23 Gusht, 2016

Saga1Shumë prej jush mund të pyesin: “Si në pritje të ‘Sagës së Forsajtëve’? Ai libër është përkthyer me kohë…”  E pra, ajo që shumica gabimisht e njohin si “Saga e Forsajtëve”, në fakt është Kronikat e Forsajtëve, e përbërë nga tri trilogji mbi Forsajtët dhe jo vetëm. Themi jo vetëm, sepse trilogjia e tretë, “Kapitulli i Fundmë” nuk ndjek më Forsajtët, por Çerëllët, kushërinjtë e Montëve.

Në përfundim të trilogjisë së përkthyer vite më parë me mjeshtëri nga Vedat Kokona, Somsit i lindi një vajzë, Flëri dhe të gjithë i dimë mëdyshjet e dashurisë së saj. E pra, në trilogjinë e dytë, të titulluar “Një komedi moderne”, Gollsuorthi ndjek pikërisht jetën e Flërit me Majkëll Montin: jetën e një vajze të llastuar, që mund të ketë gjithçka, përveç dashurisë së saj më të madhe. Shkruar në vitet 1924-1928, trilogjia mbyllet me “Këngën e mjellmës”, që me vdekjen e një personazhi mjaft të rëndësishëm (nuk duam t’jua prishim surprizën, ndaj nuk po e tregojmë se të kujt), autori i vë vulën familjes së Forsajtëve, duke hapur dyert për një frymë të re në trilogjinë e tretë.

Pikërisht, libri i shtatë i kronikave është ai që do të sjellin shumë shpejt në dorën tuaj botimet Pegi. Ky libër ndjek jetën e Çerëllëve (siç thuhet në libër: sepse kështu na u shqiptuaka Çaruell”), tashmë në vitet që pasojnë Luftën e Parë Botërore. Në qendër të librit, ashtu siç ia ka ënda Gollsuorthit, është një vajzë dhe përveç frymës së një Anglie që po ndryshon dhe bashkë me të edhe të një shoqërie që përshtatet sipas normave të reja të jetës, vërtiten histori dashurie. Autori nuk zhgënjen kurrë me panoramën e viteve ku jeton, duke na lënë një galeri mjaft të qartë vendesh, historish, mendimesh të kohës, debatesh, karakteresh, lojërash politike e gjithfarë ngjyrimesh të tjera që marrin frymë me Anglinë e atyre viteve. Kush e ka lexuar librin, në fillim ndjente zhgënjim se si  Gollsuorthi i linte pas dore Forsajtët, mirëpo që të gjithë në fund shprehen se kjo kthesë ka sjellë një frymëmarrje të re dhe freski, një ritëm të ri, aq sa trilogjia është tejet e ëndshme. Natyrisht që autori nuk zhgënjen me karakteret e femrave të forta, të mprehta e gjuhëshkathëta, por edhe me stilin e tij ironik prej anglezi tipik, që jo rrallë të bën të vësh buzën në gaz, edhe kur nuk do.

Kështu pra, pasi i kemi lexuar disa faqe dhe na është ndezur keq kureshtja, ne jo vetëm mezi po presim që ta kemi librin sa më parë në dorë, por edhe që botimet Pegi të na sjellin edhe pjesëzat munguese të këtyre kronikave, me dëshirën për ta pasur sa më të plotë veprën e këtij autori në bibliotekat tona dhe jemi të sigurt se këtë nuk e dëshirojmë vetëm ne.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>