilit kishte kaq pak punëtorë apo fshatarë. Megjithatë, pikërisht atje ishte dhe “kocka e fortë” e realizmit socialist: një shkrimtar duhej të përshkruante të tashmen, kantierin e madh të njeriut të ri. Artisti “jashtë kohe”, ai që shkruante temat e përjetësisë, vihej në shënjestër. Ashtu sikurse të gjitha vendet e mjegullnajës komuniste, Shqipëria ka njohur edhe luhatje, që shkonin drejt një zbutjeje, apo drejt një ashpërsimi të ri, gjë që bënte të mundur që, në të njëjtin dorëshkrim, të kishte herë doza shpirtmirësie e herë rreptësi, sipas kërkesave të çastit.

Gjatë gjysmës së dytë të viteve gjashtëdhjetë, Shqipëria kaloi një fazë, që asnjë nga vendet e bllokut sovjetik nuk e njohu: ajo pati revolucionin e saj kulturor, të frymëzuar nga modeli kinez. E megjithatë, sipas të gjitha gjasave, ky revolucion pati ndryshime të mëdha nga nëna e vet aziatike. Në qoftë se në Kinë shkrimtarëve u binin më qafë, i rrihnin dhe i burgosnin dhe nëse pulsi i letërsisë atje pushoi praktikisht së rrahuri, gjatë këtij dhjetëvjeçari në Shqipëri nuk ndodhi e njëjta gjë. Atje shkrimtarëve iu dha detyra që të shkonin në bazë e të njiheshin nga afër me jetën e popullit, por pa pasur ndonjë persekutim të veçantë. Ndryshe nga Mao, i cili kishte grishur popullin, me plot kuptimin e fjalës, në një “puç” kundër aparatit komunist, Enver Hoxha nuk e vuri në diskutim përparësinë e Partisë. E megjithatë, gjatë kësaj periudhe pati edhe pika të përbashkëta midis këtyre vendeve. Kështu, ndërsa gardianët e kuq po rrënonin manastiret budiste në Kinë, shteti shqiptar bëri të njëjtën gjë. Ai e ndaloi “propagandën fetare” dhe i ktheu vendet e kultit në magazina, salla sporti apo muze, duke u shpallur kështu si vendi i parë ateist në botë. Është kjo epokë e çmendur, që na e jep me saktësi, mendjemprehtësi e lirizëm vëzhguesi Kadare, të cilit iu desh të ishte i pranishëm në “një vend të huaj” brenda vendit të vet, epokë, ndërkaq, e mbuluar nga shtresa të tjera ngjarjesh e që ka ngelur gjysmë e fshirë në mendjen e brezit të ri, që kërkon disa shpjegime. Sepse, duke cituar Aragonin, “Historia është e pakuptueshme pa këto shpjegime. Pikërisht ngaqë harrojmë ta pajisim me to, ajo ka gjithnjë pamjen greko-romake dhe një gjeneratë nuk kupton më asgjë nga ajo që tregojnë të moshuarit”.

Më 1966, kur sapo filloi revolucioni kulturor shqiptar, Ismail Kadare u dërgua të punojë “gju më gju me popullin”, në qytetin e vogël të Beratit, në Jug. Ai ndenji atje dy vjet, si korrespondent i gazetës letrare “Drita”. Që të njihej me realitetin e jetës, siç thoshte slogani, atë e ngarkuan të njihej me punëtorët e një kombinati tekstilesh. Ndërkaq, shkrimtari, i zhytur tanimë në universin e vet, ka shkruar disa përmbledhje poezish dhe tri romane: “Qyteti pa reklama”, që mbeti i fshehur në sirtarin e tij, “Përbindëshi”, i ndaluar pas botimit, dhe “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, i vetmi që ka të drejtë qytetarie. Por shkrimtari është kritikuar për këtë libër, ngaqë nuk ka prekur temën e ndërtimit të socializmit, por i është kthyer periudhës së luftës dhe asaj toke nga ku nxirren eshtrat e ushtarëve të vdekur. Por vdekja, nëse ajo nuk ishte një vdekje e heronjve të punës apo e të rënëve për atdhe, nuk mund të merrej si temë në letërsinë e vendeve socialiste. Ku ishte, pra, në veprën e Kadaresë kjo e tashme e gëzuar, që vështronte drejt së ardhmes? Ishte mirë të përshkruhej, për të mos pasur më trysni. Dhe këtu ishte edhe pika e dobët e këtij shkrimtari, që në vitet 1966-1967 po jetonte “pranë popullit”. Zgjedhja që po skicohet në trurin e tij, ndërsa shikon nga afër gratë e Labërisë që punojnë në kombinatin e tekstileve, është e thjeshtë: ose duhet ta braktisë letërsinë, një hipotezë kjo që e ka menduar shtatë apo tetë vjet më parë në Moskë, ose do të shkruajë nën shtypjen e dogmës, duke bërë lëshime të pjesshme, gjë që do ta lejojë të vazhdojë më tej. Sepse klima që e rrethon nuk është më ajo e fillimit të viteve gjashtëdhjetë, një klimë pak a shumë e favorshme për të krijuar. “Në vitet e ashpra 1967-1968, – shkruan Kadareja, – nuk dija ende shumë gjëra. Ishte e para herë që diktatura më bënte me të vërtetë të kisha frikë. Tani habitesha që kisha arritur në moshën tridhjetë e një vjeç pa e ndier kurrë një frikë të tillë”.

