NGA JANINA NË VLORË

0
293

Konsulli i Italisë në Janinë bën një përshkrim të udhëtimit të tij në Shqipërinë Jugore. Rrëfimi i tij vjen nën përkthimin e Çabejt

Enrico De Gubernatis*

Eqrem CabejMe qënë që rruga që vete nga Janina në Vlorë mund të marrij në një kohë t’ afërt rëndësinë më të madhe, nuk më duket një gjë e kotë ta përshkruaj. Nëpër këtë rrugë shihen vise tani gjysmë të shuara, po që na dëshmojnë aty-këtu një lulëzim të moçëm dhe zotohen për një ringjallje në t’ ardhmen. Këtu rronin Mollosët, fis bujar që i fali Ilirisë e Maqedhonisë mbretëresha, më tutje rronin Atintanët në luginat pëllore të Drinit e të Vijosës; më në fund vinin Kaonët, edhe këta fisnikë e në krushqi mbretërore.

U nisa nga Janina n’ agim të dritës; kisha me vehte gjelltarin, një kavas, një kalorës, përveç një qiraxhiu që ndukte një kafshë të ngarkuar. Rruga që ecim është ajo që na shpie në Sarandë. Tre qilometra larg Janinës na shfaqet katundi Risdunópulo ose Risduni i vogël. Dy kilometra më tej gjindet një han. Rruga mban edhe nj’a 3 km. në fushë, gjer sa vimë te katundi Lapsistë.

Te bregu i lumit Kallamà mbaron krahina e Zagorit të Janinës dhe n’ at’ anë lumit fillon krahina e Pogonit. Pra kemi në krah të djathtë një distrikt të ri që mvaret nga provinca e Gjinokastrës, kurse nga e mëngjëra vijon provincë e Janinës. Lumi i Kalamasë nuk kalohet në dimër; mund të kalohesh, po të kishte një urë, po udhëtimet këtu bëhen në verë; sikundër natura vetë, ashtu dhe njerëzit pushojnë në dimër.

Nj’ a 9 a 10 km. përtej lumit, duke u ngjitur ngadalë gjatë rrugës a rrëzave të kodrave, arrijmë te hani i Delvinaqit, ku vendosim të flëmë natën. Po, para se të arrijmë, kalojmë buzë liqenit të vogël e të bukur të Zharovinës afër katundit t’ afërm po me atê emër, liqen i ushqyer prej ujërash të shumta të ndëntokës. Vargu i malevet të Xhamusit ose Shutistës ndan krahun e lumit Kallamà nga krahu i Drinit.

Afër katundit të Delvinaqit kryerruga zbret pak me rëpjeta teposhtë, duke përshkuar së pari një prua të thatë, pastaj shkon një copë gjatë lumit të Guverit, një nga të dy degat e Drinit, që rrjedh nga Nemërçka, dhe shkon nëpër Voshtinë, kryevend i krahinës së Pogonit. Afër lumit gjêjmë prap një han, i quajtur hani i Guverit afër fshatit që ka po atë emër dhe që i qëndron përballë në një rrëzë mali. Hypi mbi majat që na ndajnë nga fushat e Gjinokastrës dhe hyj në një farë lugine, në të cilën mblidhen në një liqen ujërat e malevet përqark që s’ kanë se ku të derdhen. Ky liqen, gáti i thatë në verë, quhet liqen i Kserovaltit nga emëri i katundit që i rri përballë. Vendi nuk ka asnjë bukurí, veçse prej Delvinaqit e andej është plot me pyje, gjë që shihet rrallë në Epir. Në këto pyje ka plot rrepe, arra t’ egëra, plepe dhe dru të tjerë.

Në fushën e Drinit shohim nga larg Libhovën e Gjinokastrën, dy vendet më të mëdha të kësaj lugine; e para qëndron në rrëzë mali më të djathtë, e dyta në male më të mëngjërt, njeri qytet kundrejt tjetrit.

Arrijmë në fshatin Peshkëpi në fushën e Drinit ase në Dropull. Fusha e Gjinokastrës në kohët e vjetra duhet të ketë qënë shumë e lulëzuar; në këtê fushë përmenden qytetet Fanote, Hadrianopolis e Eleaus, prej të cilavet nuk ka mbetur asnjë gjurmë; zotërinj të këtij vendi ishin Atintanët.

Prej Peshkëpisë në Gjinokastër shkohet në verë në tri orë me kalë të mirë, në dimën në pesë orë. Me të kthyer bregut të vogël të Kollorcës gjindem para kryevendit të Dropullit në Gjinokastër që Turqit e quajnë Ergiri, e cila e ka ruajtur më mirë se të gjithë emërin e Argyrinëve, si quheshin pas Likofromit fiset që banonin këtê luginë. Qyteti qëndron mbi nji mal të thatë të gurtë e të shkretë.

