Njoftim: Hapet “Portali i Albanologjisë”

0
542

Portali Albanologjik (foto)U njoftua së fundmi hapja e “Portalit albanologjik” i cili është rezultati i një bashkëpunimi Shqipëri-Kosovë nisur me një marrëveshje të dy bibliotekave kombëtare në muajin mars 2011.

Portali i albanologjisë është shërbim pa pagesë, që ofron informacion të larmishëm për Shqipërinë dhe shqiptarët, ku vend të veçantë zënë burimet bibliografike dhe koleksionet e dixhitalizuara të trashëgimisë kulturore kombëtare. Nëpërmjet tij mundësohet kërkimi dhe qasja në vlerat e rralla të trashëgimisë kombëtare në çdo kohë, nga kudo dhe nga kushdo. Website-i ofron shërbime si: të dhëna rreth historikut të krijimit të portalit; informacion për botime albanologjike, albanologë, hyrje të reja (libra, artikuj, periodikë) në të dy bibliotekat gjegjëse; qasje në burime të kombinuara digjitale dhe jo-digjitale, burime bibliografike etj.

Sasia e dokumentave të disponueshëm në faqe është ende relativisht e kufizuar por mbetet shumë pozitiv fakti që këto pasuri kombëtare po bëhen gjithnjë e më tepër të disponueshmë për të gjithë publikun e gjerë.

Misioni i portalit: Integrimi i informacionit mbi trashëgiminë e kulturës së shkruar mbarëshqiptare në rrjetin europian dhe botëror të informacionit; promovimi i trashëgimisë kulturore kombëtare; ofrimi dhe lehtësimi i qasjes së vijueshme në linjë/online nëpërmjet rrjetit global të komunikimit në baza të dhënash që flasin për Shqipërinë dhe shqiptarët; nxitja e shërbimeve të reja; zgjerimi i qasjes nëpërmjet bashkëpunimit edhe me bi­blio­te­ka/qendra me koleksione albanologjike në Ballkan, Europë dhe botë.

Këndi i albanologëve: përmbledh një listë biografike të gjatë me studiues, gjuhëtarë, historianë, publicistë të huaj që kontribuan në studimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të gjuhës tonë duke filluar nga: Roberto ALMAGIÀ (1884 – 1962) deri te Gustav WEIGAND (1860 – 1930)

Bibliografia “Libri shqip 1555-1912 në fondet e Bibliotekës Kombëtare”
Gjithashtu i disponueshëm në faqe është edhe bibliografia retrospektive e librit shqip “libri shqip 1555-1912” pjesë e arkivës së Bibliotekës Kombëtare (PDF)”.  Bibliografia “Libri shqip 1555-1912 në fondet e Bibliotekës Kombëtare” është pjesa e parë, ndër tri të planifikuarat, për periudhën nga fillimet e librit shqip (1555) deri në pikëtakimin me botimin e institucionalizuar të bibliografisë kombëtare të tij (1959). Ajo mbulon një periudhë prej rreth 5 shekujsh të fjalës së shtypur shqipe dhe vjen të plotësojë një kërkesë të kahershme në një fushë të rëndësishme si ajo e informacionit bibliografik, por edhe në historinë e librit shqip.