Është pikërisht në këtë fond që merr formë romani “Lëkura e daulles” (1967). Në fillim, Ismail Kadare merr për bazë një tregim të pabotuar, që ka shkruar në fillim të viteve gjashtëdhjetë e që quhet “Dasma e çuditshme”. Por nga kjo bërthamë përfundimisht nuk do të mbetet pothuajse asgjë, përveç ndonjë relike e fshehur në ndonjë dialog, kur dasmorët rrinë e presin përbri një treni. Versioni i parë i “Lëkurës së daulles” fillon e merr formë pak e nga pak. Ismail Kadare skicon një dekor që ka të bëjë me epokën ku ai jeton: është kantieri i një qyteti të ri, ndërtesa e parë e kryer e të cilit është një stacion treni. Kjo qytezë po rritet jo larg një teqeje, që është vend kulti i sektit mysliman të rufainjve dhe rrëfimi noton në një simbolizëm, që ilustron luftën e së vjetrës me të renë. Qyteti-kantier është një alegori e Shqipërisë në ndërtim e sipër dhe e njeriut të ri të saj. Në këtë qytet të së ardhmes shpështillet fuqishëm, me muzikë e me pije, një dasmë e gëzuar, me të ftuar të të gjitha shtresave, por, mbi të gjitha, të klasës punëtore. Dhe kjo dasmë, e përshkuar nga një tension që e shpie tregimin në prag të tragjikes, rrezikon të kthehet në një dasmë gjaku, aq e vështirë është për të të ndahet me të kaluarën.

Pas botimit në revistën “Nëntori”, në pranverë të vitit 1967, “Lëkura e daulles” doli si libër më vete vitin në vazhdim, me një titull të ri, “Dasma”, titull që, për sytë e botuesit, ishte më pak evokues i dokeve të lashta. Kemi të bëjmë me një tekst shumë më të plotë, që, zyrtarisht, mund të merret si romani i dytë i shkrimtarit. Në faqet e tij gjejmë atë që mund të pasqyrojë Shqipërinë e re: një kantier ndërtimi, punëtorë, një zëvendësministër që kryen punën prodhuese riedukuese, trena (treni i parë eci në Shqipëri vetëm pas Luftës së Dytë Botërore), këshilltarë kinezë, fjalime me shijen e karikaturës dhe me tema të kohës: lufta kundër fesë, kundër fejesave me mblesëri, emancipimi i gruas, subjekt ky ku shkrimtarët mund të strehoheshin, mbasi aty u vinte për shtat të flisnin për këtë aspekt njerëzor të regjimit. Kishte një vazhdimësi mendimi për këtë, ngaqë letërsia shqipe e kishte pasur për traditë mbrojtjen e gruas, në këtë gadishull ballkanik, ku ajo nuk kishte asnjë të drejtë. Kështu, vepra e Migjenit, shkrimtarit shqiptar të paraluftës, dëshmon për këtë angazhim të tij. Së fundi, në morinë e temave të realitetit të fundviteve gjashtëdhjetë dhe, kryesisht, “revolucionarizimit” të jetës, për të qenë të plotë, duhet shtuar këtu aluzioni i bërë për fletërrufetë, këto kallëzime të shpallura nëpër vende publike, dacibaot allashqiptarçe, që ishin karakteristikë e kësaj periudhe; po kështu, gjejmë edhe kritikë ndaj burokratizmit nëpërmjet personazhit të folkloristit.

Daljen e romanit kritika letrare zyrtare e priti me një entuziazëm të madh, gjë që s’e kishte bërë kurrë më parë dhe as do ta bënte më, në atë masë, për libra të tjerë të Kadaresë. Ajo shihte në të një sukses të fushatës së bërë për riedukimin e shkrimtarëve. I turbulluar nga ky kor elozhesh, shkrimtari e mori zët “Dasmën” dhe e quajti atë librin e tij më të keq. Ai e shpjegon këtë në një intervistë të bërë disa vite më pas, kur flet për romanin “skematik”. Në mënyrë paradoksale, ai nuk rrezikon asgjë duke bërë një deklaratë të tillë (e cila ngrihet kundër atyre që ia ngritën në qiell romanin), sepse një shkrimtar ishte gjithnjë i inkurajuar të bënte autokritikë.

