• Kreu
  • /
  • Blog
  • /
  • Një librashitës në Kansas bindi lexuesit të paguajnë më shtrenjtë se sa në Amazon

Një librashitës në Kansas bindi lexuesit të paguajnë më shtrenjtë se sa në Amazon

Nga: Liu i Cakut16 Mars, 2021

Lexo më shumë: The New Yorker

Gjigandi Amazon mund t’i lejojë vetes të shesë librat me humbje për shkak se i nxjerr fitimet në mallra të tjerë. Rrjedhimisht, libraritë e pavarura në të gjithë Amerikën ecën drejt falimentit të pashmangshëm. Por një librari në Lawrence, Kansas po i bind lexuesit se ia vlen të paguhet më shtrenjtë se sa në Amazon.

Blerësit e kanë të qartë që në fillim. Në Librarinë Raven në Lawrence, Kansas, çmimet e librave janë më të larta se sa në Amazon. Libraria vetë e shpall këtë me të madhe, pavarësisht se reklamimi i çmimeve më të larta është një strategji shumë e pagjasë biznesi. Por pronari i Raven, Danny Caine, ia ka dalë të flasë haptazi me lexuesit dhe t’i bindë ata se pse duhet të paguajnë më shtrenjtë dhe pse kjo në instancë finale ia vlen.

Ai e nisi luftën e tij kundër Amazon dy vjet më parë në median sociale, duke shpjeguar se pse Raven kërkonte 26.9 dollarë për një libër me kapakë të trashë, të cilin, një prej lexuesve e kishte gjetur online për 15 dollarë.

“Kur porosisim librat te botuesit, ne marrim çmim shumice sa 46% e çmimit të kopertinës,” shpjegoi Caine. “Rrjedhimisht në këtë rast kostoja e librit për ne është 14.57 dollarë. Nëse e shesim për 15 dollarë, fitojmë ….43 qindarka.” Caine shpjegoi se për shkak se inventari i librarisë së tij është dhjetë mijë libra, një fitim prej vetëm 50 qindarkash për libra nënkupton që ai të mbyllet brenda gjashtë ditësh.

Amazoni ka një inventar shumë më të madh, dhe jo vetëm të librave por edhe të shumë mallrave të tjera, të cilat kanë norma shumë më të larta fitimi. Kjo kompani ka mundësi t’i lejojë vetes të shesë librat me humbje.

“Nëse sheh nëpër rrugë dhe nuk të zë më syri librari, atëhere dije se ky është shkaku,” deklaroi Caine. Libraria Raven nuk është në gjendje të përballojë shitjen e mallrave me humbje siç bën Amazon, por në këtë rast, çdo dollar i shpenzua në librari paguan rrogën e librarëve, qiranë, faturat e ujit e të tjera. Një pjesë shkon për kujdes veterinar të punëmarrësve më të famshëm të librarisë Raven, macet Dashiell dhe Ngaio.

Postimet e Caine në mediat sociale bënë bujë kur librari të tjera në të gjithë Amerikën filluan të ndajnë shqetësimet e tij. Ata krijuan një lëvizje të quajtur “Si t’i rezistojmë Amazon dhe pse,” duke shpjeguar praktikat e pandershme në biznes. Një përmbledhje e eseve mbi praktikat e pandershme të biznesit me këtë titull u shit për dhjetë mijë kopje.

Rrjetet e supermarketeve, si online ashtu edhe offline, janë në gjendje të përdorin fuqinë e tyre ekonomike më shumë se sa novacionin ekonomik për të mposhtur konkurrencën. Një prej praktikave të supermarketeve është shitja e disa mallrave të dosmosdoshme, si qumësht apo oriz, me çmime më të ulëta se sa çmimi i blerjes. Ndërsa blerësit naivë tërhiqen nga çmimi i qumështit, ata pa kuptuar paguajnë shumëfish për gjithëfarëlloj mallrash të tjera për shkak se njeriu kur hyn në supermarket, nuk del vetëm me një shishe qumësht.

Ndërsa rrjetet e supermarketeve mbysin dyqanet e vogla, shumë njerëz besojnë se kjo është pasojë e novacioneve në menaxhim. Kjo dukshëm nuk është e vërtetë. Një pjesë e madhe e suksesit të supermarketeve vjen nga praktikimi i marketingut mashtrues.

Lexo më shumë: I varfër dhe i pastrehë në Paris dhe Londër, George Orwell

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Etiketa


Gjithashtu mund të lexoni

Për çfarë flet romani Alef nga Paulo Coelho

Për çfarë flet romani Alef nga Paulo Coelho

Van Goghu i urrente tulipanët

Van Goghu i urrente tulipanët

Fjalët “e pista” dhe letërsia

Fjalët “e pista” dhe letërsia

Jordan B. Peterson dhe “12 Rregulla për jetën – një antidot ndaj kaosit”

Jordan B. Peterson dhe “12 Rregulla për jetën – një antidot ndaj kaosit”