nga Admin

7 Nëntor, 2012

Në Stamboll, nobelisti ka mbledhur objektet që i ka koleksionuar prej vitesh, por filxhanët, kartolinat dhe stolitë e çmuara janë të njëjtat që lidhin Kemalin dhe Füsunë, protagonistët e një libri të shkrimtarit turk, që në këtë artikull tregon historinë e një fiksimi

ORHAN PAMUK

Siç i blija pak nga pak objektet për t’i ekspozuar në muze,  ashtu përpunoja në kokë edhe historinë. Ndodhte që në shtëpinë e ndonjë miku të gjeja sende të ndryshme dhe kjo më gëzonte pamasë. Shkoja shpesh edhe në shtëpinë e vjetër të nënës sime, sepse shpresoja të gjeja objekte të çmuara, sepse e dija që i ruante. Merrja ç’më pëlqente dhe nuk i thosha askujt që një ditë do t’i ekspozoj në një muze. Fillova të koleksionoja sende të ndryshme në mesin e viteve ‘90, për t’u zhytur më pas në universin e objekteve të romanit. Disa prej këtyre sendeve nuk munda t’i ekspozoj në muze, sepse nuk arrita ta spostoja historinë deri tek ato dhe më kryesorja nuk i përshtateshin atmosferës së vendit. Në fillim kur dikush më pyeste se çfarë do të bëja me sendet që koleksionoja, nuk isha në gjendje të përgjigjesha. “Do të ndërtoj një muze dhe katalogu i tij do të jetë një roman”: Kjo do të kishte qenë përgjigjja e duhur, por në atë kohë nuk më shkonte ndërmend dhe përgjigjesha me ndrojtje. Ashtu si koleksionistët që kam përshkruar në libër, edhe unë isha shumë i dhënë pas objekteve. Me pak fjalë sillesha sikur nuk e dija se çfarë do të bëja me to, pavarësisht se më pëlqente aq shumë. Ishte një ekstravagancë e padëmshme.

Në fakt, atëherë vërtet nuk e dija se çfarë do të bëja me sendet që koleksionoja. Ëndërroja vazhdimisht, madje fillova të fiksohesha që të ndërtoja një muze dhe të shkruaja një roman, por sjellja e çuditshme e këtyre ëndrrave dhe vështirësia për t’i realizuar më trembte edhe mua vetë. Isha i bindur për faktin se në qoftë se do t’ua kisha zbuluar ëndrrat e familjarëve të mi, miqve, të afërmve do të ishin përpjekur të më ndalonin, duke menduar gjithnjë për mirë: do më thoshin se është humbje kohe dhe se nuk duhej t’i shpenzoja energjitë e mia me gjëra të kota, sepse në Turqi (asokohe ishin vitet ‘90) asnjë njeri nuk do të vinte për të vizituar një muze dhe veç të tjerash nuk duhet të harxhoja para, sepse mbaheshim vetëm me ato që fitoja nga e drejta e autorit. Ndoshta kishin të drejtë për gjithçka, por nuk reshtja dot së menduari për romanin dhe muzeun; vazhdoja të blija objekte dhe i fshihja në shtëpi, studio, e ku të mundja, pa i treguar njeriu.

Kur nuk jemi të detyruar të ndajmë ëndrrat tona me të tjerët dhe t’i bindim për vlerat që ato kanë, krijimtaria artistike dhe letrare ngrihen në një gjendje euforie. Kam përshtypjen se ky është motivi që shumë shkrimtarë dhe artistë që unë admiroj kanë jetuar në vetmi, jo sepse ishin gjaknxehtë dhe grindavecë. Ja pse shpesh idetë e reja vijnë më tepër nga periferitë sesa qendrat letrare dhe artistike.

Që të filloja të shkruaja një roman në formën e një katalogu, i cili komentonte muzeun në bazë të objekteve që kisha koleksionuar, duhej të vendosja vendndodhjen e shtëpisë së Keskin-ëve. Jo për gjë, por ajo ishte shtëpia ku Kemal do ta vizitonte Füsun-in për vite me radhë dhe siç do të tregoja më pas në roman, do ta shndërronte në një muze. Duke përcaktuar pozicionin, do të thoshte të vendosja vendndodhjen e muzeut. Askush nuk do të vizitonte një muze në një periferi, ose në një lagje të varfër. Problemi ishte se nuk mund të blija një shtëpi të madhe dhe të pavarur për ta shndërruar në muze, në një nga ato lagjet ku personat e pasionuar pas muzeve, njerëz të arsimuar do të mund të shkonin aty për të kënaqur shijet e tyre kulturore. Por edhe në qoftë se do të kisha pasur para mjaftueshëm, a do të kisha guxim t’i shpenzoja të gjitha për të blerë një shtëpi që ëndërroja ta ktheja në një muze në të ardhmen? A besoja deri në atë pikë te muzeu sa të blija një banesë të madhe për këtë projekt? Fillimisht duhej të bindja veten, pastaj shoqërinë e ëndrrat e mia. Me paratë që fitoja në atë kohë nga e drejta e autorit, nuk do të kisha mundur të blija një shtëpi për ta kthyer në muze në Nisantasi, ku ishin përshtatur romanet që kisha shkruar dhe ku jetonte Kemal-i, e shumë personazhe të tjera.

