23 Shkurt, 2017

Titulli: Një ditë e Ivan Denisoviçit
Origjinali: Odin djenj Ivana Denisoviça
Gjinia: Roman
Autori: Aleksandër Sollzhenjicin
Shqipëroi: Nikolla Sudar
Shtëpia botuese: Fan Noli
Viti: 2016
Fq. 222
Pesha: 0.278 kg.
ISBN: 978-9928-203-07-6

Nga: Steve Rosenberg, BBC

Një ditë e Ivan Denisoviçit, romani i Aleksandër Sollzhenjicin, u publikua në vitin 1962. Një tregim i shkurtër dhe i thjeshtë mbi jetën e një të burgosuri që përpiqet të mbijetojë në Gulag – sitemi Sovjetik i internimit – romani tashmë konsiderohet si një nga më domethënësit e shekullit të njëzetë.

“Është ende errët, megjithëse një dritë e jeshiltë është shfaqur në lindje. Një puhi e hollë dhe hileqare vjen nga i njëjti drejtim. Nuk ka çast më të keq se sa koha kur duhet të ngrihesh për paradë në mëngjes. Në errësirë, në temperatura të ftohta të hidhura, me barkun e uritur dhe me një ditë të tërë përpara. Këtu humben fuqinë për të folur…”

Në nëntor 1962, kjo histori tronditi Bashkimin Sovjetik.

Aleksandër Sollzhenjicin përshkroi një ditë nga jeta e një të interrnuari, Ivan Denisoviç Shukov.

Personazhi qe letrar. Por në të vërtetë, kishte miliona njerëz si ai – qytetarë të pafajshëm të cilët, njësoj si Sollzhenjicin qe dërguar në internim gjatë dallgës së terrorit të Stalinit.

Cenzura dhe frika parandalonte të vërtetën mbi kampet që të publikohej, por ky tregim ia doli të publikohet. Dhe pas kësaj, Bashkimi Sovjetik ndryshoi përgjithmonë.

“Ne ishim tërësisht të izoluar nga informacioni, dhe ky libër na hapi sytë,” rikujton shkrimtari gazetar Vitaly Korotich.

Jeta në internim qe “diçka e paimagjinueshme për t’u menduar,” thotë ai. “Unë e lexoj dhe e rilexoj atë dhe thjeshtë mendoj se sa i guximshëm qe shkrimtari. Ne kishim shumë shkrimtarë, por kurrë një shkrimtar me guxim të tillë.”

Qe vetë udhëheqësi sovjetik Nikita Krushov ai që miratoi publikimin e romanit të Sollzhenjicin, gati një dekadë pas vdekjes së Stalinit. Duke lejuar një libër mbi internimin, mendoi ai, kulti i Stalinit do të goditej si pjesë e luftës së tij për destalinizimin. Problemi qe që romani shkaktoi më shumë trazira se sa pritej.

“Menjëherë sapo u publikua, romani qe i pamundur të ndalej,” rikujton Korotich. Romani u publikua edhe në mënyrë ilegale dhe u shpërnda me shpejtësi. Shumë njerëz filluan të mendojnë për burgjet.

“Nuk qe koha e kompjuterëve dhe printerave. Librat shtypeshin në letër cigaresh, qe e vetmja mënyrë që të prodhoheshin më shumë kopje. Bashhkimi Sovjetik u shkatërrua nga informacioni, vetëm nga informacioni. Dhe gjithçka nisi me këtë roman.”

Sipas dosjes së tij, Shukov qe burgosur i akuzuar për tradhëti. Ai e pati pranuar fajin – duke deklaruar se qe dorëzuar në mënyrë që të tradhëtonte vendin e tij dhe qe rikthyer nga një kamp gjerman të burgosurish lufte për të spiunuar për gjermanët. Por se çfarë kishte spiunuar ai, as Shukovi dhe as hetuesit nuk e dinin. Ata e lanë me kaq. Hetuesit e kundërspiunazhit e kishin rrahur deri në kockë. Zgjedhja me të cilën ai u përball qe e thjeshtë: mos firmos dhe torturohu, ose firmos, prano fajin dhe jeto pak më shumë…

Komunistët e vijës së ashpër u përpoqën ta rikthenin djallin në shishe. Nikita Krushov u rrëzua nga pushteti, procesi i destalinizimit i nisur prej tij u ndalua dhe në vitin 1974, Sollzhenjicin u arrestua dhe u përzu. Por kjo nuk e shpëtoi Bashkimin Sovjetik. Dhe sapo Bashkimi Sovjetik u rrëzua, përmasat e vërteta të krimeve të Stalinit u bënë të qarta për të gjithë.

Vepra e Sollzhenjicin ndihmoi në rrëzimin e Bashkimit Sovjetik, por fakti është që romanet e tij nuk arritën të ndryshojnë mendimin e rusëve mbi Stalinin. Pavarësisht krimeve, një pjesë e madhe e rusëve sot vijojnë ta shohin Stalinin në dritë pozitive.

 

Jeta e Aleksandër Sollzhenjicin 1918-2008

Shërbeu me Ushtrinë e Kuqe gjatë Luftës së Dytë Botërore.

U dënua me tetë vjet internim më 1945 për komente kritike ndaj Stalinit

Ka shkruar romane të tjera si Pavioni i Kancerozëve, dhe Arkipelagu Gulag.

Fitoi çmimin Nobel në Letërsi më 1970.

Iu hoq nënshtetësia Sovjetike dhe u përzu nga vendi më 1974.

U rikthye në Rusi nga SHBA më 1994.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>