nga Admin

12 Tetor, 2012

Çmimi “Nobel” për letërsi 2012 i shkon shkrimtarit kinez Mo Yan. Për herë të parë, Akademia Suedeze ia jep çmimin një intelektuali që nuk konsiderohet disident e që nuk është në radhën e zërave kritikë të qeverisë. “Nobeli” për të është pasuar nga shumë kundërshtime

Reagojnë disidentët: Është pjesë e sistemit

Oliverta Lila (Gazeta SHQIP)

Mo Yan është fitues i çmimit “Nobel” për letërsi 2012. Dilema u zgjidh. Prej gati dy muajsh emrat e përfolur kanë bërë xhiron e botës. Mo Yan mundi kështu shkrimtarin japonez Haruki Murakami, i njohur për publikun shqiptar nga botimet e “Skanderbeg Books”. Akademia Suedeze ka komunikuar dje vendimin, duke dhënë edhe motivacionin për vlerësimin e veprave të tij, të cilat “me realizëm prej iluzionisti bashkon tregimet popullore, historinë dhe bashkëkohoren”. Mes kandidatëve të këtij viti ishte edhe shkrimtari Ismail Kadare. Ai renditej i katërti mes pretendentëve, por as këtë vit nuk arriti dot të merrte çmimin. Ndërsa Akademia Suedeze ka dhënë vendimin, duket se Mo Yan është një figurë plot “kontraste”, sidomos në vendin e tij. Kundërshtimet e para kanë filluar. Artisti kinez Ai Weiwei, një nga zërat më kritikë të qeverisë së Pekinit, ka thënë se: “Mo Yan është pjesë e sistemit”. Ai njihet veçanërisht për librin e tij “Melekuqet”, mbi të cilin është realizuar edhe filmi i njohur nga Zhang Yimou. Mo Yan ka lindur më 1955-n në provincën e Shandong. Gjatë revolucionit kulturor i është dashur të ndërpresë studimet për t’iu dedikuar punës së krahut. Ka qenë bari me lopë e dele dhe për t’i shpëtuar vetmisë e lodhjes, ka gjetur “strehë” në fantazinë e tij. Pasi punoi në një fabrikë pambuku, u bë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare Popullore. Ishte ende ushtar kur filloi t’i dedikohej dhuntisë së tij letrare, duke fituar edhe një vend si mësues në Akademinë Kulturore të Ushtrisë. U kthye kështu në një ndër shkrimtarët më të dashur në vend, autor i historive sa magjike aq edhe reale, që e kanë bërë të krahasohet me Garcia Marquez, por edhe me William Faulkner. Kjo është hera e parë që Akademia Suedeze ia jep çmimin “Nobel” një intelektuali kinez jo disident.

Në dallim nga Gao Xingjian, çmimi “Nobel” për letërsinë në vitin 2000, Mo Yan jeton në Kinë dhe shumë herë është akuzuar për përulje ndaj qeverisë: është zvpresident i një shoqate shkrimtarësh, e cila është parë me dyshime e që mbështetet nga Pekini. Në vitin 2009, refuzoi të ishte pjesë e panairit të librit në Frankfurt, sepse atje do të ishin disa shkrimtarë disidentë që jetonin në mërgim dhe ishte pjesë e manifestimeve në kujtim të fjalimit të vitit 1942 të Mao Zedong, ai që “çimentoi” letërsinë në vitet e para të Partisë Komuniste. Këto gjykime përplasen në fakt me kritikat që ai i bën në librat e tij sistemit shoqëror dhe politik kinez. “Në Kinë, torturat dhe ekzekutimet janë parë gjithnjë si spektakël. Ekziston një formë bashkëpunimi mes të akuzuarit, ekzekutuesit dhe publikut. Kam dashur të jem i fortë në ato që shkruaj, për të parë nëse mund të shkaktoja reagim: si mund të shihet një gjë kaq e tmerrshme si spektakël?”, është shprehur ai në një prej intervistave të tij. Emri i vërtetë i tij është Guan Moye dhe e ka zgjedhur pseudonimin letrar si një formë “hakmarrjeje” ndaj gjyshes së tij. Mo Yan, ashtu siç ai firmos romanët e tij, do të thotë “ai që nuk do të flasë”. Mo Yan nuk është një intelektual “kundër” si Liu Xiaobo, që fitoi “Nobelin” për paqe në vitin 2010 dhe që është dënuar me 11 vite burg për pjesëmarrjen e tij në lëvizjen “Charta 08”. Ndërkohë që dhënia e çmimit po festohet nga autoritetet, disa aktivistë shprehen se fitorja e Mo Yan është një lloj “ndreqjeje” ndaj goditjes që Kina pësoi dy vjet më parë. Mes zërave kritikë përfshihet edhe ai i Ai Weiwei, artist dhe disident, i cili nuk kritikon vlerat letrare të veprave të tij, por e quan “Nobelin” të pavlefshëm, përderisa Mo Yan nuk prononcohet për lirimin e Liu Xiaobos. As në të shkuarën nuk e ka bërë. Megjithatë ka mendime të patundura që Mo Yan ka treguar pavarësi të mendimit. “Mendoj se letërsia duhet të paraqesë të vërtetën e një vendi”, ka theksuar ai. I pyetur nëse ka ndonjë shkrimtar kinez që e konsideron si mësues, ai thotë: “Po, është një shkrimtar kinez që e konsideroj si mësuesin tim: Pu Song Ling,i epokës Ching, pak a shumë rreth 200 vjet më parë. Ai shkruante tregime për dhelprat dhe fantazmat. E adhuroj për historitë që tregon, sepse i kam dëgjuar edhe më parë nga familjarët e mi. Ai rimerr traditën gojore të popullit”. A ka lexuar shkrimtarë të huaj? “Nuk kam pasur mundësi të lexoj shumë për formimin tim kulturor. Ishin vitet e revolucionit kulturor. Në vitet ’80, fillova të lexoja autorë të huaj. Më dukej sikur isha një i uritur që nuk haja prej shekujsh. Kishim shumë përkthime. Mes italianëve i preferuari im ishte Italo Kalvino, por admiroj edhe Umberto Eco”.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>