Kështu nisa të shikoj për ndonjë shtëpi në shitje mes Cihangir-it dhe Beyoglu-së, nga sheshi “Istiklâl” deri te “Tophane” dhe kulla “Galata”. Në kohën e inaugurimit të muzeut, në pranverë të vitit 2012, këto rrugë do të ndryshonin; turizmi, ndërtimi i dyqaneve të reja ndërkombëtare dhe përpjekjet për ripërtëritje do t’i ndihmonte të ndryshonin pamjen. Por në mesin e viteve ‘90 ato rrugë ishin akoma të varfra, të rrënuara dhe të braktisura, ashtu si atëherë kur isha fëmijë. Disa prej këtyre ishin lënë si të gjitha rrugët e Stambollit në vitet ’50-’60. Në kodrën që shtrihet nga rruga “Tophane” deri tek ajo “Tünel”, pranë kullës “Galata”, kishte akoma shumë laboratorë të vegjël që prodhonin vegla për shtëpi dhe kuzhinë prej plastike dhe alumini. Zhurmat e makinave dhe të daltave dëgjohen në rrugë nga bodrumet e ndërtesave gjysmë të shkatërruara, trashëgimi e epokës otomane, ku dikur gjendeshin laboratorët që prodhonin topat blu e të kuqë me të cilët luanin fëmijët nëpër rrugë, si dhe enët e plastikës që kisha parë në shtëpinë e Füsun-it.

Duke zbritur nga Galata në Tophane, kafenetë dhe rrugët e  banuara nga romët, kurdët dhe emigrantët e varfër afrikanë, ata që ishin të papunë, pasi i mbijetuan luftës në Anadollin Lindor, ishin të mbushura me njerëz dhe plot jetë. U hodha një sy apartamenteve edhe në këtë zonë. Mendova që edhe një shtëpi të vogël private me një palë shkallë brenda e ndërtuar në kohën e rënies së perandorisë otomane, do të më bënte punë që ta ktheja në muze. Por në vitet ’90 koleksioni im ishte akoma i vogël dhe ëndrrat që kisha për një muze në të ardhmen nuk ishin kaq ambicioze.

Në vitin 1999, gjashtë muaj pas tërmetit të madh, bleva një shtëpi 50 metra larg banjës së famshme turke, Çukurcuma. Më pëlqente shumë kjo ndërtesë që e shikoja çdo ditë kur çoja vajzën në shkollë dhe kur mora vesh që ishte në shitje nuk u mendova dy herë për ta blerë. Pronari ishte një ndërtues që kishte realizuar projekte të ndryshme në Stamboll: ai e kishte blerë ndërtesën në një ankand, pasi pronarët paraardhës kishin përfunduar në gjyq, dhe duke mos e ditur me saktësi se çfarë ta bënte e kishte kthyer në një fjetore për punëtorët e tij. Ndërsa vizitoja dhomat e pluhurosura dhe të çrregullta të kësaj ndërtese elegante, por të rrënuar, pashë një punëtor që kishte mbetur si i ngrirë me sytë e ngulura në tavan. Ai më tregoi se dikur shtëpia jepej me qira nga pronarët, dhe si shumë pallate të vjetra greke të zonës, përdorej si bodrum. Më pëlqenin shkallët prej druri, fakti që ndodhej në kryqëzimin e dy rrugëve dhe që ishte e vogël, gjë për të cilën do të ankohesha shumë gjatë viteve në vijim. Megjithatë, isha i lumtur, sepse kisha gjetur një ndërtesë elegante, të denjë për Füsun-in. Po, Füsun-i duhej të kishte jetuar aty me siguri. Isha i sigurt.

  • “Muzeu i pafajsise” me te vertete nje liber i jashtezakonshem dhe te kthen pas ne kohe te kujton rinine dhe pasionin e cmendur te dashurise te shkruar me aq pasion nga shkrimtari i madh Orhan Pamuk

  • {"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
    >