Për herë të parë Kadareja përçmon një nga librat e vet dhe i jep vetes të drejtën dhe lirinë të thotë të keqen për një roman, që pati pëlqimin e “rojave besnike” të regjimit. Por ja, në vitet shtatëdhjetë, Arshi Pipa, intelektual shqiptar i mërguar në Shtetet e Bashkuara, flet për “Lëkurën e daulles” si një tekst pothuajse disident, ndërsa BBC e Londrës nxjerr prej tij një adaptim radiofonik, të titulluar “Dasma dhe fantazma”. Jashtë shtetit, pikërisht në Europën Veriore, botuesit majtistë e botojnë romanin për arsye krejt të ndryshme. Ky keqkuptim është pjellë e një teksti të suksesshëm që lejon lexime kryekëput të kundërta, sipas prizmit të lexuesit.

Lavdërimet që ndoqën daljen e “Dasmës” e nxitën Kadarenë të shkëputet një herë e mirë nga prangat e realizmit socialist, për t’u rilidhur me venën epike të tij. Ai i kthehet kështu romanit “Rrethimi” (Kështjella). Më pas, më 1981, kur po përgatiste një botim të “Veprave të plota”, me laps në dorë, ai shuan paragrafë të tërë dhe bën prerje mbi këtë “Lëkurë daulleje”, që mblidhet si lëkura e shagrenit. Vepra zvogëlohet kështu përgjysmë. Duke i ruajtur gjithmonë aspektet politike (heqjet do të zgjonin dyshime) ai kthehet pak a shumë në versionin e parë. Duke u distancuar prej saj, ai e konsideron sot “Lëkurën e daulles” si një objekt kurioziteti dhe i propozon lexuesit që të japë opinionin e tij, duke pasur parasysh se ai vetë i mbahet gjithmonë mendimit se kjo është vepra e tij më “e keqe”.

S’ka asnjë dyshim se “Lëkura e daulles” përbën një pjesë të veçantë në ansamblin e veprës kadareane. Atmosfera festive që përshkon faqet e këtij libri është një gjë e rrallë, në raport me pjesën tjetër të veprës së tij. Personazhet e punëtorëve, të pranishëm në këtë roman, thuajse mungojnë në gjithë veprat e tjera. Kemi të bëjmë vërtet me një tekst skematik, që i përshtatet, siç thotë autori i saj, frymës së “revolucionit kulturor”? Mund ta kundërshtojmë, duke thënë se ai bën pjesë katërcipërisht në universin Kadare dhe është më mirë ta japësh për lexim atë që kemi, sesa ta konsiderojmë si një “hallkë munguese”. Skenat e dasmës na kujtojnë, në të vërtetë, një pjesë nga “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, kurse përmendja e së drejtës kanunore, “kanuni”, do të paraprijë “Prillin e thyer”. Shqipëria e re, e paraqitur si shfaqje teatrale në faqet e “Lëkurës së daulles”, nuk duket se po e varros Kanunin? Po kështu, folkloristi, burokrat e grotesk siç është, a nuk ngjan si një kushëri i Besian Vorpsit? Në fund të fundit, toni mbizotërues mbetet përherë ai i Kadaresë. Edhe pse në festë, aty ndihet ngritja e tensionit, ashtu sikurse ndodh në shumicën e tregimeve të tij. Kurse realiteti, sado socialist qoftë ai, është i ngërthyer nga mitologjia. Në kapitujt e fundit shfaqet legjenda e Rozafës, legjenda që “ka uri” dhe që kërkon një flijim pas qindra vjetësh. I duhet vallë ky flijim këtij qyteti të ri që të mbahet në këmbë dhe t’i bëjë ballë kohës? Legjenda vërtitet rreth zjarreve të festës, një festë me zhurmë, me një daulle këmbëngulëse dhe me fjalime, sa kohë që larg saj fishkëllen një tren. Ja ku kemi edhe një tjetër motiv të dashur të veprave të hershme të Kadaresë: Faqet e para të “Muzgut të perëndive të stepës”, si dhe disa nga novelat apo poezitë e tij, janë të përshkuara nga këta trena, që nuk dinë ku venë. Është njëri prej tyre që vërtitet gjatë gjithë dasmës, i anashkalon asaj, madje, mund të thoshim se i vjen rrotull. Ai mbështjell gjithçka ndodh atje dhe lëvizja e tij e vazhdueshme dhe e çmendur të kujton frymën e “Përbindëshit”. Kemi përshtypjen se shkelim në të tashmen racionale të socializmit shkencor, por qyteti i ri është i rrethuar nga një gjeografi kaotike dhe nga një kohë e shkurdisur. Ky tren me pasagjerët e tij është një kor, një korife. Shkrimtari ka marrë rrugën e përjetësisë bashkë me personazhet e tij, që s’kanë asgjë heroike dhe që dinë, për atë që dëshiron të lexojë përmes rreshtave, të rrezatojnë një ironi të ëmbël.

ÉRIC FAYE