Mali ka disa brigje e prrenj e mbi këto brigje ndodhen lagjet e ndryshme. Mbi një nga këta brigje qëndron kalaja, vepër për një pjesë e vjetër e për një pjesë e re; gojëdhëna thotë se një grua e quajtur Argjirë paskish qënë mbretëresha e vendit dhe kish goditur kalanë edhe pjesët ndën tokë të saj. Ali Pasha i plotsoi dhe shtoi edhe një ujësjellës që sillte në kala ujët e prroit të Goranxisë dhe që tani është prishur.

Kalaja e Gjinokastrës na paraqet gjurmat e ndërtesave botore të Turqisë; përmbi murin e moçëm e të fortë ngrihet një godinë e re e dobët; këtu të sheh syri pjesën ndën dhe me harqe e qemere të guximshëme e madhështore që s’ i qëndrojnë kohës brenjëse; atje shihet një këmbë guri e thyer, e rrëxuar; në një kënd qëndron topi prej bronci, gjetiu topa prej hekuri të ndryshkura; grumbuj gurësh na dëshmojnë vende-vende kisha të moçme, banesa të herëshme dhe kulla të vjetra. Urthi i pështjell vëllazërisht të gjitha këto gërmadha, të cilat i ka goditur po ai fat, edhe e vesh kalan’ e vjetër me një rrobe të blertë bimësh.

Shtëpit’ e Gjinokastrës, nga shkaku i natyrës malësore të vendit, janë shumë të larta ndaj rrugës, sa do që nga brënda kanë vetëm një kat ase e shumta dy kate; janë prej guri, se kjo lëndë është më e shpeshta në mal. Mbi majat e bregorevet bëjnë ballë së largu shtëpit’ e të pasurvet dhe të bujarëvet.

Nisem për Tepelenë. Rruga prej Gjinokastre ulet tatëpjetë, kalon Drinin te ura e qytetit, pastaj shkon gjatë rrëzës së malevet të Lunxhit duke shkuar së pari ndën kështjellin e Ali Pashës që sot quhet Shën Triadhë, të cilën e kishte themeluar ay për të sulmuar Gjinokastrën në rasë se kryengritësit do ta merrnin kalan’ e qytetit. Pas kështjellit të Shën Triadhës që qëndron si një çerdhe shqipesh ndodhet katundi i bukur Qestorat në Lunxhëri. Pak më tej afër katundit Erit, që qëndron në rrëzë mali, derdhet në Drin prroi i Nemëzës që zbret nga malet e Lunxhit e të Rrëzës; ne e kalojmë më va dhe arrijmë në buzë të Drinit, në të mëngjërtën e të cilit qëndron krenar mbi një bregore katundi Palokastër; këtu gjinden gërmadhat e një qyteti të hershëm.

Pasì bëmë 17 km. në tri orë, arrijmë te ura e te hani i Subashit. Përballë qëndron mbi malin e rëpjetë katundi i dëgjuar i Hormovës, kundër të cilit, sikundër kundër Kardhiqit, pat shpërthyer zemrata e Ali Pashës për të larë turpin që kishte pësuar prej sish e ëma e tij Hanko.

Mbasi arrijmë në një çukë, na paraqitet para sysh qyteti i ndjerë i Tepelenës. Drini atje poshtë rrjedh i shpejtë në amën e tij të thellë e të mbyllur; aty më tej Vijosa del nga gryka e Këlcyrës dhe mbush tërë fushën duke marrë dhe Drinin me vehte. Në fund të horizontit një breg i rëpjetë mbi Vijosë me një kala të madhe përsipër dhe me disa shtëpi të pakta e të mjera na tregon se këtu qëndron Tepelena. Muret e kalasë vështrojnë se larti gjithnjë Vijosën; po gjithë masgallet, gjithë vendet ndënë dhé janë të shkreta. Po nëpër gërmadha qëndrojnë në këmbë gjurmat e zotërimit t’ egër; gjithë kjo fortesë u godit në gjashtë muaj; qindra fshatrash qenë detyruar të punojnë e të kënaqin dëshirën e një despoti. Atje ku qëndronte banesa kryesore e Vezirit krenar, ay ndërtoi një pirg të lartë, prej nga vështronte grykën e Këlcyrës dhe të gjitha rrugat që shpien në Tepelenë.

Tepelena është një fshat i varfër që e ka bërë të dëgjuar emëri i Ali Pashës. Ka dhe një gojëdhënë të çudiçme mbi këtë vend: thuhet se që prej zotërimit turk e këtej ka vetëm 99 shtëpi e këto s’ mund të bëhen kurrë 100. Në katundin Veliqót 2 km. nga Tepelena rronte një i krishterë i quajtur Gjon; kur hyri vendi në dorë të Turkut, ay nuk pranoi të ndrronte fenë dhe kështu i prenë kryet; mirë po kryeprerí nuk vdiq, po mori kryen e vet, réndi te lumi i afërt i Bënçës dhe e hodhi atje që të mos bëhesh plaçkë e armikut; pastaj si kapërxeu n’ anë tjatër të lumit hyri në Tepelenë duke thënë se të 99 shtëpitë e Tepelenës do të mbeten kurdoherë 99; dhe besimi thotë se profetija u mbush: sa po ngrihet një shtëpi bie një tjatër dhe shtëpitë janë e do të jenë përhera 99. Këtë gojëdhanë e ka mbledhur pjesërisht edhe udhëtari englez Leake në 1805 në veprën e tij “Travels in Northern Greece”.

Tepelena duket se qëndron aty ku ndodhesh qyteti i moçëm Antigonia, i përmëndur për luftën që u bë atje afër midis Romakëvet dhe Filipit të Maqedhonisë. Nuk ka dyshim se gryka e Këlcyrës është ajo që quhesh Fauces Antigoniae: is inter montes, quorum alterum Meropum (sot Mezhgurán), alterum Asnarum (sot Çajup) incolae vocant, angusta valle fluit, iter exiguum super ripam praebens (Livius). Athenagori zuri një anë të grykës, Filipi tjetrën dhe Quintus Flaminius i lajmëruar prej një Epiroti, u ra që të dyve dhe i mundi, duke i detyruar që të prapsen në Maqedhoní.

Emëri i vjetër i Vijosës qè Aóus, te Plinius Afas, te Stefani i Bizandit Avos, Aia te Dio Cassius.

Nga Tepelena në Vlorë rruga merr nga perëndimi dhe shkon më së pari nga lumi i Bënçës mbi një urë të frikëshme me një hark të vetëm. Si kapërxejmë lumin, marrim përpjetë kodrat e Dukajt, katund i madh i përhapur; nga çukat e këtyre brigjeve kthehemi prapë në luginën e Vijosës, duke pasur më një anë malet e larta e të xveshura të Labërisë ose Grivën e m’ anë tjetër brigjet e hieshme që ngrihen gjatë Vijosës gjer në det. Rruga shkon disa km. buzës së mëngjërt të Vijosës: s’ është rrugë, po një shtek i egër e i kthyer, duke shkuar herë nëpër pyje e shkorreta, herë buzës së lumit, ujët e të cilit rrokullehet të shpejtë, të mbushur e rrezikshëm përposh nesh. Lumi herë ecën si gjarpër në njëmijë të kthyera me rrjedhjen e tij të gjerë e madhështore në fushë të hapët, herë mbyllet në gryka të ngushta, të egëra e të ashpërta, i shpejtë dhe i thellë. Më e bukura e këtyre grykave ndodhet nj’a 24 km. larg Tepelenës ndënë katundin e hieshëm të Dorëzës; këtu rruga është aqë thikë, sa duhet të zbresim e të ecim më këmbë, dhe me zi çilet nëpër shkrepa fort të larta një shtek i ngushtë. Këtu te gryka ka qënë një kështjell, tani ka vetëm gërmadha. Si dalim prej grykës së Dorëzës, ecim rishtas në fushë dhe arrijmë te hani i Kudhësit, ku do të shkojmë natën. Kudhësi është një katund i madh i Vlorës dhe pikërisht këtu ndahet krahina e Vlorës nga krahina e Tepelenës.

Pak më larg nga Kudhësi e lëmë një herë e mirë Vijosën dhe ngjitemi disa bregoreve dhe arrijmë në luginën e Shushicës. Nga majat e atyre bregoreve pamja është e madhërishme; nga njëra anë vështrojmë çukat e Akroqeraunit të bardha me borë dhe luginën e lartë të Shushicës; më një anë tjetër duken brigjet e bukura të krahut të Beratit plot me katunde të pasura, të laguna prej Vijosës, brigje që duke u ngjitur dalë ngadalë në formë amfitheatri mbarojnë në majat kuximtare të Tomorrit; në çip të horizontit, në verilindje, duken larg nëpër re vargjet e fundit të malevet t’ Elbasanit; në lindje çohen majat e Mezhguranit e të Çajupit që përbëjnë grykën e Këlcyrës; në perëndim bregoret ulen ëmbëlsisht në det dhe janë të veshura me ullinj, të citura me katunde, ndër të cilët ngrihet kryelartë me kështjellin e saj Kanina.

Me këto mendime arrij në buzë të Shushicës, lumë i mbushur e i shpejtë që rrjedh nga malet e Akroqeraunisë e derdhet në Vjosë. Një bregore dhe pak kilometra rrugë na ndajnë nga Vlora. Ja ku po kufizohen nëpër ullinj minaretë, pastaj shtëpit’ e Vlorës, e quajtur dikur Aulón.

 

 

*Një  prej teksteve nga libri “Bota shqiptare” zgjedhur e përshtatur prej Çabejt. Përkthyer shkurtazi nga një të shkruar të Enrico De Gubernatis, botuar në Bolletino della Societá Geografica Italiana, vol. VIII, 1862).

 

 

Në foto:

Kjo është një foto e vitit 1931 ose 1932, kur Eqrem Çabej ishte në Horë t’Arbëreshvet – Piana degli Albanesi afër Palermos, Sicili (në atë kohë quhej ende Piana dei Greci). Sapo kishte kryer studimet në Universitetin e Vjenës dhe kishte shkuar të studionte në vend arbërishten e Horës, përmbi të cilën po shkruante tezën e doktoratës “Italoalbanische Studien” (Studime italoshqiptare, ose arbëreshe).